top of page

PRODHIMI LETRAR DHE AUTORITETI I KRITIKËS SONË LETRARE




Nga Hamdi Hysuka*


Që nga 11 shkurti i vitit 2020 sëmundja e quajtur Covid-19 është shndërruar në epidemi botërore. Kundër këtij virusi të ri akoma nuk kemi vaksinë. Ka infeksione të përmasave të mëdha, shoqëruar me humbje të shumta jete njerëzish. Për shkak të kushteve të krijuara nga kjo pandemí, Festivali Ndërkombëtar i Poezisë "Drini poetik" është reduktuar. Ftesa për të marrë pjesë në këtë sesion letrar me tematikë kritikën, botimet aktuale, veprën e hapur me përurime botimesh të reja, si dhe lirën magjike, vërtetë është hap i guximshëm. Gjithashtu manifestimi i sotëm është sakrificë intelektuale e Kryesisë së Lidhjes së Skrimtarëve të Kosovës, që do të thotë se kritika dhe botimet aktuale letraro-artistike në stadin e zhvillimit të sotëm kanë nevojë për vaksinim të modelit artistik.

* * *

Fillimisht po e përsëris se kritika letrare është degë e shkencës së letërsisë, e cila merret me vlerësimin dhe gjykimin e vlerave letrare të veprës artistike, i vlerëson hollësisht ato nga ana ideore dhe artistike në bazë të parimeve të caktuara, duke vënë në dukje anët e mira dhe anët e dobëta të tyre. Si ndërmjetësuese midis veprës letrare dhe lexuesit, ajo ka për qëllim ta zbulojë kuptimin dhe bukuritë që fshihen në veprat konkrete letrare të së tashmes e të së kaluarës, për t’u lehtësuar lexuesve kuptimin sa më të plotë dhe kënaqësinë që ndjejnë kur i lexojnë ato.

Siç dihet, objekt i kritikës letrare në një vepër të botuar është kritika stilistike, e lidhur ngushtë me stilin dhe stilistikën. Kritika stilistike mbështetet në elementet stilistike të veprës letrare, ndërsa kritika estetike veprën letrare e studion vetëm në aspektin estetik.

Kritika letrare vjen pas veprës së botuar, për të cilën ka nevojë autori, por ndihmohet dhe lexuesi. Jo një mësues letërsie, as poeti, prozatori, apo dramaturgu, sado të përgatitur profesionalisht qofshin, nuk janë në nivelin e duhur të merren me zhvillimin e kritikës letrare, të metodave të kërkimit, formave dhe zhanreve të saj. Kësaj fushe i duhet vetëm specialisti, i ashtuquajturi kritik letërsie. Them kështu sepse kritika letrare zhvillohet mbi bazat e përshtypjeve individuale të veprës së lexuar dhe mbresave, të cilat i transmeton vepra letrare. Si degë e veçantë e shkencës së letërsisë, ajo ka për detyrë ta vlerësojë vlerën e veprës letrare dhe të tregojë se ç’rëndësi ka vepra në çastin kur ajo botohet e publikohet.

Tashmë pasuria jonë letrare është letërsia shqipe që botohet në Republikën e Shqipërisë, Republikën e Kosovës, Republikën e Maqedonisë së Veriut, Republikën e Malit të Zi, letërsia arbëreshe, por dhe e diasporës. Pra, zhvillojmë letërsi të traditës dhe këtë që krijohet e botohet në ditët tona. Nuk mund të jesh kritik i suksesshëm letrar pa njohur mirë e shumë mirë shkollat dhe rrymat letrare, ndër të cilat:

romantizmin evropian të shekullit XIX në vendbanimet arbëreshe në Itali (Jeronim de Rada, Gavril Dara i Riu, Zef Serembe).

romantizmin rilindas në gjithë territorin shqipfolës,

ndikimet filozofike, fetare dhe shoqërore,

qendrën kulturore të Shkodrës, me autorët Gjergj Fishta, Ernest Koliqi, Vinçenc Prenushi etj,

simbolizmin si rrymë letrare në poezinë e Lasgush Poradecit dhe Asdrenit,

disidencën në letërsi, temën e burgut politik në Shqipëri.

temën e luftës në Kosovë me në një varg romanesh, poezish, dramash, etj

* * *

Si çdo i rritur, që duhet t’i bëjë llojet e vaksinave shëndetsore, edhe poeti, prozatori a dramaturgu ka nevojë të vaksinohet me ilaçin e recetës së këtij doktori kritik të mirëfilltë letrar. Thënë më qartë, ky lloj “vaksinimi” na mundëson të kuptojmë se kritika letrare në tërësi spjegon për ne dhe lexuesin atë që është e fshehtë dhe e ndërlikuar në veprën letrare, se cilat janë mendimet dhe idetë e shkrimtarit.

Siç ka prodhim letrar, ka dhe autoritet të kritikës letrare, që merret seriozisht me kalimin nga kritika e shijes, në kritikën si gjykim i sistemuar për veprat dhe fenomenet në letërsinë shqipe. Është kritika ajo që librin e mirë, jo të mirë ose të dobët e çmon dhe jo fjalët lavdëruese.

Mbase u zgjata, por në mungesë të kritikës ka dhe opinion letrar, amá shkrimtarëve të mirë e seriozë kritikën duhet t’u afrojmë, sepse ata e pranojnë dhe e durojnë, ngaqë në vetvete kritika letrare s’është gjë tjetër, veçse art.

Si në këtë sallë biblioteke dhe në mjedise të tjera janë promovuar e do të promovohen shumë libra, të autorëve të njohur dhe të më të rinjve, të cilat, me pak humor, shumica e tyre lindin jashtë “maternitetit”, pa “mami”. Censurë nuk ka dhe është arritje kohore, por botime pa vlerë gjejmë shumë.

Në këtë vërshim botimesh mjafton të paguajë autori, pa pretenduar se ka apo jo ushqim letrar. Kjo vërteton se sot libri i botuar është pronë vetëm e autorit. Sepse kur del në qarkullim nuk shpërndahet nëpër biblioteka a institucione arsimore, madje në shumicën e qyteteve nuk ka as librari ku lexuesi të interesohet për ta blerë. Edhe jeta artistike zhvillohet e vakët, ndoshta ngaqë ka më shumë shkrimtarë se lexues. Ndërsa takimet me autorin, ndryshe nga shumë vite më parë, mungojnë. Në pak raste ato planifikohen vetëm në një muaj, nga dymbëdhjetë që ka gjithsej viti, në muajin tetor, i quajtur muaji i letrsisë.

* * *

Natyrshëm lind pyetje: Ka letërsi pa kritikë dhe lexues a ka? Në parathënien e përmbledhjes poetike “Stinë e blertë”, me poezi të pjesëmarrësve në festivalet e poezisë “Muza Poetike Budiane” zhvilluar në Burrel të Matit, shkrimtari dhe studiuesi i mirënjohur, Gjokë Dabaj, shkruan:

“Puna kryesore është pajisja e vazhdueshme me njohuri teorike. Mund të kesh talent, mund të kesh dëshirë të madhe, por, po nuk e njohe shkencërisht mjeshtërinë, së cilës i je kushtuar, vepra jote do të mbetet gjithë jetën sprovë e thatë pasioni. Duhet ta njohësh gjuhën shqipe në të gjithë përbërësit e saj normativë, si dhe në të gjitha të folmet. Por gjuhën shqipe s’mund ta njohësh pa lexuar dhe mësuar Eqrem Çabejn, Shaban Demirajn, Idriz Ajetin, Anastas Dodin, Androkli Kostallarin, Qemal Muratin, Jorgji Gjinarin, Jani Thomain, Kolë Ashtën, Jup Kastratin... Duhet të njohësh folklorin shqiptar, por folklorin shqiptar nuk mund ta njohësh pa lexuar përditë, herë Zef Jubanin, herë Thimi Mitkon, herë Bernardin Palajn, herë Zihni Sakon, herë Qemal Haxhihasanin, herë Anton Çetën e herë Zymer Nezirin, pra pa lexuar përditë përmbledhjet folklorike që tashmë, për fat të mirë, i kemi të botuara në shumicë, por që, për fat të keq, nuk lexohen pothuaj aspak.

Duhet të njohim teorinë e letërsisë, duhet të njohim stilistikën, duhet t’i njohim metodat dhe rrymat poetike botërore. Duhet të njihen mirë, teorikisht dhe me shembuj: ritmi, rima, vargu, strofa, tropet, metaforat, krahasimet, hiperbolat, retiçencat, simbolet, alegoritë, metonimitë. Jo thjesht si emra, por edhe si përdoren të gjitha këto praktikisht në krijimtari. Dhe vetëm pasi t’i kemi lexuar e rilexuar krejt këto shkenca, me rast e pa rast, nga disa herë, palé a ia dalim t’i japim kombit tonë atë që duam t’i japim”.

Ka ardhur koha, madje është urgjente, që në stadin e zhvillimeve të sotme letraro-artistike, kritika letrare të institucionalizohet. Sepse për objekt ajo ka librin e botuar, i çdo gjinie letrare qoftë: prozë, poezi apo dramë. Jo se nuk ka kritikë letrare, por në të shumtën e rasteve ajo zevendësohet me shkrime lavdëruese. Edhe lëvdatat kanë vendin e vet, por pas kritikës letrare të specializuar që i takon autorit / autores për veprën e botuar e të promovuar: prozë qoftë, poezi apo dramë.

Në vijim çeshtja tjetër është se a lexohet ky libër, sidomos libri artistik? Pyetja mund të shtrohet dhe tjetërsoj: Cili është raporti libër-lexues? Sot për sot përgjigja e saktë është preokupim jo vetëm i krijuesve, por dhe i shoqërisë bashkëkohore në përgjithësi. Se mosleximi është bërë dukuri shqetësuese te fëmijët, te moshat më të rritura, te studentët etj.

E rëndë është ta themi, por në mungesë të librarive për të blerë libra, sidomos botimet e reja, në modë është kthyer blerja në variantin elektronik. Më saktë, vendin e librit e ka zënë interneti. Publikimet në portale thonë se fëmijët sot mesatarisht shpenzojnë 5.5 orë kohë në ditë pranë lodrave elektronike. Ndërsa vetëm 31% e studentëve që diplomohen, janë në gjendje të lexojnë një libër.

Pranojmë të gjithë, madje jemi dëshmitarë, se në shoqërinë bashkëkohore, gjëja më e mirë për njerëzit është interneti. Edhe leximi nëpërmjet ekranit të kompjuterit sot është bërë “modë”. Si përfundim, pa rënë në pesimizëm, letërsisë sonë i mungon kritika e mirëfilltë letrare. Dhe ka një dëshprim kulturor të krijuesve të sotëm, të cilët presin një përmbysje të madhe.


Referat i mbajtur në Sesioni Letrar "Kritika letrare dhe botimet aktuale”


*kryetar i Klubit të Shkrimtarëve dhe

Artistëve “Pjetër Budi” Mat, Shqipëri.

Prishtinë, më 30.11.2020




72 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page