top of page

Prof. dr. Begzad Baliu: PROFESOR JUP KASTRATI...


Prof. dr. Begzad Baliu, Prishtinë

BIBLIOGRAFI ALBANISTIKE E PROFESOR JUP KASTRATIT: VËLLIMI I PARË I NJË KORPUSI TË MADH

Jup Kastrati, Bibliografi albanistike I, ( E përgatit për shtyp Begzad Baliu), Botoi, “Era”, Prishtinë, 2001, f. 384.


Kohë më parë (2003, v.j.) doli nga shtypi vëllimi i parë i veprës Bibliografi albanistike, e autorit Prof. dr. Jup Kastrati, nga pesë vëllimet sa planifikohet të dalin një ditë dhe njëkohësisht vëllimi i parë i veprave të plota të tij, që në projektin e parë të autorit dhe botuesit mendohet të përfshihen në tridhjetë vëllime. Vëllimet me bibliografi, nuk janë përgatitur sipas kronologjisë së shkrimit, as sipas aspektit kronologjik, sikur do të mund të pritej. Radhitja është bërë kryesisht sipas një vlerësimi për rëndësinë që kanë punimet bibliografike, sipas gjendjes së tyre (të botuara apo në dorëshkrim) dhe sipas temave që trajtojnë. Bie fjala, në vëllimin e parë i është dhënë rëndësi fushës së letërsisë, në vëllimin e dytë më shumë do t’i kushtohet temës së gjuhës, në të tretin temës së letërsisë bashkëkohore dhe punimeve me karakter tematike, në të katërtin studimeve bibliografike, ndërsa në të pestin do të botohet bibliografia për Skënderbeun bashkë me disa materiale shtesë, që e dallojnë botimin e dytë nga i pari, si nga aspekti bibliografik ashtu edhe nga aspekti i historisë së librit.

1. Studimi i veprës së tij

Vepra hapet me një Parathënie të botuesit (7-12), në të cilën paraqitet një pasqyrë e jashtme dhe përgjithësuese e historisë së njohjes me autorin dhe përgatitjes së veprës, jo vetëm në fushë të kërkimeve bibliografike por edhe të studimeve të tij përgjithësisht. Pra, ajo lindi si rezultat i një interesimi shkencor të botuesit për autorin dhe veprën e tij në rrethana politike dhe ushtarake, në të cilat vështirë mund të mendohej një komunikim i rastit, le më pastaj një komunikim shkencor. Pavarësisht nga kjo një letër e rastit për interesa të ngushta shkencore dërguar autorit nga mesi i vitit 1998, bëri që tri vjet më vonë të kulmoj në një projekt të madh në fushë të bibliografisë dhe në një makroprojekt tjetër që përfshinë jo vetëm pesë vëllimet e para në fushë të bibliografisë, por edhe veprat e tij të plota në tridhjetë vëllime në fushë të albanologjisë, që në të vërtetë është një histori e qytetërimit shqiptar. Ndoshta vlerat e këtij komunikimi më së miri i ka paraqitur vet autori në fund të parathënies së tij, kur ka shkruar: “Vepra ime sot, “Studime bibliografike”, (fjala është për veprën që do të quhet “Bibliografi albanistike” I-V, vër. B.B.) po botohet falë nxitjes, këmbënguljes, kujdesit dhe interesimit të drejtpërdrejtë të kolegut tim të nderuar mr. Begzad Baliu.

Në vazhdim botohet Parathënia (13-17) e Profesor dr. Jup Kastratit, në të cilën autori ka paraqitur pasqyrën e plotë të synimeve dhe përmbajtjen e studimeve të tija në fushë të bibliografisë, një pjesë e të cilave gjendeshin në dorëshkrim, një pjesë tjetër ishte botuar pjesërisht, ndërsa të tjerat ishin botuar që më parë si botime të veçanta apo në kuadër të botimeve të tjera ndër revista shkencore, botime përkujtimore, vëllime të Konferencave shkencore etj. Ndonëse një dorëshkrim i madh për nga përmbajtja dhe për nga vëllimi, autori nuk e konsideronte të mbyllur sepse sikur do të shohim më vonë, gjatë kohës që do të përgatisim vëllimin e parë dhe të dytë, arkivi i tij i jashtëzakonshëm jo vetëm me dorëshkrime personale, por edhe me dorëshkrime rilindasish e bashkëkohësish, si dhe skedari i paparë dhe i sintetizuar në mënyrë shumë të kujdesshëm për më shumë se gjashtë decenie, kishte shumë për të dhënë, ndonëse mosha dhe shëndeti i tij nuk i jepnin shumë mundësi për të kurorëzuar vepra të reja, përveç atyre me të cilat dëshironte të kulmonte projektet e tij jetësore. Këtij projekti megjithëse jo në nivel të vëllimeve, për nga rendi i botimit, do t’i përmbahemi (me pak ndryshime të natyrës teknike) duke e përvijuar nga njëri vëllim në tjetrin.

Në dosjen e artikujve paraqitës dhe shkencorë për Profesor Jup Kastratin gjendet një numër, dukshëm i madh artikujsh, që promovojnë veprën albanologjike në përgjithësi dhe veprën bibliografike në veçanti. Studimi i zonjës Mira Sykja, Studime bibliografike të Profesor dr. Jup Kastratit (18-24), i lexuar në një Konferencë shkencore kushtuar 50-vjetorit të punës shkencore të tij, zë kryet e vendit, prandaj është e kuptueshme pse ky studim i botuar në vëllimin e parë të studimeve bibliografike, njëkohësisht hap studimet hyrëse të Veprave të plota të Profesor Jup Kastratit. Studimi i saj trajton me gjerësi, me thellësi dhe me kompetencë tërësinë e veprave të tij shkencore në fushë të bibliografisë, bënë një tipologji të sajën në nivelin e informacionit që ka për to, vlerëson horizontin e pritjes së tyre sipas autorëve dhe moshës së teksteve të tyre etj. Ai është një studim i shkruar me kujdes dhe në përmasat e një sinteze monografike, pavarësisht prej faqeve që ka.

Vepra “Bibliografi albanistike” I, ndonëse përbëhet prej disa bibliografive të autorëve të kohëve të ndryshme, të fushave të ndryshme bibliografike, prej metodave të ndryshme të kërkimit të bibliografisë, trajtimit dhe studimit të njësive, autorëve dhe veprave bibliografike, dhe më në fund prej disa vëllimeve me bibliografi, në parim përbëhet prej një regjistri unik të njësive bibliografike, numërimi i të cilave fillon me numërimin e njësive të vëllimit të parë dhe mbaron me numërimin e njësive të fundit bibliografike të vëllimit të pestë, në të cilin do të botohet njëkohësisht edhe indeksi i autorëve, veprave, revistave, gazetave, institucioneve, botuesve, vendeve etj. Sikur mund të shihet, ky vëllim ka 5034 njësi bibliografike. Rrjedhimisht, për shkaqe teknike që lidhen me indeksin e përbashkët të të gjitha vëllimeve, vëllimi i dytë i bibliografisë do të fillojë me njësinë numër 5035.

2. Parathënia e bibliografisë

Pra, për nga problemi me të cilin merret, vëllimi hapet me “Bibliografinë e “Studimeve bibliografike” (25-30), në të cilën janë regjistruar 108 njësi, që në të vërtetë nuk përbëjnë tërësinë e bibliografike të përgatitur nga Profesor Jup Kastrati për më shumë se gjashtë decenie. Sikur mund të shihet prej njësive të botuara dhe atyre në dorëshkrim, sidomos atyre që duhet të botohen në “Historinë e albanologjisë” II, autori do të botojë edhe një numër të konsiderueshëm njësish, që do të dalin si rezultat i studimeve monografike në vëllimin e tretë dhe të katërt. Pra, bibliografia e studimeve bibliografike ka të bëjë jo me atë Bibliografinë e bibliografive, nga fillimet e deri në vitin 1966, për të cilën Profesor Jup Kastratit flet në një relacion mbi punën e tij në “Bibliografinë e Skënderbeut”, por për njësitë e tij në fushë të kërkimeve bibliografike. Edhe prej pasqyrës së kësaj bibliografie, mund të kuptojmë, se Profesor Jup Kastrati, në rrafshin e përgjithshëm ka bërë një tërësi të bibliografisë albanologjike, që nga Buzuku deri tek filologët më të rinj, ndërsa në rastin e veçantë, ai ka përgatitur bibliografi për disa nga albanologët, krijuesit dhe fushat më të rëndësishme të linguistikës shqiptare dhe historisë së albanologjisë në përgjithësi: bibliografi të krijimtarisë së shkrimtarëve (Naim Frashëri, Faik Konica, etj.) dhe studiuesve (Eqrem Çabej, Aleksandër Xhuvani, Mahir Domi etj.) dhe bibliografi të të tjerëve për autorë dhe studiues (Jeronim e Rada, Ndre Mjedja, Migjeni, Skënderbeu etj.), bibliografi për fusha të veçanta (gramatikat, fjalorët, dramatika, shtypi etj.) dhe në fusha të përgjithshme të saj (bibliografia shqipe, bibliografia e albanistikës, bibliografia e historisë së albanologjisë etj.)


3. Rilindësi i përjetshëm

Në krye të vëllimit të parë të “Bibliografisë albanistike” janë vënë dy bibliografi që lidhen me emrin e Jeronim de Radës: Bibliografi e Jeronim de Radës (1831/32-1909) dhe Bibliografi për Jeronim De Radën, 1903-1993 (42-86). Bibliografia e kërkimeve të Profesor Jup Kastratit e botuar sipas vlerave të kërkimit ndryshe edhe nuk mund të mendohej. Studimet arbëreshe hyjnë ndër fushat më të përkushtuara të tij ndërsa jeta dhe vepra e Jeronim de Radës përbënë majën e studime në fushë të letërsisë dhe sidomos në kontekst të biografive për krijues dhe studiues të kulturës shqiptare. Profesor Jup Kastratit ka shkruar monografi për heronj, gjuhëtarë, letrarë, njerëz të kulturës e të shkencës: për Ndre Mjeden, për Faik Konicën, për Vaso Pashë Shkodranin, për Zef Jubanin etj., por Jeronim de Radës do t’i kthehet disa herë, do ta plotësojë disa herë, do ta zgjerojë me të dhëna të reja, me vepra të reja, me përkthime të reja, me studime të reja, me botime të reja dhe natyrisht edhe me njësi të reja bibliografike të Jeronim De Radës dhe për Jeronim de Radën.

Bibliografi e Jeronim de Radës (1831/32-1909) është dorëshkrim i pabotuar i vitit 1962 dhe përfshinë njësitë bibliografike nga nr. 109 deri në 159. Veprat e njohura të De Radës, veprat e panjohura, veprat e botuara me numër më të madh ekzemplarësh dhe veprat e botuara me numër të kufizuar ekzemplarësh këtu janë përshkruar me anotacione dhe me të dhëna të tjera, prej të cilave krijohet një pasqyrë e plotë e veprës së tij. Atyre iu përshkruhet formati që kanë, numri i faqeve, vëllimi, botuesi dhe tipografi, vendi, biblioteka, fondi dhe pronari që e ka, kur ajo gjendet në pronë private. Për shkak se, sikur dihet shumë nga veprat sidomos filologjike-historike të Jeronim de Radës janë kopjuar në numër jashtëzakonisht të vogël ekzemplarësh, bibliografia e veprave të tij, sidomos bibliografia e bërë nga një kërkues, studiues dhe sintetizues i jetës dhe veprës së tij, e përcjellë me të dhëna kaq të rëndësishme për specialistët e studimeve deradiane ka dimensione të veçanta.

Bibliografi për Jeronim De Radën, 1903-1993 (42-86), është njëra prej pjesëve më të vëllimshme të kësaj vepre. Për më shumë se pesë dekada, duke u marrë shpesh me jetën dhe sidomos me veprën e Jeronim de Radës, duke e botuar atë në origjinal, të transliteruar, të transkribuar, me anotacione, të përshtatur në gjuhën e sotme, duke i përkthyer ato nga italishtja dhe gjuhë të tjera, duke i studiuar ato veç e veç dhe si tërësi, duke bërë sintezat e tyre sipas fushave të studimit dhe në kuadër të projekteve të mëdha historiko-letrare, gjuhësore e kulturore, Profesor Jup Kastrati njëkohësisht ka gjurmuar, ka mbledhur dhe ka përgatitur bibliografinë më të plotë për De Radën “Studime për De Radën”, monografinë më të plotë, më të gjerë dhe më të thellë kushtuar De Radës, ndonëse sikur dihet ajo do të botohet paralelisht dhe me ndryshime fare të vogla në Prishtinë dhe në Nju Jork, vetëm në vitin 2003, në 100-vjetorin e vdekjes së poetit. Prej kësaj bibliografie të radhitur sipas alfabetit të shqipes, nuk është vështirë të krijohet një pasqyrë e studiuesve më të përkushtuar të De Radës, si: Francesko Altimari, Vehbi Bala, Izet Bebeziqi, Riza Brahimi, Eqrem Çabej, Karl Gurakuqi, Ali Jasiqi, Ismail Kadare, Klara Kodra, Ziaudin Kodra, Ernest Koliqi, Ahmet Kondo, Faik Koica, Giovianni Laviola, Anselmi Lorecchio, Michele Marchiano, Dhionis Miçiaçio, Gaetano Petrota, Arshi Pipa, Rexhep Qosja, Namik Resuli, Pietro Scaglione (=Saravuli), Giussepe Schiro–seniori, Giussepe Schiro-Juniori, Dhimitër S. Shuteriqi, Emilio Tavoloro, Andrea Varfi, Alfred Uçi, Ali Xhiku, Gjergj Zheji etj., por në krye të tyre, padyshim, si për vëllimin, si për kërkimin dhe më në fund edhe për studimin qëndron vet Profesor Jup Kastrati. Prej kësaj bibliografi mund të shihet se këta dhe autorë të tjerë, kush më shumë e kush më pak janë marrë me Jeronim De Radën, kur duke u marrë me historinë, letërsinë, gjuhën dhe kulturën arbëreshe, kur duke u marrë me jetën dhe veprën e tij në mënyrë të veçantë dhe madje edhe duke përkujtuar përvjetorët e tij. Prej bibliografisë së Jeronim de Radës të mbledhur nga Profesor Jup Kastrati mund të shihet se për Jeronim de Radën kanë shkruar krijues dhe studiues të të gjitha kohërave, pavarësisht se ndonjëherë pesha e studimeve për të rritet, hulumtimet për jetën e tij zgjerohen, përimtimet për veprën e tij thellohen, interesimet për të zbehen, por nuk ndërpriten. Për jetën dhe veprën e tij shkruajnë jo vetëm bashkëkohësit e tij ndër arbëreshë, por edhe bashkëkohësit e tij italianë, francezë, gjermanë, anglezë, bashkëkohësit e tij ndër shqiptarët e Shqipërisë etnike dhe atyre të shpërndarë ndër Kolonitë shqiptare në Lindje e në Perëndim. Për jetën dhe veprën e tij ndërkaq me të njëjtin pasion do të shkruajnë edhe studiuesit e fundshekullit XX, një shekull pas vdekje së tij. Sot, një shekull pas vdekje së tij, De Rada mbetet rilindësi më i hulumtuar, më i studiuar dhe shkencërisht më i thelluar, në gjithë letërsinë shqipe, pavarësisht se studime shumë të rëndësishme janë bërë edhe për jetën dhe veprën e Naim Frashërit dhe janë bërë përpjekje që të tilla të bëhen edhe për Gjergj Fishtën, Migjenin, Nolin e Faik Konicën. Nëse përparësia e vlerave të studimeve për De Radën krahas studimeve për Naim Frashërit është rezultat i studimeve të hershme dhe shumë të rëndësishme që i bënë arbëreshët Markianoi, Stratigoi e Petrotta, përparësia ndaj studimeve për Gjergj Fishtën dhe Faik Konicën do të mund të lidhej me mundësinë e pandërprerë të vlerësimit, botimit dhe përkujtimit të tij në gjysmën e dytë të shekullit XX. Ndonëse për Nolin dhe Migjenin janë bërë posaçërisht shumë njësi bibliografike, Noli, sikurse as Migjeni me veprën e tyre nuk e kanë kaq të theksuar fushën e gjerë të mundësisë së kërkimeve gjuhësore, kulturore, letrare, stilistike dhe historike, çfarë e ka jeta dhe sidomos vepra e Jeronim de Radës.

4. Mbi Naim Frashërin

Ndryshe nga numri i madh i njësive bibliografike për Jeronim de Radën, Bibliografi për Naim Frashërin 1900-1965 (87-93), nuk është aq e vëllimshme as për numrin e njësive as për numrin e autorëve që janë marrë me jetën dhe veprën e tij. Numri i njësive bibliografike për Naim Frashërin, nuk mund të krahasohet veçanërisht me peshën e nderimit që Naim Frashëri ka pasur ndër bashkëkohës dhe ndër krijues të mëvonshëm. Ndonëse për Naim Frashërin do të shkruhen shumë vepra poetike (kryesisht vjersha), shumë artikuj rasti, do të botohet në atdhe më shumë dhe më parë se sa Jeronim de Rada, interesimi i studiuesve sidomos për sintezën e veprës së tij do të shtohet, do të zgjerohet dhe do të rritet sidomos në gjysmën e dytë të shekullit XX. Prej bibliografisë për Naim Frshërin do të mund të shihet se për jetën dhe veprën e tij për më shumë se gjashtë dekada kanë shkruar bashkëkohës të Kolonive shqiptare të Stambollit dhe të Bukureshtit, studiues të mëvonshëm të gjithë hapësirës shqiptare etj., por nuk do të shkruajnë në përmasën që kishin shkruar dhe do të shkruajnë më vonë për Jeronim de Radën. Ndonëse bibliografia e Profesor Jup Kastratit për Naim Frashërin nuk duket të jetë aq e plotë, aq e gjerë dhe aq shteruese, sikur është bibliografia për Jeronim de Raden, përgjithësisht ajo jep përmasa të mjaftueshme për interesimin e studiuesve për jetën dhe veprën e tij.

5. Ndre Mjeda i kërkimeve të para

Bibliografia e Ndre Mjedës (94-95), është një nga veprat e rëndësishme të Jup Kastratit. Ajo patë zgjuar një interesim të veçantë në kohën e botimit të saj të parë, prandaj qe shtypur si botim i veçantë i Buletinit shkencor të Institutit Pedagogjik të Shkodrës, që më 1967. Vepra ka një hyrje të shkurtër dhe pastaj ndahet në tri pjesë: Pjesa I: Bibliografi e Ndre Mjedës (95-107); Pjesa II: Bibliografi mbi Ndre Mjedën (107-120); dhe Pjesa III: Bibliografi e Mentor Qukut mbi Ndre Mjedën (120-122) e cila njëkohësisht botohet për herë të parë. Ashtu sikur bibliografia e veprave të De Radës, edhe Bibliografia e Ndre Mjedës është përgatitur duke u mbështetur në kronologjinë e botimit të saj dhe është e tipit të bibliografisë së arsyetuar. Bibliografia e tij prej 79 zërash hapet me veprën e tij “Vaji i bilbilit” (1887) dhe mbyllet me përmbledhjen e veprave të tij nga Profesor Jup Kastrati me titull “Çashtje gjuhe”(1967). Të gjitha njësitë bibliografike përshkruhen për përmbajtjen që kanë, prandaj duke pasë parasysh faktin që Profesor Jup Kastrati, si gjurmues, studiues dhe përgatitës i veprës së tij ka një informacion të plotë të botimit të saj të parë dhe të ribotimeve të mëvonshme, nuk është e rastit as njohja e plotë dhe paraqitja e zgjeruar e tyre, mbase përtej asaj pasqyre të pasur që autori na e ka dhënë për Jeronim de Radën. Ndonëse i njohur përgjithësisht si poet i përkushtimit ndaj formave gjuhësore të ndërtimit të krijimtarisë letrare, prej bibliografisë së Ndre Mjedës kuptojmë se gjuha është ajo që më së shumti e përshkon veprën e tij letrare, shkencore, kërkimore, komunikuese, kulturore etj.

Pjesën e dytë Bibliografi mbi Ndre Mjedën (107-120) e përbëjnë 177 zëra që i përshkojnë 67 vjetët e para të shekullit XX. Ato janë radhitur sipas alfabetit të mbiemrit të autorëve të studimeve, prej të cilëve dallohen: Kolë Ashta, Vehbi Bala, Mark Gurakuqi, Jup Kastrati, Llazar Siliqi, Dhimitër S. Shuteriqi, Andrea Varfi, Injac Zamputi etj. Ashtu sikur edhe me botën krijuese, shkencore dhe intelektuale të De Radës më parë do të merren në mënyrë të veçantë arbëreshët e Irtalisë dhe personalitetet e njohura të kulturës dhe letërsisë italiane e franceze, ashtu sikur me jetën dhe sidomos me vlerat krijuese të Naim Frashërit merren para se gjithash bashkëkohësit shqiptarë të Kolonisë së Stambollit, Sofjes, Bukureshtit e të Egjiptit, edhe me jetën dhe me veprën e Ndre Mjedes përveç tjerash do të merren edhe personalitet e shquara të dijes shkencore në fushë të albanologjisë (Holger Pedersen, Gustav Majer etj.,) me të cilët komunikoi dendur Ndre Mjeda.

Pjesa III: Bibliografi e Mentor Qukut mbi Ndre Mjedën (120-122) përfshinë zërat bibliografikë nga 1272 deri më 1386. Është një përkushtim i pazakonshëm i Mentor Qukut për Ndre Mjedën. Një përkushtim që në këtë vëllim mund të krahasohet vetëm me numrin e madh të zërave të Profesor Jup Kastratit për Jeronim de Raden. Mirëpo, ndryshe nga përkushtimi më shumë se gjysmë shekullor i Profesor Kastratit për Jeronim de Radën, bibliografia e Mentor Qukut për Ndre Mjedën ka një moshë prej dy dekadash. Pra, mundësitë e botimit të kërkimeve të Mentor Qukut për Ndre Mjedën, për shkaqe jashtëshkencore janë të një periudhe të shkurtër 1981-2001. Mentor Quku ka kulmuar dhe vazhdon të ngrejë majen e studimeve mjedjane, atë majë që më parë kanë filluar ta ngrejnë Jup Kastrati dhe Mark Gurakuqi pesë dekada më parë. Si me kërkimet, ashtu dhe me botimet e veprës së Mjedës dhe studimet e saj, Mentor Quku gjatë këtyre dy dekadave të fundit e ka rikthyer dendur personalitetin dhe veprën e Ndre Mjedës në shtypin ditor dhe shkencorë, në diskutimet kulturore dhe në konferencat shkencore, etj.

6. Konica i panjohur

Ndonëse jo me vëllimin e materialeve që përshkruan (tek Jeronim De Rada), as me format e paraqitjes së saj (tek Sterio Spasse), Bibliografia e botimeve të Faik Konicës, 1895-1942 (123-172) është pjesa më e vëllimshme shikuar nga numri i zërave bibliografikë. Ajo përfshinë rreth 1400 njësi (1387-2882). Hapet me veprën e tij të parë L’Albanie et les Turcs të vitit 1895 dhe mbyllet me vitin 1942. Fjala është për një bibliografi të Faik Konicës, për veprën e të cilit kishte punuar kur në nënfletë e kur në dukje, që nga gjysma e dytë e shekullit XX . Sipas parathënies së Bibliografisë autori kishte menduar dy mundësi të paraqitjes së saj: si bibliografi të arsyetuar me shënime (anotacione), për një monografi po kaq të vëllimshme e konsideronte jo të përshtatshme. Duke pasur parasysh kohën e punës së tij në përgatitjen e versionit të parë të monografisë (1962) dhe përmbledhjes së veprave të tij të zgjedhura, të po asaj natyre që kishte përgatitur për Zef Jubanin dhe Ndre Mjedën, dhe sidomos duke pasur parasysh modelet e bibliografive të periudhës së parë dhe të dytë, mund të them se versioni i parë i një bibliografie të arsyetuar me shënime (anotacione) i takonte asaj periudhe fillestare kur Prof. dr. Jup Kastrati merrej kushtimisht më parë me bibliografitë a autorëve se sa me veprat e tyre apo monografitë për ta. Sikur dihet, përgjithësisht bibliografitë e periudhë së parë të kërkimeve i takojnë bibliografisë së arsyetuar ndërsa bibliografitë e periudhës së dytë, me ndonjë përjashtim, kanë qenë pjesë e monografive për autorë dhe vepra të caktuara: Faik Konicën, Ndre Mjedën, Jeronim de Radën, Hostorinë e gramatologjisë shqipe, Historinë e albanologjisë 1497-1997 etj. Bibliografia e Profesor Jup Kastratit, sikur e ka theksuar edhe vet mjeshtri ynë, ka mënjanuar një mendim të përsëritur për një kohë të gjatë: përtacinë e Faik Konicës në fushë të krijimtarisë, të cilës ne do t’ia shtonim edhe dy elemente me interes për biografinë shkencore të tij: nëse në veprën shkencore të Faik Konicës mungon epilogu i saj, ajo vjen si rezultat i mungesës së kohës për të përmbyllur atë vepër (bie fjala “Doktor Gjilpëra”) e nëse në ndonjë tjetër nuk është plotësuar me probleme për të cilat mendimi ynë shkencor ka theksuar si mungesë të njohjes së tij për fushën e caktuar, më parë do të ishte mirë të thuhej se autori e bërë me qëllim të caktuar, respektivisht ky ishte koncepti i autorit për problemin në fjalë.

Zërat bibliografikë të radhitur sipas kronologjisë dëshmojnë për një punë shumë aktive në fushë të publicistikës, mendimit shkencor dhe kulturës në njërën anë, si dhe në fushë të gjuhës, të kulturës, të letërsisë, të historisë, të arkivistikës, të epistolarit, të diplomacisë, të projekteve më të mëdha shkencore, të sintezave shkencore etj,. në anën tjetër.

Pjesa më e madhe e tyre, sikur e ka vënë re Prof. Jup Kastrati janë nënshkruar edhe me pseudonime: Faik be Konitza, Faik bej Konitza, Faik Bey Konitza, Fk.B.K., FBK, Fk Konitza, Fk K-ntza, Fk K, F, K., Trrank Spiro Beg, Trrank Spiro, Trank Spirobeg, T.S.B., Tr. Sp., T.Sp., T.S., Redaksia, Dreqtori etj., sado nuk mund të thuhet se janë zbuluar të gjitha nënshkrimet e tij. Më parë se sa me nënshkrimet e tij autori ia ka arritur që të diktojë artikujt e tij edhe falë njohjes së sintaksës dhe stilit të tij të shkrimit. Nëse një numër nënshkrimesh të tij janë pjesë e asaj tradite që do të lulëzojë në shtypin shqiptar të kohës (shih te Hylli i Dritës, Leka, Demokracia e Gjirokastrës, Fryma, Korça etj.), një pjesë tjetër e nënshkrimeve, sidomos e nënshkrimeve me të cilat nënshkruan artikujt politikë, vjen si rezultat i përpjekjes së tij për t’iu shmangur ndjekjes së organeve qeveritare të Perandorisë Osmane. Nëse disa nga artikujt e tij do t’i nënshkruaj me pseudonime për të mos iu nënshtruar ndjekjes politike të organeve pushtetore të Perandorisë Osmane, shumë nga artikujt e tjerë do t’i shkruajë në gjuhën frënge për të dërguar mesazhin e tij kryesisht politik edhe tek lexuesit joshqiptarë. Sikur dihet, Faik Konica, një njohës brilant i një numri të madh gjuhësh, ka bashkëpunuar edhe me shumë revista të tjera në gjuhë të huaja, prandaj, sikur e ka vënë re edhe Profesor Jup Kastrati, zërat bibliografikë të tij, jo vetëm nuk ka qenë e mundur të përfshihen të gjithë këtu, por do të duhet edhe shumë kohë për përmbylljen e plotë të Bibliografisë së tij.

7. Bibliografia e gjithanshme e Migjenit

Ashtu sikur shquhen me veçantitë e tyre bibliografitë për Jeronim de Radën, Naim Frashërin, Ndre Mjedën dhe Faik Konicën, të botuara në këtë vëllim, edhe Bibliografia e Migjenit, (173-202), shquhet për disa veçori të cilat i bashkon dhe i dallon nga bibliografitë që i paraprijnë dhe nga bibliografitë që i pasvijnë. Atë e përbëjnë kapitujt: Bibliografia e Migjenit (1934-1961) e botuar dhe e ribotuar brenda një periudhe 25-vjeçare; Artikuj, recensione, studime dhe poezi mbi Migjenin (187-200); Migjeni në gjuhë të huaja dhe një Bibliografi tjetër për Migjenin (1938-1945) e cila në esencë është plotësim i bibliografisë se mëparshme për Migjenin.

Bibliografia e Migjenit është përgatitur duke u mbështetur në zëra të përgatitur me shënime përcjellëse për veçoritë e zërave, sipas fushave të krijimtarisë (poezi, prozë, novelzë etj.,) dhe sipas veçorive të botimit (kryeartikull, proza e fundit, përkushtim, artikull, studim etj.) Së pari, sillet një bibliografi për botimet dhe ribotimet e tij për një çerek shekulli me radhë. Duke kujtuar se Migjeni jetoi një jetë të shkurtër për krijimtarinë e rëndësishme që botoi, ne njëkohësisht vërejmë se ai botoi vetëm tri vjetët e fundit të jetës së tij (1934-1938), prej të cilave në vitin 1937, vetëm një prozë, ndërsa në vitin 1938 dy proza dhe dy poezi. Pra, pjesën më të madhe të saj e botoi gjatë viteve 1934, 1935 dhe sidomos 1936, kur botoi edhe vëllimin e parë me poezi “Vargje të lira”, i cili do të ribotohet në vitin 1944. Krijimtaria letrare e tij, e plotë do t’i botohet në vitin 1954, kur për të parën herë do t’i botohen brenda një vepre poezia dhe proza. Në vitin 1957 do t’i botohet një vepër lekturë shkollore me titullin që do të bartet gjatë ndër lekturat shkollore “Luli i vocërr” dhe një vëllim i plotë i krijimtarisë së tij “Vepra”(1957) mbledhur dhe redaktuar nga i madhi Skënder Luarasi. Sikur dihet më tej, vite me radhë vepra e tij do të botohet e ribotohet kur e zgjedhur e kur e plotë, kur si lekturë shkollore për fëmijë e kur si lekturë shkollore për të rritur, herë si vepër me përgatitje teknike dhe e radhitur ndër botime ekskluzive herë si vepër e veçantë me rastin e përvjetorit të tij. Për shkak se jeta e tij ishte tepër e shkurtër, për arsye se horizonti i veprimit të tij kohorë dhe hapësinorë ishte mjaft i rrudhur, nga jeta dhe nga vepra e tij është arritur të mblidhet çdo gjë në mënyrë shteruese, nga dokumentet personale deri tek krijimtaria, nga dorëshkrimet e mbetura deri tek epistolari.

Kapitulli i dytë përfshinë Artikuj, recensione, studime dhe poezi mbi Migjenin (187-200). Prej zërave të botuar në fillim të krijimtarisë së Migjenit vepra e tij nuk do të jetë aq e popullarizuar, aq sa do të jetë e hulumtuar, e mbledhur, e botuar dhe e studiuar jeta dhe vepra e tij sidomos në gjysmën e dytë të shekullit XX. Botimi, studimi dhe vlerësimi i veprës së tij do të imponohet jo vetëm prej vlerave letrare estetike të poezisë dhe prozës së tij, por edhe prej koncepteve ideore mbi të cilat ndërtohej krijimtaria e tij përgjithësisht. Hiç disa nga artikujt vlerësues të viteve të para për vlerat artistike të letërsisë së Migjenit, (sikur është artikulli programatik i Dhimitër S. Shuteriqit) artikujt e mëvonshëm përgjithësisht këtë veçori do ta theksojnë me forcë.

Kapitulli Bibliografia e Migjenit në gjuhë të huaja, pasqyron në mënyrë shteruese botimin e poezisë dhe prozës së Migjenit në gjuhë të huaja. Prej zërave të shumtë të botimeve të tij në gjuhë të lindjes dhe në gjuhë të perëndimit, në vepra të veçanta, në vëllime antologjike dhe në revista të ndryshme letrare e shkencore, nuk është vështirë të konstatohet se krijimtaria e tij letrare do të botohet dendur në gjuhë të huaja (brenda Shqipërisë dhe e përkthyer nga përkthyes shqiptarë të Tiranës dhe të Prishtinës) dhe nga përkthyes të huaj. Vepra e tij do të fillojë të përkthehet në gjuhë të huaja menjëherë pas vitit 1954 kur në Tiranë botohet vepra më e plotë e tij deri atëherë. Nëse shumë shkrimtarë para dhe pas lufte fillojnë të botohen me nga një a më shumë poezi ndër revista të huaja apo ndër antologji të letërsisë shqipe, Migjeni do të fillojë të botohet në vepra të plota. Kështu vepra e tij do të botohet në rusisht (Moskë, 1957), spanjollisht (1961), italisht (Romë, 1957, Tiranë, 1961), anglisht (Tiranë, 1960), frëngjisht (Paris, 1961), bullgarisht (Sofje, 1958), (Ulaanbaatarr, 1958), lituanisht (Riga, 1958), etj. Vepra e tij e veçantë, në poezi dhe në prozë, do të botohet në revista dhe antologji të tjera edhe në gjuhë të tjera. Sikur dihet, vepra e tij ka vazhduar të botohet dhe ribotohet edhe në gjuhë të tjera edhe pas vitit 1961: në anglisht, frëngjisht, rusisht, serbisht, sllovenisht, maqedonisht, greqisht, gjermanisht etj.

Bibliografia për Migjenin mbyllet me një bibliografi plotësuese për interesimin e lexuesve, studiuesve dhe kritikës letrare për jetën dhe veprën e tij. Më shumë se për rezultatet e rëndësishme të kritikës letrare për jetën dhe sidomos për veprën e tij, zërat bibliografikë dëshmojnë për një përpjekje të përhershme të Profesor Jup Kastratit për kërkimin e përhershëm shterues dhe thellues lidhur me jetën dhe veprën e Migjenit.

8. Vepra e pasur e periudhës së parë të Sterio Spasses

Nëse bibliografia për Faik Konicën dallohet për numrin e zërave bibliografikë prej rreth 1400 njësisht, Bibliografia për Sterjo Spassen 1929-1961, dallohet për vëllimin që zë brenda librit, prej 84 faqesh (ose 203-287), nga 384 faqe sa i ka gjithsej. Bibliografia për Sterio Spassen ndahet në pesë kapituj: Kapitull I: Prozë tregimtare dhe përshkruese; Kapitulli II: Çështje letrare, gjuhësore, folkloristike, pedagogjike, shoqnore; Kapitulli III: Botime të Sterio Spasses në gjuhë të huaja; Kapitulli IV: Përkthime të bame nga Sterio Spasse; Kapitulli V: Kritika e reçensione mbi veprat letrare të Sterio Spasses. Kjo është një bibliografi tematike, sikur e quan autori, e cila është plotësuar në tri mënyra: përmes tregimit të përmbajtjes, përmes ndonjë fragmenti të rëndësishëm dhe përmes vet titullit që më së miri pasqyron përmbajtjen e saj.

Bibliografia e Sterio Spasses shënon një moment të veçantë të kërkimeve shkencore në fushë të studimeve nga Prof. Jup Kastrati. Mund të thuhet se ajo shënon momentin e kalimit të studimeve kastratiane nga kërkimet thjesht bibliografike në sintezat e tyre në shkallë monografie për autorë dhe fusha studimi. Po të bëhej një pasyrim i thjeshtë i kalimit të këtij procesi, këtu do të mund të krahasonim Bibliografinë e Sterio Spasses ndërmjet Bibliografisë për Migjenin, Ndre Mjedën dhe sidomos bibliografinë për Dhimitër S. Shuteriqin, si faza më të hershme kërkimi e vlerësimi dhe veprave monografike për Eqrem Çabejn, Maksimilian Lambercin, Norbert Joklin etj.

Bibliografia për Sterio Spassen shënon një fazë të rëndësishme kërkuese, krijuese dhe studimore për autorë dhe fusha studimi. Vet fakti se titulli i saj plotësohet me një nëntitull “Në ndihmë të historisë së letërsisë shqipe”, dëshmon se autori pretendonte të shkonte drejt projekteve të mëdha kërkimore pa ndonjë dallim të madh ndërmjet historisë së letërsisë dhe historisë së albanologjisë. Në të vërtetë, nëse në fillim të viteve ’50 kishte filluar projektin e madh të gramatologjisë dhe leksikologjisë, me anë të bibliografisë “Bibliografi e gramatikave dhe fjalorëve”, në fund të viteve ’60 fushat e tij shkencore do të profilizohen më dendur: Në njërën anë do të zvogëlohet numri i artikujve shkencorë dhe divulgativë për shkrimtarët bashkëkohorë, në anën tjetër do të shtohet dhe thellohet numri i studimeve për gramatikat e shqipes dhe monografitë për albanologë të vendit dhe të huajë. Nga fusha e letërsisë, sikur do të mund të shihet, Profesor Jup Kastrati nuk do të heq dorë vetëm nga letërsia, gjuha dhe kultura e bota shpirtërore arbëreshe përgjithësisht.

Bibliografia e Sterio Spasses shënon një akt shterues të kërkimit, leximit, komentimit dhe vlerësimit. Ndonëse Profesor Jup Kastrati për Sterio Spassen ka shkruar një varg studimesh përkujtuese, vlerësuese etj., ai nuk ia ka arritur të shkruajë një monografi të veçantë për jetën dhe veprën e tij, të cilën siç duket e pretendonte. Sikur mund të shihet, me një monografi të tillë për Sterio Spassen, Profesor Jup Kastrati do të përfshinte kontributin e tij në një varg fushash nga gjuhësia, pedagogjia, beletristika, folklori etj. Vepra e tij në këtë përmasë përfshinë dy periudha të rëndësishme dhe të veçanta letrare: periudhën ndërmjet dy luftërave botërore dhe periudhën e letërsisë së realizmit socialist, në ndërtimin e të cilës Sterio Spasse ka punuar shumë. Dy veprat e tij të para “Afërdita përsëri në fshat” dhe sidomos “Ata nuk ishin vetëm” shënojnë kulmet e kësaj letërsie, pa lënë mënjanë romanin “Buzë liqenit” etj. Sikur dihet, në vitet ’70 e më tej Sterio Spasse do të punojë në serinë monumentale historike “Rilindasit”, e cila nuk është përfshirë brenda bibliografisë dhe nuk do të përfshihet as më vonë. Pavarësisht nga kjo, vepra intelektuale, shkencore dhe letrare e estetike e Sterio Spasses, e përfshirë në këtë bibliografi të komentuar e të zgjeruar, sikur e kam quajtur në një rast tjetër, paraqet pjesën më të rëndësishme të tij. Bota e tij shpirtërore dhe mendore është ajo që e ka krijuar në periudhën e parë dhe të dytë të krijimtarisë së tij. Periudha e tretë, e cila identifikohet me romanin historik, respektivisht me serinë e “Rilindasve”, paraqet thellimin e njërit prej horizonteve të tij.

9. Një bibliografi si “monografi” për Dhimitër S. Shuteriqin

Nëse bibliografia për Sterio Spassen shkon drejt një projekti shterues për një monografi kushtuar Sterio Spasses, Bibliografi e Dhimitër S. Shuteriqit (288-304), ka të përcaktuar edhe kufijtë e caktuar që përkufizojnë edhe qëllimet e autorit për një sintezë të plotë të veprimtarisë letrare dhe shkencore. Po të mënjanoheshin zërat bibliografikë nga teksti nëntitujt e bibliografisë do të përngjanin në një projekt shkencor për, sikur shkruan Profesor Jup Kastrati, “studimin e prodhimit letrar të Dhimitër S. Shuteriqit”, e cila hapet me Parathënien dhe mbyllet me Tryezën e lëndës. Vepra e tij shkencore është ndarë në kapituj punues për veprat, qofshin ato letrare a shkencore, për bashkëpunimin e Dhimitër S. Shuteriqit me fletoret dhe revistat e tjera letrare e shkencore, për një kontribut të tij të veçantë dhënë aspektit pedagogjik të letërsisë, për horizontin e pritjes së krijimtarisë letrare dhe mendore në shtypin e huaj, për nënshkrimet letrare të tij, si një nga tiparet krijuese të kohës, për kritikën letrare shqiptare mbi veprën e tij, për bibliografinë e bibliografisë (sikur dihet Dhimitër S. Shuteriqi ishte dhe mbeti një nga bibliografët e përkushtuar të gjuhës dhe letërsisë së mesjetës së vonë) dhe për sintezën letrare e shkencore të tij.

10. Bibliografia e madhe e bibliografit të madh

Vepra Bibliografi albanistike I, mbyllet me Bibliografinë e botimeve të Profesor dr. Jup Kastratit 1941-2002 përgatitur nga e bija, prof. Diana J. Kastrati. Bibliografia e Profesor Jup Kastratit ka këtë strukturë përmbajtjesore: Parathënia (305-307); Biografia (307-308); Veprimtaria shkencore (308-310); Bashkëpunimet ndër organe (310-311); Librat e botuar (311-312); Fushat e dijes të lavruara (312); Veprimtaria shoqërore e kulturore (312-314); Dorëshkrimet (314-315); Bibliografia, 1941-2002 (315- 384). Vepra është përgatitur me rastin e 75-vjetorit të lindjes së autorit dhe përveç disa prej elementeve përmbajtjesore mbi angazhimin e Profesor Jup Kastratit, si dhe bibliografisë së tij, ajo mbyllet edhe me një numër kumtimesh shkencore të sesionit shkencor kushtuar Profesor Kastratit. Këtij botimi, i janë mënjanuar kumtesat, por me përkrahjen e vet Profesorit, i është shtuar edhe pjesa plotësuese për vitet në vazhdim, deri në vitin 2002. Ndonëse kjo bibliografi është përgatitur nga e bija nën mbikëqyrjen e Profesor Jup Kastratit dhe mund të thuhet se është bibliografia më shteruese e përgatitur deri më tash, sigurisht me lejen e Profesor Jup Kastratit zërave të saj u janë mënjanuar recensionet përcjellëse, disa prej të cilave i kishte në botimet e mëhershme , në pjesën e dorëshkrimeve janë mënjanuar jo vetëm një mal i madh dorëshkrimesh të përfunduara apo në përfundim, por edhe disa dispensa të cilat pavarësisht nivelit të sotëm, por kohën ato patën ndikim në rrethet universitare, arsimore dhe shkencore të Shkodrës, sikur ishin Gjuha e sotme shqipe, E folmja e Thethit (vepër e pa përfunduar), Hyrje në gjuhësi etj., të cilat do të pasqyronin më saktë dhe më gjithanshëm jetën dhe veprën shkencore të Profesor Jup Kastratit. Arkivi i tij përbën një institut më vete, një thesar të përpunuar materialesh sipas lëndës dhe përmbajtjes nga librat e vjetër origjinal tek dorëshkrimet po kaq të vjetra, nga shënimet e nxjerra ndër arkiva të bibliotekave të vendit e të huaja tek shënimet e terrenit për projekte të caktuara shkencore, nga sintezat e mëdha shkencore tek korpuset e epistolarit dhe fotografisë me po kaq interes për botën shkencore, nga studimet dhe veprat e botuara tek recensionet dhe përshëndetjet kolegiale për veprat e veçanta dhe për veprimtarinë e tij shkencore përgjithësisht. Në arkivin e tij ndërkaq mund të gjendet një pasuri e veçantë, e cila nuk është e mundur të gjendet lehtë dhe sidomos shpesh ndër biblioteka dhe arkiva të tjera personale. Në arkivin personal të Profesor Jup Kastratit mund të gjesh ditarët personalë, sikur mund t’i gjesh edhe te të gjithë personalitet që sado pak bëjnë jetën e tyre individuale, por ndër arkiva të tjera vështirë të gjesh ditarët shkencor dhe sidomos historitë e librave të veçanta, të cilat mund t’i gjesh vetëm në arkivin personal të tij. Duke parë dorëshkrimin e “Relacionit lidhur me punën në veprën Bibliografi e Gjergj Kastriotit Skënderbeut” nuk është vështirë të kuptosh se sa e rëndësishme dhe se sa e thellë është historia e veprave të tij. Profesor Jup Kastrati me vite ka ruajtur pa bujë dhe pa zhurmë të vërtetën lidhur me punën në vëllimin e parë dhe në vëllimet që do të botohen një ditë të bibliografisë së Skënderbeut. Rrjedhimisht, në bibliografinë e tij është botuar vetëm veprimtaria shkencore e botuar, por jo edhe veprimtaria tjetër kulturore, arsimore, gjuhësore, letrare dhe historike, interesimi për të cilën do të mund të jetë edhe më i madh se sa për të parën.

Edhe prej zërave të botuar për kontributin e Profesor Jup Kastratit mund të krijohet një pasqyrë e mjaftueshme për rezultatet e tij shkencore deri më tash, pavarësisht se ai ende nuk ka përfunduar së botuari disa nga sintezat dhe traktatet e mëdha shkencore: ka botuar monografinë “Historia e gramatologjisë shqipe” deri në gjysmën e dytë të shekullit XX, por jo edhe vëllimin e dytë që do të mbulonte gjysmën e dytë të këtij shekulli; ka botuar vëllimin e parë të traktit “Historia e albanologjisë“ nga fillimet deri në gjysmën e parë të shekullit XIX, por jo edhe vëllimet e tjera që kapin edhe disa blej; ka botuar dy monografi monumentale për Jeronim de Radën dhe disa vepra të tij, por jo edhe veprën e tij të plotë letrare, kulturore, historike, filologjike etj., një vepër kjo monumentale për kulturën arbëreshe dhe shqiptare përgjithësisht, sikur nuk e ka botuar ende sintezën e madhe të “Studimeve arbëreshe”, që në dorëshkrim kap një vëllim prej më shumë se 1700 faqe; ka botuar monografitë për Zef Jubanin dhe Faik Konicën, por jo edhe monografinë për Ndre Mjedën etj. Le të kujtojmë se shumë studime brenda sintezave dhe traktateve të mëdha shkencore, si ato për Hahnin, Joklin, Majerin, Kamardën, etj., kanë karakter monografik (secila me mbi 200 faqe dorëshkrim); ka botuar epistolarin e shumë rilindësve, por jo edhe epistolarin e tij të pasur me albanologët më të mëdhenj të albanologjisë së shekullit XX; ka botuar një numër të madh veprash bibliografike, por jo edhe veprat e plota (i është botuar vëllimi i parë i bibliografisë – bashkëpunëtor, Gjergj Kastrioti Skënderbeu (Bibliografi), por kanë mbetur pa u botuar edhe tre vëllime të tjera; ka botuar vëllimin e parë të bibliografisë Bibliografi albanistike, por kanë mbetur pa u botuar edhe së paku tre vëllime të tjera etj.

Pavarësisht nga këto, bibliografia e Profesor Jup Kastratit, e botuar brenda vëllimit të parë “Bibliografi albanistike” I, paraqet një pasqyrë të mirë të punës së tij kërkimore-shkencore 60-vjeçare.

Vepra hapet me një Parathënie, me të cilën veç tjerash mund të shihet se para bibliografisë së fundit të Profesor Jup Kastratit, me këtë problem janë marrë edhe studiuesit Vili Kamsi e Islam Dizdari. Ndonëse një shënim i shkurtër për jetën e tij, Biografia e botuar në dy faqe paraqet një përmbledhje të plotë të punës së tij në kërkim të kulmeve profesionale dhe në punë të ngritjes së dijes albanologjike sa më lartë. Një pasqyrë shumë interesante dhe të veçantë paraqet nënkapitulli Veprimtaria shkencore, me të cilën sillen të dhëna të plota për punën e Profesor Jup Kastratit brenda strukturave dhe bërthamave shkencore, në përgatitjen, realizimin dhe përfundimin e shumë aktiviteteve kërkimore-shkencore në shkallë institucionale dhe kombëtare. Ndonëse pa referenca përkatëse, ky kapitull tregon për botimin e studimeve të tij ndër përmbledhje shkencore të më se 30 vëllimeve brenda dhe jashtë Shqipërisë dhe për leximin e kumtesave në më se 120 sesione, mbrëmje përkujtimore (jubilare), konferenca albanologjike, kongrese gjuhësore, kuvende studimore kombëtare e ndërkombëtare brenda e jashtë shtetit shqiptar. Puna e tij kërkimore-shkencore e dëshmuar më parë përmes institucioneve, në vazhdim dëshmohet edhe përmes titujve të gazetave ditore, mujore e vjetore, buletineve e organeve shkencore, fletoreve e përmbledhjeve shkencore, të botuara jashtë e brenda shtetit shqiptar, në institucionet shkencore albanologjike e ndërkombëtare, të pasqyruara përmes titujve të tyre (por jo edhe përmes njësive bibliografive) në nënkapitullin Bashkëpunimet ndër organe. Në vazhdim janë radhitur titujt e veprave shkencore, të përgatitura e të përkthyera të Profesor Jup Kastratit nga fillimet e deri më tash 1956-2002. Ato janë vepra të botuar e të ribotuara në Shkodër, Tiranë, Prishtinë, Nju Jork etj. Gjatë këtyre viteve ai ka botuar vepra në fushë të gjuhësisë, të letërsisë, të natyrës pedagogjike, kulturore, historike e linguistike, monografi për autorë si Jeronim de Rada, Ndre Mjeda, Zef Jubani e Faik Konica, për tema të mëdha si historia e albanologjisë, e gramatologjia etj. Si e tillë veprimtaria e tij është sintetizuar nga Diana J. Kastrati, në disa fusha të dijes: “në studimet gjuhësore, posaçërisht në historinë e gjuhësisë shqiptare dhe të albanologjisë; në studimet e historisë së letërsisë shqipe, kryesisht të traditës, në studimet e kulturës së arbëreshëve të Italisë, veçanërisht të Jeronim de Radës, në studimet e bibliografisë shqiptare; në studimet e historisë së shkollës shqipe, të mendimit pedagogjik dhe të qytetërimit shqiptar” .

Një prej pasqyrave më interesante që i prinë bibliografisë së Profesor Jup Kastratit është edhe veprimtaria e tij shoqërore, kulturore e shkencore pranë institucioneve përkatëse në Shkodër, Tiranë dhe në shumë institucione shkencore e kulturore në Ballkan, Evropë, Amerikë, Azi etj. Ajo dëshmon për përmasën e reflektimit të veprës së tij në vend dhe në botë, për studimet albanologjike dhe ndërkombëtarizimin e tyre përgjithësisht, ajo dëshmon për përpjekjet e tij që studimeve albanologjike dhe qytetërimit shqiptar t’i jep një përmasë të përhershme dhe universale në botën shkencore. Anëtarësia e tij me dekada pranë institucioneve shkencore të vendit dhe të qendrave albanologjike në botë, si dhe ftesat e shumta nga institucionet shkencore dhe kulturore për të qenë anëtar i përhershëm i tyre, janë dëshmia më e mirë e pranisë së tij, sa me veprën aq edhe me personalitetin e tij në këto rrethe shkencore.

Vend të veçantë zënë të dhënat për dorëshkrimet. Ndonëse ato flasin vetëm për dorëshkrimet e përgatitura por jo edhe për dorëshkrimet e panjohura, me vëllimin e tyre prej mijëra faqesh flasin për një pasuri të madhe kërkimore, shkencore dhe intelektuale. Le të shënojmë këtu vetëm Studimet letrare (dorëshkrim në 2000 faqe), Studimet gjuhësore (1500 faqe dorëshkrim), Studimet bibliografike (2000 faqe dorëshkrim, vëllimi i parë i të cilit doli me titull Bibliografi albanistike I), Përkthime (nga latinishtja, italishtja dhe frëngjishtja, 500 faqe të daktilografuara), Veprat historiko-filologjike dhe publicistike të Jeronim de Radës (1850 faqe të daktilografuara në tre versione), Jeronim de Rada, Skanderbeku i pafanë (1240 faqe të daktilografuara) etj. Sot po t’ju referohemi botimeve të tij ndërmjet vitit 1999-2001 do të shohim se ajo ishte edhe më e madhe dhe njëkohësisht po ta kemi parasysh projektin e tij për botimin e veprave të plota në 30 vëllime, dy prej të cilave tani kanë parë dritën e botimit, do të shohim se ajo paraqet një pasuri të paçmueshme për përmbylljen e të cilës duhet një jetë njeriu.

Pjesa kryesore e bibliografisë së Jup Kastratit është përfshirë tek Bibliografia 1941-2002. Aty janë pasqyruar kontributet e Profesor Jup Kastratit në shumë fusha të dijes, të botuara nga viti 1941 deri më 2002, duke filluar me përkthimet letrare e shkencore, publicistike e divulgative, sintezave, artikujve të përgjithshëm e monografive etj. Sikur mund të shihet prej zërave bibliografikë të radhitur sipas rendit kronologjik të botimit, Profesor Jup Kastrati veprimtarinë shkencore e ka filluar si përkthyes nga italishtja e ka vazhduar si gjurmues në fushë të letërsisë (dramaturgjisë) dhe në dekadën e parë ka kulmuar si gjuhëtar.

Po të donim të bënim një krahasim groso modo ndërmjet punës shkencore të Profesor Jup Kastratit dhe Profesor Çabejt, do të mund të vërenim këto veçori të nxënësit dhe mësuesit, se: bie fjala, studimi monografik Mbi ekzistencën e diftongut në gjuhën shqipe, të cilin ai e boton në vitin 1952, nuk i mbetet asgjë mangut studimeve që në këtë kohë boton Profesor Eqrem Çabej, bie fjala studimin Fjala anë dhe grupet nd, ng në gjuhën shqipe (1942-1952); veprat e karakterit pedagogjik të Profesor Jup Kastratit “Hyrje në gjuhësi” dhe “Linguistika” e Profesor Çabejt kanë nivele të përafërta kërkimi; veprat Ë - ja atone në shqipet, “Buletin për shkencat shoqërore”, Tiranë, 1956, nr. 1, f. 228 – 255 dhe Emrat e gjymtë në gjuhën shqipe (Substantiva defectiva et abundantia), “Buletin shkencor”, Shkodër, 1968, V, 7, 201 – 234, nuk mbeten mbrapa veprës së Çabejt “Alb. Vise “Orte. Plätze und die singularisierten plurale im Albanischen (Fjala vise dhe shumëset e singularizuara në gjuhën shqipe), “Lingua Posnaniensis”, viti VII, vëll. II, f. 145-200, Poznan, 1959; viti VIII, vëll. III, f. 71-132, Poznan, 1960”, as me metodën e kërkimit as me nivelin e thellimit të dijes së re kërkimore. Dhe ndonëse rrugët e tyre ndahen: Profesor Çabej drejt një kërkimi të thelluar të etimologjisë së shqipes, por pa hequr dorë nga historia e gjuhës, ndërsa Profesor Jup Kastrati drejt një historie të albanologjie sa të rrudhur brenda kornizave të gjuhësisë po kaq të profilizuar në linguistikë, filologji, histori të letërsisë dhe bibliografi si një nga format më të fuqishme të ndërlidhjes mes tyre, parimisht që të dy do t’u mbeten besnik drejtimeve të shkollës evropiane që shënoi rezultate të shkëlqyera në albanologji, në fund të shekullit XIX dhe në gjysmën e parë të shekullit XX.

Bibliografia e veprës së tij kërkimore, kulturore dhe shkencore do të mund të pasqyrohej duke u nisur nga botimet kronologjike të tij, nga aktivitetet kulturore dhe shkencore, të cilat janë zhvilluar në nivel të qytetit të Shkodrës dhe në nivele të aktiviteteve shkencore kombëtare; duke u nisur nga fushat kryesore të studimit të tij në gjuhësi, në letërsi, në publicistikë, në përkthime, në bibliografi, në historinë e albanologjisë etj. Në të vërtetë pasqyrimi i kontributit të tij do të nënkuptonte një tipologji të fushave të studimit të veprës së tij. në fushë të gjuhësisë Profesor Jup Kastrati ka botuar sinteza (si Historia e gramatologjisë), monografi shkencore dhe didaktike (si Hyrje në gjuhës), studime shteruese (si Diftongu në gjuhën shqipe), artikuj enciklopedikë (si Gramatikat e gjuhës shqipe); në fushë të letërsisë do të fillojë me dramatikën dhe do të kulmojë me Faik Konicën e Jeronim de Radën; në fushë të monografive për personalitete të mëdha shqiptare do të fillojë me Ndre Mjedjën, Zef Jubanin, Pashko Vasën e do të kulmoj me Faik Konicën e De Radën; në fushë të bibliografisë do të fillojë me dramatikën dhe do të përfundojë me bibliografinë albanologjike; në fushë të albanologjisë do të fillojë me gjuhën e Ndre Mjedës e do të përfundoj me traktatin Histori e albanologjisë; në fushë të përgatitjes profesionale të veprave të autorëve më të mëdhenj të traditës do të fillojë me Jeronim de Radën, do të vazhdojë me Ndre Mjedjen e Zef Jubanin dhe do të kulmojë përsëri me Jeronim de Radën, pa mundur të konkretizojë një ëndërr të tij të kahmotshme për të përgatitur veprën e plotë të Faik Konicës. Pra, siç mund të shihet, edhe me Profesor Jup Kastratin do të ndodhë ajo që ka ndodhur me të gjithë shkencëtarët e mëdhenj. Do të përfundojë shumë projekte të mëdha, por do t’i mbeten pa përfunduar edhe disa të tjera të cilat, sado autori është gjallë dhe me shumë kujdes vazhdon të përcjellë rrjedhat shkencore në fushë të albanologjisë, për përfundimin e tyre do t’i duhet një jetë e tërë. Kjo do të nënkuptonte vazhdimin e punës së një asistenti të tij, të cilin për fat të keq nuk e trashëguan as paraardhësit e tij Çabej, Xhuvani etj., prandaj as Profesor Jup Kastrati, pavarësisht se Çabej dhe Kastratit kanë një fond kaq të madh dhe projekte të papërfunduara të cilat mund t’i përfundojnë vetëm asistentët, nxënës të tyre të tryezës.

Pavarësisht nga përfundimi i disa projekteve deri në fjalën e fundit dhe përgatitja për botimin e tyre, edhe sikur të mos hapte as edhe një hulli të re, Profesor Jup Kastrati zor se do të mund të merret, bie fjala me një fond të artë të materialit të mbledhur në fund të dekadës së katërt të shekullit XX në Theth, suplementin e të cilit e ka nxjerrë në një studim për gradën shkencore; me pjesën e dytë të historisë së gramatologjisë së gjuhës shqipe, që kap gjysmën e dytë të shekullit XX; me vëllimin e dytë e të tretë të bibliografisë së Skënderbeut; me vëllimin e tretë të Studimeve për De Radën, i cili në mënyrë shteruese do të merrej me studimin e veprës së tij për më shumë se një shekull; me disa rezultate të reja në fushë të historisë së albanologjisë; me një lakmi të tij të vjetër për kërkime të reja ndër arkivat e huaja evropiane e amerikane mbi Konicën; me përpunimin e epistolarit për botim, me relacionet nga më të ndryshmet për aktivitetin e tij pedagogjik e shkencor etj. Një pjesë e mirë e këtij fondi sigurisht do t’i takojë arkivit personal dhe shtetëror dhe me to gjatë do të merren historianët e kulturës, të shkencës e sidomos albanologjisë.

Bibliografia si e tillë e përgatitur me kujdes dhe me saktësi jep një pasqyrë të mirë të arritjeve të tij nga aspekti kronologjik në fushë të albanologjisë. Duke qenë studiues i thelluar dhe përcjellës i përkushtuar i rezultateve të këtyre studimeve, bibliografia e tij sjell edhe një pasqyrë të pasur të zhvillimit të studimeve albanologjike si tërësi.

11. Duke përfunduar

Sikur mund të shihet prej përmbajtjes së lëndës vepra është menduar si një tërësi bibliografish për personalitetet më të rëndësishme të dijes shqiptare, qofshin ata krijues letrarë, gjuhëtarë, studiues etj. Vepra hapet me Jeronim de Raden rilindësin më të madh dhe njëkohësisht rilindësit më të përkushtuar të Profesor Jup Kastratit në fushë të studimeve të tij dhe mbyllet me Bibliografinë e Profesor Jup Kastratit, sot studiuesi më i madh ndër të gjallët në botën shkencore të albanologjisë.

Në vepër janë radhitur njësi bibliografike nga dorëshkrimet, njësi bibliografike të botuara më parë të plota apo të botuara pjesërisht, me njësi bibliografike me anotacione, të komentuara, të zgjeruara, me njësi bibliografike për autorë e vepra dhe njësi bibliografike për autorë të tjerë për jetën dhe veprën e tyre; me njësi bibliografike për bibliografi të bibliografive, me njësi bibliografike për bibliografi tematike, kronologjike, historike etj.

Rëndësia e kësaj vepre qëndron në faktin se në këtë vëllim dhe në katër vëllimet që do t’i pasvijnë, për herë të parë botohet vepra e plotë e Profesor Jup Kastratit në fushë të bibliografisë. Për herë të parë do të krijojmë një pasqyrë të plotë të veprës së tij në këtë fushë, megjithëse me të drejtë thuhet se Profesor Jup Kastrati, më parë se sa bibliograf është studiues i letërsisë dhe përtej saj historisë së letërsisë në përgjithësi dhe letërsisë arbëreshe në veçanti; më parë se sa bibliograf është gjuhëtar-linguist, dhe përtej saj i historisë së albanologjisë në përgjithësi. Vepra e tij e plotë do të dëshmojë për qytetërimin shqiptar të shikuar nga zhvillimi i brendshëm i tij dhe nga reflektimet e dyanshme brenda dhe jashtë tij.

Prishtinë, 2003

15 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page