top of page

Qazim Shehu: POEZIA E MUHAMET DERRIT…




POEZIA E MUHAMET DERRIT I NGRE KULT BUKURISË SË JETËS


Për vëllimin ”Poezi e Grisur”


Nga Qazim Shehu


Poezia e Muhamet Derrit vjen e ëmbël dhe ritmike në vëllimin e ri”Poezi e grisur”,një vëllim i redaktuar në mënyrë mjeshtërore nga profesor doktor Bardhosh Gaçe.Që në fillim, kur prezantohesh me titullin ,mendja të shkon te përmbajtja,sa e justifikon titulli atë dhe anasjelltas,mos titulli vihet thjesht për të sjellë një trill, diçka që ndjell kuriozitet.Në të vërtetë, titulli i këtij libri ka të bëjë me rroben e poezisë,e cila në këtë kohë abrashe griset nga mëkatet që mbart ajo,nga dhimbja që ndjen poeti për prapësitë e kohës,të njerëzve,të cilët sot,thënë përmes së vërtetës,janë indiferentë ndaj poezisë,kësaj mbretereshe të artit.Kështu që, duke lexuar librin ,ky titull më ngjau dhe më erdh i justifikuar e mbresëlënës,por edhe duke ia njohur prirjen Muhametit edhe në libra të tjerë(kujtojmë këtu romanin satirik”Selameti”),një prirje ku shfaqet humori i hollë dhe satira thumbuese,edhe në këtë libër autori nuk i shpëton, madje e manifeston bukur këtë shenjë të talentit të tij të spikatur.

Muhamet Derri është poeti që e ka jetuar kohën me vështirësi dhe e ka përballuar atë me aftësi. Vështirësitë, zakonisht e bëjnë njeriun cingun dhe  ndikojnë shumë në një farë rrudhosje të shpirtit,ndërsa te  ky poet ka ndodhur e kundërta. Shpirti i tij i butë,sinqeriteti dhe mirësia e sjellin këtë njeri drejt një imponimi të natyrshëm të respektit, që tjerët e ndiejnë dhe ky imponim i çon drejt një konsiderate ndaj këtij poeti dhe prozatori të talentuar.

Vëllimi në fjalë me një botim pretencioz nga “Maluka”vjen me një parathënie të zgjeruar nga Bardhosh Gaçe, leximi i së cilës na mundësoi të perceptojmë më mirë poezinë e këtij poeti ,shkruar me realizëm e konkretësi, larg lavdërimeve të tepërta  dhe inkoherencës së mendimit,duke sjellë një model të analizës shkrimore.Shkikuar në këtë aspekt,parathënie të tilla janë modele shkrimore të një studiuesi të thellë dhe me këmbë në tokë.

Librin e Muhamet Derrit do ta shohim në disa traversa  tematikë ku ai shtron shinat e fjalës mbi të cilat ecën treni i frymëzimit dhe i fantazisë drejt horizonteve njerëzore.

Së pari, kjo është një poezi e kujtesës,e viteve të shkuara.Kujtesa bëhet një shtrojë e cila ndien ftohtë nga malli për njerëzit e dashur që nuk janë më,për nënën,babanë,për dëshmorët,për  disa ngjarje e momente të papërmbushura, që çdo njeri i kalon dhe i gjykon nëpër kohë me mendësinë e rishikimit,por ato nuk kapen më.

”Çdo njeri në këtë jetë/mbart një hambar me kujtime/I thjeshtë qoftë apo mbret/vijnë ato si trishtime”.Nevoja për rikthim në të kaluarën bëhet bartëse e një trandeshence vagullore përndritur nga shpirti i poetit.Dhe ajo që është më sinjifikative është fëmijëria.”Më vjen ajo në kujtesë/këmbëzbathura fëmijëri/mos nga shtatëdhjetë vite kërkon të zbres/Të shoh këmbët e gjakosura përsëri?”


Dhe me fëmijërinë vjen natyra,lumi,mali,gjelbërimi, tharmi i viteve fluroreshente,sepse kush ka një fëmijëri të vështirë e të bukur, me siguri bëhet artist.Dhe poetin me siguri e ka bërë artist fëmijëria e tij e vështirë.

Këndellja pas kujtimeve nuk është lektisje dekorative,por një thellësi e shpirtit që fle

dhe zgjohet duke mbartur në prehrin e saj xhevahire të harruara nga jeta e jetuar më vonë.Kjo lektisje natyrisht nuk e ka frymëmarrjen e dikurshme pa kokëçarje, siç është fëmijëria,por ajo ende të sjell atë njomështi të dikurshme të çasteve të bukura,sado të vështira.

Aspekti i dytë tematik ka të bëjë me dëshmorët,me të rënët për liri. Ndeshim në këtë vëllim poezi të bukura për Jaho Gjolikun, për Maman Saliun, Tërbaçin, Qeriba Derrin (Heroinë e Popullit) për të gjithë atë arenë luftarake të Vlorës e të Labërisë, duke vizatuar me penë të hollë portrete,ngjarje dhe çaste,ku autori me një intonim liriko-dramatik sjell në dukje portrete që të mbeten në mendje, duke shfrytëzuar edhe një intonim të poezisë popullore liriko-epike të Jugut.Respekti për dëshmorët dhe nderimi për ta ngrihet në lartësinë e toneve të sinqerta,pa përdorur një retorike lavdëruese të thatë,por duke i parë ato nga këndet e shpirtit dhe nga  vlerësimi i përgjithshëm kohor dhe individual.Ja sa bukur konkludon ai për kohërat e mëvonshme ,për rrymat dhe mendimet e gjykimet e ca njerëzve që kërkojnë ta zbehin luftën e dëshmorëve,duke thënë poetikisht:

”Lapidarët s`e kanë bërë lavdinë/I rrëzojnë tradhtitë,përmbytjet,tërmetet/po s`ka fuqi të ndryshojnë historinë/ndaj heroizmi juaj në shekuj mbetet”.

Historia këtu bëhet një pikë referimi me të vërtetat e saj pavarësisht nga ideologjitë shtrembërimet e stisjet inatçore.

Poeti Muhamet Derri është një satirist i hollë,goditës.Satira e tij nuk vjen nga ndonjë inat që të terron sytë,përkundrazi ajo buron prej dhimbjes së poetit kur shikon fenomene të kohës që mbarsen nga ligësitë,keqkuptimet,nga një zell i tepruar për t`i çuar ato në zgavrën e një egoje  që mban erë.Satira vjen edhe si prirje individuale,si përvojë  ,si instikt dhe vetëdije së bashku ,kur shikon dhe ndjen sesi disa njerëzve u jep mirësi e ata këtë mirësi ta marrin për dobësi.Është një satirë e shëndetshme e cila të vë në mendime.Kjo satirë përvijohet me mendime filozofike dhe qëndrime etike të pranueshme, pa rënë në moralizim të thatë dhe bajat.

Poeti i madh vlonjat Ali Asllani do të shklruante  vjershën “Hakërrim”,që është një krijim sarkastik i shkëlqyer.Modeli i satirës vjen nga Çajupi dhe Fishta,nga Dritëro Agolli,.Muhamet Derri i ndikuar nga këta mjeshtra,por edhe i veçantë,sjell satirën e tij e cila bëhet e pëlqyeshme dhe të vë në mendime dhe më së miri këtë e shohim në poemën “Kodoshët” dhe në epigramet e tij.Në shoqërinë tonë ka kodoshë të mëdhenj e të vegjël,ka kodoshë të shfaqur e të pashfaqur,intrigantë e besëprerë,laramanë e të zinj.

Këta kurthantë dhe imoralë që Fishta do t`i quante “rriqna të ndytë” dhe “coftina”, Muhamet Derri nuk harron t`i shigjetojë me cilësime të tilla, si:xanxarë,gjarpërinj të ftohtë,vrasës,hafije,bidad,hafije,neveritës etj.Satira e tij e sjell epitetin e drejtpërdrejtë mllefosës,siç në të vërtetë e pranon ky nënzhanër dhe është një mllef që vjen prej dhimbjes në një optikë sociale dhe filozofike të zgjeruar.

Mund ta përforcojmë këtë shembull edhe me poemën tjetër “Antinjeriu” ,ku poeti vizaton njeriun e vogël,mikroborgjrez,të ndryrë në atë strofkullën e vet të interesit.Ai e quan atë vrasës të dashurisë njerëzore.Poeti është një antikorp,një ilaç  për shërimin e së keqes.

Me 34 epigramet e tij poeti ngul një thumb të vogël në plagët sociale dhe morale dhe mos harrohet se thumbi i epigramit është më shpotitës.”Një kube e mbushur plot/me sharlatanë dhe idiotë/si ju s`ka artistë në botë/një politikan kokëgdhë u thotë”.Ose:”Një kërriç i mbetur shkretë/në një korie gjetheshumë/ndjen erë bishe dhe  pëllet/,armiq ngado shikon në gjumë”.

Motivet e mërgimit janë një  trase tjetër tematike e këtij poeti.Tema e emigrimit vjen si një ngacmim për të na dhënë një qasje krejt vetjake të poetit.Ndonëse të rralla në këtë vëllim, këto poezi sjellin një  aspekt tjetër domethënës.Poeti i ndodhur në emigrim nuk mund të ndihet i qetë atje.Në poezinë “Një luleje”, poeti i drejtohet asaj me një  thellësi ndjenje të jashtëzakonshme,me një lirizëm të kthjellët e nëntekst dramatik ,se ëshë kjo lule që në dhe të huaj përhap më tepër aromë,kjo lule ka ardhë mbi kreshtat e dallgëve të detit nga vendlindja dhe ai e sheh në një park italian.Është lule e rritur në atë vend apo ka ardhë nga larg për poetin?Një trill befasues ,një enigmë që sjell tronditjen e çastit ,por për poetin nuk mund të jetë tjetër veçse një lule e adhur nga vendlindja,madje të gjitha lulet atje në dhe të largët, janë të vendlindjes së tij.Një detaj që vjen si zbulim i forcës shpirtërore të qenies së tij,një lirikë e shkurtër por e veçantë, me domethënie ngjethëse.

Poezia e Muhamet Derrit është e sinqertë,e shkruar me frymëzim,jashtë përpjekjeve për ta modifikuar vargun ,për ta kërkuar figurën për hir të figurës.Ajo së pari është një poezi atdhetare me sens të fuqishëm që priret nga respekti për të kaluarën,për heronjtë e dalluar nga dashuria për kombin dhe  për Kosovën.Kjo poezi strukturohet në  katrena,e vjen përmes një ligjërimi të lirë,pa komplekse e me varg të derdhur ,që respekton logjikën e mendimit ,po ku mendimi vjen në harmoni me dufet e shpirtit dhe i përcjell ato pa teprime.

Poeti është një kultivues i fjalës së zgjedhur me shije,me elegancë dhe fjala rri hijshëm aty ku duhet,larg të dukurit dhe pozave.Pra,ky poet e merr burimin e fjalës nga thellësia e një vetëdije të fortë për atë që është e mirë dhe një lexues rracional e beson këtë dhe shpreh miratim.

Kjo është një poezi e emocionit në linjë tradicionale të të shprehurit,një poezi që ka buruar nga një frymëzim i trazuar,që ka lindur si e tillë përmes një vlimi të brendshëm duke  u realizuar përmes një përvoje dhe imagjinate të pasur,larg klisheve,edhe pse mjaft tema për heronjtë janë të vështira, sepse për heronjtë është  shkruar shumë dhe klisheizmi vjen si kërcënim,por poeti e shmang këtë se ai është i vërtetë në fjalën e tij dhe në sinqeritetin e ndjenjës.

Poezia e Muhamet Derrit është  e shqetësuar dhe ai angazhohet në këtë shqetësim,si çdo poet i mirë.Ajo nuk është poezi e dhomave të mbyllura dhe e kërkimeve shtërzuese ku synohet të vihet në spikatje rënia në sy përmes abstragimit të formës ku nuk thuhet asgjë,përkundrazi,ajo është poezi e një jete shpërthyese,ku vuajtja e ka pasuruar shpirtin dhe e ka zgjeruar përvojën dhe mençurinë.

Ritmi,forca e fjalës,sjellin rrjedhshmëri në lexim dhe shpesh krijojnë një harmoni tingujsh  duke i sjell ëmbëlsinë kësaj poezie dhe muzikalitetin e saj,që e bëjnë të këndshme dhe të bukur.

Libri “Poezi e grisur” lexohet me një frymë për frymëmarrjen e mendimit,origjinalitetin shprehës,tematikën e ndërthurur,humorin,saitrën,lirizmin ,për odet e shkëlqyera dhe poezinë kushtuese,për fjalorin me fjalë të zgjedhura nga gjuha e popullit,për këndvështrimet interesante,ku poeti i ngre kult bukurisë së jetës dhe vlerave morale të njeriut,në kontrast me antivlerat që i mbartin njerëz të caktuar dhe dukuritë shoqërore të kohës sonë.

34 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page