ASPEKTE TË MARRËDHËNIEVE NDËRFETARE NË TREVËN E ELBASANIT
Prof.dr. Roland Gjini
Universiteti “A. Xhuvani”, Elbasan
Ka kohë që shqiptarët, cilësohen si tolerantë ndaj besime të ndryshme fetare, apo akoma më tej, ata bashkëjetojnë bukur mirë mes tyre, pavarësisht nga lloji i besimit. Vlerësime të tilla i ndeshim që herët, por në kohët aktuale, kur në rajone të ndryshme të botës po shtohen konfliktet me bazë fetare, qëndrimi i shqiptarëve ndaj besimtarëve të feve të ndryshme merr rëndësi të veçantë. Toleranca dhe bashkejetesa e shqiptarëve të besimeve të ndryshme është vlerësuar në kohët e tanishme edhe nga drejtues të lartë të feve, sic është rasti i Papa Gjon Pali II, në vizitën në Shqipëri të prillit 1993 dhe papa Franceskut, në vizitën e shtatorit 2014, të cilët theksuan se harmonia fetare shqiptare shërben si një shembull për të gjithë opinionin fetar botëror.
Në mënyrë të veçantë, ndër shqiptarët, për tolerancë e bashkëjetesë fetare janë shquar e shquhen banorët e Elbasanit dhe të trevave përreth. Pa rënë në pozitat e determinizmit gjeografik, është fakt që Elbasani dhe trevat e tij ndodhen në mesin e Shqipërisë, atje ku kryqëzohen arteriet kryesore të rrugëve nga perëndimi në lindje e nga veriu në jug, e bashkë me to edhe kulturat, idetë e besimet e të gjithë shqiptarëve. Ky pozicion i mesëm gjeografik përkon edhe me natyrën dhe karakterin e elbasanasve. Nuk ka përfaqësues të çdo besimi apo feje, ashtu si edhe pjesëtarë të etnive dhe komuniteteve të ndryshme etnokulturore, të ndodhur prezent në Shqipëri, që të mos jenë vendosur gjatë rrjedhës së kohës në Elbasan. Në Elbasan jetojnë shqiptarë vendës, kosovarë, çamë, shqiptarë të Veriut, shqiptarë të Jugut, minoritarë grekë, gollobordas, pakica bullgare, pakica malazeze, vllahë, egjiptianë, romë. Ndërsa për nga besimi fetar në këtë qytet e trevat përreth kemi muslimanë synitë, muslimanë bektashinj, të krishterë ortodoksë, të krishterë katolikë, besimtarë protestantë, por edhe të besimeve e feve të tjera, të konvertuar viteve të fundit. Këtu ata gjetën një terren e ambient të përshtatshëm të banorëve vendas, mbi të gjitha butësinë, mikpritjen dhe bashkëjetesën pa probleme, madje të ngrohtë e bashkëpunuese. Pra, në Elbasan e trevat përreth gjenden besimtarë apo banorë të përkatësisë fetare pothuaj të të gjitha feve që gjenden në Shqipëri e më gjerë. Në rrjedhën e historisë, të paktën nga fillimet e Rilindjes Kombëtare (shek XIX) e këtej, në marrëdhëniet mes feve të ndryshme në këtë qytet e trevat përreth spikaten këto karakteristika:
1. Tolerancë fetare
Toleranca fetare jo vetëm e Elbasanit, por e të gjithë shqiptarëve, është një ndër cilësitë që është theksuar që herët dhe që ka hapur shumë diskutime në gjirin e studiuesve të ndryshëm, sa i takon shkaqeve të kësaj dukurie. Disa e gjykojnë si pasojë e mungesës së ndërgjegjes fetare te shumica e shqiptarëve, madje te ky grup ka të tillë që thonë se shumica e shqiptarëve janë ateistë, ka të tjerë e që gjykojnë tolerancën fetare si dukuri që shfaqet rëndom te popujve të Ballkanit. Si do që të jenë interpretimet, fakti është fakt: Shqiptarët dallojnë mbi të gjithë për tolerancën fetare. Këtë fakt e pranon madje edhe historiani austriak, Oliver Shmid, i cili nuk dallohet për simpati të madhe ndaj shqiptarëve, që shkruan se mendimtarët e Rilindjes Kombëtare Shqiptare arritën të zbatonin me sukses idenë e një kombi që ngrihet mbi fetë.[1] Dukshëm, siç theksuam edhe me lart, kjo tolerancë shfaqet edhe në Elbasan dhe në trevat përreth. Këtu nuk ka patur e nuk ka asnjë rast të konflikteve apo të luftërave mbi baza fetare, përkundrazi është respektuar besimi i tjetrit edhe kur ai është ndryshe. Po kështu, në këtë vend, nuk ka as edhe një rast të dhunimit, djegies apo shkatërrimit të godinave të kultit nga besimtarë të feve të tjera. Përkundrazi, ka raste që besimtarë të një feje ruajtën me fanatizëm objektet e kultit të fesë tjetër, sidomos pas vitit 1967, kur regjimi i asaj kohe ndaloi besimet dhe shkatërroi mjaft objekte fetare. Kështu, në fshatin Dragot të Dumresë ishin besimtarët muslimanë që ruajtën kishën e vjetër që ndodhej në këtë fshat, apo në lagjen Kala besimtarët myslimanë ruajtën kishën e Shën Marisë si dhe ata të krishterë Xhaminë Mbret.
Elbasanasit kanë qenë të kujdesshëm edhe në drejtim të respektimit të riteve fetare të besimeve të tjera. Një fakt, të moshuarit tregojnë se që dekada më parë, në ditët e Ramazanit, të krishterët zejtarë, që drekonin në dyqanet apo zejet e tyre, bënin kujdes që të mos hanin në sy të ndonjë besimtari mysliman, meqenëse ai ishte në agjerim.
Treguesi më sinjifikativ i tolerancës fetare te banorët e trevës është shfaqja e kriptokristianizmit te banorët e krishterë. Fillesat e veta kriptokristianizmi, në kuptimin e laramanisë, i ka në zonën e Shpatit që në kohën e hershme të pushtimit osman, madje sipas Han-it (George fon Hahn, 1811-1869), edhe më tej, i cili thotë se shpatarakët u bënë kriptokristianë që nga kohëra që s’mbahen mend[2]. Rreth mesit të shekullit XIX, çështja e regjistrimit zyrtar të përkatësisë fetare u bë më e mprehtë, sidomos pas vitit 1846, kur në trevat shqiptare Porta e Lartë po zbatonte ligjin e detyrimit ushtarak. Në këto kushte, shpatarakët filluan në masë të praktikonin kriptokristianizmin, domethënë rregjistroheshin si myslimanë në administratën turke ndërsa, në fakt, në jetën e përditshme, praktikonin ritet ortodokse. Këtë e pohon edhe studiuesja Edit Durham kur shkruan se në Shpat, “… për të qenë në rregull me çështjen e fesë, çdo njeri mbante dy emra. Kur e pyeste një mysliman ai përgjigjej se quhej Sulejman, kur e pyeste një i krishterë ai përgjigjej se quhej Kostandin. Kur u kërkohej të paguanin taksën, të cilën të krishterët e jepnin në vend të shërbimit ushtarak, banorët e këtyre zonave nuk pranonin ta jepnin, duke thënë se ishin myslimanë dhe ... nga ana tjetër, kur thirreshin për shërbim ushtarak, ata kundërshtonin duke thënë se ishin të krishterë.”[3] Arsyet e dukurisë së kriptokristianizmit janë të shumta, por më kryesoren do të veçonim atë që përcakton studiuesi italian Roberto Moroco dela Roka, i cili thotë se në territoret nën kontrollin osman Islami pranohej për shkak të përfitimeve që vinin prej tij, ose për konformizëm, në një shoqëri ku shtohej mbizotërimi mysliman, por fshehurazi mbeteshin të krishterë[4].
Dëshmi tjetër e tolerancës mes besimtarëve elbasanas është edhe fakti interesant, që mjaf besimtarë të krishterë kanë vizituar vendet e shenjta të besimit mysliman, Mekën apo Jerusalemin, që herët, më tepër se një shekull më parë. Kjo dëshmohet nga prania, në këtë qytet, e mbiemrave të tillë si Haxhimihali, Haxhimima, Haxhijorgji, Haxhinikolla, Haxhillazi, Haxhistasi etj.
Dekadat e fundit, pavarësisht nga rrethanat dhe arësyet, si në tërë Shqipërinë, në Elbasan e trevat përreth, vihen re raste të shumta të konvertimit të mjaft besimtarëve e jo besimtarëve të dikurshëm nga një fe apo përkatësi fetare, në tjetrën, fakt ky që dëshmon jo vetëm për mungesën e fanatizmit fetar, por përkundrazi, për tolerancë të dukshme fetare.
2. Bashkëjetesë dhe harmoni fetare
Bashkejetesa e feve dhe harmonia mes besimtarëve të besimeve të ndryshme është cilësia më e spikatur e banorëve të Elbasanit. Jo vetëm sot, por edhe vite, dekada e shekuj më parë, nuk ka patur kufizime apo paragjykime për vendin ku do të ndërtojmë shtëpinë apo ku do të banojmë. Në pjesën më të madhe nëpër lagjet e Elbasanit, madje edhe në disa fshatra, fqinjët janë të besimeve të ndryshme. Më tej akoma, jo vetëm në lagjen Kala, por edhe në lagje të tjera, si edhe në disa fshatra, xhamitë, kishat e teqetë gjenden pranë njëra tjetrës.
Gjatë një interviste, një banor i moshuar nga Shpati, tregonte se nuk kishte familje të krishterë të kësaj zone që të mos kishte lidhur miqësi me një familje muslimane të qytetit të Elbasanit.[5] Është i njohur tashmë fakti që gjatë ditëve të festave fetare si bajram, pashkë, dita e Novruzit, etj. besimtarët e krishterë bënin vizita te ata myslimanë apo bektashianë dhe anasjelltas. Po kështu, është i njohur edhe fakti tjetër, që jo vetëm në Elbasan, por edhe në fshatra, ka me dhjetëra e qindra martesa mes besimeve të ndryshme, dukuri kjo e shfaqur shumë vite më parë, ndërsa sot është intensifikuar.
Bashkëjetesa e feve në Shqipëri, ashtu si toleranca, është bërë objekt diskutimi mes studiuesve të ndryshëm. Që nga Rilindja Kombëtare, kur fjalët lapidar të Pashko Vasës, apo Vaso Pashës, se “feja e shqiptarit është shqiptaria”, në këto diskutime janë përfshirë edhe studiues të huaj. Kështu, njeri prej tyre, italiani Roberto M. dela Roka, shpjegon se thelbi i nacionalizmit del në dritë si identitet parësor i çdo shqiptari, pavarësisht nga besimi fetar.[6]
3. Bashkëpunim mes besimtarëve të feve të ndryshme
Populli dhe patriotët e Elbasanit dhe të trevave përreth kanë gjetur gjuhën e bashkëpunimit mes tyre për çështje të rëndësishme të përparimit, të lirisë e pavarësisë së vendit, pavarësisht nga besimi fetar që ata i përkisnin. Në ngjarjet e mëdha historike të trevës, përreth vitit 1912, shohim të rreshtuar krah për krah muslimanë, bektashianë e të krishterë në lëvizjet e armatosuara kundër osmanëve, në përhapjen e shkollave dhe të arsimit shqip, në pjesëmarren në klube patriotike, etj. Në 25 nëntor 1912, ditën e shpalljes së pavarësisë në Elbasan, firmëtarët i përkasin gjithashtu besimeve të ndryshme, të pranishme në këtë trevë. Kështu, nga 35 firmëtarë të këtij akti, 25 ishin muslimanë dhe 10 të krishterë, raport ky që përputhej pak a shumë edhe me raportin aktual mes popullsisë muslimane me atë kristiane në Elbasan.
Më tej, kërkesën e shpatarakëve për shkollën shqipe dhe kishën unite e kanë nënshkruar jo vetëm besimtarë ortodoksë, por edhe mjaft krerë të njohur të lëvizjes patriotike dhe intelektualë me përkatësi fetare myslimane apo bektashiane, si Dervish Bej Biçaku, Ismail bej Vërlaci, Aqif Pashë Elbasani, etj. Prej këtej del përfundimi që elbasanasit, ashtu si gjithë shqiptarët, gjatë Rilindjes e më pas, çështjen e pavarësisë fesë dhe të shkëputjes së saj nga qendra jashtë vendit, të cilat e përdorin atë për qëllime antishqiptare, e kanë parë si të pandashme nga çështja e pavarësië kombtare. Madje, patriotët elbasanas, pavarësisht nga përkatësia fetare, gjykonin se pavarësia e feve i shërben edhe pavarësisë kombëtare. Prandaj, në vitet ’20-të e ’30-të të shekullit të kaluar besimtarët e feve të ndryshme mbështetën bashkarisht përpjekjet për pavarësitë e feve dhe për t’u shkëputur nga qendrat përkatëse jashtë vendit. Në mënyrë të veçantë përmendim rastin e figurave të njohura myslimane apo bektashiane që i dolën në krah At Germanos, në luftën e tij për kishën unite, apo më pas mbështetja që iu bë nga figura të njohura muslimane përpjekjeve të Atë Visarion Xhuvanit për autoqefalinë e kishës ortodokse.
Po kështu, në vitet në vazhdim, si p.sh. gjatë Luftës Antifashiste, forca të gjitha fronteve e organizatave, rreshtoheshin përkrah njeri tjetrit pavarësisht nga dallimi fetar. Është i njohur slogani i këtyre viteve: të bashkohemi pa dallim krahine, ideje apo feje. Në kushtet e sotme të demokracisë bashkëjetesa dhe bashkëpunimi ndër fetar është rritur në një shkallë më të lartë, aq sa lë përshtypje të mirë edhe në opinionin ndërkombëtar.
[1] O. Schmitt, Shqiptarët, Tiranë 2012
[2] Elbasani enciklopedi, Elbasan, 2003, faqe 310 (zëri i hartuar nga Zhuljeta Kadilli)
[3] Edith Durham, Brenga e Ballkanit dhe vepra të tjera, Tiranë 1991, faqe 350.
[4] Roberto Moroco dela Roka, Kombësia dhe feja në Shqipëri 1920-1944, Tiranë 1994, faqe 24.
[5] Intervistë e vitit 1991 me S.Q., me origjinë nga Zavalina e Shpatit.
[6] Roberto Moroco dela Roka, Kombësia dhe feja në Shqipëri 1920-1944, Tiranë 1994, faqe 16.
留言