top of page

Rexhep Qosja feston sot 86 vjetorin


Rexhep Qosja feston sot 86 vjetorin

Fatmir Terziu


Rexhep Qosja ka sot ditëlindjen. I lindur më 25 qershor 1936 (85 vjeç) në Vusanjë, të ish-Jugosllavisë, në ditët tona njihet si novelist, poet, kritik social, kritik letrar, por edhe si politikan. Tek të parat është arsyeja më e madhe që ndjehet kjo ditë, ndërsa tek e fundit, pikërisht ajo si politikan e bën atë të ndeshet me një vijë të ndarë në vlerat që mbesin pos veprave dhe penës së tij letrare.

Tek ana e jetës së tij pena e tij ka qenë tehu më i thukët mbrijtës, që ai ka shtjelluar më së shumti tek „Morfologjia e një fushate“ (Prishtinë, 1980, Instituti Albanologjik i Prishtinës). „Morfologjia e një fushate“ e recensuar nga Agim Vinca, ligjërues i Fakultetit Filozofik të Prishtinës në ato vite, dhe nga Sefedin Fetiu, hulumtues i pavarur i Institutit Albanologjik, ka në thelb citimet e thella filozofike të Platonit, nga „Apologjia e Sokratit, II) dhe nga Pietro Aretino me „Në letrën zotëri Agostioni Rikit më 16.5. 1537“. Tek e para Qosja, në thelbin e temës që trajton shkëput „“…jam i detyruar të mbrohem prej akuzës së mëparshme të rrejshme … dhe prej akuzuesve të mëvonshëm“ ndërsa tek e dyta shkëput midis të tjerave „Më vjen mirë, shumë i dijshmi biri im, kur të gjorët më atakojnë se, po të më lavdëronin, do të më dukej se jam si ata“.

E kështu autori për veten e tij shkroi sinqeritetin duke dhënë datën e lindjes, muajin dhe vitin që e sollën në jetë, me emrin e babait Shaban Qosja dhe nënës së tij Zinete Muratagaj. E aty në shënimet e tij mësojmë se ai ka kryer shtatëvjeçaren në Guci, klasën e katërt të Gjimnazit real në Ivangrad, Shkollën Normale në Prishtinë, Degën e Gjuhës dhe të Letërsisë Shqipe në Fakultetin Filozofik në Prishtinë, dhe ka vijuar studimet pasuniversitare në Beograd.

Romanin e parë të tij që kam lexuar është „Vdekja më vjen prej syve të tillë“ (1974), ndërsa kam ndjekur më pas „Episode letrare“ (1967); „Dialogje me shkrimtarët“ (1968); „Kritika letrare“ (1969)“; „Antologjia e lirikës shqipe“ (1970)“; „“Kontinuitete“ (1972); „Asdreni-Jeta dhe vepra e tij“ (1972); „Panteoni i rralluar“ (1973); „“Shkrimtarë dhe periudha“ (1975); „“Anatomia e kulturës“ (1976)“; „Mite të zhveshura“ (1978); „Prej tipologjisë deri te periodizimi“ (1979); „Nocione të reja albanologjike“, (1983); „Historia e letërsisë shqipe I, II“ (1984); „Antologjia historike e letërsisë shqipe“, (1985); „Historia e letërsisë shqipe III“, (1986); “Porosia e madhe“, (1986); „Populli i ndaluar“, (1990) dhe më pas jam njohur pjesërisht me Strategjia e bashkimit kombëtar, 1992; Çështja shqiptare: historia dhe politika, 1994; Ligjërime paravajtëse, 1996; Fjalor demokratik, 1997; Paqja e përgjakshme: Konferenca ndërkombëtare për Kosovën, 1999; Një dashuri dhe shtatë faje, roman, 2001; I ringjalluri i penduar, tregim satirik, 2002; Ideologjia e shpërbërjes, 2006; Realiteti i shpërfillur, 2006; Rilindja e dytë; Prej letërsisë romantike deri te letërsia moderne, 2007; Nata është dita jonë, 2007; Shqipëria dhe Kosova - Si janë dhe si do të duhej të jenë, 2013. Gjithashtu kam lexuar në formate të ndryshme online dhe emaile Dëshmitar në kohë historike 1966-1974 - Ditar I - (prill, 2014); Dëshmitar në kohë historike 1975-1978 - Ditar II - (Maj, 2014); Dëshmitar në kohë historike 1979-1981 - Ditar III - (qershor, 2014); Dëshmitar në kohë historike 1982-1983 - Ditar IV - (shtator, 2014); Dëshmitar në kohë historike 1982-1983 - Ditar IV; Dëshmitar në kohë historike 1984-1985 - Ditar V; Dëshmitar në kohë historike 1986-1989 - Ditar VI; Dëshmitar në kohë historike 1990-1998 - Ditar VII; Dëshmitar në kohë historike 1999-2001 - Ditar VIII. Sot më erdhi si dhuratë nga një miku im në Pejë romani i tij i botuar në vitin 2020 „Të fshehtat e treguara“.

Ky shkrimtar dhe personalitet i një udhe jo të lehtë jetike ka qenë redaktor dhe kryeredaktor i „Jetës së re“, kryetar i Degës së Letrësisë dhe të Gjuhës Shqipe në Fakultetin Filozofik dhe drejtor i Institutit Albanologjik të Prishtinës. Ka qenë këshilltar shkencor i Institutit Albanologjik, profesor dhe anëtar i Akademisë së Shkencave të Arteve të Kosovës.

Rexhep Qosja konsideron se arti është komunikim estetik i individit me njërëzit e tjerë përmes formave të krijuara që flasin për jetën me gjuhën e tyre specifike dhe që jetën në vete e kanë. Ai thotë se kritika është aktivitet intelektual që ka për detyrë të tregojë se si, në ç'mënyrë ekziston estetikisht vepra dhe çka ekziston në atë vepër.

Ndërsa Rexhep Qosja meriton një fjalë më shumë për ditëlindjen e tij ai mbetet një krijues që shtoi në vlerën e vetë atë që pluralizmi i stileve artistike dhe i metodave kritike e bëjnë kusht të lirisë së krijimtarisë, pasi reduktimi i krijimtarisë artistike në një stil dhe ikritikës së saj në një aspekt vrojtimi sjell reduksionizmin, që varfëron dhe dëmton krijimtarinë artstike dhe kritikën e saj.

Por ndërsa është i bindur se me veprën dhe me jetën mohon çdo formë të dogmatizmit, rrjedhimisht shprehet se për lirinë, të drejtën dhe të vërtetën lë kokën. Ky është Rexhep Qosja i vlerës së penës dhe jetës, i kritikuar dhe i përfshirë në debate për hir të politikës dhe politikave. Sidoqoftë ai është një nga majat e letrare shqipe më të gjithë mirësitë dhe kundërshtitë e udhës së tij tetëdhjetë e gjashtë vjeçare. Urime ditëlindjen Profesor Rexhep Qosja!

28 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page