top of page

Pse bëmë inatin kryefjalë?


Pse bëmë inatin kryefjalë?

Nga Fatmir Terziu


Kemi jetuar të dy në dy shekuj,

si një gjeneratë ndoshta me fat,

me të lindur e me të vdekur,

udhën e kemi bërë bashkë.


Këputëm trëndafila tufa me lule,

buzëqeshëm në takimet tona,

i zbukuruam me dashuri e puthje,

e numëruam yjet netëve të vona.


Filluam të bëjmë plane afatgjatë,

kur të dy bashkë e dhamë besën,

e nisëm të mendojmë ditë e natë,

si ta ndërtojmë më bukur jetën.


Iu futëm thellë mitit të lashtë grek,

mësonim sekretin e dashurive hyjnore,

e pamë që nuk ishte aq e thjeshtë,

ndryshimi nuk ishte si përcjelljet gojore.


E kështu u bëmë mol i librarive,

lexuam sekretet e jetës së vërtetë,

derisa ndiznim zjarre brenda syve,

mbi libra pamë si ndryshohej një jetë.


E kështu nisi jeta pakuptuar ndryshe,

punuam gjatë sipas atyre ligjësive,

disa na u dukën si referenca kishe,

disa të tjera thjesht pronë edukative.


Në këtë pikë ndryshimin e pamë,

ishte më afër se kur ndonjëherë,

ai ishte thjesht modeli babë e nanë,

pa të s'kishte asgjë më shumë vlerë.


Pas kësaj planet e tjera i braktisëm,

i lamë në mitologji të gjitha mitet,

me këtë udhë e pamë mjaft bindshëm,

kështu familja e shëndoshë rritet.


Dhe shkuam më tej në këtë udhë,

bashkërisht me risinë burrë e grua,

jeta na u forcua përditë e më shumë,

planet në letër na mbetën të huaj.


E kështu leksionet e tilla i bëmë varg,

duke i renditur fakt me të vërtetën,

bashkë e kuptuam se vetëm me inat,

nuk mund ta ndërtosh ndryshe jetën.


E paskemi provuar dikur të grisim,

planin në letër me gjeste e fjalë,

tani si duhet fëmijët ti bindim,

pse e bëmë dikur inatin kryefjalë?

20 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page