REALIZMI MAGJIK I RESMI OSMANIT



Nga Ahmet MEHMETI

“Burrat shkojnë në luftë”, tregime me motive çame, është titulli i librit më të ri me tregime të romancierit, novelistit, tregimtarit dhe eseistit nga më të njohurit në njëzet vitet e fundit, Resmi Osmani. Jo vetëm nga titulli por edhe po t’i hidhet një sy përmbajtjes në fund të tij krijohet ideja se kryetema e këtij vëllimi është forcimi i identitetit kombëtar, ankthi i ekzistencës.

Që në tregimin e parë, që i jep titullin librit, ndihet atmosfera e ethëshme e luftës, të cilën autori na e jep me një mjeshtëri të lartë artistike, me shumë pak fjalë por që skaliten ndjeshëm në kujtesën e lexuesit :”Fantazma e saj e përgjakur pluskonte në erë bashkë me ajrin. Ajo hyri në çdo prag shtëpie. Ishte një kumt ndrydhës , si një mirazh i së keqes, i turbullt e i flakëruar”.

Tek ky tregim, si dhe në ata në vijim, vërehet qartë një nga karakteristikat më të spikatura të realizmit magjik që është shkrirja e reales me magjiken, më qartë realizmi historik i shprehur me elemente të magjikes. Në fushëpamjen tonë si lexues shohim qartë se çfar bëjnë njerëzit në kohë reale historike, çfar mendojnë e çfar ndjejnë në ato rrethana, çfar fjalësh thonë e si përpiqen t’i shprehin ato dhe vullnetin e tyre, si e shprehin dhimbjen, personalitetin dhe individualitetin e tyre etj.

Si shkrimtar mjeshtër në dhënien e atmosferës, pjesëmarrjen e popullit në luftë një e nga një ose në grupe të vegjël na e jep me një figuracion të prekshëm artistik:”si ca rrëke të gjalla , damarë gjaku, që do të mbushnin zemrën dhe aradhet e ushtrisë shqiptare për mbrojtjen e Janinës”.Vendosmëria e luftëtarëve për pjesmarrje në luftë frymëzohet nga ideja se “Po ra Janina, zëre se ka rënë edhe Çamëria”. Prandaj edhe heroi i tregimit, kushtuar gjyshit të rënë në luftë,Osmani, vendos me bindje dhe këmbëngulje: “Do vete në luftë edhe po ta di që s’kthehem i gjallë”. Me një lakonizëm të spikatur dhe krenari kombëtare heroi ynë e shpall qartë: “Në luftë shkojnë burrat”.

Pas rënies tradhëtisht të Janinës, rënies dëshmor të Osmanit dhe fatkeqësisht edhe të Çamërisë, autori na jep në vazhdimësi apoteozën e rezistencës heroike të gruas së tij, Merjemes, me fjalë të kursyera:”nuk u martua. Hodhi pushkën në krah, mbrehu pendën e qeve, shaloi kalin, mbolli dhe korri.Vetë grua dhe vetë burrë, i doli zot mallit dhe gjësë, që i pat lënë i shoqi dhe rriti me nder fëmijët”.

Luftën për forcimin e identitetit përmes rezistencës kundër pushtuesit që i degdiste djemtë shtatë vjet nizam deri në Jemenin e largët për interesat perandorake na e jep me një stil magjik të harmonizimit të dashurisë së të rinjve me natyrën e vendit të tyre dhe të vetë natyrës shqiptare për bijtë e saj. Autori na jep si protagonist figurën e njohur të këngës, Çelo Mezanin, që zgjodhi jetën e malit si firar, ku ndiqej mizorisht nga zaptijet për t’u kapur me çdo kusht, gjallë a vdekur dhe që përbuzej si “hajdut”. Autori na e jep marrëdhënien e të rinjve me trojet amtare me një realizëm magjik duke theksuar se “Pyjet ishin limeri i tij, e fshihnin po edhe e flladisnin verës dhe e ngrohnin dimrit”. Me një gjuhë të pasur dhe dendësi të lartë metaforike na jepet lidhja, aleanca tokë- njeri kundër armiqve të tij: kajmekamit, hafijeve e koshadheve të pushtuesit shekullor që gjuanin si egërsira. Fati i kryengritësve të çartur si Çelo Mezani do kishin një dekoratë si “Trëndafili i gjakut” siç e titullon tregimin autori i frymëzuar prej tij por jehona e veprës dhe jetës së tij heroike do të bëhej edhe frymëzim dhe nxitje për të rinjtë e tjerë. Qëndresa e nënës shprehet qartë dhe me krenari:”Trimat ashtu e kanë. Ra shehit për Shqipërinë, e nderoi Çamërinë”.

Në tregimin “Plaga e shpirtit” kemi protagonist atin e djalit që sakrifikohet për idealin kombëtar, por jo një luftëtar të thjeshtë por një udhëheqës të lavdishëm që printe një nga çetat më të guximëshme në Çamërinë kryengritëse antiosmane. Ky hero popullor plagët i quante”stoli e trimave”. Në ngushëllimin për rënien e të birit në fushën e nderit bashkluftëtari i tij Rexhep Demi i drejtohet me fjalët: “Plumbi që vrau Halilin na ka goditur të gjithëve në zemër.Krisma e atyre pushkëve u dëgjua në gjithë Çamërinë”. Në ngjarje të tilla heshtja fliste më shumë se fjalët, nënës i qanin dhe rrobat e trupit”. Si në të gjitha veprat e Resmi Osmanit edhe natyra bëhet pjesë e pandarë e shpirtit njerëzor në ngjarje kaq të përzishme:”Ullinjtë frutangarkuar kishin varur degët dhe lotonin, zogjtë kishin pushuar këngët”.

Por autori nuk ngelet vetëm në anën emocionale të ngjarjes. Ai depërton artistikisht se kush e kishte borxh gjakun e Halilit. Duke mbajtur qëndrim dënon poshtërsinë më të madhe në gjirin e një kombi, tradhëtinë, që për rastin e Çamërisë: “Urdhëri dhe truri i përçarjes dhe dasisë është në Athinë.Valiu turk dhe greku janë bërë njësh për të shtypur kryengritjen për lirinë dhe mëvetësinë e mëmëdheut tonë, Shqipërisë”.

Në këto rrethana Kapedanit Muharrem Rushiti i punonte më mirë gishti se gjuha, thekson autori, pasi ai me trimat e tij i kishte dalë zot Çamërisë dhe Shqipërisë, kur në një hark kohor prej njëzet vitesh, ndaj koalicionit mizor e djallëzor greko-turk, bëri rreth njëzet beteja e mori dymbëdhjetë plagë dhe megjithse ato u mbyllën e u fashitën plaga e trembëdhjetë e zemrës dhe shpirtit mbeti e hapur dhe nuk gjeti shërim deri sa mbylli sytë.

Karaktere realiste e vizione të fuqishme në mbrojtje të dinjitetit njerëzor dhe kombëtar pasurojnë galerinë e larmishme të këtij vëllimi të mahnitshëm. Një tjetër figurë e njohur e historisë që i ka lënë emrin e tij valles së famëshme “Osman Taka”na jepet me gjithë bukuritë trupore, mendore dhe shpirtërore, me një fantazi e larmi pa fund përjetimesh dhe një vendosmëri të pamposhtur për të shprehur dashurinë pakufi për lirinë dhe dinjitetin njerëzor.

Ideja se bukuria mposht mizorinë skalitet nga autori si me filigran nga çasti i shpallies së dënimit me vdekje deri në anullimin e zbatimit të tij.

Me artin e tij magjik të të rrëfyerit Resmiu ja ka dalë mbanë që të frikëshmen dhe të tmerrëshmen ta shprehë aq artistikisht sa ta shndërroj në bukuri kurse dhimbjen kur vjen në një çast të caktuar ta shmangë mjeshtërisht duke mbushur shpirtin e protagonistit me qetësinë e një gëzimi sipëran.

Gjatë gjithë kohës në pritje të dënimit kapital në litar për veprimtarinë kundër robërisë otomane kalon si në paradë kujtime nga fëmijëria e tij deri në çastet kur i kërkojnë dëshirën e fundit para ekzekutimit dhe ai ju përgjigjet se donte të vdiste si yjet, me vdekje të bukur, duke lënë pas vazhdën e zjarrtë e të ndritur, një emër, një këngë e një histori. Ndërsa kujton shokët që bashkë kishin luftuar si luanë kundër turkoshakëve duke derdhur gjakun për Shqipërinë, një pjesë e të cilëve dergjeshin në burg.

Më në fund i plotësohet dëshira për tu nisur e stolisur jo si drejt litarit por si në dasmë. Me imazhin e vargut rrethor të valltarëve të zënë përdore që ngjanin si një kurorë zambakësh të bardhë autori na jep simbolikën e pafajësisë së tyre. Në vallen–furtunë, flakë e zjarr, thirrje e kushtrim për luftë , klithmë për jetë e përbuzje për vdekjen valiu sheh triumfin e të dënuarit dhe poshtërimin e vet si zyrtar i perandorisë. Vallja e Osman Takës po i shtrëngonte zemrën dhe po e vriste por zemërimi dhe guximi i së bijës etj kur panë valltarin që përbuzte dhe përqeshte vdekjen e përkuli vullnetin e valiut; triumfoi bukuria mbi mizorinë por jo mëria e verbër e valiut.

Të gjitha këto na jepen me një rrëfim krejt origjinal, me gjuhë plot magji sugjestionuese, me përjetime e ndijime befasuese përmes thurjeve plot variacine të dendura metaforike dhe figura të tjera artistike pafund për jetën, luftën dhe lirinë.

Si pjesë e tregimeve me motivin e qëndresës dhe luftës për liri një perlë më vete është dhe ai me titull “Dheu i Shqipërisë”. Në këtë tregim të gjatë na parakalon si në ekran atmosfera e luftës për mbrojtjen e Janinës. Resmiu na çon në shtëpinë e madhe të Konomenjve në Gliqi të Çamërisë ku një ditë më parë ishte kthyer nga Vlora Babamadhi Niko Konomi, ku ishte shpallur Pavarësia e Shqipërisë.Në shtëpinë e tij kanë ardhur shumë burra të njohur midis të cilëve Hamit Marglliçi, drejtpërdrejt nga fronti i luftës në Pesë Puse, Gribovë, Mulliri i Bardhë e Bezhan si edhe Avokat Spiro Çalluka ndërkohë që lufta kishte trokitur në derë dhe me paderman kërkohej dheu i Shqipërisë, kërkohej burrë për derë. Me thirrjen e parë grumbullit të luftëtarëve ju bashkua Alqi dhe Mitrua. Populli është si bari i livadhit: sa më shumë ta korrësh aq më i dendur del! – thekson autori.