top of page

“Qytetare Nderi e Fierit”


Sofika Hodo

Dita e bukur me diell e Sofika Hodos...

Ashtu si unë e kam nderuar qytetin tim në aktivitetet ku kam marrë pjesë, ashtu më nderoi edhe ai me titullin e madh “Qytetare Nderi e Fierit”.

Sa vite kisha që nuk e kisha parë, zërin ia kisha dëgjuar... E dëgjova edhe sot në një veprimtari të lushnjarëve kur na solli në sallë melodinë dhe fjalët e këngës myzeqare së bashku me Liliana Kaninën. Kisha...matur me vitet kur për herë të parë u bëra “fierak”, me vitin 1956 dhe tre vite që pasuan, bëhen jo pak por një gjysmë shekulli. Njeriu kur kthehet një gjysmë shekulli prapa dhe bëhet një 16 – 17 vjeçar nuk ka se si të mos kërkojë në rrënjë të jetës, në burime që gjithnjë të kulluara mbeten...

E dëgjova këngën, e bashkova zërin e melodinë në kohë e hapësirë, u emocionova aq sa nuk mu dha të ngrija aparatin fotografik në lartësinë e syrit dhe ta fiksoja. Kur iku, kur silueta e saj la sallën për të dalë në rrugë, u ngrita dhe bëra hapa mes njerëzve e karikeve që vështirësonin daljen. Nuk e arrita dot, kishte ikur. Desha të bisedoja...

Mihal Jano që mu ndodh pranë më tha se do të shkonim bashkë një ditë në shtëpinë e saj...

...Të dielën Mihali kishte “pak kohë”. Kisha edhe unë. Kishte edhe Sofika...

...Shtëpia ku jeton Sofika është në një nga lagjet më të vjetra të Athinës, në lagjen që e ka vështrimin mbi Akropolin e lashtë dhe themelet në shkëmbinjtë e tij...

...Tek dera e pallatit bën para nesh hapa një burrë i vjetër i veshur shik, me shëndet të mirë për moshën dhe dorën që rëndonte mbi “këmbën e tretë” të jetës, mbi shkop.

- Sofikën doni ? – tha dhe nxori nga xhepi një çelës. E futi në bravë dhe shtyu portën.

- Ecni përpara, na tha, në katin e pestë...

Sofika na priste tek dera. Na dha dorën dhe na ftoi të ulemi. Pastaj hapi derën, e mori plakun përkrahu dhe e çoi në dhomën e tij.

Për disa minuta rrëmuam në kujtime, kërkuam në ato vite ku edhe ajo edhe unë, pa u njohur, kishim jetuar me njerëz të njohur. Unë i fola për mësuesin tim, Agron Floqin, këngëtar i estradës së Fierit. Ajo më tha se Agroni nuk jeton më. Folëm për Marin Shestanin, virtuozin shkodran mbi tastierën e fizarmonikës, për Nikollaq Bulon, për Tashko Lakon e shumë të njohur të përbashkët...

A. Ashiku, 12 maj 2007

* * *

Sofika Hodo në emigracion ?

Si të gjithë të tjerët edhe unë e mora këtë rrugë. Kam ardhur në nëntëdhjetë e dyshin. U shkëputa nga puna më shpejt se sa do të dilja në pension mbasi kisha mamanë të sëmurë dhe dola para kohe për t’i shërbyer asaj. Me ikjen e saj ika edhe unë, erdha këtu me nipër e me mbesa që kam këtu në emigracion. Në familjen ku rri ishte kushërira e parë e mamasë sime zonjë e shtëpisë. Edhe ajo ka vajtur në të drejtën e Zotit, si i thonë. Unë tani rri vetëm me xhaxhanë. Qëlloi që nuk kanë edhe fëmijë kështu që jam e detyruar të rri deri në fund të jetës së tij.

Ku ke punuar herën e fundit ?

Në estradën e Fierit.

Ç’far ke lënë në Fier ?

Zëmrën time atje e kam lënë sepse e gjithë jeta ime ishte në Fier, pasioni im me estradën e Fierit. Përveç njerëzve të mi të dashur që kam atje kam edhe një pjesë të zemrës për qytetin.

Kur e ke filluar këngën ?

Këngën e kam filluar që e vogël. E nisa si amatore në veprimtaritë e shumta që zhvilloheshin asokohe. Estrada profesioniste e Fierit u krijua më 1 maj të vitit 1957. Dy vjet më vonë, kur mbarova shkollën e mesme fillova punën si këngëtare profesioniste. Isha me kolegen time të nderuar që tani nuk rron më, këngëtarja e parë e Fierit, shoqja ime e ngushtë e skenës dhe e jetës, “Bilbili i Myzeqesë” Lefteri Sillo. Për shumë vjet ishim të dyja në skenë. Dhe ishim një duet që kemi lënë mbresa tek publiku, jo vetëm fierak por edhe i gjithë Shqipërisë. Në të gjitha vendet që ka shkelur estrada e Fierit, njiheshim si “dyshe myzeqare”. Më vonë erdhën talente të reja, skena erdhi duke u freskuar me këngëtarë e këngëtare shumë të mira.

Cili ishte pasioni juaj?

Unë në fillim kisha pasion këngët e muzikës së lehtë. Ajo ishte baza e këngës sime. Kompozitori më i preferuar për mua ka qenë Prodani. Kur hyra në estradën e Fierit, në bashkëpunim me këngëtaren Lefteri Sillo më hyri në gjak edhe kënga popullore. Në këtë dashuri të re, shumë të madhe të jetës sime më futi Lefteria. Ajo më mësoi se si këndohet, më mësoi se si interpretohet kënga myzeqare. Kështu ne u bëmë një duet. Unë plotësoja duetet myzeqare me Lefterinë dhe ajo plotësonte duetet e muzikës së lehtë me mua. Kështu u bëmë një dyshe edhe e këngës myzeqare edhe e këngës së muzikës së lehtë.

Mihal Jano: Dy motrat...

Po. Po. Dy motrat, kështu na thërrisnin.

Sa vite këndove në estradën e Fierit ?

Eh ! Afërsisht tridhjetë e shtatë...

Ç’far kujton në këta 37 vite kënge ?

Kujtoj edhe të mira edhe jo të mira. Por mbresa më lënë gjithmonë të mirat. Të këqijat i lëmë mbrapa pa e kthyer kokën, shohim përpara.

Për shembull ?

U rrita në atë ambient. U rrita në Fier po nuk jam fierake...

Nga je ?

Jam nga Gjirokastra, nga një fshat i Gjirokastrës, nga Labova e Zhabës ku kemi edhe Zhabat këtu në Athinë. Zapio, siç i thonë. Erdha në Fier vogël fare për arsye ekonomike sepse tek neve kishte vetëm gurë. Kështu që unë jam FIERAKE.

Fierake ?

Them jam andej por...fierake jam. Mbresa kam shumë, kam shumë kujtime nga estrada, nga shoqëria, nga ngrohtësia e kolektivit, nga ngrohtësia e publikut...Kujtime të këqija kam se gjatë këtyre viteve më kanë ikur disa pjesëtarë të familjes, pjesëtarë të dashur, përveç prindërve; motër, vëllezër. Jam e plagosur nga kjo anë e jetës. Por sigurisht kujtime kam plot dhe të paharruara.

Si e fillove jetën në Greqi ?

Erdha drejt e tek kjo familje. Kisha vendosur të rrija për pak kohë por vitet këtu ikën pa u kuptuar fare. Tani jam në kushte që nuk mund të largohem derisa jeton xhaxhai im. Pastaj kuptohet: përfundimi është Fieri... vetëm Fieri... vetëm Fieri. Nuk punoj. Puna që bëj në këtë familje quhet punë. Të gjitha shpërblehen nga xhaxhai.

Pse i thua xhaxha ?

I them xhaxha sepse gruaja e tij ishte kushërira e parë e mamasë time, nënat motra. Edhe unë i them xhaxha. Është në një moshë të madhe, është 95 vjeç. Ju e patë. Është në gjendje të mirë shëndetësore.

Si e ka emrin?

Kostandin Ziro. Nga mbiemri të krijohet përshtypja se është francez por në fakt është grek.

Kë keni tjetër këtu, mbasi shikoj se pranë teje është një djalë i vogël që flet shqip ?

Këtu kam edhe nipërit e mi edhe mbesën time. Kështu që nuk mund të largohem, nuk mund ta kuptoj qenien time pa patuar ata afër. Kështu që e kaloj, e kaloj kohën.

Këndon tani Sofika Hodo ?

Ju jeni në dijeni që Mihal Jano është shumë i dhënë pas veprimtarive, do të bashkojë sa më shumë fierakë, sa më shumë lushnjarë, kështu që thuajse në çdo aktivitet jam e pranishme.

Kur e ke filluar këngën në Greqi ?

Nja tre - katër vjet pasi kisha ardhur. Fillova me grupet myzeqare. Jo grupe, sepse akoma nuk ka grupe të mirëqena myzeqare, por aktivitetet që bënin emigrantët myzeqarë, lushnjarë e fierakë, në festa familjare, kolektive, 7 e 8 marsin, 28 e 29 nëntorin, e të tjera.

Ju dëgjova bashkë me lushnjaren...

Me Liliane Kaninën...

Në festën e lushnjarëve...

Që e bëjnë gjithnjë, vit për vit. Ne fierakët akoma nuk kemi vendosur se nuk mblidhemi akoma. Por besoj se Mihali do ta çojë deri në fund, me iniciativën e tij dhe do të mblidhemi. Më gëzoi ftesa që më bëri qyteti i Lushnjes dhe me Liliana Kaninën sollëm mes njerëzve këngën myzeqare.

Si e sheh të ardhmen Sofika Hodo ?

E ardhmja ime është vetëm shëndeti. Të kem shëndet të mirë dhe një ditë të bukur me diell të kthehem në qytetin tim të dashur Fier, të shoh veprimtaritë që zhvillohen atje. Tashti jam pensioniste dhe nuk mund të mbyllem në shtëpi.

Në Shqipëri ç’farë nderesh ju janë bërë ?

Nderi më i madh dhe kënaqësia më e madhe për mua është pritja e spektatorit. Duartrokitjet e spektatorit nuk i harroj. Nderi tjetër i madh është se tani së fundi u nderova me titullin “Qytetare nderi e qytetit të Fierit”. Ashtu si unë e kam nderuar qytetin tim në aktivitetet ku kam marrë pjesë ashtu më nderoi edhe ai me titullin e madh që më dha.

Nga kompozitorët fierakë kë ke pas më të preferuar ?

Kompozitorë fierakë ka qenë Isuf Maloku dhe Nikollaq Bulo të cilët merreshin me këngën popullore fierake, këngë të cilën e merrnin nga baza, në burim dhe pasi e përpunonin dhe e orkestronin e këndonim ne.

Bisedoi A. #Ashiku #sofika #hodo

80 views2 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page