top of page

PROKURORI



-Tregim –

Nga SHKWLQIM HAJNO -


-Përshëndetje!

-?!....

Tjetri beri sikur nuk dëgjoi dhe hodhi shikimin tej nga Gryka e Shedenikut ku shtëllungat e reve të murme gjigande, dukeshin sikur çukisnin njera-tjetrën.

-Përshëndetje barba!-tha në shenjë respekti për të moshuarin, më i riu që shkelte për herë të parë në ato anë.

Tjetri, si hodhi një vështrim të vetëtimtë dhe tangent ndaj njeriu të panjohur, rregulloi kapelën qytetse, një borselinë ngjyrëhiri të zbardhëlyer që e bënte edhe më shumë të habitshme dhe groteske praninë e tij si prej një alieni në këtë mjedis rural në qafëmali. Pas nje heshtimi, iu kthye kalimtarit :

-Përshëndetje!

-Më falni, a kalon ndojnë kamion kësaj ane? ….Më flni, kush jeni ju ? C’bëni këtu në këtë lëndinë? …Edhe i vetëm.!

Njeriu me borselinë dhe xhaketë kostumi të viteve ‘60, heshti pak por ndjeu si me një shtyse të brendshme se duhet të jepte një përgjigje.

-Ju zotni, me moshë afër një mesoburri, jeni gjë hetues, në këtë qafë mali dhe në mes të xhades që lidh fshatrat këtej?...Po bëni hetime për ndonjë kallëzim apo vepër penale? Nuk e shikon, që nuk jam vetëm!? –dhe bëri me dorë për të treguar gjashtë dele që kullosnin aty pranë.

Njeriu i ardhur rishtaz bëri një “Ahaaa!” duke i dhënë të kuptojë se u morën vesh.

Mungesë takti, i tha vetes. Idiot. Ç’punë ke ti që kërkon qiqra në hell me burrin e botës! Të kanë caktur mësues në shkollën e mesme të Sajmolit edhe kaq. Në fund të dynjasë. Dhe kaq!...Tani, prit ndonjë kamion kooperative të hipësh në karroceri edhe ik, o njeri!

Por një kërshëri e brendshme si majë thike, e mundonte tek shikonte këtë tip qytetari, ulur tani, në një lëndinë që ruante delet në një fshat kaq të largët nga qyteti dhe kaq malor. Papritur, iu kthye vetes tek u ul mbi një gur gjithë myshk.Gjynah! Mundet të ketë ikur mendsh... Dhe bënte ç’bënte, i hidhte sytë vjedhurazi nga njeriu me borselinë dhe kostum të strëngur, dhjetë hapa më tej…

Pastaj, si për të shtyrë akrepat e orës që dukeshin se kishin mbetur në vend, nisi të mendojë. Me kostum dhe borselinë qytetari në këtë qafmali. Fqinji iu përhit si një personazh filmi, shumë-shumë, si një personazh i dalë befas ngadonjë libër, i prerë me kujdes me gërshërë nga faqet e ndonjë romani dhe i animizuar tani, si një fanitje. I gjatë. I dobët.Nofullkërcyer. I thinjur. Me kurriz. Me sy që të zhbironin fort tek t’i ngulte si dy shigjeta, lëshuar me forcë nga një guvë e thellë mendimi e dyshimi. Gati hipnotizues.

Njeriu me kostum të strëngur dhe borselinë e ftoi të rishtarin, që sa të priste në këmbë ndonjë makinë për qytet, le të të ulej se mund të kalojë ndonjë kamion nga të kooperativave që po prisheshin një nga një asaj ane, siç fikeshin qirinjtë një nga një në një meshë përshirtjeje. Përshpirtje e një agonie gjysmëshekullore të regjimit që sundoi me dorë te hekurt.

-Ulu, or njeri ! Për një , e shumta , dy orë, këtej edhe kalon ndonjë kamion. Ndoshta, ke fat.

-Më falni, zotni, kush jeni ju?-u ngut sërish i riu, tani, me një ton miqësor.

-Kaq shumë të mundon kjo pyetje? Dhe të ha përbrenda, siç e ha ndryshku metalin nga lagështira? Heee?!...

Tjetri pohoi me kokë por nuk bëri zë. Nxori një cigare nga një paketë DS e kohës. Ia zgjati të faniturit pranë por ky e refuzoi prerë me dorë. Pastaj e mori një. Ia ndezi njeriut me borselinë dhe pastaj edhe vetes. Ia kishte lexuar mendimin. U ul mbi një gur në atë lëndinë të pjerrët plot bar e lule të sapoçelura pranvere. E sqaroi se ishte një mësues i sapoemëruar në fshatin e Sajmolit aty pranë. Pstaj i nguli syë nga borselina.

-Unë… jam ai që kam bërë 13 vite ne burg dhe 13 te tjera në internim….

I riu i përqëndruar tani, luajti pak vendit nga guri ku ish ulur.

-Aaaa?! Po si kështu?.Përse i ke bërë kaq shumë, madje, edhe internim, edhe burg…!?

Tjetri rregulloi kapelen qytetëse .E hoqi. E vuri sërish në kaptinë dhe e ktheu pakëz anash nga e majta.

-Do ta dish vërtet?

-Nuk thashë gjë….Kot pyeta.

-Po ta them, para se të kesh ikur me merakun e enigmës sime…Ta them, që ta marrësh me vete sipër, në kamionin që do të vijë…në karroceri.

=?!...

2.

Tjetri e pa me keqardhje dhe habi. Që ka shkarë, ka shkarë i shkreti, tha me vete. Kjo, nuk do shumë mend për t’u kuptuar. Pak shkasin tani nga ledhi, domethënë nga mendja? Një, më shumë, nuk është asgjë fare…Dhe iu kujtua polic Cacja në qytetin e lindjes. Me biografi të mirë për kohën. Qelibar. I besuar i regjimit. Por, qëkurse e kishin zhveshur se e patën zënë një herë në gjumë në orar të shërbimit në lulishten para Komitetit të Partisë, e më pas, e pati lënë edhe gruaja, një shitëse në MAPON e frutaperimeve, befas, kish nisur e mbante ‘fjalime’. Ppo po. Fjalime, Me intonacion si të Udhëheqësit të dikurshëm!

Por të gjitha me ‘partishmëri’. ”Rroftë Komiteti Qëndror i Partisë me në krye shokun Enver Hooo….!”.

Kaq thoshte i ngarti Cace se ia kishin zënë gojën në fillim me forcë ca të Frontit të lagjes dhe ca kolegë të tij me uniformë. Tani, e thoshte falinë e parrullës që shqiptonte gjithmonë pa pjesën fundore. Jo në çdo kohë, me vend e pa vend. Por si ilaçet.Me orar. Priste të binte muzgu i parë. Të bëhej qetësi. Dilte në ballokn. Shikonte sesi bënin shëtitje njerëzia dhe sidomos çiftet e reja dhe ia niste: “Rroftë Komitetit Qëndror me në krye shokun Enver Hooo…!”. Pastaj vijonte një pauz. “ Shokë edhe shoqe! Novatorë edhe novatorje duararta, lulja e lules së Partisë, gonxhete gonxheve të Partisë,,,…”Partia jonë me forë….Partia joën e Punës me në krye , shokun Enver Hooo…i ka dhënë dërmën imperializmit amerikan dhe revizionizmit sovjetik…! Ashtu, de!”

I ngarati Cace, paqësor në hallin e tij, nuk ngacmonte njeri. Nuk trazonte askënd. As lulet në park dhe asnjë mizë, siç i thonë.

Fëmijët ishin mësuar me të dhe nuk e ngisnin. Tepër rrallë, ndonjë çamarrok kur kalonte me shokët për në shkollë, hidhte ndonjë pjesë nga parrullat e Caces.”Rroftë Komiteti…”. Por aty për aty, gjendej ndonjë i rritur që ndërhynte. More ...pelivan, je edhe djalë shkolle, ti!.Do t’i bëj veshët opinga, po të kapa…! Dhe tjetri, nxionte hapat ose ia mbathte. Por Cacja ruante qetësinë e tij proverbiale. Dhe nuk merrte ‘çentil’ nga kalimtarët e rastit. Priste muzgun e tij olimpik. Muzgun e qetësië. Mbretërinë e tij të paqes. I miri Cace, priste atë orën e përafërt të muzgut që askush në qytet, nuk e dinte saktësisht se kur ishte, që të dilte në ballkonin e tij që i dukej ndoshta si tribunë nga ato të udhëheqjes të cilën e pati ruajtur pothuj një jetë të tërë me sytë bërë katër nga vigjilenca revolucionare.

Rishtari, nga sytë e mendjes, e vështroi borselinon qetësisht, tani, si një mik që kishte ndarë më të edhe duhanin.

-Jo, jo. Kot pyeta…-I tha mësuesi I transferuar në Sajmol.-Puna juaj.-shtoi si për ta ngjitur bisedën aty ku u këput siç këputete shiriti I një magnetofoni.Patsaj shtoi me gjysmëfjali.

-13 vite burg. Plus 13 internim? Baraz, 26. ! Në rregull?

Tjetri pohoi me kokë.

-Nëse mund ta di dhe nuk ju lëndoj, të më ndjeni zoti….përse e keni vuajtur dënimin? Dhe, më pas, edhe internimin?....

-Atë, ma thuaj ti, përse? …-e hoqi borselinën dhe e mbante në duar i thinjuri me nofullat e kërcyera vendit. Pastaj e vuri ngadalë përsëri mbi kokë si për të formuluar përgjigjen më tej.

-Sepse jam spiun i grekut!.Ja! Kjo qe! E kuptove tani? I grekut. I Greqisë. ..

Pastaj heshti një grimë dhe rregulloi sërish borselinën mbi kokë si për të gjetur fjalitë pasardhëse dhe shtoi:

-Kaq e thjeshtë është, apo jo?

Tjetri u shtang pak.

-Jo!…-ia ktheu ky nëpër dhëmbë. -Nuk kuptova gjë prej gjëje.!..Dhe as e thjeshtë nuk më duket gjithë sa më the deri tani…

-E shikon?As ti nuk e beson! Nuk të besohet? S’ka sesi! Dhe tani,… që njerëzit po arratisen dhe ikin me grupe nga malet, drejt kufirit, drejt Greqisë, nga luginat, nga shpatet nëpër hone e nëpër borë, kush e kush t’ia mbathë nga ky kopshti jonë i lulëzuar i socializmit; nga kalaja shkëmbgraniti, fenerndriçuese buzë Adriatikut; unë, spiuni grek, po rri këtu!

Po qëndroj këtu…Tani, që kalaja e pamposhtur, po bie, ra, po shembet pakngapak ose kollotumba….Unë tani, rri këtu që të ruaj gjashtë dele! Heheee!…Më kupton?

- Të më falësh, por nuk të kuptova asnjë fjalë, zotni.

-Po s’ka sesi të më kuptosh, ore njeriu i ri! Nuk ka! Një mendje normale nuk mund të kuptojë kaq ‘thellë’. I falur je. Që nuk kupton.

-Po cila është historia jote dhe c’bën këtu me këto dele se ju dukeni që nuk jeni fshatar nga këto anë. Jeni një qytetar. Kjo nuk kërkon shumë mend dhe lexohet që përtej. Por këto delet më ngatërrojnë…Unë jam mësues i transferuar kësaj ane, siç të thash…. Po, me se, jeni marrë në jetë?

-Delet i ruaj se këto kam gjënë e gjallë në shtëpinë që më ka lënë babai dhe nëna që më kanë vdekur që të dy…Po, mos u ngut!

3.

Unë kam qenë partizan. Si dhjetra e qindra të tjerë. Isha i ri. Pas Luftës vazhdoja të kisha uri më tepër për shkollën sesa për bukën.

Isha plagusur dy herë në Luftë. Por fati më ndihmoi. Më pas domethënë, pas Lufte, më nisën në shkollë në Bashkimin Sovjetik. Si shumë të tjerë. Mësova si i uritur. Dola prokuror. Imitoja Vishinskin e madh të asaj kohe….Dija dhe di, për fat të keq, pjesë nga pretencat e tij si prokuror. Në rusisht, po se, po po edhe në shqip. Si një bibël…. Pas ca punëve në dikastere në Tiranë, më caktuan prokuror në rrethin tim. Aso kohe, fshati im ishte dy orë e ca me makinë.

Isha shumë i rreptë në detyrë. Ata lart, në Tiranë, më vlerësonin. Sidomos, në fillimet e punës edhe kur më caktuan në dy rrethe të tjerë me postin e lartë të prokurorit.

Atë çast, me një shkop që mbante në dorë, nisi të vizatonte një rreth mbi tërfilin e lëndinës pranë këmbëve. Pastaj nisi ta lëvizë shkopin sikur do ta ngulte në tokë.

-Ata poshtë, domëthënë Partia dhe zyrat e pushtetit nisën të thoshin se P.M, “është më katolik se Papa!”. Kishte abuzime plot. Po edhe varfëri të madhe plot, sidomos pas kooperativave që u bënë më dhunë. Siç thuhej aso kohe, ‘me iniciativë nga poshtë dhe me direktivë nga lart’. Domethënë nga Partia, s’do mend…

Pastaj i nguli sytë diku në lëndinë e blertë si për të parë me vetulla të ngrysura diçka që i kishte humbur kohë më parë.

-Unë procedoja për cështje të ndryshme penale. Kishte shumë vjedhje. Po kishte siç të thash edhe shumë varfëri të madhe. Këto shkonin paralel. Si vijat e hekurta të një hekurudhe. Edhe për agjitacion e propagandë nisën të shtoheshin çështjet. Edhe për tentim arratisje. Po varfëria po i zhvishte pak nga pak, të tërë, lakuriq.

Në qytet, po se po, palemë në fshat! Njerëzit po i fusnin me forcë e imponim nëpër kooperativa…Kush kundërshtonte, shpallej kulak. Njerëzit po ndaheshin në dy grupe. Domethënë edhe ne si organ i akuzës kështu po e ndiqnim këtë vijë zjarri: Njerëz të bardhë që ishin me Partinë, Frontin , kooperativat, domethenë më regjimin dhe të tjerë, në zezakë. Kundërshtarë. Kamp armik. Unë hyja te të bardhët, kuptohet. Ai që kishte vëllain, xhaxhain, dajon, kunatin, e të tjera me ata të Ballit në luftë ose ai që nuk pranonte të hynte në kooperativë, hynte menjëherë në rrethin e zezakëve.

E mendova gjatë kur isha në burg këtë punë të ndarjes në të bardhë dhe në zezak. Jo më parë. Mendja ime prej Vishinski nuk e lexoi kështu si tani. Ishte që nga lufta e Dytë për ne kjo e ndarjes me sopatë, pas asaj të ‘44-s. ….Në burg, atje ku çoja të tjerët, e kuptova se ndarja më dysh e shqiptarëve kish nisur që nga lufta….

Por tepër vonë e kuptova këtë se isha nga më të zjarrtët e vijës së parë. Fanatik. E kuptova kur kisha shkelur te syri i qikllopit ...

Pastaj si vuri re se tjetri po e ndiqte me vëmendje, tha:

-Më dukeni se jeni mësues, më thatë.

-Po edhe e respektoj vuajtjen tuaj….

-E pashë këtë.! Ndaj e ngava muhabetin më tej. Se gjeta një njeri që duket se më kupton. Kupton një njeri të pakuptueshëm, si të thuash…-dhe mori cigaren tjetër që ia zgjati mësuesi.

- E di se prokurori i Stalinit Vishinski hodhi idenë që të krijoheshin disa spitale psikiatrike ku të futeshin krijues dhe shkenëtarë që mendonin ndryshe nga Stalini dhe rendi socialist sovjetik? E di si i quanin këto spitale?

-Jo!...

-Këto spitale psikiatrike quheshin nga rusët psihushka…psihushka…

-Po tek ne?

-Ta them unë…Ne, ishim të gjithë në një spital psihushka. Atje ndihmova edhe unë si prokuror, edhe ..pacient. Psihushka…Unë isha sit ë thuash një nga qindar doktorët e Psihushkas…-dhe e u përhumbi vështrimin në një pikë të largët të pacaktuar.


4.

Një ditë në zyrën time të prokurorit të rrethit, më sjellin një kallëzim për vjedhje. Në fshatin tim të origjinës pikërisht, dikush kishte vjedhur ullinj, një trastë gjë..por thuhej se kjo ishte e përsëritur prej kohësh dhe më gjasë, mund të ishin bërë edhe kuintalë. Por askush nuk kishte prova të qarta.

Në kallëzimin e radhës thuhej e zeza mbi të bardhë se njeriu që kishte vjedhur ishte, as më shumë e sa më pak, por ajo që më kishte bërë mua kokën: Nëna ime!

Të gjorës plakë, vonë e kuptova, se i kishin varur qëllimisht në samar të gomarit, një trastë me ullinj tek kthehej në darkë nga puna në shtëpi me gomarin ngarkuar me shkarpa. Dhe sapo hyri i ngrati gomar me nënën në oborrin e shtëpisë sonë në fshat, hyjnë edhe vigjilentët.

“C’e ke këtë, që ke varur në samar të gomarit, moj shoqja Parashqevi? Parashqevija, ishte mëma ime.

Kaq ishte puna. Vjedhje e pasurisë socialiste. Cështjen e gjykova vetë. Të gjithë me sy e veshë nëpër zyrat e komiteteve dhe të organeve të drejtësisisë, policisë, sigurimit, organizatave të masave, etj,.Prisnin, vetëm përgjigjen e një pyetjeje: Sesi do të vepronte prokurori i ashpër i rrethit! Do ta zhvishte shpatën si ngaherë apo, do ta fuste në mill, dhe do të tregohej si një lepur ose një pulë e lagur para nënës që i ka bërë kokën!

Dhe e di c’bëra? Nuk e di?

-Jo,-ia priti tjetri.

-E dënova me katër muaj e gjusmë burg nënën time. Me heqje lirie, kupton?!

Mësuesi kish hapur sytë dhe içakërdisur por dëgjonte sy e veshë.

-E vërtetë?!

-Po. Siç është e vërtetë që ne të dy, tani, jemi përballë njeri-tjetrit. Dhe ata të nomenklaturës së rrethit duket se menduan se do t’u vinte radha një ditë për vjedhje apo xudhira të tjera që i bënin që çke me të dhe ne si prokurori i denim.

Pas kësaj nuk shkoi më shumë së një vit, kur zyra ime u hap me forcë, pa trokitur dhe ia behën menjëheë katër vetë. Tre me pistoleta dhe njeri me aparat fotografik.

“Mos lëviz!,-më thanë,- Të erdhi fundi, o spiun i grekut,…..Duart lart!”..

-?!

-Më hodhën prangat si çdo të arrestuari nga ne dikur, për vepra penale, me urdhërat e mia si prokuror.

Duhej edhe një armik prokuror. Mokra komuniste prej vitesh, kishte nisur të hante njërëzit e vet një e nga një, dy e nga dy. Dhe sapo ndjente se po i mbarohej zahireja e vjetër me familjet e të arratisurve, mokra nuk mund të punonte në boshllëk…Ndaj duhet ‘bereqet i ri “ që ajo të mokërzonte, të punonte, të bluante pa pushim, natë e ditë… jetën e njerëzve të pafajshëm…

-Dhe i bëtë 13 vite burg?

-Edhe 13 të tjera internim në Myzeqe në një fshat ku kunupi ishte sa një bletë.

Pasoi një heshtje e rëndë për të dy.

-Siç e shikon...Spiun jam. Të tjerë po ikin kësaj rruge për në kufi. Kalojnë në Greqi edhe nëpër borën që ka ngrirë në lugje e hone.

Ndërsa unë, siç të thashë, tani, ruaj këto dele. -dhe si heshti ia nisi simpër të vëndosur një pikë në dramën e tij.

Dhe ndez nga një qiri për manën , nënën time, Parashqevinë!.

Dhe i lutem zotit të më falë mëkatin e madh dhe mëkate të tjera që mund të kem bërë në punën time dikur .///


_______________ oOo_______________



100 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page