top of page

Përkujtim për Gjergji Rodhen


Gjergji Rodhe

Përkujtim për Gjergji Rodhen


Deti më frymëzon, tokën e dua se më rrit drurin që më ushqen


Dr Fatmir Terziu


Takimin me atë që në Sarandë e quanin ‘Burri që i flet qelqit dhe drurit’ e bëmë jo me pak shpoti. Ishte një ndjenjë që burronte nga shpirti i tij. Një ndjenjë që lexohej mes disa detajeve, por ndër më kryesoret ishin dy. Të paktën dy pikasa unë. Fjalën e tij të qetë dhe duart e tij, që edhe në tryezën e kafenesë buzë detit, dukej se lëviznin duke stiluar qelqin dhe drurin e asaj tabakaje me të cilën kamerierja e bukur na serviri kafenë. E ndërsa ky njeri me dy cilësi të radha, mjeshtri i gdhendjes në dru e në qelq, Gjergji Rodhe, tashmë ka marë lamtumirën e përshpirtjes me qytetin dhe qytetarët që i donte shumë, në mjedise arti dhe në kënde kulture ka lënë pavdekësinë e tij.

Dhe unë nga larg i shoh ende të lëvizin si atëherë në atë Gusht me vapë, duart e tij të qeta e të palodhura, ku përthyhej respekti i fjalës së nxjerrë me peshën e maturisë dhe pjekurisë. ‘Burri që i flet qelqit dhe drurit’ është vërtet në një kënd të tillë të respektuar, në një kënd ku ai skaliti mjaft vepra të cilat kanë udhëtuar edhe larg kufirit të Sarandës, edhe më tutje Atdheut. Dhe natyrshëm ai ka lënë veç veprës së tij edhe respektin e padiskutueshëm në mjediset kulturore dhe intelektuale të Sarandës.

Teksa shkruaj këto radhë për këtë figurë të skalitur në art, natyrshëm më shkon mendja tek ajo tavolinë e kafe “Bar-Maliqi”, aty ku edhe arti që sillte bisedën e bënte kafenenë të fliste më ngeshëm, të shijonte dyfish. E kujtoj shakanë e Maksit, ndërsa edhe nënqeshjen e tij me një rit vlere e të prekshëm deri në detaj: ‘po kur të zverdhet deti, si do të bëhet?”. Dhe ai me shaka po të tipit të tij shtoi: “Ja do thërrasim dete të tjera në ndihmë të bëjmë ngjyrimin e duhur...”

E ndërsa ai ishte i lidhur mjaft me drurin, ai kurrë nuk e linte pas dore edhe detin. ‘Deti është frymëzimi im. Ai më shlodh, druri më ushqen, dhe ndjen gëzim mes tokës që laget dhe rrit drurët e bëshëm....” Dhe unë me respekt kështu do ta kujtoj këtë emër intelekt, figurë të talentuar të Sarandës.

Gdhendja, punimi artistik, thurja, formësimi i qelq-qeramikës, latimi i drurit, dekorimi i objekteve, e të tjera procese të një arti të veçantë, janë dhe do të mbeten në memorjen time gjatë. Ai bën pjesë tek ata mjeshtër të rrallë, që në art dinë të gërshetojnë realen me surealen, ndjesoren e spiritualen, me historinë dhe mitologjinë. Një gdhendës në dru, si ai është mjeshtri me duar të arta dhe me mendje të qartë e të pasur. Ndaj ai ishte dhe mbeti i tillë. Duhet të lëvizja me kujdes, në vend-ekspozimin e tyre, pasi në të katër faqet e murit, në tavan, të varura, në aneks, në paradhomë, mbi tavolinën ku pihet kafe, ishte shenja e lkëtij talenti, që i kalonte të gjashtëdhjetat atëherë. Nuk i pëlqente politika. Madje, nuk i kishte pëlqyer kurrë. Arti po. ‘Doja ta mbushja Sarandën me imazhe artistike. Ishte një duf i brendshëm, që gati sa s’më shpërthente”, më tha ai atëherë, pikërisht atëherë kur kafja jonë mbeti gjysëm e pirë, falë nxitimit për në udhën e largët... Dhe unë e di se miqtë e mi të Sarandës, Agim Mato, Timo Mërkuri, Irena Gjoni, Andra Zarballa, Bardhyl Maliqi, Dashamir Malo, Konstandin Vogli, Odise Papa, Vangjel Zafirati, Anastas Nika, Thoma Nika e mjaft të tjerë do të kenë bërë detyrën e asaj kafeneje, atij meraku që ndoshta mbeti disi në ajrin e ngarkuar nga vapa. Fryma ende e shijon atë kafe...

Dhe mënjëherë pas botimit të këtij shkrimi do të shpreheshin:

Irena Gjoni "Gjergji i drurit?!"- Ky ishte reagimi im i befte, i cuditur kur pashe lajmerimin per ikjen e tij, si te thosha emrin dhe mbiemrin qe ai i kishte vendosur vetes. Por ja qe ishte e vertete. Po ikin nje nga nje. Megjithate, nuk kam per ta harruar kur nje dite e takova me babin, pasi babi kishte botuar librin "Fjale zemre" me studime per krijuesit e Sarandes. E kishte perfshire edhe Gjergjin me nje shkrim shume te mire dhe i lexohej ne sy nje kenaqesi kur e pa veten mes faqeve te librit. Me zerin e tij te bute e te shoqeruar me buzeqeshjen e tij, nuk reshte se falenderuari Minella Gjonin per ate shkrim qe sic tha: "Iu duk sikur edhe vete ta kishte shkruar per veten, nuk do ta kishte shkruar aq bukur!". E une sot e kam nje kujtim prej te dyve dhe do ta publikoj edhe ketu ate shkrim te librit. Te falenderoj profesor Fatmir Terziu qe me fjalen tende u gjendesh ne te mire e ne te keq krijuesve joniane.”

Timo Merkuri “Faleminderit Fatmir per kete shkrim,qe e deshironim te gjithe, per kete shpirtartisti zemermadh.Ne ishim mesuar qe sa here takoheshim, dhe takoheshin gati cdo dite, ta degjonim tek na fliste me dashuri per motivet dhe kendveshtrimet e tij, per punimet e tij, per drurin qe ai i jipte shpirt ne nje forme te re artistike.Dhe si gjithmon, me humor. Por ja qe koha ben te sajen. Ne viziten ne fundit qe i bera, 2 dite para ikjes, me kerkoi me insistim numerin e revistes sone, ndonese skishte fuqi as te conte koken nga jasteku.

Sa per detyren,eh, kete detyre "sdoja" ta kryeja.Preferoja sherret me Gjergjin e urte, qe si realizoi dot endrat, te cilat shpresoj se do ti behen lule mbi dheun qe e mbulon. Faleminderit Fatmir.

Shpetim Avduli Njeriu qe beri drurin te qaje e te qesh ........... i paharuar Gjergj!


25 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page