top of page

REGJISORET


Konstandin Dhamo

Ah, e poshtra, shpërthyesja, e pamëshirshmja!

Sa të doje mund ta shaje atë femër , por njëherësh, nuk shpëtoje dot pa psherëtirë valueshëm: eh, dhe është aq e bukur e bukur edhe pse nuk e mban veten fare dhe, fundet apo bluzat që vesh, i shkasin shtrëmbër nëpër trup…

E tillë ishte sekretarja e parë e Partisë e rrethit, shoqja Vitori, dhe të dy regjisorët, njeri i teatrit dramatik dhe tjetri i estradës, që i vinin pjesët që përgatisnin, në të njëjtën skenë, e kishin provuar në kurriz të tyre se, ajo e bukura me ato sy prej kuçke, që i dukeshin çdo herë të spërkatur, ta martonte nënën...

Por edhe ata kurrë nuk u morën vesh me veten ! O të ulnin kokën gjer në këputje dhe të murmurisnin skllavërisht veçse urdhërosiurdhëron ,o të rebeloheshin dhe të britnin gjithë shkreptima : poshtë diktatura.

Jo, or jo; ata të dy nuk ishin as si të parët dhe, ca më pak, si të dytët. Mesa duket ishin veçse ca mediokër marifetçinj, që bënin çmos t’ia dilnin mbanë,domethënë, të mbijetonin, duke iu rrëshqitur tangjentalisht internimeve apo burgjeve…

Por si zbriti nga vetura sekretarja , mu aty te trotuari, përpara Pallatit të Kulturës , ku do të zhvillohej mbledhja e zgjeruar, në të cilën kishin ftuar edhe disa komunistë nga klasa , pikërisht nja tre a katër birbo mistreca dhe injorantë të kontrollit punëtor, sa për ta çinteklektualizuar dhe zhburokratizuar frymën e sëmurë që zotëronte në kësi përballjesh me artistë të përkëdhelur.?

Zbriti duke përplasur fort derën e makinës ( Polski Fiat ) me perde, të cilën çdo herë e hapte dhe e mbyllte vetë jo si disa kuadro të fryer, që prisnin t’u shërbente shoferi. Zbriti duke trokitur gërryeshëm takat e trasha të këpucëve të zeza si të burrave dhe, duke nëpërdhëmbur sharje , fyerje dhe akuza dhe, duke tundur prerazi dhe mohueshëm kokën , ndoshta pa pasur ndër mend asnjë fytyrë të përcaktuar, por thjesht sa për ta hapur menjëherë mbledhjen me nervin dhe tensionin që i nevojitej .

Me një fjalë, ushtronte një lloj nxemjeje, ashtu si edhe sportistët para ndeshjeve…

Çnuk u tha në atë mbledhjen e zgjeruar, të thirrur qëllimisht për ata të dy, ndonëse në rendin e ditës, ishin rreshtuar edhe shumë pika të tjera ! Të ftuarit erdhën grupe - grupe, a thua se shkonin në stadium për të ndjekur një ndeshje futbolli dhe, salla u tejmbush më rrëmujshëm se në netët e premierave të suksesshme !

Pas shurdhërimit nga brohoritjet dhe duartrokitjet , që shpërthyen, kur sekretarja u tregoi të pranishmëve entuziastë veprën më të re të shokut Enver, duke e ngritur me të dyja duart lart atë libër të kuq , si edhe aksionistet e pankartave , pasi i njoftoi se, ndërkaq nëpër ara ishte shpërndarë dora e parë e nitratit dhe, se kooperativistët nuk e ndërprisnin më kurrsesi punën pa mbërritur gjer te portretet e shokut Enver dhe shokut Mao Ce Dun, të mbërthyer secili majë kunjit të vet në fundin e parcelave, u ngritën me radhë për të diskutuar, që nga sekretari i organizatës - bazë të Partisë në teatër, e deri tek amatori më i pavlerë, që u ishte lutur regjisorëve qoftë edhe për një gjysmë roli por, pse jo, qoftë edhe vetëm e vetëm për një të hyrë e për një të dalë përgjatë skenës…

Këta regjisorët e ardhur nga Tirana, të cilët e shqetësojnë sistematikisht Partinë, na fyejnë nga mëngjesi në mbrëmje pa u bërë syri tërr, tha një punëtor skene , dhe shpesh për këto fyerje përdorin fjalë të mëdha, apo edhe të huaja, që të mos i marrim vesh ne; ja njera prej tyre: dyshmakina . Shqetësimet tona ne ia kemi përcjellë hap pas hapi Partisë…

Ju lutemi, ju lutemi, ishin ngutur regjisorët të shfajësoheshin , ç’është kjo dyzmakinë, apo si e shqiptoi shoku amator ? Eshtë një termë që ne të skenës, por edhe shkrimtarët, e përdorim rëndom ; e pra deus ex machina, mesa duket, që do të thotë…

I di, i di Partia të gjitha, por dëgjoni, e përmbylli prerazi e bukura mbledhjen,duke u drejtuar regjisorëve, që ishin ulur ngjeshur me njeri – tjetrin, si për t’u ndierë paksa më të mbrojtur nga sulmet , herën e parë, kur u mblodhëm në këtë sallë po për ju dhe për ca të tjerë me probleme si tuajat , e hodhët lumin me nga një autokritikë paçavure. Gabime ideologjike atëherë, gabime ideologjike sot, madje më të rënda ! Jeni përsëritësa të mjerë ! Si t’ia bëjmë, çfarë mase të marrim për ju ? Mblidheni mendjen ; nuk do t’ju trasferojë kush në Tiranë , sikur ç’të bëhet. Po pse, Shqipëria vetëm për Tiranën punon ? Këtej nëpër rrethe, nuk jetojnë njerëz ? Le që, si mund të jeni të dobishëm ju me këto një mijë halle që keni .Hë pra, tashmë, jeni të martuar dhe, keni edhe kalamaj ; po t’ju çojmë të kryeni dënimin , që e meritoni , në bazë, në ndonjë kooperativë bujqësore pra, apo në ndonjë minierë , do të jeni të detyruar të merrni me vete edhe familjarët, qartë ? Sepse ,ku ka, burri veç, gruaja veç? Talleni me ata që u rrethojnë dhe i trajtoni si shërbëtorë,ndërsa i shpërfillni dhe i injoroni krijimet e autorëve të talentuar vendas dhe, prireni të ngjisni në skenë veçse pjesë të autorëve të huaj . Keni neveri ju nga temat madhore që sjell realiteti ynë socialist ! Xhixhi , sekretari i nderuar i organizatës – bazë të Partisë në teatër, propozoi që ju , edhe këtë herë , të bëni nga një autokritikë dhe, unë rashë dakord. Fat i madh që ato shfaqjet që po përgatisnit ju, ashtu qorrazi , nuk arritën te spektatori ynë i mprehtë.U parandalua, po po, plasja e një mine ideologjke! Por kujdes ! Ato autokritikat tuaja duhet të jenë thellësisht të ndjera dhe të sinqerta dhe , të mos lini të metë tuajën pa përmendur. Përndryshe, riedukimi juaj moralo – politik, këtë herë do të kryhet në gjirin e shëndoshë të kolektivave punonjëse të minierës së Ramsës , apo në kooperativën malore të Pisarës. Në vendin tonë punohet dhe këndohet kudo!

Enver Hoxha

Enver Hoxha

Duartrokitjebrohoritje

Brohoritjeduartrokitje…

Ah, e poshtra, e koracuar me partishmëri, ah e rrepta, por njëherësh edhe e bukur e bukur, aqsa të marramendte si hipnotizuese dhe, i dorëzoheshe edhe kur të bënte gropën. Po sikur këtë herë lëshoi ca pe…

- Ja , përse të thirra në shtëpinë time…

- Hë , more !

- Nuk ma mbajti të të sqaroja në telefon kështu e ashtu , por dëgjo tani . Këtu jemi vetëm të dy; Flora me fëmjët ka ikur tek e ëma, si e shtunë mbrëma që është, për pasojë, nuk do të na ndërpresë e nuk do të na bezdisë kush, kur të ulemi t’i shkruajmë ato farë autokritikash, e more vesh ?

- Uf !

- Na u bënë autokritikat më keq se ato indulgjencat e dikurshme të papëve ! Po mirë, nuk i zhgarravisnim dot secili në shtëpinë e vet ?

- Shiko, shiko; autokritikën time . do ta shkruash ti, sepse ty or mik nuk të dhimbset aspak lëkura ime . Për rrjedhojë , ia këput në tym pa u shqetësuar se çfarë të metash dhe faktesh më nxjerr. Edhe unë , po kështu , do të ulem të shkruaj atë tënden, po për të njëjtën arsye, e more vesh ? Mëshoji, mëshoji fort që ta prekim Vitorinë aqsa t’i bjerë të fikët.

- Çfarë thua, o i lojtur nga trutë, po mirë që ma kujtove! Ore, si nuk e zure dashnore Vito kryeneçen, që kur punonte në rrobaqepsi , por vajte e u more me atë violonçelisten, a ç’dreqin ishte ? Viton, Viton të na kishe zënë, që i hovin bythët përpjetë, pavarësisht çfarë mban veshur.

- Të shtija fall unë që ajo do të bëhej një ditë sekretare e parë …

- Fall të shtije. Ik tani e mbyllu te dhoma e pritjes dhe, jepi sa të të hajë krahu. Kritikoje mbarë e prapë kolegun tënd ; hajde sepse edhe unë atë punë do të bëj. A do t’i kënaqim apo jo , zotat ?

- Mjaft ! Megjithatë këtë hilen e të gatuarit të autokritikave, e ke shpikur mirë.

- Ja, ku e ke edhe gotën e rakisë; mbushe tumllas dhe merre me vete ! Merri edhe cigaret dhe, pirdhu. A, te tryeza ke edhe karamele Zana ; mbllaçitu herë pas here, kur të hidhërohesh, por lër nja dy edhe për mysafirët. Ja, u ula edhe unë, këtu në kuzhinë; të shohim çfarë do të katranosim…

Pas ndonjë ore, regjisori i estradës, me letrat në dorë dhe cigaren në gojë, hyri në kuzhinë.

- E more dhits , e mbylle atë timen ?

- Po po. Eh, këtë herë shih po nuk na çuan të shpërndajmë mut me kova nëpër ugarë, më zi se kinezët vetë, po zgërdhihu, zgërdhihu ti.

- Me këtë autokritikë që të kam dhuruar unë ty, në Komitetin Qendror do të të emërojnë, që të mbulosh artet dhe kulturën . Na lexoje, lexoje; jepma edhe mua atë ç’ke shkruar ti. Pa të shohim ...

- Ore palaço ! – thirri regjisori i teatrit, duke u dridhur , a thua se ra në rrymë elektrike – Çfarë ke bërë kështu ; je apo nuk je i përgjegjshëm ? Shih, shih: jo rrallëherë kam rendur edhe pas fustaneve të grave të botës, madje ka pasur raste , kur kam bërë edhe ndonjë prapësi në dhomat e aktorëve...

- E pastaj ? Po shih ç’ke katranosur ti për mua: letërsia e realizmit socialist është më idiotja që është kultivuar ndonjëherë përgjatë shekujve , mendoja unë dikur , por sot , pas leximit të kujdesshëm të veprave...

- Në rregull është kjo, përse u xhindose? Përfundimi ka rëndësi dhe kthesat, sidomos ato të fortat . Por ,jepi jepi…

- Ah, ç’do të hymë në burg me duart tona; për Zotin ! Ç’kërkoj armiq unë lart e poshtë ? Ja, ku e paskam pasur armikun unë, lidhur pas vetes .

- Dale , dale, a thamë t’i bëjmë sa më të pamëshirëshme, sa më goditëse, deri edhe poshtëruese ? Përndryshe, përse do të ta jepja ty ta zhgrapje atë autokritikën time. Ou, me ty nuk u marrka vesh njeri sot !

- Shih më poshtë, shih: ai oficeri i repartit , ku bëjmë zborin ne, ai që është edhe aktor amator i përkushtuar , kishte të drejtë kur tha në mbledhje se, dyshonte për një aksion të përbashkët dhe të kombinuar , lidhur me shfaqet që po përgatitnim unë dhe kolegu im, kuptohet secili të vetën. Po, të dyja kishin gabime ideologjike dhe maniera pseudomoderne. Gjej rastin ta falënderoj nxehtësisht oficerin dhe aktorin syçelët , që e njoftoi Partinë sa nuk ishte tepër vonë ! Megjithatë, duhet ta nënvizoj patjetër se, nga ana jonë ka pasur vetëm një synim; të fusim diçka të freskët dhe novatore në artin skenik , që në epokën e ndritur të socializmit ka arritur suksese të papara ndonjëherë…

- Aman or’ të keqen ; dëgjo këtu, nga ana tjetër : sigurisht kur nuk merr pjesë në orët e punës politike , duke preferuar të zdërhallesh kafeneve , te prapësitë meskine mikroborgjeze do ta kesh mendjen; si të blesh te matrapazët ndonjë xhakavento të jashtme, apo ndonjë palë këpucë me majë si bajonetë, a thua se, ndërmarrjet tona nuk prodhojnë mjaftueshëm për të gjithë…

- Po; edhe gruaja ime, madje edhe fëmijët e mi kanë shumë kritika për sjelljen time. Ju artistët, më këshillojnë me pjekuri, jeni përherë një gjah i lakmuar për eksponentët e klasave të përmbysur , prandaj mos iu ndani për asnjë çast të vetëm mësimeve – fanar të Partisë. Të mos harrojmë se lufta e klasave duhet të zhvillohet edhe brendapërbrenda gjirit të familjes…

Të marrsha të ligat e koreanoveriorëve apo mongolëve… Bobo, fat i madh, nëse s’më bie damllaja …

- Hahaha!

- Dëgjomë mua tani; nëse organizata – bazë e Partisë dhe kolektivi ynë pararojë pranojnë të bien dakord, unë jam gati të shkoj që nesër te Parku i Mallrave dhe të ngre aty nga e para një grup të mrekullueshëm artistik … Ah, budalla i varfër ! Ku të vete ore,ku të vete? Ptu ptu ; çudi si mund të qeshësh !

- Qesh nga zori .

- Mirë e kisha menduar unë ; bëj shpejt e shpejt një autokritikë ëmbëlcake sa për të thënë dhe, pikë. Vendimi për ne të dy ndërkaq është marrë. Ehe, grise atë që të shkrova unë; ja po e gris edhe unë atë që shkrove ti për mua . Ideja jote nuk funksionoi, deshe dhe lëvdata.Shëët, karagjoz...

Pas një jave , regjisori i dramës , po priste ndanë rrugës , në të dalë të qytetit, ndonjë makinë të rastit që ta çonte drejt kooperativës së tipit të lartë, ku do të riedukohej për gjashtë muaj rresht , ndërsa regjisori i estradës , po në të dalë të qytetit , por në krahun tjetër , po priste te bishti i urës , edhe ai ndonjë makinë të rastit , që ta hidhte gjer te gurorja në shpat të malit , tek ajo gurore ,të cilën e kishte vështruar sa e sa herë nga dritaret e Pallatit të Kulturës , si shkëlqente ashpërsisht prej së largu ...

22 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page