top of page

Për të kuptuar se çfarë donte të thoshte autori


Për të kuptuar se çfarë donte të thoshte autori

Fatmir Terziu

 

Sa herë që më kujtohet kjo pyetje: çfarë po përpiqej të thoshte autori?- aq herë më kujtohen orët e këndimit dhe leximit letrar, dhe pastaj orët e letërsisë. Dhe shpesh herë kthehem e rikthehem vetvetiu në klasë të parë, e në itinerarin që vijoi më pas me këtë pyetje deri në mërzitje me tesktet e ngjeshura e mjaft teorike. Çfarë po përpiqej të thoshte autori? Dhe atëherë për disa kjo bëhej dhe një pyetje e mallkuar, se varej nga cili kënd autori e kishte trajtuar. Unë kujtova se e kisha harruar!

Pyetja e mallkuar, si një mallkim i pashmangshëm, na ndiqte nga klasa në klasë dhe fishkëllinte si gijotinë mbi kokat tona të papjekura adoleshente ajo dreq Luftë Klasash edhe në krijimtari. Gjithmonë kisha dëshirë të bërtisja: - Epo, çfarë të mendojmë për të, ai që e shkruajti tha atë çfarë mund të donte të thoshte! Mund të donte të thoshte?! E kush e linte të thoshte atë që donte… Prapë dreq më vete. Pyetje pas pyetje në një pikëpyetje të larguar nga realiteti, në një rrugë të diktuar, të padëshiruar nga vetë teksti.

Por gjithmonë frika e realitetit, frika e parësores, frika e mosqasjes së asaj që ishte e detyruar më ka frenuar nga pasthirrma e (pa)dëshiruar. Në vend të kësaj, u thellova në lexime, më pas në leximin e disa librave (natyrisht ndryshe) dhe me një farë terminologjie në kristologji dhe imagjinata ime e egër nxori përfundime të tilla rreth pyetjes, brenda vetë alegorisë letrare, saqë përfundova duke marrë një notë të lartë dhe duke bërë një emër të përhershëm për veten time si udhëheqës letrar në bangat e para të klasave që ndiqja shkollimin.

Dhe për të mënjanuar paksa këtë pyetje të djeshme, por që është ende e ndjeshme, jo më nga frika, shkoj në një situatë të sotme me shtatë pika, por pa ndonjë lidhje, pa ndonjë shkoqitje të thelbit, thjesht për hir të kontekstit:

1. Ndoshta, do të dëshironit të mendoni për këtë / Ky është një urdhër! Ndryshoni gjithçka ose përgatituni të vuani pasojat!

2. Isha pak i zhgënjyer që…/ Jam inatosur!

3. A mund të shqyrtojmë disa opsione të tjera / Nuk më pëlqen fare kjo ide!

4. Do ta kem parasysh / nuk do të bëj asgjë për këtë.

5. Jam i sigurt se është faji im / Ti je fajtor!

6. Ky është një këndvështrim origjinal / Ju duhet të jeni të çmendur që të ma ofroni këtë!

7. Pothuajse jam dakord / nuk jam aspak dakord!

I dedikova këto shtatë pikë dhe më në fund kuptova, ku duhet të ngulet plori, se jo gjithmonë është e qartë që nga hera e parë se çfarë ka dashur të thotë autori. Mirëpo, dje, një shkrimtar i çuditshëm, i ardhur për të pushtuar kohën me njohuritë e tij të thella të shkrimtarisë së Realizmit Socialist, më vuri edhe një herë në dyshim për dilemën e mesazhit të autorit. Shkrimtar-poeti shkoi në një pijetore për të festuar mbërritjen e tij pas një Antologjie të suksesshme poetike, kaq në fillim dhe më pas dhe krejt befas e udhëzoi kamerieren me këmbëngulje sulltanike:

- Më jep një birrë!

- Duhet të thuash, të lutem! – e qortoi vajza e ngrysur.

- Dhe filloni të buzëqeshni, i urdhëroi ai më tej kamerieres, që kishte botuar tre vëllime poetike, dhe që dinte gati tre gjuhë të huaja, duke ia shkelur syrin e duke vazhduar se, nuk është i detyruar bashkatdhetari ynë në Shqipëri, zonjusha kamariere, pa të buzëqeshura! Vraponi të më sillni birrën, mund të përfundoni pa bakshish, hahaha!

Kjo është e drejtë e juaja, por jo e imja! – ia shtoi kamerierja, që sapo ia kishte plasur një nga romanet e tij në tavolinë. Dhe pëshpëriti me vete duke e injoruar… Eh, ky Burri i madh i kulturologjisë së shkrimit tha pikërisht atë që kishte për të thënë! Çfarë do ta shtrembërojë më shumë romanin e tij në këtë pikë! Ai fundja nuk ishte tashmë më një i huaj!

Ju ua solla porosinë! Faleminderit për vëmendjen tuaj!

Ndërsa unë i shtriva sytë në fund fare, të shihja se ku mbushej me frymë vetë korridori, thjesht i fryrë nga brenda për të zbrazur vetë atë se çfarë mund të thoshte ai pra, ai autori. Për të kuptuar se çfarë donte të thoshte autori?! E trazova. E dikush fare mirë mun dtë thotë asgjë nuk kuptova. Fundja rikthehem, e prapër rikthehem… çfarë donte të thoshte autori?!

24 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page