PRAG PELERINA
(Lirika Dimri)
Nga Fatmir Terziu
I.
Mëngët e reve gjysëm fryrë
shtrydhnin lëng syve të tu,
pija ethshëm si një bilbil
e flladi dehej mbi musht gjithashtu…
II.
Krihej vreshti që unë preka,
poshtë livalli bënte zhurmë,
koha mekej aty tek porta
yjet vinin botën në gjumë.
III.
Një gjerdan seç ndriti qafës,
pikë e nur u bënë bashkë,
mendja nuk i bindet natës,
pëlcet në zjarr si shashkë.
IV.
Ndez zjarrin në sy retina
nëpër ëndrra që bëhen libër
nuk besojnë sytë se ti je stina,
që ne të quajmë Dimër.
V.
Trupi epshet zjarr në bardhësi
prushi digjet si në mangall
nuk po zhvishesh për mua ti,
por për krejt botën vërdallë?
VI.
Ëndrra nuk qenka si skenar,
kur afron prag pelerina
qoftë gjithësesi e mbarë,
po ti je thjesht vetëm stina.
VII.
Stinë si ty ka pas në shekuj
kopshtit ku u mboll borzilok
me ty bota është thekur,
ndaj nuk ndjen më të ftohtë.
VIII.
Por kur të ripashë në një mal
mbledhur trupin si tulipan
shkrinte mbi ty borë e bardhë,
e unë, …unë mbeta pa fjalë.
IX.
Kështu më duhej të hapja fjalorin
të gjeja shpëtim këtë rast,
po në shfletim ndjeva korin,
e dashurisë nën çarçaf të bardhë.
X.
Ishte shkruar prej shumë shekujsh
ndaj dhe fjalët ishin firuar,
që kur u ngritën stane lepujsh
edhe ëndrrat janë shëmtuar.
XI.
Në këto ëndrra bota është një fije
vesh më vesh e sy më sy,
dikur zgjohej dimri me britma borije,
tani me të qara si fëmijë.
XII:
Ku ike ëndërr e lashtë ku u trete
kush të gëlltiti për dashuri,
mos ndoshta o Mete për vete,
ka ardhur kohërave nga kjo risi?
XIII.
Tani më thuaj çfarë është stina?
A ka pasur dimër në dashuri,
apo gjithnjë i ka mbuluar pelerina,
ato që bota i ka strukur me sy?
XIV.
Shoh retë të vijnë lodhur këtë stinë,
derdhen poreve të trupit si nëpër vena,
e lexojnë ngeshëm nëpër qiell poezinë,
por dashurinë e mbajnë fort aty brenda…
XV.
Nuk e di nëse e ka harruar Omer Khajam
ndoshta vetë e ka gëlltitur fjalën,
prag Pelerina ishte një dashuri më pranë,
më shpëtoi duke humbur natën.
Komentarai