Prele Milani: DORA E NGROHTË E DUKAGJINIT!
- 1 day ago
- 4 min read

Për 23 vite histori dhe mirësi Shoqata Atdhetare “Dukagjini”
Prele MILANI
Shoqata Atdhetare “Dukagjini” 23 motesh sa një vashë hirplote një kryefjalë suksesi e shkruar në pergamen në mënyrë shumë korrekte. Krejt e ndryshme nga tufa larushane e shoqatave grepujë, Shoqata Atdhetare “Dukagjini” ka falë me të dyja duart, dashuri, dije, kulturë dhe mirësi për atlasin e vet të shtrenjtë.
Shoqata dhe gazeta me të njëjtin emër janë shenjëza më e rëndësishme kulturore në historinë e moçme dhe të re të Dukagjinit. Shoqata Atdhetare “Dukagjini” nuk synonte të behej një konglomerat rrumpallë për të treguar muskuj pa ide apo parime të tjera veç devizës "Dukagjin dashnia eme". Në shoqatën Atdhetare “Dukagjini” u vetë afruan intelektualet idealist jo për të recituar citate dashurie, as kënduar rapsodi heroike për të kaluarën tone homerike, por vullnetarë që kishin dashurin për vendin e vet do të tregonin me pune jo vetëm më fjalë të bukura.
Qebesa sot pas 23 vitesh kjo shoqatë ka aq shumëçka për të treguar sa duhen fashikuj për t'i renditur. Por e thënë shkurt e sak: "Dada" ja ka zbardhur faqen vetës, Dukagjinit dhe kulturës se tij të kultivuar. Kush nuk e sheh dhe nuk e ka konstatuar këtë fakt nuk është as me shumë as me pak veçse një cinik i verbuar.
Shoqata 23 vjeçe Atdhetare “Dukagjini”, në ketë maratonë të gjatë me pengesa, pati e do të ketë bashkudhëtarë dhe bashkëpunëtorë dukagjinasit dhe dukagjinaset më të mirë të gjeneratave të sotme, por gjeneratave historike që pushojnë dritën e amshuar. Kurrfarë problemi nuk ka pas për ne bindja politike e as një anëtari qe më parë e më shumë do Dukagjinin se partinë! Kurrfarë problemi nuk ka pas përkatësia, krahinore nga vjen e as një anëtari që do më shumë Dukagjinin, se egon fisnore te krahinës së tij. Kurrfarë e keqeje nuk i ka ardhur Shoqatës Atdhetare “Dukagjin” nga mos drejtimi i saj sipas rendit hierarki otomanist (ish bajraqeve), përkundrazi kjo ka qenë një nga pikat tona më forta të stabilitetit dhe kohezionit pa grindje, individualizma dhe egoizma inatçare.
Puna dhe kontributi human i shoqatës sonë edhe mosbesuesit më të thekur të saj i bindi të ndryshojnë mëndim. Edhe dashakëqijtë që nuk e donin më se urthi dritën, i zbuti duke i nxjerrë të penduar nga llogore i armiqësisë. Shoqata Atdhetare “Dukagjini” ka jo pak kundërshtarë, por nuk ka armiq, kjo tregon shëndetin dhe vitalitetin e saj. Krijuesit, poetet publicistët shkrimtaret dukagjinas kanë shkruar e po shkruajnë një faqe të re të historinë e kulturës sonë bashkëkohore.
Mirënjohje dhe respekt pa kufi lexueseve tanë!
Ndjesë nëse edhe ju kemi zhgënjyer me shkrimet tona, por nuk ja vlen të humbasim as një sekondë kohë më ata për të cilët ka më rendësi një putir raki se gazeta “Dukagjini”. Nuk ja vlen të shqetësohemi hiç as me ata kritik kafenesh, që nuk kanë lexuar kurrë një libër në jetën e tyre veç më shumë jo se po teksteve të detyruar shkollore. Ka ende disa Donkishot që na quajnë shoqate komuniste, madje nga ky kor tifozësh ka nga ata qe janë njerëz te mire, familjarë të mirë, me katandi, por që për Dukagjini nuk kanë bërë as një gjë, veç paralajmërimit "gjenial". "Dukagjin ruaju nga rreziku komunist i shoqatës Atdhetare Dukagjini!" Ju lumtë vazhdoni t'i bini fyellit në një vrimë! Melodia juaj vajtuese na ka vlejtur shumë të mos vetëkënaqemi dhe të punojmë më fort. Hakmarrja e vetme e jonë ndaj jush është vetë përmirësimi ynë në çdo hap. Ju "martir" të gjallë të luftës më gogolin po ua them troç nëse nuk e dini: Se qysh se u përmbys Rendi i Bashkësisë Primitive me lindjen e pa barazisë klasore, komunizmi vdiq.
U përpoq Jezu Krishti të sillte një botë të drejte e të barabarte dhe e varën në Kryq. As një komunist tjetër mbi dhe nuk ka pasur kurrë më. Unë do doja një Botë ideale komuniste pa klasa e luftë, pa dhunë e pabarazi shoqërore dhe me mirëqenie të përbotshme.
Ju lutëm mos na bëni një nderë kaq të madh sa dhe të pa arritshëm. Një nga bekimet tona më të shenjta ka qenë mos bërja vegël politike e askujt.
Nuk jemi të pa gabueshëm, por jemi e do jemi gjithmonë dora e ngrohte e Dukagjinit. As një parti sot, as pari kah mot nuk kanë bërë për Dukagjinin sa kjo shoqate tash 23 vjet. As një deputet për veç historikut Prof Kole Prela nuk ka bëre për Dukagjinin sa Kryetari i kësaj shoqate Ndue Sanaj. Ky është një fakt dhe jo sentimet i thënë nga një njeri që i ka me pikatore autolevdatat dhe për ketë jam në gjendje të debatoj me këdo që nuk mendon kështu.
Një here me tha një mik çfarë keni bërë për të varfrit?!
Ne nuk jem shoqate që shpërndajmë rroba as makarona, misioni ynë është të luftojmë dhemb për dhemb varfërinë shpirtërore, që është ulur këmbëkryq sidomos në zemrat e barkfryrëve. Ne jemi përpjekur të kultivojmë dashuri për librin, kulturën, për njeri tjetrin, për njerëzit që mendojnë ndryshe nga ne dhe për te tjerët qe besojnë ndrysh. Detyra jonë është të edukojmë rritjen përgjegjshmërisë në vlerësimin dhe nderimin e historisë dhe atdhetarisë së vërtetë.
Shoqata Atdhetare “Dukagjini” është e do të mbetet shoqata e pa thyer në luftën kudër çdo diskriminimi që i behet Dukagjinit nga kush sado i fuqishëm e dinak që jetë.
Shoqata Atdhetare “Dukagjini” do vijë pa kompromis luftën kundër veseve arkaike të së shkuarës dhe shpërfytyrimeve të pa përgjegjshme të së sotmes. Arroganca, mendjemadhësia, fudullëku, egoizmi deri në urrejtje, lufta egër brenda llojit, kokëfortësia, kacafytja me kacaturre, individualizmi, kulti verbër, politik fisnor janë armiqtë më pa të pajtueshëm të Dukagjinit dhe çdo bashkësie, familje apo individi shqiptarë mbartës i tyre.
Shekullofsh Shoqata Atdhetare “Dukagjini” ballë djersitur e mendje ndritur në misionin tënd!








Comments