top of page

Qytetërimi dhe nocioni i pragqytetit në krijimtarinë e Agim Gjakovës


Agim Gjakova

Qytetërimi dhe nocioni i pragqytetit në krijimtarinë e Agim Gjakovës


Dr Fatmir Terziu

Paraqitja


Ky studim është perceptimi i qytetit, historia urbane dhe gjeografia, identiteti urban dhe lëvizja interurbane në prozën dhe poezinë e Agim Gjakovës. Janë katërmbëdhjetë vëllimet e tij të botuara së fundi me një përmbledhje estetike të prozës dhe poezisë së tij në vite nga Pen Qendra e Kosovës, të cilat janë në konsideratën e këtij studimi. Interesi specifik i këtij studimi qëndron tek rrugët me të cilat këto tekste afrojnë strategji të revizionimit urban si një kuptim të rezistencës esencialiste, hegjemonike dhe diskurseve ideologjike, ndërsa konceptet teorike që ai ndërton ndihmojnë për një reflektim të gjerë kritik në imagjinatën e krijimtarisë letrare kontemporane të qyteteve dhe vetë qytetërimit shqiptar e më gjerë. Ky studim prezanton atë që unë e kam cilësuar si një arritje konfigurative të qytetëtërimit që vizaton në kulturën gjeografike, post-koloniale, post-strukturaliste, postmoderne, shkrimet udhëtuese, dhe teoritë kulturore në një rend për të rinxjerrë në skenë shumëkuptimin dhe diversitetin e tekstit dhe strategjive të tekstit në drejtim të revizionimit urban. Ky studim artikulon tre aspekte të reja, paradigma kritike ndërdisiplinare: tektoniken, katopriken dhespekularen. Tektonike vjen nga latinja vulgare e që nënkupton ndërtesat. Katoprike është një term filozofik që vjen nga greqishtja e që ka hyrë në rrjedhën filozofike nga Euklidi. Euklidi përdori teorinë matematikore të imazheve prej pasqyrave të formuara nga plane dhe nga pasqyra konkave sferike. Lbri i tij Catoptricsi referohet më shumë këtij termi. Spekulare është reflektimi spekular i pasqyrimit të dritës (ose edhe të llojeve të tjera të valëvë ndriçuese) që vijnë nga një drejtim hyrës dhe largohen nga i njëjti drejtim. Një veprim i tillë që njihet si ligji i reflektimit, në analizën dhe filozofinë bashkëkohore është mjet që ndërton arsyet e studimit të tekstit mes rrugëve filozofike.

Më tej në një zgjerim të lidhjes me tekstin dhe krijimtarinë shtroj kuptimin marëveshës filozofik. Koncepti i tektonikes, ka ardhur nga një lidhje midis bashkëveprimit të një sipërfaqeje tektonike me diskurset arkitekturore. Është përdorur të përshkruajë në mënyrë teorike paqëndrueshmërinë apo anën jostabile, po aq edhe përplasjet e dhunshme, shpesh ende transformuese të formacioneve kulturore në hapësirën qytetëse. Katoprikja që përshkruan studimin e imazheve dhe dritës, është ndërmarë këtu të qëmtojë dhe paraqesë varietetet e efekteve të pasqyrave dhe iluzioneve si dhe rrugët nëpër të cilat ato sjellin subjektivitete, dikurse kartografike dhe lëvizje. Nocioni i spekularit është përdorur këtu për të konceptualizuar marrëdhëniet mes diskurseve urbane, gjinisë dhe seksualitetit.

Analiza e konfiguracionit urban tektonik në krijimtarinë e Agim Gjakovës zbulon një tendencë të gjerë dhe të madhe përreth një rritje më përplasëse, ndarëse dhe dramatike ndërmjet kulturave dhe perspektivës në hapësirën qytetëse si një strategji që synon më tej arsyes dhe nevojës për të argumentuar dhe jo për të heshtur për jostabilitetin e riskuar urban të gjeografisë në të cilën ai shkroi prozën dhe poezinë e tij. Krijimtaria e Agim Gjakovës afron një kompleks skemash katoprike në të cilat qytetërimi, qytetet, tropet historike dhe kartografike, identitetet dhe lëvizjet janë rikompozuar dhe rikonfiguruar mes proceseve të imëta e frakturale, dyfishuese, grumbulluese dhe shpërndarëse, inversive, substanciale dhe të matura e po aq edhe të pjekura. Hapi tjetër është se struktura e prozës dhe poezisë së Gjakovës është pikërisht ajo shenjëdhënie e mirë qytetëse e identitetit të gatuar në një hapësirë qytetëse si urë identiteti mes hapësirës dhe Kombit. Agim Gjakova është ndoshta shembulli më i mirë në këtë hapësirë, sepse ai krijoi në territorin e Shqipërisë ndërsa sundimi so-realist dhe termi ideologji marksiste-leniniste pushtonte sa njërën hapësirë nga ai vinte, po aq edhe hapësirën tjetër të Kombit, ku ai shkruante dhe jetonte. Studimi nayrshëm do të rreket edhe në koordinata të tilla, por së pari dhe primare do të ketë tematikën e përzgjedhur.

Qytetet si pragje qytetërimesh

“Ç’janë pragjet qytetëse? Portat, murret, administrata dhe kufijtë natyrorë, kontrolli i pasaportave? Qytetërimet disa herë janë përfshirë në pragje, jo thjesht vetëm prej pragjeve, po në sensin e asaj që shihet e nuk shihet, por që është e arsyeshme, akoma e dukshme në konfiguracion…” (Jacques Derrida).

Jo më kot e nisa me këtë citat të përzgjedhur nga Derrida. Derrida e ka thënë atë tek eseja “Gjeneratat e qytetit”, pjesë të koleksionuara për historinë dhe arkitekturën e Pragës. Si në gjuhën e autorit të prozës dhe poezisë, në gjuhën shqipe, ashtu edhe në gjuhën Çeke, fjala ‘pragje’ thuajse ka një kuptim. Në shqip është ‘prag’ dhe në çekisht është ‘prah’ dhe në lidhjen e kontekstit ato si fjalë diktojnë konditat e qytetërimeve si zona të një kondicioni apo konvergjence mes historisë, gjuhës dhe planeve arkitekturore.

E shkruar në vitin 1992, tre vite pas Revolucionit Velvet Çek, që u pasua me rrënien e Murrit të Berlinit në muajin final të vitit 1989, Derrida flet për qytetin në tranzicion, për atë të re që ai kërkon në lirinë e tij dhe atë që kërkon tek rindërtimi i vetvetes në një rrugë që reflektohet nga vetë liria. Në këtë ese ai rimendëson mbi shkrimin e Franz Kafkës, një qytetar nga Praga, që ashtu dhe ai jetoi në kohë ndryshimesh, duke qenë dëshmitar, i mjaft viteve, dhe dekadave finale, madje dhe rrënien e Perandorisë Austro-Hungareze. Kjo Pragë me pragje konditash, shqiptohej larg emrit të saj, sinjalizonte ardhjen e së resë në konstanten e saj të reformimit dhe deformimit. Por këtu argumenti që gjithë qytetet preken nga kondita të tilla pragjesh historike, dhe ata janë të përzier kurdoherë në rrethana të tilla, është një sinjal që bashkon edhe konditën në të cilën pena e Gjakovës përjetoi dyfish qytetërimin, atë të lindjes në Gjakovë dhe atë të jetëshkrimit në Tiranë. Dhe kështu qyteti dhe qytetërimi i përshkrimit të Derridës, po aq edhe ai i Kafkës apo edhe Gjakovës është gjithnjë një minishtet tranzicioni.

Në esenë e Derridës, gjenerata e qytetit qëndron për komunitetin e njerëzve, në këtë rast qytetarët e Pragës, që gjallërojnë dhe ndërtojnë qytetin. Dhe kështu termi i tij i përdorur, gjeneratat, ndoshta duhet interpretuar si një indikacion përqëndrues, jo vetëm për rrugët e suksesit mes të cilave qyteti është transformuar, por më shumë se urgjentisht, kjo fjalë demonstron, perceptimin e rikrijimit, rigjenerimit apo edhe filtrimit njerëzor të qyteteve. Është qëmtimi im që prozat e poezitë e Agim Gjakovës vazhdimisht gjenerojnë, ose ashtu siç edhe etimologjia e proverbit ‘gjeneratë’ na dikton (nga latinshtja me një ngjashmëri me fjalën shqipe gjeneratë-generare) qytetet sjellin qytetërimet e reja jashtë atyre të vjetëruarave, aty ku momentet e pragjeve ndajnë dhe bashkojnë të vjetrën me të renë apo edhe vetë moshën e qyteteve dhe qytetërimeve.

Edhe pse ishte qytetar i Pragës, Kafka shkroi në gjuhën gjermane e jo në atë Çeke. Derrida sugjeron, devijimi i tij gjuhësor evokon temën e Babilonasve për qytetet në konstruksion si dhe idenë e rivaliteve hiperbolike mes gjuhëve: “dekonstruktimi i qyteve është i mundur mes refuzimit paradoksal’ (Derrida).

Ashtu siç edhe ne do të argumentojmë, Gjakova shkroi në gjuhën shqipe, matanë kufirit qytetës të tij, edhe pse shansi e solli që ai të rrekej në sofrën e ëmbël të mëmëgjuhës, dhe të sillte në sinkronin qytetës të pështjellën me pragje kohore e qyterimi. Vetë pragjet ndarëse dhe bashkuese që ndikuan në jetën e shkrimeve të Gjakovës, na rikonceptojnë faktin se qytetet dhe qytetërimet janë edhe vetë pragje gjuhësh e filozofish. Ato, pra qytetet dhe qytetërimet si në rastin e Derridës, po ashtu edhe të Gjakovës janë përkthime lidhëse dhe rigjeneruese për qytetet dhe qytetërimet e tjera mes tekstit.

Qëllimi im është që mes prozës dhe poezisë së Gjakovës të afrojë strategji më të reja të rezistencës esencialiste, hegjemonike, apo edhe asaj të diskurseve ideologjike nëprmjet konfigurimeve urbane, apo duke riargumentuar fjalën e Derridës, asambletë urbane. Marrjen në konsideratë të qytetit në krijimtarinë e Gjakovës nëpërmjet potencialitetit të tij konfigurativ sinjalizon, jo vetëm gjetjen e të pamundurës së kapjes së qytetit në tërë madhësinë e tij, por edhe kujdesin e shumë gjërave kaq madhore, e një projekti të lartcituar babilonian. Ideja e konfigurimeve urbane lejon të konceptualizohet dinamika e qytetit, hapja dhe mbyllja e tij, dhe madje edhe kultura me të cilën shfaqet qytetërimi i tij. Përjashtuar nga fakti se mjaft qytete në mjaft rrugë të tyre janë të disiplinuara, të fiksuara, ose më saktë të njohura në stilin e tyre qytetës, ky studim sugjeron atë që ata, pra qytetet e prozës dhe poezisë së Gjakovës janë ‘qytete të një amfiteatri magjik në lojën e fuqisë’. Më qartë ashtu siç vetë Gjakova shkruan tek romani “Herezi” i përfshirë në proza 6, kur ai i dedikohet bashkëshortes së tij, Naime Gjakova – Daci, alter egos së tij, binjakes së tij shpirtërore, në një hyrje ku “qyteti u murrëtye. Vizavitë e përhimta kalëruan rrufeshëm nëpër hapësirë dhe zbritën deri në horizont. Gjelbërimi u zverdh…” (fq 5). Këtu kufinjtë janë më të hapur në mendimin e tyre perceptues. Janë kufinj që flasin me një hapësirë tjetër. Dhe kjo hapësirë formon më së shumti dhe më së qarti konfigurimin urban brenda arsyes dhe hapësirës.

Vazhdimi i mëtejshëm nënvizon anën kritike dhe teorike mes së cilës unë premtoj në analizën time të konfigurimit urban.

Teorizimi i qyteteve me aspektin e konfiguracionit

Studimi artikulon një strategji të re për interpretimin e qyteteve në tekste nëprmjet ndërtimit të një aspekti analitik konfigurativ. Qyteti është nënkuptuar këtu si një angazhim i heterogjenes, formë-përzier dhe konfigurativ i hapur, i cili shpeshherë bëhet interesant dhe re-artikulon njëri tjetrin. Termi konfigurim urban është ndërtuar këtu të refrojë tek formacionet e lëvizjeve urbane apo edhe të ndodhive që kanë patur një sfidë të madhe në ekzistencën shqiptare dhe qytetare përpos ordinancave dhe konjukuturave culturalo-politike dhe hierarkive që nënvizuan fatet temporane të pafata edhe sot, të debatueshme, të diskutueshme dhe shumë drejtimshe, por të ngulura në fate qytetërimesh dhe qytetesh si gozhda të ndryshkura e me qëndresë të lashtë durimtare. Konfigurimet urbane janë stimulime diskursive dhe materiale, ku idetë diskursive dhe abstrakte të qyteteve kanë efekte materiale dhe e kundërta. Përdorimi i termit konfigurime urbane synon të shoqërojë qytetin dhe qytetërimin në letër nga kuptimi i tij si një entitet pa limit deri tek teoritë që e kumtojnë atë si term tipologjik. Me këtë qëllim, konfigurimi urban synon të ndricojë qytetet dhe të qetësojë shpirtjet dhe synimet e tyre të re-konfiguruara pragjeve të qëllimta për të vënë pikërisht gardhe mes qytetërimeve dhe qyteteve. Konfigurimi urban shpërfaq përreth asaj cfarë është rezauruara për të qenë kufi qyteti dhe qytetërimi, është një kryqëzim kapërcyes mes gjeografive urbane dhe mes kulurave mes qytetërimit dhe qytetit si nocion në teksin letrar mes të cilit rriten dhe vijnë në mesin e gjeneratave si celësa për të hapur histori.

Diskutimi që vazhdon nënvizon dhe mbërthen mes arritjeve krtike dhe teorike atë që unë premtova në analizën time studimore për konfigurimin urban. Seksioni i mëtejshëm është një paraqitje e ndërtuar mes tre paradigmave interpretuese dhe tejet të pathëna më parë, pra mes tektonikes, katoprikes dhe spekulares, mes të cilave unë do të rigjenerojë arsyen dhe rëndësinë e qytetit dhe qytetërimit në prozën dhe poezinë e Agim Gjakovës.

Hapësirat urbane dhe kohëvizimet

Ideja e Derridës për kondicionet e pragjeve të qyteteve dhe nënkuptimi i saj për qytetërimet, mes përmbushjes së kuptimit të tij në atë që referohet si ‘aksioma e kompeticioneve’ dhe formacioneve të tyre mes asaj që unë e sugjeroj janë pikat e marrjes në konsideratë të analizës, dhe do të shihen edhe si mbështetëse mes teorisë së Doreen Massey tek “Për Hapësirën”. Hapësira duhet të jetë e pëlqyeshme, argumenton Massey, një gjeografe me emër, sepse hapësira ka qenë gjithmonë nën konstruksion, pasi ka qenë e ndërtuar dhe paragjykuar mes ekzistencës dhe shumësit të tregimeve apo historive, madje edhe si një aksion i kushtetëzuar, ‘nga kuptimi i globales tek intimiteti i hollë’. Studimi i gjeografes Massey, jo vetëm na mbërthen në ekzaminimin kritik të hapësirës, por gjithashtu na përkushton rreth saj, ashtu si edhe titulli sugjeron, na bën më lehtë të nënkuptojmë rezultatet mes përkushtimit të autorit mes nënvizimeve të hapësirave problematike, të hapësirës vazhdimtare artikuluese në sofra politike mes koncepteve që janë citime dhe përmbyllje e që hamëndësojnë e nuk lejojnë vetë hapësirën gjeografike mes frymëmarjes dhe arsyeve të qëllimta politike.

Historikisht, ashtu sic Michel Foucault ka sugjeruar, hapësira ka kohë që është nënvlerësuar pasi ‘e vdekura, e fiksuara, jo dialektikja, jo imobilarja’ dhe ajo jashtë qytetërimit dhe qyteteve mes kohërave është cilësuar si ‘pasuri, jashtëqitje, jetë, dialektikë’. Këtu në mbrojtje të hapësirës, Massey bashkohet me mjaft mendimtarë filozofë si Gaston, Bachelard, Foucault, Lefebre, Soja, Deleuze dhe Felix Guattari. Bachelard ndërton hapësirë poetike të violencës ose hapësirë jobanuese, duke pikturuar vëmendje tek rrugët mes të cilave ajo është investuar me mendime dhe këputje të kryqëzuara mendimesh nga kundërshtitë, si racionalizmat e çative dhe iracionaliteteve të grazhdeve, dhe bashkëvepron diskutimin e heterogjenisë radikale të hapësirës dhe po aq edhe të hapësirës imagjinative.

Ideja e kohë-hapësirës që përmban kombinime të realiteve ka hapur vend për investigime të modeleve heterotopike të qytetit dhe qytetërimeve në gjeografinë postmoderne, që koncepton hapësirën urbane postmoderne si një hapësirë heterogjene, kontradiktore, dhe zvogëluese të reales dhe imagjinon hapësirën të që të jetë kudra racionales dhe asaj të rregulluarës në radhë gjërash. Në hyrjen e tij tek “Radha e gjërave”, Foucault përcakton heteropinë si ‘një hapësirë tek e cila lëmshi i gjërave është i vetmi i mundur’ që kërcënon ndryshimin mes “Vetes’ dhe “Të tjerëve”.

Vazhdon.....

Në vazhdim të studimit është qyteti si tekst, analiza e qytetit si tekst, hartat dhe qyteti post-kolonial, identitetet dhe gjeografitë post koloniale, qyteti dhe narrativja ‘shtëpi’, shteti dhe fshati, gjinia, qyteti dhe Kombi, leximi i qyteteve, konfigurimi urban tektonik, konfigurimi urban katoprik, konfigurimi urban spekular, ku marr në konsideratë një nga tekstet e Gjakovës, që citon se ‘... unë jam një njeri urban...’ dhe më tej në një nalizë të detajuar të veprave të Gjakovës. E gjitha realizohet në një ndarje disa kapituj. Kapitulli i parë fillon me ....


19 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page