Prof Dr Eshref Ymeri: Kompromisi i Maksim Gorkit me ndërgjegjen e vet

Në esenë me titull “Mjerimi i shkrimtarit në shërbim të politikës dhe të diktaturës”, të botuar në internet më 12 prill 2021, pata theksuar:
“Nuk është për t’u habitur që nuk kanë qenë të paktë njerëzit e letrave që i kanë shërbyer politikës dhe diktaturës. Disa prej tyre janë nisur nga bindjet e veta politike, disa për sigurimin e përfitimeve, disa nga frika për t’iu shmangur ndëshkimit të saj, disa të tjerë për shkak të natyrës së tyre servile, kurse një pjesë fare e vogël patën zgjedhur rrugën e heshtjes”.
Në atë ese pata trajtuar marrëdhëniet e Maksim Gorkit dhe të Ismail Kadaresë me diktaturën komuniste. Nga përmbajtja e esesë rezultonte se Kadareja i pati shërbyer diktaturës komuniste me një servilizëm të shfrenuar dhe pas rrëzimit të asaj diktature nuk qe penduar kurrë. Madje, në një intervistë që Mimoza Kelmendi i pati marrë disa vite më parë, ai pati deklaruar:
“…tek mua s’ka vend fjala pendim për asgjë” (Citohet sipas: “Kadare për dashurinë, femrat, pasionin dhe pendesën. Sipas një bisede të lirë me shkrimtarin Ismail Kadare në Paris”. Faqja e internetit “Epoka e Re”. 10 tetor 2014).
Në dallim të theksuar nga Ismail Kadareja, Maksim Gorki pati përdorur shumë lakadredha në marrëdhëniet me diktaturën komuniste në Bashkimin Sovjetik, lakadredha këto, që nuk patën mbetur pa pasoja në jetën e tij.
Në vijim do të hidhet dritë pikërisht mbi jetën e Maksim Gorkit, me të gjitha gëzimet dhe dështimet e tij, për çka bëhet fjalë në youtube-kanalin rus “Литературное досье” (Dosje letrare).
Ai pati lindur në Njizhnji Novgorod në mars të vitit 1868. Quhej Aleksej Peshkovi. Në vitet e para të jetës ai pati përjetuar vdekjen, e cila pati përcaktuar një herë e përgjithmonë fatin e tij.

Babai i tij, Maksim Peshkovi, qe infektuar nga kolera e të birit trevjeçar gjatë përkujdesjeve për shërimin e tij. I biri mbijetoi, kurse babai ndërroi jetë. Kjo pati qenë një aritmetikë e tmerrshme: unë mbijetova, kurse ai ndërroi jetë - kjo i qe ngulitur në vetëdijen e tij si një gjemb, që është e pamundur ta nxjerrësh.
Shumë vite më vonë, kur po vriste mendjen për të gjetur një pseudonim për vete, ai pati zgjedhur emrin e të atit - Maksim, dhe i pati shtuar këtij emri një fjalë, e cila do të bëhej fati i tij - Gorki. Fjala “горький” në rusisht do të thotë “i hidhur”.
Nëna e tij, e dërrmuar nga hidhërimi i thellë, akuzonte të birin që kishte mbetur vejushë. Ajo nuk e thoshte haptas, por fëmija e ndiente një gjë të tillë në qenien e vet. Kështu pati nisur rruga e jetës së tij - me një ndjenjë faji mbi vete, me ndjesinë se po zinte një vend, i cili nuk i përkiste atij.
Shtëpia e gjyshit, Vasil Kashirinit, pronar i një punishteje ngjyrosjeje, pati shërbyer si universiteti i parë i egërsisë. Gjyshi e rrihte me shufra deri sa i binte të fikët. Njëherë gjyshi e pati rrahur kaq shumë, saqë ai pati mbetur shtrirë për disa ditë, pa u përmendur. Mandej pati ardhur ta shikonte, i pati sjellë diçka për të ngrënë dhe i pati rrëfyer për fëmijërinë e vet të vështirë. Këtë kombinim të egërsisë me sentimentalizmin, të dhunës me keqardhjen qaramane për vetveten, Gorki më pas ka për ta vënë re gjatë gjithë jetës mes lloj-lloj njerëzish, duke përshirë edhe veten e tij.
Gjyshja, Akulina Ivanovna, ishte e vetmja rreze drite në atë skëterrë. Ajo e pati mësuar se ç’është keqardhja. Por këtu qëndron edhe paradoksi: keqardhja për njeriun në përgjithësi dhe paaftësia për t’iu kundërvënë të keqes konkrete, shpesh mbijetojnë në të njëjtën zemër. Këtë kontradiktë Gorki do ta mbartte gjatë gjithë jetës së vet. Në moshën dhjetëvjeçare gjyshi i pati thënë se tashmë ai nuk ishte medalje për t’u mbajtur varur në qafë. Dhe e nisi ta nxirrte vetë bukën e gojës.
Djaloshi punonte pjatalarës në anije, çirak në një shitore këpucësh, në një punishte ikonash, hamall, flinte nëpër varka, ushqehej me ç’t’i zinte dora, pati bërë dy klasë shkollë dhe më vonë do të bëhet shkrimtari rus i shek. XX me më shumë vepra të botuara, do të bëhet njeriu, të cilin pesë herë do ta nominojnë për çmimin Nobel. Gjithçka tjetër ai e pati marrë nga librat që lexonte fshehurazi, nën dritën e qiririt, për të mos rënë në sy të pronarëve, të cilët e konsideronin leximin një luks aristokratësh.
Në anije, ku punonte pjatalarës, qe bërë një takim, i cili pati përcaktuar fatin e tij.
Kuzhinieri, Mihail Smuri, një njeri i fortë ky gjysmanalfabet, që mbante një kashun me libra, e pati detyruar djaloshin të lexonte me zë të lartë Gogolin. Dymanë, me radhë.
Pikërisht ai njeri, pa i kuptuar gjëra të tilla, pati shpalosur para tij historinë e letërsisë ruse. Fati i ka qejf shaka të tilla. As gjimnazi, as universiteti, por një kuzhinier anijeje me një kashun të rastësishëm librash.
Në qytetin e Kazanit ai shkoi në vitin 1884, me ëndrrën për të hyrë në universitet. Ëndrra iu përmbys. S’kishte as para, as arsim përkatës, as ndonjë dëftesë, si dokument. Në vend të auditorit kishte fjetjen ku të rastiste, furrën, ku gatuante brumin e bukëve që do të piqeshin, një punë kjo që vazhdonte për katërmbëdhjetë orë, dhe rrethin e të rinjve radikalë, që lexonin libra të ndaluar. Këtu, në mjediset e debateve të pafundme për fatet e popullit, atij i pati ndodhur diçka, për të cilën në tekstet sovjetike shkruhej me rezerva.
Në dhjetorin e vitit 1887, nëntëmëdhjetëvjeçari Aleksej Peshkov pati blerë në treg një revolver, të cilën ia pati shkrehur vetes në gjoks. Plumbi kaloi nëpër mushkëri, çuditërisht pa prekur zemrën. Ai pati lënë dy gisht letër, në të cilën, me një ironi të hidhur, lutej t’i bënin autopsinë, për të parë se ç’djall fshihej brenda tij.
Mjekët e shpëtuan, kisha e pati shkishëruar për katër vjet. Cila paskej qenë arsyeja që ia pati hequr vetes?
I lodhur, i mjerë, njeri pa njeri. I pati vdekur gjyshja, i vetmi njeri që e pati dashur, qe përmbysur ëndra për t’u arsimuar. Rreth e rrotull mbizotëronte po ajo jetë e shpifur, të cilën ai do ta përshkruante më vonë në librat e veta. Por rëndësi kishte diçka tjetër: ai arriti të mbijetonte dhe ajo mbijetesë e ndryshoi. Një njeri që ishte mu në fundin e dëshpërimit, sakaq ndjeu një etje rrezatuese, një etje me një tërbim të papërmbajtur për të jetuar dhe për të kuptuar se pse jeta është kurdisur pikërisht kësisoj.
Pas së shtënës në gjoks, ai u nis të endej nëpër Rusi. Dy vjet - prej vitit 1888 deri në vitin 1891 - ai pati përshkuar më këmbë pothuajse gjysmën e territorit të Rusisë - hapësirat përgjatë brigjeve të Vollgës dhe të Donit, të Ukrainës, të Besarabisë, të Krimesë, të Kaukazit. Vazhdonte punën në sektorin e peshkimit, të përpunimit të lëndëve drusore, punonte argat, merrej me rregullimin e rrugëve, kryente detyrën e hamallit nëpër porte të ndryshme, flinte nëpër stepa, poshtë varkave të përmbysura. Ky ishte universiteti i tij. Më vonë pikërisht kështu do ta quante njërën nga veprat e veta, pjesën e tretë të jetëshkrimit të tij - universitetet e mia, ironia e njeriut, të cilin nuk e lejuan të kalonte pragun e universitetit të vërtetë, Ai e njihte Rusinë jo sipas raportimeve zyrtare dhe sipa bisedave nëpër odat e pasanikëve. Ai e njihte sikur ta kishte prekur me dorë, sikur t’i kishte marrë erë, sikur t’ia kishte provuar shijen që kishte. Kishte parë me sytë e vet se si jetonin miliona njerëz, për ekzistencën e të cilëve shoqëria e arsimuar nuk kishte dëshirë të fliste.
Në Tbilisi, duke punuar në ofiçinat hekurudhore, ai qe njohur me revolucionarin Aleksandër Kalushni. Ky pati dëgjuar rrëfimin e tij për bredhjet nëpër Rusi dhe e pati detyruar ta hidhte në letër njërën prej tyre. Kështu qe krijuar tregimi “Makar Çudra”.
Në shtator të vitit 1892, këtë tregim e pati botuar gazeta “Kaukazi” dhe, në fund të tekstit, qe shkruar për herë të parë emri Maksim Gorki. Hamalli 24-vjeçar pati deklaruar me dy fjalë programin e një jete të tërë në kujtim të babait, sepse kishte ndër mend të shkruante të vërtetën e hidhur për jetën e hidhur.
Më vonë ngjarjet qenë zhvilluar me një të tillë shpejtësi, të cilën letërsia ruse nuk e kishte njohur as më parë, as më pas. Gazetari Vladimir Korolenko, një njeri ky me reputacion shembullor, pati marrë përsipër detyrën e redaktorit të autodidaktit: korrigjonte tekstet e tij, i mësonte mjeshtërinë e të shkruarit.
Në vitin 1898 doli nga shtypi një përmbledhje në dy vëllime: skica dhe tregime. Dhe ndodhi ajo që kritikët e patën quajtur epidemi: tirazhi prej tre mijë kopjesh qe shitur menjëherë, prandaj qe rishtypur përsëri. Pas një viti e pati lexuar krejt Rusia që dinte shkrim dhe këndim, pas dy vjetsh portretet e tij shiteshin nëpër shitore të vogla, pranë portreteve të Tolstoit, patën dalë në shitje cigare “Maksim Gorki”, karamele “Maksim Gorki”, kartolina me portretin e tij. Stdudentët vishnin kilota dhe çizme, në imitim të mënyrës së veshjes së tij. Kur vinte në qytet, në stacionin e trenit mblidheshin turma njerëzish, ashtu siç do të mblidheshin më vonë në nderim të yjeve të kinematografisë. Ai qe bërë figura e parë e shquar panruse e tipit bashkëkohor, yll në kuptimin hollivudian të fjalës.
Cila ishte arsyeja që ai e pati magjepsur vendin aq shumë?
Letërsia ruse edhe para tij pati shkruar për varfanjakët: Dostojevski, Njekrasovi, Grigoroviçi, qenë derdhur lot keqardhjeje për njeriun e shtresave të ulëta, por në penën e Gorkit leckamani pati filluar të fliste vetë dhe pati folur jo me keqardhje, por me krenari, madje në një mënyrë sfiduese. Çellkashi dhe Konovallovi i tij nuk lypnin mëshirë, ata e urrenin botën barkalece, e cila i pati braktisur. Publiku që e lexonte përjetonte njëfarë tmerri. Rezultonte se në fundërrinat e shoqërisë ngrysnin jetën jo viktima të braktisura, por njerëz me filozofi, me dinjitet, me lirinë tyre të frikshme. Qe krijuar përshtypja sikur ato fundërrina prite kur të ngrenë krye dhe do të flaknin gjithçka që nga katet e sipërme.
Gorki përshkruante jo vetëm varfërinë, ai e paraqiste atë si akuzë, si kërcënim.
Rusia e arsimuar e lexonte me të njëjtën ndjesi që njeriu shikon poshtë që nga buza e një hendeku, në një mënyrë të tmerrshme, pa i shqitur sytë.
Në vitin 1902 qe botur drama “Fundërrinat”. Teatri artistik i Moskës e pati vënë në skenë nën regjinë e Stanjisllavskit. Skandal, triumf. Spektatorët i patën thirrur aktorët njëzet herë për të dalë në skenë për t’i duartrokitur. Drama qe përkthyer në dhjetra gjuhë. Në Berlin qe shfaqur pesëqind herë radhazi. Po atë vit pati ndodhur një ngjarje që dëshmonte për përmasat e figurës së Gorkit. Akademia perandorake e shkencave e pati zgjedhur Gorkin anëtar nderi në kategorinë e arteve të bukura. Perandori Nikolla II, pasi qe vënë në dijeni për një gjë të tillë, qe bërë bishë dhe në një rezolutë të tij pati shkruar se zgjedhja e një letrari që mbahej nën vëzhgimin e autoriteteve shtetërore është më tepër se origjinale dhe prandaj e anuluan. Dhe atëherë Çehovi dhe Korolenko, në shenjë proteste, patën hequr dorë nga titujt akademikë. Dy shkrimtrët më të respektuar të vendit përplasën publikisht dyert e akademisë në shenjë solidariteti me një ish-këmbëzbathur. Një gjë e tillë nuk harrohej lehtë në Rusi. Asokohe Gorki ishte 34 vjeç. Kishte lënë pas varfërinë, dajakun që kishte ngrënë, orvatjen për vetëvrasje, bredhjet nëpër Rusi. Tani lavdia, paratë, miqësia me Tolstoin dhe Çehovin, respekti i rinisë. Qe krijuar përshtypja: jeto dhe shkruaj. Por Gorki asnjëherë nuk kishte dashur të ishte vetëm shkrimtar. Ai, që në fillim, në letërsi pati vënë re një instrument ripërtëritjeje të jetës. Dhe jeta rreth e qark e kërkonte një ripërtëritje të tillë në një mënyrë kaq të dukshme, saqë ai kaloi nga letërsia drejt e te revolucioni. Ai u jepte para socialdemokratëve dhe këto ishin shuma të mëdha. Honoraret e tij ishin nga më të mëdhatë në Rusi dhe pjesa e konsiderueshme e tyre kalonte në arkën partiake të bolshevikëve. Ai i fshihte revolucionarët në shtëpinë e vet, mbante letërsi ilegale, shkruante proklamata.
Në janar të vitit 1905, të djelën e përgjakshme, ai ndodhej në rrugët e Peterburgut, kishte parë me sytë e vet pushkatimin e njerëzve paqësorë dhe po atë natë shkroi një thirrje, në të cilën akuzonte carin për vrasjen e njerëzve të çarmatosur. Për shkak të asaj thirrjeje, e patën izoluar në kështjellën e Petropavllovskut. Dhe aty pati ndodhur diçka e papërfytyrueshme: bota mbarë doli në mbrojtje të shkrimtarit. Protestat i patën nënshkruar Anatol Franc (Anatole France - 1844-1924), Tomas Hardi (Thomas Hardy - 1840-1926) etj. Nëpër qytete qenë zhvilluar demonstrata me kërkesën për lirimin e Gorkit.
Qeveria cariste, e befasuar nga një presion i tillë ndërkombëtar, e liroi Gorkin pas një muaji, me kusht. Një njeri, me dy klasë shkollë, doli më i fuqishëm sesa makina shtetërore, sepse prapa tij qëndronte një opinion shoqëror i përmasave ndërkombëtare. Pikërisht asokohe Gorki pati marrë vesh se emri i tij qe shndërruar në armë dhe mburojë, se lavdia e tij qenkej kthyer në ndikim, kurse ndikimi në shpëtimtar jetësh njerëzore.
Do të kalonin 20 vjet dhe një tjetër sundimtar i Rusisë do ta kuptonte shumë mirë një gjë të tillë. Veçse tashmë do të shfrytëzonin jo veprën e tij, por vetë Gorkin.
Pas lirimit, ai qe larguar për në Amerikë, për të grumbulluar para për bolshevikët. Udhëtimi i vitit 1906 përfundoi me një skandal. Gazetat amerikane patën mësuar se shkrimtari po udhëtonte jo me gruan e tij të ligjshme, por me një aktore të Teatrit të Moskës, Maria Andrejevën. Hotelet e njohura patën mbyllur dyert para tij. Puritanin, i cili deri dje qe dalluar si një luftëtar kundër carizmit, e patën shndërruar në një njeri të braktisur, të dëbuar. Gorki asokohe pati botuar pamfletin me titull “Qyteti i djallit të verdhë”, të mbushur plot me neveri për pushtetin e parave. Fyerjen ai nuk e harronte kurrë. Ky tipar do të luante rolin e vet. Prej Amerikës ai udhëtoi drejt Italisë, për në ishulin Kapri. Ky, formalisht, ishte emigracion. Kthimin në Rusi e kërcënonte një proces gjyqësor. Shtatë vjet, prej vitit 1906 deri në vitin 1913, vila e Gorkit pati shërbyer si qendër e lëvizjes së emigracionit revolucionar rus. Aty funksiononte një shkollë e fshehtë partiake për punëtorët e larguar nga Rusia. Aty diskutonin për Zotin, për marksizmin, për të ardhmen. Dhe aty, shpeshherë, vinte si mysafir dikush, marrëdhëniet me të cilin do të ndanin fatin me Gorkin - Vladimir Uljanovi, i njohur me emrin Lenin. Bashkë luanin shah, gjuanin peshq me peshkatarët vendës, qeshnin, diskutonin sa u hante zëri. Janë ruajtur fotografi: Lenini po ndjek me sy tabelën e shahut, në taracë përpëlit sytë nga dielli. Në pamje të jashtme duket si idil, por brenda asaj miqësie, që nga fillimi, dëgjohej tiktaku i mekanizmit të ndarjes së mëvonshme. Është domethënës fakti se ç’qëndrim pati mbajtur Lenini ndaj vetë Gorkit. Ai e vlersonte si një rezervë të madhe të partisë, si emër, si një burim parash, si simbol, njëkohësisht, por që në politikë nuk i besonte absolutisht, duke e vlerësuar si një intelektual me karakter të dobët , i cili binte vazhdimisht nën ndikimin e të tjerëve. Në letra e veta, Lenini e pati qortuar, si një shkollar dhe aty për aty e merrte për qafe, e përkëdhelte dhe e kritikonte. Pas njëzet vjetësh, po kështu do të sillej me të edhe Stalini, veçse sjelljen e tij do ta çonte deri në përsosmëri.
Në vitin 1913, për nder të familjes së romanovëve (kështu është quajtur dinastia e carëve rusë prej vitit 1613 dhe e perandorëve rusë prej vitit 1721), qe deklaruar një amnisti dhe Gorki qe kthyer në Rusi, kurse më pas do të shpërthente Revolucioni i Tetorit i vitit 1917. Dhe pikërisht këtu fillon kapitulli më i pavlerësuar i jetës së tij, të cilin, gjatë periudhës sovjetike, e patën mbajtur të fshehtë nga lexuesit me aq kujdes, saqë edhe sot si zor që ndokush të jetë në dijeni për të.
Gorki nuk e pranoi Revolucionin e Tetorit. Lajmëtari i revolucionit, njeriu, i cili, një çerek shekulli, kishte bërë thirrje për një furtunë të tillë, e pati pritur atë me tmerr dhe me neveri. Prej pranverës së vitit 1917 deri në verën e vitit 1918, ai pati botuar gazetën e vet “Jeta e re” dhe një cikël artikujsh, me titullin e përgjithshëm “Mendime jo në kohën e duhur”. Ata artikuj të befasojnë për natyrën e përmbajtur të autorit, a thua se i pati shkruar jo një dëshmitar, por një historian me një largësi prej njëqind vjetësh. Ai shkruante se Lenini dhe Trocki qenë infektuar nga helmi i kalbur i pushtetit, se klasa punëtore për Leninin shërbente njëlloj si minerali për metalurgjinë, si material për eksperiment, të destinuar për shfarosje, se revolucioni u pati lënë fushë të lirë veprimi jo socializmit, por instinkteve zoologjike të turmave. Ai pati përshkruar vetëgjyqësitë, grabitjet, pushkatimet dhe shtronte pyetjet: ku ndryshojnë këto gjëra nga bastisjet cariste? Ato ngjaje ai i pati karakterizuar jo si revolucion, por si rebelim, si vdekje të kulturës. Lenini duronte, duke shtrënguar dhëmbët gjysmë viti pas muajit tetor.
Në korrik të vitit 1918, gazetën ”Jeta e re” e mbyllën një herë e përgjithmonë. Liria e shtypit mori fund, përfshirë këtu edhe lirinë e mikut më të mirë të pushtetit sovjetik. Dhe pikërisht këtu Gorki bëri zgjedhjen e vet, të cilin shumë njerëz e shpjegojnë me natyrën e karakterit të tij. Ai nuk u largua dhe nuk heshti. Ai pati vendosr të shpëtonte atë që mund të shpëtohej nga brenda. Tre vjetët në vazhdim, nga 1918 deri në vitin 1921, qenë vitet më dinjitoze të jetës së tij. Në Petrograd njerëzit po vdisnin nga uria gjatë viteve të terrorit. Intelektualët - poetët profesorët, shkencëtarët - u gjendën pa kafshatën e gojës, domethënë, qenë dënuar ta mbyllnin jetën nga uria. Dhe Gorki pati ngritur një industri të tërë shpëtimi. Ai hapi Shtëpinë botuese “Letërsia mbarëbotërore”, të cilën e pati menduar si një projekt madhështor përkthimi të krejt letërsisë klasike botërore, kurse, në të vërtetë, ajo pati shërbyer si një ushqim në kuptimin e shenjtë të fjalës. Qindra letrarë, me paratë që nxirnin nga përkthimet, siguronin kafshatën e gojës dhe një rrogë të vogël. Ai, me zor, ia pati marrë pushtetit shtëpinë e botimeve shkencore dhe artistike, ku krijuesit mund të siguronin të ardhura për ushqim dhe për dru për dimër. Ai i pai shkruar Leninit dhjetra letra, duke ndërhyrë për lirimin e profesorëve të arrestuar, të carit, të eserëve, të priftërinjve, bridhte nëpër kabinete, lutej e stërlutej. Bashkëkohësit kujtojnë apartamentin e tij, i cili ngjante si një strehë bamirësie. Që nga mëngjesi deri në darkë atje hynin e dilnin njerëz me një lutje të vetme: na shpëtoni! Dhe ai i shpëtonte. Numri i të shpëtuarve prej tij në ato vite arrinte në qindra, në mos në mijëra. Por kishte pasur edhe disfata, të cilat e patën torturuar keqazi.
Në gusht të vitit 1921, pati vdekur Aleksandër Blloku. Jeta e poetit të sëmurë erdhi duke u shuar. I vetmi shpëtim i tij ishte dërgimi për në Finlandë për kurim. Gorki pati ndërhyrë gjatë disa muajve për të siguruar lejen e udhëtimit të poetit. Letrave me kërkesën e tij s’jua pati vënë kush veshin nëpër kabinetet e pushtetit. Kur, më në fund, lejen e dhanë, Blloku tashmë nuk ishte më në gjendje të çohej më këmbë. Pas disa ditësh ai ndërroi jetë. Kurse pas dy javësh ndodhi ajo që Gorki nuk ia fali pushtetit sovjetik deri në fundin e jetës së vet: komisioni i jashtëzakonshëm i Petrogradit, ÇEKA-ja e famshme, pati arrestuar poetin Nikollaj Gumilov me akuzën për pjesëmarrje në një komplot. Gorki u angazhua të ndërhynte menjëherë. Sipas një versioni, thuhet se pati shkuar direkt te Lenini dhe pati sjellë në Petrograd urdhrin për rishikimin e çështjes. Por çekistët e paskëshin marrë punën me ngut. Në gusht të vitit 1921 Gumilovin e patën pushkatuar, pa pritur kurrfarë dokumentesh nga Moska. Patën rrëfyer, se pasi kishte marrë vesh për një gjë të tillë, Gorki kishte qarë me dënesë, duke nxjerrë gjak nga goja: dy vdekje brenda një muaji. Blloku dhe Gumilovi patën shërbyer si vdekje e strategjisë së tij. Paskej qenë e pamundur të shpëtoje dikë nga brenda. Makina e pushteti kishte mësuar të vepronte më shpejt sesa ai që ndërhynte për shpëtimin e jetës së njerëve.
Në vjeshtën e vitit 1921 Gorki qe larguar nga Rusia. Sipas versionit zyrtar - për kurim nga tuberkulozi dhe kjo ishte e vërtetë. Mushkëritë, të përshkuara nga plumbi në moshën e rinisë, aq e paskëshin pasur. Por e vërtetë ishte edhe diçka tjetër. Lenini, faktikisht, e kishte larguar nga vendi, i lodhur nga ndërhyrjet e pafundme, të cilat i qenë bërë ferrë nëpër këmbët e terrorit: largohuni, kurohuni, - i pati shkruar Lenini, - kurse po nuk u larguat, do t’ju përzëmë me dhunë. Një formulë kjo përkujdesjeje dhe kërcënimi brenda një flakoni.
Gorki qe larguar. Ai nuk e dinte se do të kthehej tashmë në një vend krejtësisht tjetër dhe si krejtësisht tjetër njeri. Italia e pati pritur për herë të dytë, Në fillim Gjermania, Çekosllovakia, pastaj, prej vitit 1924 - Saranta, një vilë kjo me një pamje nga gjiri neapolitan dhe Vezuvi. Në pamje të jashtme, jeta të krijonte përshtypjen se ishte për ta pasur zili. Një shtëpi e madhe me plot miq, puna për të shkruar romanin “Vepra e Artamanovëve”, mandej veprën e vëllimshme“Jeta e Klim Samginit”. Mbrëmjet me muzikë. I biri, Maksimi, me të shoqen dhe mbesën pranë. Gorki çohej në orën tetë, punonte deri në dy. Ishte i disiplinuar, si një llogaritar. I krijohej përshtypja: ja ajo, qetësia.
Tani le t’i hdhim një sy po asaj tabloje nga brenda: paratë po mbaronin në një mënyrë katastrofike, shtëpia në Saranta ishte plot me njerëz dhe parazitë. Të gjithë ushqeheshin me honoraret e tij, të cilat vinin vetëm nga Bashkimi Sovjetik, ku vahdonin ta botonin me një tirazh prej miliona kopjesh. Botuesit në emigracion paguanin vetëm qindarka, por edhe emigracioni nuk e pati pranuar. Për emigracionin e bardhë ai ishte një servil i bolshevikëve, një njeri që kishte ngrënë në një tas me bolshevikët, për shtypin sovjetik të viteve 1920 ai ishte një i arratisur i dyshimtë, gjysmemigrant. Ai rrinte varur midis dy botëve dhe të dyja botët e shikonin shtembër.
Në Saranta Gorkit i merrej fryma ngadalë. Po u afrohej të gjashtëdhjetave. E kuptonte se librin kryesor nuk kishte arritur ta përfundonte, ndërkohë që lexuesi kryesor kishte mbetur atje, matanë kufijve, në një vend pa praninë e tij. Dhe pikërisht në atë vend të prekshëm, me saktësi, pa gabime, pati shkelur Stalini.
Në mesin e viteve 1920, nga Moska në Saranta pati ardhur një mori letrash dhe sinjalesh nga miq të ndryshëm. Patën ardhur shkrimtarë që i patën rrëfyer se vendi ishte duke pritur kthimin e Gorkit, merrte letra nga puntorë dhe pionierë, ca letra këto prekëse, naive, me gabime drejtshkrimore:
“I dashur Aleksej Maksimoviç, kthehuni, kemi nevojë për ju”.
Shumë më vonë, studiuesit dhe, konkretisht, historiani Arkadi Vaksberg (1927-2011), në librin me titull “Vdekja e lajmëtarit”, të botuar në vitin 1999, do të rrëfente se pjesa dërrmuese e asaj korrespondence popullore paskej qenë organizuar dhe filtruar në kabinetet e ministrisë së brendshme. Letra me mallkime qenë shkruar, gjithashtu, por deri në Saranta nuk patën arritur. Ai kishte qenë një operacion special në kuptimin e plotë të fjalës, i llogaritur për vite me radhë. Stalini ia kishte tmerrësisht shumë nevojën Gorkit. Dhe ja vlen të shtrohet pyetja: cila ishte arsyeja? Sepse pa një përgjigje, krejt historia e mëvonshme mbetet e pashpjegueshme.
Aty nga fundi i viteve 1920, Stalini ishte duke e shfarosur opozitën brenda partisë dhe po përgatitte një përmbysje të madhe: kolektivizimin, industrializimin, shpartallimin e fshatarësisë. Ai kishte nevojë për diçka që i mungonte: legjitimitetin moral. Lenini kishte ndërruar jetë, bolshevikët e vjetër me emra europianë qenë shndërruar në armiq, kurse atje, në Itali, jetonte një njeri, emrin e të cilit e njihte gjithë bota, mik i Leninit, ndërgjegjja e letërsisë sovjetike, laureat i dashurisë së mbarë popullit. Në qoftë se ai njeri do të kthehet dhe do të bekojë pushtetin e ri, kjo do të ishte diçka më e shtrenjë se dhjetë kongrese partie.
Në vitin 1928, me rastin e 60-vjetorit të lindjes së shkrimtarit, Bashkimi Sovjetik pati organizuar një të tillë jubile, të cilin nuk e kishte përjetuar asnjë shkrimtar tjetër në histori. Emrin e tij ua patën vënë uzinave, shkollave, teatrove, Dhe Gorki qe kthyer në fillim për të parë. Stacionet hekurudhore, nëpër të cilat pati kaluar në udhëtim e sipër, qenë mbushur plot e përplotë me turma brohoritëse. Njerëzit e ngrinin në duar, orkestra, lule, lotët varda. Ai pati shkruar për atë udhëtim se atë po e priste jo pushteti, por populli. Dhe pikërisht popullin ai nuk mund ta refuzonte. Kështu pati udhëtuar gjatë disa vjetëve: në dimër në Itali, kurse gjatë verës udhëtonte nëpër Bashkimin Sovjetik. Atij i patën treguar uzinat e reja, komunat, shkollat, kampet e fëmijëve. Nënkuptohet, i patën treguar ato gjëra që duheshin treguar, të kontrolluara dhe të rregulluara.
Skeptikët në emigracion shkruanin në një mënyrë therëse se Gorkin e çojnë nëpër fshatrat e Potjomkinit* mbi rrota treni. Por ja çfarë kishte rëndësi dhe këtu fshihet nyja e gjithë tragjedisë: atë e patën mashtruar jo kaq shumë, siç do të dëshironte ta besonte vetë, ai pati parë ato gjëra, të cilat ishte i etur t’i shikonte, një vend që është duke mësuar për të kombinuar këmbëzbathurit e djeshëm në timonin e makinave, jetimët që tashmë ishin studentë. Kjo kishte qenë ëndrra e tij e përjetshme, e mishëruar në beton dhe shifra. Kurse çmimet e atij betoni ia patën fshehur dhe ai ia pati lejuar vetes për t’i fshehur. Ai qe zhvendosur përfundimisht në Bashkimin Sovjetik në vitin 1933. Dhe këtu çarku qe mbyllur, paçka se dukej si parajsë.
Në Moskë i patën vënë në dispozicion vilën e ish-sipërmarrwsit dhe bankierit Pavel Rebushinski (1871-1924), një kryevepër e fjalës së fundit e arkitektit Shehtel (Franz Albert Schechtel 1859-1926), me një palë shkallë valëzuese prej mermeri, me vitrina, me një kopsht dimri. I patën dhënë një vilë në qytetin Gorki dhe në Krime, gjithandej shërbëtorë, makina në dispozicion, para të çfarëdollojshme, tirazhe të çfarëdollojshme.
Njizhnjij Novgorodit, qytetit ku kishte lindur, i patën ndërruar emrin, e patën quajtur Gorki që kur shkrimtari ishte gjallë, raste këto të paimagjinueshme. Rruga kryesore në Moskë - Tvjerskaja - u quajt Rruga Gorki. Teatri artistik u quajt Teatri Gorki, megjithëse atë e patën themeluar regjisorwt Konstantin Stanjisllavski (1863-1938) dhe Vladimir Dançenko 1858-1943). Ai qeshte me gjëra të tilla dhe rrudhte fytyrën. Njerëzve të afërt u thoshte se e ndiente veten monument të vetvetes. Dhe merreni me mend: ai ecte përgjatë rrugës që mbante emrin e tij, ecte nëpër qytetin me emrin tuaj, kalonte pranë teatrit që mban emrin e tij. Kësaj tashmë i thonë jo lavdi, kësaj i thonë balsamosje për së gjalli. Por përtej dozës së ironisë, ai, për një kohë të gjatë, nuk pati dëshiruar të vinte re kryesoren: të gjitha ato dhurata e kishin një çmim dhe çmimi ishte i thjeshtë - besnikëria e plotë, publike, pa kurrfarë kundërshtimesh ndaj pushtetit. Në fillim ai qe munduar ta konvertonte ndershmërisht pozicionin e vet në vepra, si atëherë në Petrograd dhe aty-këtu ia pati arritur.
Ai pati themeluar revistën “Mësimi i letërisë” për krijuesit e rinj, serinë e botimeve me titull “Jeta e njerëzve të shquar”, e cila qarkullon edhe sot, pati menduar të botonte diçka edhe për historinë e fabrikave dhe të uzinave. Ai pati nxjerrë nga varfëria autorë-shkrimtarë të rinj, mundohej t’u siguronte apartamente, kurim, vila, pati ndërhyrë për lirimin e disa të arrestuarve dhe herë-herë me sukses. Ai pati besuar me çiltërsi se po luante përsëri rolin e vet të dikurshëm të ndërhyrjeve për të mirën e njerëzve. Ai nuk po e kuptonte ose ndoshta ia pati ndaluar vetes ta kuptonte se rregullat paskëshin ndryshuar. Gjatë kohës së Leninit ai pati shërbyer si një forcë e jashtme, e kishin në konsideratë, gjatë kohës së Stalinit ai qe kthyer në një eksponat, të cilit i patën lejuar të luante rolin e ndërhyrësit gjatë kohës që një gjë e tillë zbukuronte vitrinën. Ndryshimi do të dilte në pah shpejt dhe në një mënyrë të tmerrshme. Dhe do të dilte në pah në ishujt e Detit të Bardhë, për ku në verën e vitit 1929 qe nisur një anije me një mik të dashur në kuvertë, Maksim Gorkin.
Kampi i Sollovjeckut në njërin nga ata ishuj me një destinacion të veçantë, ishte i pari kamp i madh i sistemit sovjetik, modeli i GULAG-ut të ardhshëm. Ish-manastirin në Detin e Bardhë e patën shndërruar në një mjedis, ku, në fundin e viteve 1920, qenë internuar dhjetra mijëra njerëz - priftërinj, oficerë, shkencëtarë, fshatarë, të dënuar nga gjykatat. Në Perëndim patën shkruar për atë ishull. Disa të arratisur patën arritur deri në Europë dhe patën botuar kujtime për torturat, për tufat e mushkonjave që grumbulloheshin kur njerëzit i zhvishnin lakuriq dhe i linin t’u thithnin gjakun, për pushkatimet.
Pushtetit Sovjetik i duhej përgënjeshtrimi dhe një përgënjeshtrim i kalibrit të Gorkit. Më 20 qershor të vitit 1929 ai pati zbritur nga anija “Gleboki” në bregun e Sollovjeckut. Për atë vizitë qenë bërë të tilla përgatitje, sikur do të zhvillohej ndonjë paradë para kryetarit të shtetit: të sëmurët i patën larguar, barangat i patën pastruar, njerëzit më të rraskapitur i patën fshehur, të burgosurve u patën dhënë për të veshur rroba të hijshme, në vende të dukshme patën shpalosur gazeta: ja, demek, po rrimë, po lexojmë, po riedukohemi. Reklama qe organizuar me përmasa të mëdhaja, por në Rusi, si gjithmonë, me të meta. Në koloninë ku e patën sjellë, kishte çarë nëpër njerëz një vogëlush rreth 14 vjeç.
Sipas kujtimeve që qenë siguruar nga disa të internuar në atë ishull dhe sipas një dëshmie që sjell Sollzhenjicini në veprën “Arkipelagu Gulag”, ai djalosh paskej rrëfyer si më poshtë:
“Ti, Gorki, gjithë këto gënjeshtra po i shikon me sytë e tu. A dëshiron të të rrëfej të vërtetën?”. Dhe i qe lutur t’i largonte shoqëruesit. Gorki u pati dhënë urdhër të gjithëve të dilnin jashtë. Një orë e gjysmë Gorki mbeti me atë vogëlush vetëm për vetëm. Se çfarë i pati rrëfyer ai vogëlush, deri tani nuk e di askush me saktësi. Por nuk është e vështirë për ta marrë me mend: uri, tortura, mushkonja, pushkatime para një hendeku.
Dëshmitarët patën kujtuar se Gorki paskej dalë nga ajo barangë, pa i fshehur lotët. Një njeri i moshuar, i cili dikur vetë kishte qenë vogëlush në kërkim të bukës së gojës, i cili gjithë jetën kishte shkruar se si i torturonin fëmijët, rrinte duke qarë, sepse pati dëgjuar të vërtetën me veshët e vet.
Gorki qe larguar, por në librin e përshtypjeve për atë kamp internimi pai lënë një shënim, kuptimi i të cilit reduktohej në entuziazëm. Ai pati shkruar se nuk kishte qenë në gjendje të shprehte përshtypjet e veta, se po shikonte njerëz që ishin punëtorë të palodhur, që qëndrojnë në roje të revolucionit dhe nuk druhet të thotë se ata i duhen vendit.
Më vonë, në skicat e veta, ai e pati pasqyruar kampin e internimit si një eksperiment të padëgjuar humanitar për kalitjen e njeriut, të cilin nuk e kishte provuar kurrfarë sistemi burgosjesh në mbarë botën. As edhe një fjalë të vetme për ato gjëra që i kishte dëgjuar dhe parë me veshët dhe sytë e veta, kurrfarë aluzioni.
Fati i atij vogëlushi nuk dihet. Sollzhenjicini ka shkruar se atë vogëlush e patën pushkatuar menjëherë pas largimit të anijes. Arkivat e Sollovjeckut të asaj periudhe nuk qenë ruajtur, por logjika e kampeve nuk lë vend për dyshime. Fati i vogëlushit, që i pati rrëfyer Gorkit një orë e gjysmë për krimet që kryheshin në atë kamp, ishte paravendosur.
Gorki pse pati heshtur? Ja kjo është pyetja, për të cilën kanë vrarë mendjen shumë njerëz për t’iu përgigjur.
Hajde t’i shpalosim versionet në mënyrë të ndershme, pa një prirje akuzuese apo justifikuese, sepse përgjigje të gatshme nuk kemi te asnjëri biograf.
Versioni i parë. Frika. Duke filluar nga viti 1929, Gorki e pati kuptuar se me çfar sistemi kishte të bënte dhe e kishte të qartë se peng i fjalës së tij do të mbetej jo vetëm ai, por edhe i biri, nusja e tij, mbesat, të gjithë ata që ishin pranë tij.
Versioni i dytë. Ujdia me besimin e vetë. Ai mund t’i thoshte vetë ato gjëra, të cilat asokohe i thoshnin mijëra intelektualë. Po, me egërsi, po, në mënyrë të tmerrshme, por vendi po ngrihet nga një pisllëk mijëravjeçar dhe pa dhunë ishte e pamundur të dilje prej tij. Logjika është e thjeshtë. Logjika e famshme për pyllin që i vënë sëpatën.
Versioni i tretë. Më i papërshtatshmi. Gorki, pavarsisht nga dashuria e njeriut me shkronjë të madhe, gjithë jetën pati përjetuar një mosbesim shpërfillës ndaj njeriut konkret, të prapambetur, anarshist, veçanërisht ndaj katundarit injorant. Mendonte me çiltërsi se materiali njerëzor në Rusi është bruto dhe ai duhet shkrirë, edukuar, ribërë, nëse do të jetë e nevojshme - me dhunë. Ideja e shkrirjes nuk i qe imponuar nga çekistët, ajo qe produkt i filozofisë së tij. Çekistët i patën treguar vetëm pasqyrën dhe ai pa në të ato gjëra që dëshironte. Më shumë ka mundësi që të kenë funksionuar menjëherë të tre versionet, të mpleksur në një nyje, por rezultati është i njëjtë. Në verën e vitit 1929, në limanin e Sollovjeckut pati ndërruar jetë Gorki i mëparshëm, i cili në vitin 1918 ia kishte përplasur Leninit në fytyrë për ndalimin e terrorit, i cili pati marrë jetën e Gumilovit. Më tej ecte më këmbë nëpër Rusi një njeri, në pamje të jashtme po ai: me mustaqe, i kërrusur, duke u kollitur, i përcëlluar.
Në vitin 1930, kur vazhdonin proceset kundër inxhinierëve, Gorki pati botuar një artikull me një titull, i cili pati shërbyer si formulë e epokës. Artikulli titullohej “Nëse armiku nuk dorëzohet, atë e shfarosin”. Më pas ky artikull qe botuar nëpër pllakata, me të cilat çeleshin mitingjet e pushkatimeve, ato i citonin prokurorët.
Publicisti që kishte botuar himnin që i pati kushtuar njeriut, i pati dhuruar terrorit parullën kryesore.
Në vitin 1934 qe botuar libri, të cilin sot e anashkalojnë me turp po ata adhurues të shkrimtarit, një vëllim kolektiv ky për hapjen e kanalit Deti i Bardhë - Deti Balltik, vëllim ky, i krijuar me rastin e vizitës së 120 shkrimtarëve në kantieret e ndërtimit nga të burgosurit. Gorki ishte frymëzuesi dhe redaktori i atij vëllimi. Libri u thurte lavde çekistëve, si pedagogëve gjenialë. Për faktin që gjatë hapjes së atij kanali, siç dëshmohet në arkivat e hapur më vonë, patën vdekur dhjetra mijëra të burgosur, Gorki nuk pati thënë as edhe një fjalë të vetme. Kanali pati marrë emrin e Stalinit, kurse libri pati shërbyer si monument i verbërisë kolektive të letërsisë ruse dhe firma e Gorkit ishte e para në ballinën e tij. Gorki s’pati përfituar asgjë nga ai libër. Ç’është e vërteta, pati përfituar atë që përfiton gjithsekush kur mendon se me një pushtet të tillë mund të biesh në ujdi - iluzionin e ndikimit që vjen e avullohet çdo muaj që kalon. Dy vitet e para pas kthimit nga Italia, atë e patën dëgjuar, ai vërtitej me idenë e bashkimit të shkrimtarëve dhe në vitin 1934 qe zhvilluar kongresi i parë i shkrimtarëve sovjetikë, në të cilin Gorki kishte zënë vend në presidium, si një patriark, kurse salla e duatrokiste me ovacione më këmbë. Lidhja e shkrimtarëve, me vilat dhe përfitimet e tij, me fletët e pushimeve, në shumë aspekte qenë siguruara prej tij. Ai ëndërronte se po krijonte për shkrimtarët një kështjellë shpëtimi, se po u siguronte mbrojtjen nga varfëria, të cilën e pati përjetuar vetë në moshën e rinisë. Asokohe ai nuk mund ta dinte se po ndërtonte jo një kështjellë mbrojtëse, por një ministri, nëpërmjet së cilës pushteti do ta kishte më të lehtë ta kapte letërsinë për fyti më mirë sesa një herë tjetër dhe se shumë delegatë të atij kongresi do të pushkatoheshin pas tre-katër vjetësh. Mandej atë filluan ta largonin me marifet. Ai pati kërkuar leje për udhëtime jashtë vendit - në Itali për t’u kuruar. E patën refuzuar me arsyetime plot mirësjellje - klima, mjekët nuk këshillojnë, rrethanat janë të komplikuara, pasaportë nuk i patën dhënë më asnjëherë. Ai pati ndërhyrë për të arrestuarit dhe letrat gjithnjë e më shumë patën mbetur pa përgjigje. Ai pati propozuar projekte botimore, atyre nuk ua patën vënë veshin. Rreth e qarkë tij sapo vinte e krijohej një gjendjeje izolimi e butë, e mirësjelltë, e padepërtueshme. Shtëpia në Rrugën Mallonjikitskaja, pikërisht ajo vila me shkallë valore, nga brenda të kujtonte një akuarium.
Si sekretar i Gorkit shërbente Pjetër Krjuçkovi (1889-1938), një njeri ky me kohë dhe me zell i lidhur me shefin e policisë së fshehtë dhe më vonë me ministrin e punëve të brendshme, Henrik Jagoda (1891-1933). Përmes Krjuçkovit kalonte gjithë letërkëmbimi, të gjitha vizitat, të gjitha çështjet. Dëshiron të shkosh të takosh Gorkin, merru vesh me Krjuçkovin, dëshiron të dish se çfarë shkruan dhe çfarë thotë Gorki, pyet po të njëjtin njeri. Mjeku i shtëpisë, kuzhinieri, truproja, shoferi - të gjithë ishin të lidhur me minitrinë e brendshme. Historianët që punonin me materiale sekrete, përfshi këtu edhe Vaksbergun dhe autorin e biografisë së shkrimtarit të serisë “Jeta e nerëzve të shquar”, shkrimtarin dhe kritikun Pavel Basinski (1961), vijnë në të njëjtin përfundim se dendësia e rrjetit agjenturor rreth Gorkit nuk ka pasur analogë si askush tjetër, përveç një njeriu, vetëm Stalinit.
Ekzistojnë dëshmi të besueshme, sipas të cilave për Gorkin patën përgatitur kopje të veçanta gazetash, atij nuk ia patën treguar një pjesë të lajmeve të fundit, patën prerë dhe zhvendosur materiale nga faqet e gazetave, të cilat mund t’i ngjallnin emocione për vetëvrasje, për arrestime të njohurish, për shpërthimin e urisë. Përfytyroni për një çast një skenë të tillë: shkrimtari i moshuar para një gote çaji shpalos numrin e ri të gazetës “Pravda”. Lexuesi i vetëm i gazetës, të botuar personlisht për të. Mbarë vendi lexon ngjarje reale krejt të tjera, kurse Gorkit i japin një tjetër variant, të redaktuar. Si një menu për një të sëmurë.
Oruelli nuk e kishte shkruar ende romanin e vet, kur në vilën në Rrugën Mallonjikitskaja tashme vazhdonte punën ministria personale e Pravdës. A dinte gjë vetë ai, a e merrte dot me mend?
Ekzistojnë dëshmi, sipas të cilave e merrte me mend në një mënyrë torturuese. Të afërmit kujtojnë frazat e tij të mjegulluara se atë e paskeshin vënë në rreth, se ai sikur ndodhej mes një pylli, dhe nuk e lejuakeshin ta njihte vendin. Piktori, Vjaçesllav Karin (1939-2022), pati kujtuar fjalët e tij:
“Jam lodhur shumë, më kanë rrethuar me një gardh që nuk e kaloj dot”.
Shkrimtari Ilia Shkapa (1898-1992), i cili më vonë qe burgosur, në kujtimet e veta pati përmendur pohimin e tij të dëshpëruar në vitin 1935:
“Kudo që të shkoj, prapa meje vijnë njerëz sikur të ishin roja”.
Njeriu, i cili në moshën e rinisë pati përshkuar më këmbë pothuajse gjysmën e perandorisë, e pati mbyllur jetën brenda hapsirës së vilës në Moskë dhe vilës në Krime. Dhe pikërisht në përtejanën (sfondin) e atyre ngjarjeve, ia pati behur katastrofa, pas së cilës ai tashmë nuk e mori më veten kurrë.
Natën, duke u gdhirë 11 maji i vitit 1934, i vdiq i biri, Maksim Peshkovi, në moshën 36 vjeç, me shëndetin e një sportisti, automobilist, amator i pilotimit, sipas njoftimit zyrtar, nga një infeksioni i rëndë në mushлëri, për shkak se ishte dehur dhe e kishte zënë gjumi përdhe në një mjedis të akulluar, qe ftohur dhe pati mbaruar brenda pak ditësh. Sipas burimeve jozyrtare, qenë shtruar pyetje menjëherë, të cilat patën mbetur pa përgjigje edhe sot e kësaj dite. Cila ishte arsyeja që sekretari Krjuçkov dhe miq të tij e patën dendur Maksimin me pije dhe e patën lënë ta zinte gjumi në stol pranë një lumi? Cila ishte arsyeja që procesi i kurimit të tij pati vazhduar në një mënyrë të çuditshme? Cila ishte arsyeja që Jagoda, kreu i shërbimit të fshehtë, pati pasur marrëdhënie aq të afërta me familjen e Gorkit dhe më shpesh se kushdo tjetër pati ardhur aty për vizita, dhe, siç patën shkruar me kujdes bashkëkohësit, ia pati vënë syrin nuses së Maksimit, bukuroshes Timosha?
Katër vjet më vonë, në procesin gjyqësor të Moskës të vitit 1938, Jagoda dhe Krjuçkovi do të pohonin vetë për vrasjen e paramenduar të Maksim Peshkovit. Mjekët do të dënoheshin së bashku me ta. Por çmimi i pohimeve në proceset gjyqësore të Stalinit ka qenë i njohur. Të akuzuarit atje pranonin se qenë marrë me spiunazh në tri agjentura njëherësh. Pranaj edhe nuk ekziston ndonjë përgjigje e saktë.
Ekziston një fakt, sipas të cilit i biri i Gorkit pati vdekur në një mënyrë të pashpjegueshme. Për Gorkin ajo vdekje qe një goditje shumë e rëndë. Ajo pati shërbyer si mesazh, të cilin ai nuk mund ta lexonte ashtu thjesht, në kalim e sipër. Nëse vdekja e të birit kishte qenë vrasje, atëherë, me këtë rast, atij i patën treguar se kështu mund ta pësonte kushdo, në çdo rast, në shtëpinë e tij drejtpërsëdrejti, nën hundën e truprojës së tij. Por nëse këtu kishim të bënim me një rastësi, prapëseprapë një gjë e tillë e linte zbuluar pozitën e tij. Ai nuk kontrollonte asgjë, madje as jetën e familjes së vet.
Dëshmitarët e patën kujtuar Gorkin gjatë përcjelljes së kufomës së të birit për në banesën e fundit: kishte mbetur si i murosur, qe plakur menjëherë dhjetë vjet më shumë. Asokohe, dikujt nga të afërmit, i paskej thënë një shprehje të frikshme:
“Këto nuk janë punët e mia, tani kanë për të më groposur edhe mua”.
Dy vitet e fundit ai pati vazhduar punën për krijimin e librit “Jeta e Klim Samginit”, e veprës së tij kryesore të papërfunduar, kushtuar inteligjencies ruse, e cila gjithë jetën përshtatet nën ndikimin e bindjeve. Shumë studiues kanë pohuar se me këtë vepër Gorki pati dënuar jo epokën, por vetveten dhe prandaj nuk pati arritur ta përfundonte. Fundi do të kishte shërbyer si ndëshkim. Dhe romani qe ndërprerë, së bashku me jetën e autorit. Perdja e jetës së tij u ul përfundimisht në fundin e muajit maj të vitit 1936. Gorki qe kthyer nga Krimeja në Moskë, pati shkuar në varreza tek i biri, mandej vizitoi mbesat që ishin sëmurë nga gripi dhe vetë qe infektuar. Për një njeri me një gjysmë mushkëri, të përshkuar nga plumbi gjysmë shekulli më parë dhe të gërryer nga tuberkulozi, gripi ishte vdekjeprurës. Pati filluar infeksioni i mushkërive, rrahjet e zemrës po ngadalësoheshin. Ishte duke vdekur gjatë tetëmbëdhjetë ditëve, pikërisht në atë shtëpi, ku dymbëdhjetë vjet më parë kishte ndërruar jetë Lenini. Vetëm kjo përputhje ngjarjesh të trishta shëmbëllen me një rimë të zymtë, të cilën nuk do t’ia kishte lejuar vetes asnjë romancier. Ai po ndërronte jetë para syve të shtetit. Drejt shtratit të tij u turrën mjekët më të mirë të vendit. Buletinet për shëndetin e tij botoheshin në faqet e para të gazetave, si puna e informacioneve nga fronti i luftës. Dy herë e pati vizituar Stalini me Molotovin dhe Voroshillovin. Për ato vizita pati lënë përshtypjet e veta infermjerja Lipa Çertkova. Në njërën nga ato vizita Gorki sikur e pati marrë veten dhe pati filluar të fliste për letërsinë. Në largim e sipër, Stalini pati bërë një shaka. Një teatër ky deri në minutën e fundit, madje edhe kur ai ishte në grahmat e fundit.
Për çfarë e kishte vrarë mendjen gjatë atyre tetëmbëdhjetë netëve, çka nuk do ta mësojmë dot kurrë? Por diçka është ruajtur. Infermjeret patën mbajtur shënim diçka nga përçartjet e tij dhe mes tyre është ruajtur një frazë, të cilën studiuesit më vonë do ta citonin:
“Do të ketë luftëra, duhet të jemi gati!”.
Dhe një tjetër, e zymtë dhe depërtuese:
“A e dini si ëshë puna? Unë tani po debatoj me të Madhin Zot. Dhe çfarë debati se!”.
Njeriu, i cili, gjatë një gjysmë shekulli, pati përshkruar fenë e njeriut pa Zot, në prag të vdekjes, po bënte debat me Atë, të cilin e pati mohuar gjatë gjithë jetës.
Më 18 qershor të vitit 1936, në orën 11:10 paradite, zemra i pushoi së rrahuri. Pas një ore erdhi Stalini dhe anëtarët e Byrosë Politike. Trurin e tij e patën dërguar për studim në Institutim e kërkimeve mjekësore. Më pas vijon pasvekja. Kufomën e patën kremuar, megjithëse vejusha e të birit dhe njerëzit e afërt qenë lutur për ta vendosur në varreza, pranë Maksimit. Thonë se ai vetë paskej lënë porosi për kremim. Hirin e patën vendosur pranë murit të Kremlinit.
Pas dy vjetësh, në një proces gjyqësor të vitit 1938, qe njoftuar se Gorkin e patën dërguar drejt vdekjes armiqtë - Jagoda, Krjuçkovi, mjekët-vrasës, sipas detyrës që u paskej ngarkuar blloku i djathtë trockist.
Akuza për vrasje qe kthyer në një nder të fshehtë, të cilin Gorki ia pati bërë Stalinit. Vdekja e tij pati shërbyer për shpërthimin e një vale të re terrori dhe pushkatimin e bolshevikëve të vjetër.
Shtrohet pyetja: a e patën vrarë me të vërtetë? Ja cila është përgjigjja e ndershme:
Prova nuk pati, dokumentet mjekësore, të cilat mjekët dhe historianët i patën studiuar më vonë, paraqesin tablonë e një vdekjeje natyrale të një organizmi të konsumuar nga pneumonia, nga mushkëritë e dëmtuara pothuajse krejtësisht. Thashethemet për karamele të helmatisura, që patën qarkulluar nëpër Moskë, nuk qenë argumentuar absolutisht. Por ja se çfarë është më e rëndësishme se çdolloj toksikologjie. Vetë shtrimi i një çështjeje të tillë, vetë fakti që vrasja e Gorkit dukej si diçka e vërtetë për bashkëkohësit e tij dhe tingëllon si e vërtetë për ne, dëshmon për vitet e fundit të jetës së tij më shumë sesa çdolloj diagnoze. Ai pati jetuar në një mjedis të tillë dhe në një afërsi të tillë me pushtetin, ku vdekja natyrale qe shndërruar në një luks të paargumentuar.
Tani le t’i hedhim një sy krejt tablosë së fundit, sepse i duhet dhënë përgjigje pyetjes nga e kemi filluar.
Kush ishte Gorki? Viktimë apo bashkëpjesëmarrës. Faktikisht, ai ishte edhe njëri edhe tjetri. Dhe në këtë mes nuk ka ndonjë kontradiktë. Sistemi, të cilin ai e ndihmoi për ta zbukuruar, qe organizuar pikërisht në atë mënyrë. Ai nuk i blinte njerëzit tërësisht dhe menjëherë, në fillim ai i blinte me një afat të caktuar: në fillim ti bën të paditurin për atë vogëlushin në ishullin e Sollovjeckut, sepse është diçka e tmerrshme dhe sepse ti beson në një qëllim të lartë, mandej nënshkruan një artikull, sepse s’qe bërë i gjallë asokohe dhe të tërhiqesh është vonë. Pastaj pranon vilën që të dhuron pushteti, sepse pate nënshkruar një artikull, më vonë vëren se letrat e tua i lexojnë njerëz të tjerë, gazetat botojnë personalisht për ty në një ekzemplar të vetëm, tët bir e varrosin pa dëshirën tënde në majat e pushtetit dhe rrugëdalje s’ke, sepse çdo hap që ke hedhur në të kaluarën qe shndërruar në mur për kamerën tënde.
Gorki nuk qe shitur në një ditë të bukur. Ai erdhi duke u tretur ca nga ca, ujdi pas ujdie, heshtje pas heshtjeje. Dhe çdo lëshim i veçantë dukej i arsyeshëm, i detyruar, i përkohshëm. Ja sepse historia e jetës së tij është jo një eksponant në muze, por një pasqyrë.
Nuk kanë qenë të paktë ata që patën rënë në ujdi me Stalinin. Por gjithsecili ka dijeni për to, duke vënë përballë ndërgjegjen e vet: të heshtësh nëpër mbledhje, të hedhësh firmën në një dokument pa e lexuar, të mos e vësh re fatkeqësinë e tjetrit, sepse është më afër dera se qilari, o Mete për vete, sepse ke fëmijë, sepse të gjithë kështu e kalojnë jetën. Dhe mësimi që nxjerrim nga Gorki është i pamëshirshëm. Dhe në fund e paguan me gjithçka që ke pasur: me emrin, me qetësinë, me familjen, në fund me atë, me të cilën shkrimtari jeton - me të drejtën për të thënë të vërtetën. Dikur Gorki pati shkruar veprën me titull “Kënga e skifterit”. Në atë vepër, shpendi i plagosur ngordh, në kuptimin lumturia e betejës të kushton jetën. I riu Gorki e pati shkruar atë vepër për vete, sepse besonte në një gjë të tillë. Fati rrodhi ndryshe. Atij i ra për pjesë jo vdekja në ndonjë betejë, por një frymëmarrje e gjatë e vështirë brenda një kafazi të artë. Dhe mundet që për një njeri të formatit të tij, ky ishte një ekzekutim më i tmerrshëm sesa pushkatimi. Ai kishte vdekur shumë koh para qershorit të vitit 1936. Ai kishte vdekur atë ditë vere në limanin e Sollovjeckut, kur kishte fshirë lotët, kishte marrë penën dhe pati hedhur në letër jo ato gjëra që kishte parë dhe kishte dëgjuar vetë, por ato gjëra që priste pushteti.
Në vitin 1892, Gorki pati zgjedhur për vete mbiemrin, si premtim për të thënë të vërtetën e hidhur. Në përfundim, atë premtim ai nuk e pati mbajtur.
Kaliforni, 30 shtator 2026.
-------------------------
*Maska e begatisë, velloja e mirëqenies. Kjo shprehje qe krijuar që asokohe kur princi Grigor Potjomkin (1739-1791), i njohur si dashnor-favorit i perandoreshës Ekaterina II (1729-1796), para se kjo të vizitonte Krimenë, pati dhënë urdhër, që, në të dyja anët e xhadesë, nga do të kalonte perandoresha, të ngriheshin shëmbëllesa fshatrash dekorativë, në mënyrë që ta bindte atë për sukseset e politikës së vet në jug të Rusisë.








Comments