Pëllumb Kulla: MJEKËT TË RRJEPIN LËKURËN
- Prof Dr Fatmir Terziu
- Apr 30
- 1 min read

Edhe Tomi vendosi e shkoi tek një mjek psikiatër.
“Doktor,” i tha, "Unë kam një problem që kohët e fundit po më shkurton ditët. Sa herë bie në krevat që të fle, më duket se poshtë krevatit është fshehur dikush që pret të më zerë gjumi. Kam arritur deri aty, më beso, sa të zbres e të shtrihem për të fjetur nën krevat!”
“Dhe ke gjetur rehat? Ke fjetur aty poshtë?” pyet psikiatri.
“Aspak! Përsëri më duket sikur dikush është shtrirë përmbi krevat dhe pret. Ngjitem lart, - ai është poshtë. Futem poshtë, ai më bëhet sikur është lart! Sipër – poshtë, poshtë - sipër… Po marr fund. Më ndihmo, doktor!”
“Po gruaja e vuan këtë…?“
"Ç’gruuuua, doktor! Jetoj i vetëm, i pamartuar”
“Lerma mua të ta zgjidh problemin… Do të vish tek unë tri herë në javë për një psikoterapi dhe unë do të shoh si do të shkojë trajtimi që do të të caktoj.”
“E sa do të të paguaj?”
“Njëqind dollarë për sejcilën vizitë.”
“Treqind në javë, vete llogaria, kështu?” pyet Tomi.
“Po. Aq vete.”
“Lermë të mendohem, doktor.”
Gjashtë muaj më pas, doktori e hasi Tomin në rrugë.
“Nuk erdhe më tek unë!” ia kujtoi psikiatri.
“Me njëqind dollarë vizita?! Pu-pu-pu!” ia bëri Tomi. “Lere, se ma zgjidhi problemin fshesaxhiu i pallatit. Për vetëm njëzet dollarë. Tani fle për shtatë palë qejfe.”
"Vërtet, mo? E qysh ta zgjidhi?"
“Thjesht. U ngjit një ditë në apartamentin tim, më sharroi këmbët e krevatit. Kaq ishte. Nuk ka bir nëne, që më hyn më poshtë krevatit! Shpëtova.”
…………………………………………………………………………………………
“Nga Kriporet e ruzullit”
Comments