VIRUSI Ruhuni nga “Virusi”! (R) Kisha dëgjuar nga të parët e mi, se “ujku mjergull kërkon” dhe kur u rrita kuptova se “në mjergull” ujku shpartallon,grin e mbyt delet apo gjënë e gjallë. Është interesante se në çdo kohë, në çdo vënd, në çdo epokë e situatë, vjedhja ka qënë dhe është një ves i pështirë, i poshtër dhe i dënueshëm. Dikur të dëbonin edhe nga fshati, edhe të diskreditonin e të fëlliqnin moralisht në shumë forma. Të ngarkonin sendin e vjedhur në qafë, të vinin lëkurën e lopës a të deles të vjedhur mbi kurriz e të shëtisnin në fshat, të pështynin fshatçe…të vinin edhe gjoba. Në shumë raste haje dhe plumbin, kur e kishe tepruar e shkoje shpesh në ndonjë stan të bëje “hynerin’. Me thënë të drejtën aty ku unë linda e u rrita, u bëra burrë, nuk më ka ngelur në kujtesë asnjë rast i tillë. Po e them me përgjegjësi në fshatin tim nuk vidhte njeri, dhe kur tentonte ndonjë i “huaj”jashtë fshatit nuk e realizonte dot hajdutërinë apo piraterinë se që të realizonte një diçka të tillë do kishte “tradhëti apo bashkëpunim nga brenda” gjë që në vitet e mia në fshat as e ndjeva, as e dëgjova një gjë të tillë. Kusarët e “vjetër” i takojnë asaj kohe, kur varfëria ishte e tejskajshme dhe në fshat thyente miu kokën, se hambarët s’kishin as grurë, as miell, as palafike..... Por këta “kusarët e rinj“ ? Sot? Kishin disa muaj që qarkullonte nëpër fshatrat e braktisura se një “kope skifterësh” braktiste aty këtu shtëpitë e mbyllura. Banorët kishin vite që kishin mërguar të sforcuar në dhera të huaja për një cope bukë, duke lënë shtëpi e katandi me atë pak plaçkë e laçkë në mëshirë të fatit. Jetonin në fshat disa pleq e prindër të paktë të fëmijëve emigrantë, të cilët komunikonin shpesh me fëmijët e tyre fal mjeteve që shekulli shpiku. Ishin bërë dhe pleqtë specialistë të Iphodeve, Iphoneve, Skype, Vibër, Insagrameve apo Wchapëve, dhe me thënë të drejtën pleqte (prindët) e ndienin mallin më shumë, gjithsesi fëmijët çdo ditë komunikonin me ta. Xha Perikliu dhe zonja e tij Agathia, ishin tek te nëndëdhjetat afërsisht. Kishin tre femijë të shpërndarë në tri shtete të ndryshme. Ata i ndihmonin dhe u dërgonin gjithë të mirat prindërve të tyre nëçdo kohë, si; para, sende, veshmbathje e ushqime , ilaçe e ....Fëmijët hera -herës u bënin thirrje t'i merrnin në “kurbet” aty ku jetonin ata. Por e pa mundur, donin të vdisnin në fshat,aty ku kishin derdhur djersën dhe gjakun e jetës,duke punuar me ndershmëri e dinjitet. Xha Pelua (ashtu e thërriste fshati), kishte qënë në rininë e tij emigrant në Tunizi, dhe ishte i shkolluar e i kënduar, lexues pasionant, dhe historian i paarrirë. Zonja Gatho kishte qënë e bukur, e pamshme e pastër e nikoqire, vinte nga nje dere e mire nga një fshat fqinj. Lavdi zotit gëzonin shëndet të plotë të dy dhe fëmijët ishin të qetë. Ata ishin të dy shumë të pastër e shumë të qytetëruar. Xha Pelua, kishte miqësi me një familje të ardhur në fshat nga një vënd tjetër tani në pas demokracisë. Familje e mirë, njerëz të ndershëm dhe ishin përshtatur vëndit, kështu për çdo hall fëmijët e tyre (që s’kishin mërguar) i sillnin çdo gjë që kishin nevojë. Jeta ecte normale e mrekullisht mirë. Fëmijët u kishin ndërtuar një shtëpi të bukur, komode dhe me mjedise bashkohore. Xha Pelua, e vuante mungesën e moshtarëve të tij. Disa kishin ndërruar jetë, disa kishin ikur pas fëmijëve, dhe ata që kishin ngelur aty dy -tre “moshatarë”s’kishin këllqe të dilnin dhe kështu hera -herës, bashkë me zonjën Gatho, dilnin i vizitonin në shtëpitë e tyre, kalonin një cope herë me muhabet e çmalleshin. Kohën e kalonte xha Pelua, për së mbari, me Tv, me lexime, me kopshtin, hardhine, komunikimin me fëmijët, me miqtë, me bashkëfshtarët kudo që ishin. Po thuaj çdo ditë, hera -herës delte i mjeri dhe shikonte rrugës e kujdesej për çdo shtëpi të braktisur të gjitonëve pse jo dhe të fshatit, si kujdestar e bamirës. Diku shëmbej ndonjë mur avllie nga koha, diku ishte thyer ndonjë pemë nga era, diku shikonte ullinjtë e miqve si i sakatonte sëpata e keqbërësit, fliste e qortonte ndonjë të ri që pinte ato cigaret “që vinin erë”ose ndonjë sarahosh alkolist, me pak fjalë ishte një burrë që nderonte një fshat, të braktisur e të mjeruar, duke qënë model i një përsosmërie njerëzore. S'e kishte menduar kurrë se një “pandemi” botërore do ta linte kaq të trishtuar, kaq të zymtë e emocional. Përjetonte tmerr dhe nje merak të madh për fëmijët…kishte katër javë në karantinë. Ndodhte që bënte grrënjë nga një herë nga mërzitja edhe me Gathon, të cilës hera -herës i thoshte - Mos m'u qas, mbaj distance, i dëgjon ti apo si dëgjon këshillat e qeverisë e të mjeksisë. Plasi brënda, dilte në ballkon shpesh, hynte serish si i marrosur. Ditën me diell, vinte shezlongun prej lëkure e lexonte. Flladi dhe era e detit e rinonte. Hera -herës meditonte si i shushatur, e kujtonte jetën, kur fshati gëzonte, kur fshati gumëzhinte nga zërat fëmijëve. Kujtonte që njerëzia në një sistem totalitar shërbente si bllok ushtarësh, në prashitje, në korrje, në vjelje agrumesh, vjellje ullinjsh,kamina qeramidhesh, gelqere, mbledhje fsake a bime medicinale...Një jetë e mbushur me oksigjen ,në një barazi sociale, e sot urren të “pasurit e padenjë” që vunë kapitale me udhë të liga,tipa e karaktere të dhiera, të “fortët e kohës”që s’kanë din e iman, por vetëm dinë të përvetësojnë, të korruptojnë. Kujton ata që rrëmbyen tokat e të tjerëve, bahçet, ullinjtë, portokallet vreshtat që dikur i kishin mbjellë të tjerët, ata që përvetësuan çdo mall të përbashkët e shtetëror. Mosha e kishte bërë më të ndieshëm , hera- herës qante me ngashërim. Ndodhte që Gathua e shikonte me hidhërim nostalgjinë e tij dhe shpesh e ngushëllonte : -Të na rrojnë fëmijët burrë, pa çdo gjë do bëhet mirë, ja kaluan tridhjetë vjet dhe nuk vdiqëm, demokracia(e sotme) nuk bëhet çak e fap..do kohë. E kështu vazhdonin ditët e dy “heronjve” tanë të ndershëm e të kristaltë. -O zot, ç’po më shohin sytë,-i tha një mbrëmje i alarmuar e duke uluritur të shoqes. -Gathoooooo, pa dil, eja në ballkon më bëjnë sytë apo ooooooo hajdeeeee, nxitoooo, te lutem ! -Uaaaaaaa, po ,-befasoi plaka,- ke të drejtë uaaaaa, shpejt merr në telefon shpejt. O zot! -Na morreeeeee ç’jeni ju aty , ikni largohuni s’keni gjë punë në shtëpi të tjetrit,do lajmërojmë policinë…kusarë! -Ua po presin me gurzmeril drynin, dyert ,zgarën e penxheres….e dëgjon nxito- nxito…merr policinë! -Dil plak…..dil, vurë maskën diiiiiil,i grinë, i vodhën i rropën. Shiko po ngarkojnë me makinë plaçkat... Mere Sofon në telefon shpejt ç’bën? Thuaji të batërdisën shtëpinë, o zot ……. Shtëpia që vidhej ishte dyqind metra larg shtepisë tyre. Rrugica e kalldrëmtë, e pengonte plakun të ecte shpejt. Ishte muzg, ende s’kishte rëne nata. Me telefon në dorë me maskë në fytyrë Pelua jonë,mori rajonin e policisë…..që ndodhej 20 km larg. -Aloo, alooo…122 jeni? Hajdeni ju lutem, se një makinë me dy tre kusarë po hap shtëpinë e Sofo Shkëmbit që ndodhet emigrant …Ju lutem nxitoni…..nxitooooni ! Jam Perikli Nastua. Gathua nga ballkoni u bë pishman në çast që nisi plakun dhe bërtiste e ulërinte, -Ktheu, ktheu o plak, ooo plak, ktheu se do të vrasin ktheu, ktheu! “Aksioni” vazhdonte, kur u afrua plaku as tridhjetë metra dëgjoi që dikush nga ballkoni i shtëpisë që po bastisej i therret: -Ktheu matuf se eshte”karantinë” e di ti që shteti ka vënë rregulla dhe është gjëndja e shtetrrethimit?! Afroju pa do ta paguash ”spiun” i mutit. E ç’të duhet ty? Ne na ka “porositur” vet i zoti. Ai do “ndërrojë” plaçkat e do t'i marrë të reja,- fliste me ironi kusari. Stopoi në vend xha Pelua, u përqëndrua dhe tha me vete: - Po, pooo, kusari të vret. -Po more më policinë, do të bastisim edhe ty, edhe plakën ndonjë natë,- i tha sërish një zë tjetër hajduti. - Burrë plak, “spiun i ndyrë”, lamash, greku i mutit, qelbësirë! Era e detit, ca dhe veshët s'e linin plakun të bënte dialog…me “mysafirët” e natës, me këta kusarë të rinj të demokracisë re. -Alooooooo Sofo….,-.therriste plaka në telefon nga ballkoni, e therriste me sa zë që kishte mos dëgjonte ndonjë i gjallë - Na more ti, Pano……o Koco….o Ollgë…oooo dreq o njerez,ka njeri të gjallëëëë, dilini po vjedhin hajdutët. Plaku i mirë në distance…shihte në gjysëm errësirë si ngarkohej kamioni….me “prenë e vjedhur”. Një tmerr i vërtetë. S’lanë gjë pa marrë deri te tenxheret e filxhanet dhe gjithë plaçkën e rendë e deri bidonët me vaj ulliri. O zot, edhe ullinjtë e bërë. Nga ku ishte i “gozhduar” si krishti në kryq, as para, as mbrapa në rrugice,u përpoq sadopak i mjeri te afronte fokusin e kameres e t'i regjistronte ne foto hadutët dhe targën makinës, por ishte e kotë, s’kishte kënd shikimi. -Alo, poooolicia , 122 jeni? Po urgjent u lutem, urgjent, po ndodh një vjedhje e organizuar me kamion e me arme (armët nuk i pa po e mori me mënd që do kishin të tilla të ligjtë) -Oooo Gatho, futu brënda se mos na qëllojnë me armëëëë! Mirë mua që më kanë në shënjestër… -Aloooo! Policia ,policia..keni në mënd të vini apooooooo jeni një me ta…u dhjefsha (se shkava dhe nga goja) m'u në shtet….! Qelbësira, llum i llumit, kusarë të poshtër u ndëshkoftë zoti, populli dhe bota vuan një tmerr, ju mos u ngopçi, i bëfshi ilaçe….të qelbur .. Nuk vonoi dhe kamioni rehat- rehat, pa i shqetësuar kush duke u renë edhe borive për karshillëk ( të vdekurve), mori rrugën për destinacion, pikërisht andej nga ishte dhe stacioni i policisë. -Alo…policia? Sa u nisën kusarët, diluni para për gjysëm ore i keni aty! -Alo….Alooo, policia jemi na thuaj targën e makinës, të lutem urgjent! -Nuk e mora dot, u përpoqa, por hiç nuk më lanë të afrohesha as të filmoja… -Aaaaaaa, jo kështu, po nuk na dhe targën s’mund të ndalojmë kot pa prova qytetarë! (targat ata i ndërrojnë sa mbarojnë gjahërimin) -O po poooooo,- bërtiste xha Pelua. -Është një kamion 2 tonësh, i bardhë me karroceri, me super sponta…mbushur me kusëri plot e përplot . -Xhaxha faleminderit, s'kemi prova…pa targë s’bëjmë dot gjë! -O zot po ndaloni ju lutem dhe provat i keni mbi makinë! A u bëfshi mut për pula!. -Do marrë Edi Ramën, taniii tani,- tha plaku i nxehur në kulm me indiferitizmin e policit në shërbim. -Ooooo, paske qënë zevzek i madh ti! Merr edhe Trapin…akoma s'e ke marrë edhe Merkelin a Makronin,ç’paske qënë!- ,Polici mbylli I inatosur telefonin. U kthye plaku i shkretë i pezmatuar e i hidheruar, duke u ngushëlluar e duke qarë para Gathos si kalama. -U prish dynjaja Gathooooo, bëmë një filxhan kafe….o zot sa dallge ka deti sot… Në darkë në lajmet e orës 22. Tv shtetëror : Komunikon në kronikën e zezë, se në fshatin "Orapeq" u vodh banesa e një emigranti me inicialet SK, vjedhja ishte spektakolare… Autorët kishin thyer çdo urdhër të shtetit dhe këshillë për “karantinën”e kishin dale për “gjah” Virusi "Covid 19" do bëjë kurbën e tij. Ruani shëndetin, mbani distance! Deti vazhdonte në ciklin e përjetshëm të përplasjes së dallgëve mbi shkëmb. pJp
top of page
bottom of page
Comments