top of page

Për puthjet e humbura


Arkeologjia e kohës

Fatmir Terziu


Gërmoj poshtë tokës së shkelur

derisa të gjendet diçka nga balta e hedhur

janë kockat e ndarjes. Shtrimi i një sofre

për inerci,

me maska dhe pa maska epidemike,

kështu që gërmimi vazhdon përsëri.


Këto janë gërmimet e racionuara të kohës.

Më kot zgjatem e dashur tek mishi i tretur

për të bërë një model, kuptimi nuk mund të bëhet,

me skeletin e mbetur, të gërmimeve arkeologjike

megjithëse në këto zbulime,

fjalët bien pa stinë kalendarike.


Gjurmët më shpien larg,

në skajet e një kohe të lodhur

në një tunel që gjithnjë pret dritë

në fundin e tij shkruhet me baltë të ndotur

gjetja kurë s'ka për të ndodhur,

përtej dashurive.


Si rregull, pak njerëz e lexojnë këtë të shkruar.

Errësirra nuk i zbulon fjalët,

por fjalët e tilla janë gjithkund e dashur,

kjo rrugë nuk të çon askund.

Në këtë tokë të shkelur duhet kuptuar diçka,

nuk duhet hartë,

dashuria shfaqet: gjithnjë sikur drita mes syve,

një farë drite ka lindur nga ajo baltë.



Për puthjet e humbura

Fatmir Terziu


Pak vargje puthjeve të humbura,

syve që shkruanin rekursin nga mosha

në bankat e shkollës, duke shumëzuar vitet

ndërsa trupat mekeshin si trosha.


E shkruara e memorjes bëhej më e hollë

derisa koha zgjatej si një filiz

puthjet e humbura mbetën një shkollë,

me sythe të njoma mbi hijen e rinisë.


Shenjëzat zgjojnë gjithnjë kujtesa

mbi buzë të brishtë të harruar,

shpërndahen në libra, imitojnë breza,

si figurat në një poezi të shkruar.


U nisa të shkruaj për veten time

por filloj të flas për dikë tjetër.

Moshatarët e mi po bëhen gjyshër

puthjet e humbura mbetën në letër.


Kështu nisa të shkruaj këto vargje

për puthjet e humbura në vite

mbetur në dyer të mbyllura mbi pragje

me to po rishkruaj vetëm mite.


Këto puthje të strukura nga gjyshër

në kohë të re, për kohë të vjetër

si vargje të pashkruar, të virgjër

një ditë do të rizgjohen patjetër.

12 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page