top of page

Për krijimtarinë poetike të Bajram Sulejmanit


SHPENDI TOPOLLAJ

                        

Kur poezia ngjizet nga dhimbja njerëzore

(Për krijimtarinë poetike të Bajram Sulejmanit)

 

   Teksa merresha me redaktimin e dy librave të Bajram Sulejmanit “Perëndime të skuqura” dhe “Valë ndjenjash”, më kujtohej ajo historia e ndjekësit të Sokratit, filozofit danez Soren Kierkegaard që kur dikush e pyeti se çfarë është poeti, ai i dha këtë përgjigje: “Një njeri i palumtur që e fsheh ankthin e pafund në zemrën e tij, por buzët e të cilit janë formuar në atë mënyrë që psherëtimat dhe qarjet të tingëllojnë si një muzikë e bukur”. E them këtë pasi edhe Bajramit, fati i kishte rezervuar hidhërime gati të papërballueshme: njëri pas tjetrit i largohen nga jeta dy njerëzit e tij më të dashur, djali dhe gruaja e tij, duke i shkaktuar kështu brenga të mëdha shpirtërore. I vajtoi ata me lot, u mundua të ngushëllohej duke shkuar te varret e tyre, ku u çonte nga një tufë me lule dhe duke kuvenduar me ta në heshtje. Por e shihte se kjo nuk mjaftonte për ta qetësuar disi shpirtin e tij. Donte ta ndante hidhërimin me të tjerët, miq, shokë, të afërm. Dhe kur kërkoi ndonjë mënyrë tjetër që t`ia lehtësonte sado pak dhimbjen, vetiu dhe ndofta pa e kuptuar as vetë, mendja i shkoi te poezia. E kishte pëlqyer atë në të ritë e tij edhe pse sikurse na thotë, se kjo ishte një ëndërr e vjetër që kishte mbetur poligoneve, pasi andrrallat e qenies së tij oficer, nuk ja krijonin këtë mundësi. Shumë, shumë, ai poezinë e kishte parë, perceptuar e shijuar si diçka argëtuese. Por ja që nëpërmjet saj, ai mund të shfrehej, të nxirrte dufin që e kishte kapluar dhe tek e fundit, të komunikonte me të tjerët, pra ta ndante trishtimin e tij sado pak me ta. Por edhe të mos i linte njerëzit e tij të shtrenjtë që të vdisnin tërësisht. Ai me çdo kusht, do të bënte të pamundurën që t`i mbante sado pak të gjallë, pra në jetë ata, nëpërmjet kujtimesh, ndjenjash dhe emocionesh. Dhe nisi të shkruajë me atë lapsin mbi atë letrën që i kishte mbajtur gjithmonë me vete. Nuk kishte aspiruar të bëhej poet, dhe as të botonte ndonjë libër, por ja që diku ishte njohur me vërejtjen e Horacit që shkruante se hidhërimi më frymëzon  vargun. Dhe ashtu, duar - duar nisi të vargëzojë. Kështu edhe e pa vetë se tjetër është kënaqësia që të jep arti i poezisë kur e lexon dhe krejt tjetër, kur e krijon atë. Se ashtu si fjalë pas fjale krijohet vargu, e varg pas vargu krijohet strofa, e strofë pas strofe krijohet poezia edhe poezi pas poezie, krijohet libri. Me librat që ka botuar, tani Bajram Sulejmani ka zënë me dinjitet vendin e vet në radhët e poetëve. Poezia e tij tani është e konsoliduar, ka veshur petkun e purpurt të harmonisë metrike, gjurmon metaforat dhe i gjen ato, përcjell mesazhe përtej dhimbjes së tij, duke ruajtur gjithmonë porosinë që t`i bëjë psherëtimat e qarjet të tingëllojnë si një muzikë e bukur. Mbi të gjitha, poezitë e Bajramit janë të thjeshta, të kapshme, të sinqerta dhe përgjithësuese. Aty zotëron dashuria për njeriun, shokun, mikun të cilët ai i sheh në çdo pllakë trotuari ku kalon, duke u kujdesur të mos shkelë mbi emrat e tyre. “Mbi pllakat e rrugës hedh hapat i heshtur, / Edhe vargjet që shkruaj andej i lë, / Ku më zbret dhe ndonjë e qeshur, / Me ata shokë kur ajo më zë”. Për të, mik ka mbetur kushdo që qoftëse edhe një herë të vetme i është gjendur pranë kur ai kishte nevojë, si fjala vjen, mjeku human Kristaq Huta me shokë. Atë e mbysin kujtimet për kohën që kaloi në ushtri dhe i këndon idealeve të pastra të oficerit, sakrificave të tyre, besnikërisë që ata kanë ndaj Atdheut. Atij i kanë lënë mbresa të mëdha ushtarët, ata djem të rinj në moshë dhe aq njerëzorë në zbatimin e detyrave dhe respektin për eprorët e tyre. Ai ka dëshirë t`i përmendë të gjithë me emër, dhe i vjen keq që kjo është e pamundur. “Emrat të gjithëve dot nuk ua përmend,... / Këtu në zemrën time, e keni nga një vend”. Por në poezinë “Fletë të zverdhura” ai tregon shqetësimin e madh kur në repart rënkonte një zë, dhe “Te shtrati ku ish sëmurë, më thërriste ushtari”. Ka mall për vendet ku shërbeu, se atje ai ka të fiksuara edhe momente intime: “Atje shkrova letrën, me zamkën pa tharë, / Të dyja letrat, në postë i çoj ushtari, / Ai i shkroi nënës, për herë të parë, / Unë të dërgova ty, letrën e një të marri”. Shkruan me nostalgji për çapkënllëqet e moshës, për kohën kur edhe një fjalë, një vështrim, një flirt i një vajze, merrej si shenjë dashurie. E tillë është poezia “Çobanka te zalli”, ku ai i thotë asaj: “Ik çobankë e djallit, / Belin mos ma tund”. Atij ende i janë ngulitur në kujtesë flokët e ciganes, thua se ajo është vetë Zamfira e Pushkinit: “Ku më çoj mall i shkretë, / Pranë zjarrit me ciganë, / Një cigankë me sytë si det, / Shkëndi ndezi kur u pamë.” Por Bajrami nuk harron as qytetin ku u rrit, Patosin, ku naftëtarët mes sakrificash mbinjerëzore, puset i ndezën si yje. Dhe është mëse e përligjur, kur lexuesi i këtyre poezive sheh se poetin e ndjek si hija “Elegjia për lulëkuqen”. Atij i ka mbetur mendja te pritjet e saj nga shërbimet e gjata, por gjithçka ka mbetur deri këtu, pasi: “Tani mbi ballin tënd ka rënë borë, / Ngjyrën e lulekuqes buzët nuk e kanë, / Unaza si hark ylberi ka ngrirë në dorë, / Dimrat që kaluan, lulekuqet i thanë”. E kishte vajtuar dikur vdekjen e Evgjenisë së Çajupit dhe ishte përlotur nga elegja e tij. Por ja, tani fati e kishte ndëshkuar edhe atë vetë, ndofta edhe më keq, ndaj e vazhdon vajtimin: “Kështu më erdhi jeta, që ta jetoj vetëm, / Pse nuk pata fat, pse e them të shkretën? / E humba një sy, yllin me gjithë hën`, / E ç`më duhet dielli, kur dritë më nuk bën?” Por, pavarësisht kësaj, ai ka vajzat e djalin tjetër, dhe e di se jeta vazhdon. Prandaj e do vargun: “Të qaj si unë, por dhe të këndoj, / Ndonjëherë të dehet dhe të jetë i çmendur, / Hipokrit s`e dua se do ta mallkoj, / Shpirtin tim le ta ketë të gdhendur”. Dhe është shpirti i ndjeshëm i poetit që sikur të ishte një kompozitor i talentuar, di të na i kthejë mërzitë e hidhërimet që na rezervon jeta, në muzikë plot ritëm e gjallëri dhe na orjenton që ta shohim të ardhmen me gëzim e optimizëm. Se nga gjithçka krijoi i pavdekshmi Dante Alighieri, në mendje na ka mbetur më shumë e pashqitur, ajo elegjia për humbjen e Beatriçe Portinarit dhe na gëzon triumfi i dashurisë që as shekujt nuk e lanë të harrohet.  

9 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page