top of page

PORTRETI



TREGIM NGA MYSLIM MASKA

Dimri qe i egër e i hidhur. Me shumë mundime arritëm me së fundi në majën e një kodre që, po të mos ishte mali sipër saj, mund të quhej mal. Aty vendosëm të shlodheshim. Zumë një vend që nuk na rrihte era dhe u ulëm mbi shkarpa që pak më parë i shkundëm nga bora. Shkëmbyem nga një cigar “partizani”. Na kishin ngelur për të bërë dhe nja dy orë rrugë. Rrugë pa rrugë nëpër borë dhe me një pjerrësi që të merrte shpirtin. Natyrisht do e kishim të vështirë për të dalluar “prishjen tektonike” për të cilën dyshonim, për shkak të dëborës së madhe, megjithatë kampione do merrnim patjetër, përndryshe rezultatet e punimeve tona do të shtyheshin disa muaj. Të ndodhte një gjë e tillë, në një kohë kur për punonjësit e naftës dyshohej për punë sabotuese, ishte vetasgjesim. Këtë gjë e dinte shumë mirë secili nga ne, pavarësisht se s’mund t’ia shprehnim njëri- tjetrit.

Kolegu im qe gjeolog i zoti, me përvojë e me talent. Nuk isha i vetmi që e nderoja. Ai e kishte rilevuar disa vjet më parë këtë zonë dhe kish dalluar “prishjen” ,por, para se materiali studimor të mbrohej në këshillin shkencor, prania e saj duhej të saktësohej përfundimisht.

Ndieja lodhje! Këmbët sikur po më trasheshin dhe mpiheshin. Gishtat e duarve, edhe pse me dorashka, më ishin mpirë. Ç’ t’i bësh, kështu është pua e gjeologut. Do ecësh nëpër shkrepa dhe rrugë pa rrugë si dhi e egër, ndërsa makina ecën bosh asfaltit dhe del e të pret atje ku i thua ti.

Çuditesha me Ivonin, të fejuarën e Spiros. Ajo mbahej ende mirë. Ivoni ish rreth njëzetë e pesë vjeçe. Kishim mbaruar bashkë fakultetin. Si vajzë qyteti dhe e vetme, ish disi e llastuar dhe e përkëdhelur. Kish një shtat mesatar e të pakët. Flokët e zinj e të lëshuar i binin në të dy anët e supeve. Sytë i kishte të bukur e me bisht, me qerpikë të gjatë. Hundën e vogël. Shkurt qe tërheqëse. Këto po mendoja kur Spirua befas nisi të këndonte:

Lërmë të zë pakëz te gishti

Pa le të më dalë shpirti…

- Merre gjithë dorën- vetëm ajo hata të mos na ndodhë, - e ndërpreu Ivoni

- Merre të tërën fundja, Ivoni s’besoj të kundërshtoj - thashë unë.

- Përkundrazi! – do ishte një gjë shumë e bukur, sidomos në këtë dëborë e në këtë të përpjetme, se me të vërtetë mezi po eci –tha Ivoni duke qeshur dhe, sikur të kërkonte aprovim, ktheu kokën nga unë.

Për çudi, sytë e saj të bukur e të njomë, m’u dukën si para pesë gjashtë vjetësh kur ishim në fakultet. Unë e kisha parë nga afër fytyrën e saj, kur ishte edhe më e njomë e më e freskët.

Por jeta paska rrjedhën e vet…

Gjatë kohës që vazhdoja fakultetin ishim hollë nga gjendja ekonomike. Në pushimet verore, me ndihmën e një miku të babait, futesha në punë në fermë. Prisja dru e shkarpa për të djegur gëlqere. Atë ditë kisha radhën për të shtyrë shkarpat në derën e furrës. U shëmb muri i jashtëm e më zuri. Shpëtova për mrekulli, por humba dritën e njërit sy. Askush nuk dinte gjë që unë me Ivonin duheshim. Gjeta mënyrën dhe e njoftova duke ruajtur sekretin. Gjatë dy muajve që isha në spital më erdhi vetëm një herë. Dukej mjaftë e shqetësuar. Kujtova se kjo ishte një dhëmbje për fatkeqësinë tonë. As që mund ta mendoja që ky qe vetëm një shqetësim për fatkeqësinë e saj. Sidoqoftë, koha kishte ecur. Plaga kishte zënë zënë kore. Që Ivoni do fejohej e do martohej, kjo ishte një gjë krejt normale, po pse pikërisht aty, ku ajo e dinte që punoja unë? Kjo më dukej si një farë hakmarrje, si një kapriçio. Dhe s’kishte asnjë shkak. Për këtë ndieja një urrejtje të fshehtë për të. Sidoqoftë më bëhej qejfi nëse Ivoni me Spiron duheshin me të vërtetë. Në fund të fundit secili e zgjedh jetën ashtu siç e gjykon.

Për një çerek ore mbërrijmë – i thashë Spiros, sa për t’u larguar nga këto mendime.

Shtëpia e piktorit, djalit të tezes sime, gjendej rrëzë malit.

Një javë më parë e njoftova me telegram.

Në qëndrën e fshatit, tek çezma që kishte gati një gur mulliri ujë, takuam një djalë rreth dhjetë- dymbëdhjetë vjeç. Flokët i kish kaçurrel dhe sytë jeshil, tamam si ngjyra e halave të pishave. Kishte veshur një peliçe të vjetër, që patjetër ishte e të atit dhe çizme llastiku nga ato të N.I.SH. Gomës së Durrësit. Në dorën e djathtë kishte nja shtatë a tetë mullënja, që i kishte zënë me gracka, ndërsa në dorën e majtë mbante një mullënjë të gjallë, nga sqepi i verdhë i së cilës dilnin parreshtur britma revolte.

- paskeni dalë mirë sot – i tha Spirua

- jo dhe keq – u përgjegj djali si me mburrje.

-Vasili është në shtëpi?- e pyeta unë.

-Po, po, aty është. – Ju jeni ata gjeologët, miqtë e presor Vasilit?

- Ne jemi – thashë unë ngadalë duke pohuar edhe me kokë.

- Aje ishte im atë në drekë. I theri një sheleg. Presor Vasili nuk i ther dot, i vjen keq. Unë e kam parë që qan edhe kur sheh një gjë të bukur.

- Vetëm zjarri duhet tani në dimër dhe bukë e kripë – tha Ivoni.

-Ku ka të ftohtë ka dhe zjarr – thotë fizika, pastaj … jeni dhe miq të paardhur…

-Të thake piten zotrote – tha Spirua me shumë dashuri, duke u befasuar nga përgjigjia e tij dhe i rrahu shpatullat.

Mbas kësaj Ivoni sesi ia mbushi mëndjen djaloshit dhe ia rrëmbeu mullënjën e gjallë.

-Ç’janë këto gratë – tha Spirua me shpoti. Të mos ketë tjetri dhe një kukuvajkë, se patjetër duan ta bëjnë të tyren…

Pa u kuptuar djali po na udhëhiqte për në shtëpinë e Vasilit, megjithëse unë e dija. Kisha qenë dhjetra herë. Tek porta djali u kthye. Unë hyra i pari, pas meje Spirua. Vasili atë çast doli nga shtëpia.

-Mirë se erdhët! Kam qysh në drekë që po ju pres – tha Vasili duke u afruar nxitimthi. Mbasi u çmall me mua, e njoha me Spiron dhe të fejuarën e tij, Ivonin. S’di pse Vasili u hutua kur pa Ivonin. Shtangia e tij më ra në sy e më bëri përshtypje të madhe. E vështrova vjedhurazi Ivonin. Edhe ajo me vështroi ndoshta për të konstatuar diçka. S’po merrja vesh. Ivoni m’u duk shumë e tronditur… mbërthente

dhe zbërthente komçën e pellushit. Mbasi u ndërruam ashtu si mundëm, u futëm në dhomën e mirë. Dhoma ishte e bollshme, e ngrohtë dhe e mobiluar thjeshtë. Gjithçka ishte vënë atje ku duhej. Akoma pa u përshëndetur mirë, e shoqja e piktorit nxori tabakanë me raki e kafe.

-Në turizmin e Fierit duhet të presësh të paktën nje gjysmë ore pa të të sjellin kafe,- i thashë shokut tim gjeolog, Spiros.

-Edhe më keq, pret një gjysmë ore dhe pa të keq të thonë: - mbaroi kafja – shtoi Ivoni.

Spirua po i ndizte cigaret njëri pas tjetrit dhe rrinte si mbi gjëmba.

Ndoshta i ka rënë në sy skena e mëparshme, thashë me vete duke rrufitur mengadalë kafenë. Vasili tani ishte gjallëruar dhe me shumë perzëmërsi shikonte Ivonin dhe pastaj hidhte sytë në qoshen e dhomës mbrapa meje.

Instiktivisht ktheva kokën. Ç’të shihja! Sa s’më ra pika: në mur ishte varur portreti i Ivonit. Fërkova sytë, por portreti s’lëvizi që s’lëvizi nga vendi. Torturonjës dhe i pamëshirshëm qëndronte atje. “ Po kjo ç’do këtu?” Po ata sy , po ai vështrim. I njëjti ballë, të njëjtat buzë, e njëjta qafë e gjatë bardhoshe si qafë mjelme. Vetëm se aty në portret Ivoni dukej e dëshpëruar, e munduar, sikur portreti qe bërë në një moment tragjik.

Ç’të jetë kjo kështu?- pyeta veten. Ç’të jetë? S’po marr vesh gjësendi. Mos vallë Ivoni ka pozuar kur u nda nga unë? Sa mirë që u ndamë! Po kjo kështu ta ketë kaluar rininë, lërë një e zërë një…Po më vinte jashtëzakonisht keq për Spiron! Ç’e detyroi xhanëm të martohej me Spiron? Po me Vasilin në fakultet është njohur? Kaq poshtë të ketë rënë vërtet?

-Ç’femër e poshtër! – thashë me vete. Po ky maskara përse s’na çon në dhomën tjetër- thashë për piktor Vasilin, djalin e tezes sime. Të paktën gjysma e së keqes. Në një rast tjetër s’do të kisha aspak të drejtë. Të pozosh është një gjë krejt normale. Por me Ivonin është ndryshe, gjersa e njihja aq mirë…

Pllakosi një heshtje varri. Të gjithë qemë gati të grindeshim me njëri- tjetrin, me përjashtim të Vasilit që dukej i gëzuar tek i vinte dru zjarrit në oxhak. Po më zihej fryma. E shoqja e piktorit, sa herë që vinte në dhomë, buzëqeshte duke parë nga Ivoni. Unë e kam fajin ,unë. Ta hajë dreqi ta hajë! Nga vajta e i solla këtu. Po kjo ç’më buzëqesh kështu si idiote? Thashë me vete për Shpresën, të shoqen e Vasilit. Ndoshta kështu e shpreh urrejtjen dhe xhelozinë – më shkoi ndërmend pas pak. Fundja do i thosha Vasilit të hiqte portretin, ose të na çonte nga dhoma tjetër. Kështu nuk durohej, nuk durohej!

-Shumë vapë – thashë duke u drejtuar jo pa qëllim nga Ivoni.

-E padurueshme – u përgjegj Spirua duke parë nga Ivoni me nervozizëm e urrejtje.

Në këtë kohë Vasili na propozoi të vizitonim ekspozitën e tij personale, sa të shtrohej darka.

-Shyqyr – thashë me vete tek pashë që të gjithë u ngritën me kënaqësi.

Ivoni krejt pa dëshirë qëndroi të ndihmonte Shpresën.Të paktën kështu m’u duk mua në atë moment.

-Apo fundja e shohim më mirë nesër. Edhe ndriçimi është natyral – ndërroi mendje piktor Vasili. Dalim pak në oborr. Borë nuk bie. As erë nuk fryn.

Vërtet, jashtë koha ishte e qetë. Tek – tuk, kur griseshin retë dukeshin yjet si pika gjaku të ngrira. Ato dhjetë minuta i kaluam pothuaj në heshtje. Të zhytur në botën tonë kënaqeshim me zhurmën e kristaleve të borës që kërcisnin nën këmbët tona. Pas një zagushie shpirtërore ishte e domosdoshme një çlodhje e tillë, aq më tepër kur të gjitha rrugët e bisedave ishin prerë. Që t’i ndriçosh dhe t’i ngrohësh të tjerët, duhet ta kesh diellin brënda vetes- më shkoi nëpër mend. Por brënda meje, që e quaja veten shkaktar të kësaj situate, kishte rënë ngrica. Vetëm se me vullnet po përpiqesha të ruaja ekuilibrin.

-Urdhëroni brënda, tavolina është gati – m’i ndërpreu mendimet zëri i ndrojtur i Shpresës.

U drodha i tëri kur mendova se duhej të rrinim disa orë në një gjëndje të tillë. Pastaj rakia…dhe gjatë rakisë kushedi se ç’mund të ndodhte. Kishte vetëm një zgjidhje: s’duhej të futeshim në atë dhomë ose duhej të hiqej portreti. Dhe këtë çështje duhej ta zgjidhja patjetër unë.

Sapo Spirua u fut në dhomën e mirë, unë e zura për krahu në mënyrë kaq të befasishme Vasilin, saqë ky u trëmb.

-Vasil, sikur të rrinim këtej nga dhoma tjetër ose sikur të hiqni atë…dhe unë tregova me gisht portretin. Se ju e kuptoni… Kështu do rrimë si gurë varresh…

- Si? – pyeti Vasili mjaft i çuditur!...- Si thatë? – Të heq portretin? Portretin? – përsëriti. – Po pse ta heq, kur unë e di si e kam bërë. Sinqerisht s’po të kuptoj, - tha me zë të ulët por tepër i shqetësuar - Të më falësh Vasil, të më falësh – thashë unë pothuajse instiktivisht, kur vura re nervozizmin e tij.

- Djall o punë! Lufton të dalësh e dreqi të tërheq më thellë – murmurita me vete.

Të gjithë ishin mbledhur rreth Vasilit.

-Ç’ndodhi? – pyeti Spirua tepër i alarmuar.

-Asgjë, asgjë, thjesht një sqarim,- ndërhyra unë.

-Sidoqoftë ju s’keni faj, - tha Vasili pas pak. Asnjëri nga ne nuk ka faj. Ndoshta kjo qe një rastësi, një rastësi e çuditshme. Hëm! Kini të drejtë. Kështu nuk vazhdohet. Mirë e përcaktuat ju : do rrimë si gurë varresh – tha duke u drejtuar nga unë. Ndaj jam i detyruar… megjithëse ky ishte një sekret që më përkiste vetëm mua, por hyjnë që hyjnë në jetën e tjetrit. Nejse. Urdhëroni.

Zumë vëndet.

-Gëzuar, mirë se erdhët – tha Vasili duke takuar gotat tona dhe e ktheu gotën njëherëshi. Rakia ishte e fortë, rreth njëzetë gradë.

-Nuk e di - vazhdoi piktori, nuk e di nëse ju ka ndodhur ndonjëherë të kini një dhimbje të madhe. Një dhimbje të madhe, që të huton e të bënë të flasësh me vete rrugës…në mes të njerëzve, për një njeri të dashur që të ka ikur përgjithmonë. S’e di nëse e keni provuar atë ndjenjë të fuqishme malli. Atë ndjenjë pëvëluese që të ndez, të flakëron e të bën dritë. A s’kini menduar shpesh e shpesh për të? Bile edhe në mes të ditës, a nuk i kini mbyllur sytë e i keni shtrënguar fort, për të ringritur të gjallë në përfytyrimin tuaj, vizionin e tij? Dhe pastaj, të bëhet se e ke pranë, lëviz nëpër dhomë pranë teje, të sheh e të buzëqesh, të bëhet se i ndien frymëmarrjen, fëshfëritjen e rrobave… Dhe pastaj, kur hap sytë, vizioni i tij vazhdon të mbetet i projektuar në hapsirë e gradualisht se ku fshihet për t’u rishfaqur përsëri në fantazinë tënde, pas kaq e kaq muajsh a vitesh, por këtë radhë në gjumë, në ëndërr dhe ti provon ca çaste të bukura, të papërsëritshme, të lumtura. Dhe këtu s’ka asgjë mistike, gjersa njeriu është po aq i madh, po aq i pafund sa dhe vet universi. Po! Njeriu është një univers. Kështu mund të shpjegohet, - tha piktor Vasili dhe ngriti gotën me dorën që i dridhej.

Kështu ndodhi me mua, afërsisht kështu. Kisha shumë e shumë kohë që s’e kisha parë. Qysh atëherë kur isha pesë – gjashtë vjeç. Më kishte marrë malli. Më kishte marrë malli shumë. Gjatë ditëve të dasmës sime mendoja e mendoja për të. Sa e gëzuar do ishte ta kisha aty. Njeriu e vlerëson saktë gjithçka,vetëm e vetëm atëherë kur i mungon. Dhe ja, krejt pa pritur, ajo erdhi të më shihte, të zbuste dhimbjen time, të çmalleshim.

Unë po nervozohesha. Nuk po kuptoja se ç’thoshte. Po më dukej dhe i pacipë, dhe

i lajthitur. Vërtet Ivoni mund të qe e tillë, po ky, Në vend t’i hedh ujë, po i hedh benzinë zjarrit., thashë me vete duke parë nga Spirua. Spiron s’e mbante vendi.

-Dhe ishte një natë e bukur e transparente, vazhdoi piktori. Tamam si nata e dasmës. Nuk e di sa ishte ora, por nëpër gjumë ndjeva të trokitura në derë. Ndoshta era tundte degën e pishës pas mureve të shtëpisë. Ndoshta. Nuk e di. Ishte duke u gdhirë e hënë. Kujtova se më bënë veshët dhe nga kjo më mori gjumi. Pas pak kohe ndjeva përsëri të trokitura. Doja t’i hapja sytë, por s’mundja. Pastaj ndjeva ca hapa të lehtë, sikur dikush ecte në majë të gishtave. Ndjeva dhe një fëshfërimë, si një

fëshfërimë fustani. Kujtova mos qe ime shoqe… Zgjata dorën, Shpresa flinte pranë meje. Për një çast pashë dritë dhe hijet e pishave që lëviznin në muret e dhomës nga drita e hënës dhe transparenca e borës, u zhdukën. Mundohesha të hapja sytë, por s’i hapja dot. Qepallat i kisha të rënda si zhivë. Doja të thërrisja e s’thërrisja dot. Sikur dikush më kishte vjedhur zërin. Unë isha zgjuar, të më besoni që isha zgjuar, por si i mbërthyer në shtrat. Ç’të ishte? Kush qe ky që afrohej në majë të gishtave? Zemra më rrihte me forcë. Truri m’i urdhëronte gjymtyrët, por me sa dukej, mendimi s’arrinte, gjersa gjymtyrët s’lëviznin.

Ne dëgjonim pa marrë frymë dhe s’po merrnim vesh se ku do dilte. Spiros po i digjej cigarja në dorë. Dukej i shqetësuar. Ivoni kish mbështetur kokën në të dyja duart dhe me ata sytë e bukur e kureshtarë, mundohej të rrëmbente sa më parë “sekretin”. Ishim si në ethe, aqsa kur piktor Vasili ngriti gotën e tha : “ gëzuar”! – Ivoni u hodh përpjetë e trëmbur.

-Po, po,kështu ndodhi tamam – vazhdoi Vasili pa i ndarë sytë nga Ivoni. Për të harruar mbase harroj diçka, por për të shtuar nuk shtoj asgjë.

Nuk di të them sa kohë qëndroi ashtu në këmbë, duke parë rreth e qark. Pastaj erdhi drejt meje dhe u ul tek cepi i krevatit, zgjati dorën e më perkëdheli flokët. Më puthi ballin, sytë, më mori erë si atëherë… Diç më tha, diçka si urim. Ashtu lehtë e lehtë, si hije, si vegim i stisur nga mendja, dhe jo si një qenie reale, kaloi nga ana tjetër e krevatit. U përkul mbi time shoqe, Shpresën, dhe e puthi. Se ç’mundim njerëzor, se ç’torturë shpirtërore kisha, s’ua them dot. E si mund të rrëfehet shpirti ? Ja më së fundi një dhimbje e lehtë ma përshkoi trupin. Një farë turbullimi, një marramendje përhumbëse dhe pas pak memorja m’u khtjellua. M’u kthjellua vështrimi dhe unë e pashë… E pashë të gjallë. Rrinte në këmbë ja, aty në qoshe, poshtë portretit, me sy të përlotur që i shkëlqenin. E rrudhur para kohe nga mundimi. Ja shikojani ato rrudhat e vockla. E njoha menjëherë. Ajo ishte dhe s’e lunate topi. Çuditërisht gjymtyrët po më shpiheshin. U ngrita rrëmbimthi dhe shkova ta përqafoja, të çmallesha. Por kur iu afrova, ajo m’u zhduk. Një derë u hap dhe u mbyll tek faqja e murit përballë dhe e pashë që doli jashtë.Vrapova si i marrë dhe dola në oborr. E pashë përsëri. Ktheu kokën nga unë, më buzëqeshi me ëmbëlsi dhe duke më tundur dorën se si u tret e u bë një me hijet e asaj nate tejet të bardhë e qumështore. Për një çast e humba. Sytë m’u mbushën me lot dhe trupi po më dridhej. Për pak kohë qëndrova ashtu, si një mumje që i kanë marrë shpirtin. Shikoja majtas e djathtas në hapsirë, duke iu lutur zotit, që vegimi të më rishfaqej; edhe pse e kisha të gjallë para syve. Ndoshta ai qe futur Brenda sistemit tim nervor dhe priste që unë ta përjetësoja. Pas kësaj u ktheva duke vrapuar si i marrë. Mora telajon, penelin dhe fillova punën. Punoja pa marrë frymë. Dora më ecte vetë. Edhe ngjyrat sikur m’i përgatiste dikush. Asnjëherë s’kisha punuar me kaq lehtësi.Hidhja gjithçka, gjithçka edhe një njollëz të vogël, që mezi dallohej në fytyrën e saj. Edhe rrudhëzat e imta, edhe gropëzën e vogël të mjekrës; aty edhe pushin e imët në buzën e sipërme. Edhe shpirtbutësinë edhe vështrimin e ëmbël. Nxitoja se trëmbesha, mos e gjithë kjo ishte ëndërr e nga çasti në çast mos më ikte e më tretej tutje në hapsirën e pafundme të mbushur me zëra nate. Ndoshta kishte filluar të binte dita, kur e përfundova. E kisha të gjallë para syve. Atë ditë nuk vajta në shkollë. Për javë të tëra jetova me këtë vegim.

Mbas nja dhjetë ditësh më erdhi tezja. Nëna jote, tha duke m’u drejtuar mua. Sa e pa portretin nxori një britmë habie:

-Uaa! – Ana! Mirë se erdhe të keqen motra. Sa më kishte marrë malli. Më kishte marrë malli shumë. Njëzetë vjet nuk janë pak, njëzetë vjet pa u parë. Ashtu e përlotur hapi krahët dhe e shtrëngoi fort në gjoks. Foli gjatë me të…

Kur u qetësua më pyeti:

-Po si e bëre more bir?- ja kështu ka qënë Ana. Tamam kështu. Shpirtbehar. E mirë. E bukur. Yll. Ne s’lamë vend pa kërkuar dhe s’gjetëm e s’gjetëm një fotografi të saj. Ishe gjashtë vjeç atëherë. Mezi të shkëputëm prej gjoksit të Anës. Muaj më pas ti trëmbeshe në gjumë. E shihje në ëndrra , qaje.

-Ja kështu – më tha tezja. Kështu më thanë edhe plaka e pleq të fshatit, moshatarë të nënës sime. Ndërsa kur erdhët ju, kur pashë- dhe piktori bëri me kokë nga Ivoni, - thashë se mos përsëri… Të them të drejtën, u trëmba se mos nuk isha mirë. U trëmba se mos kisha ndonjë ezaurim nervor, - se vërtet Ivoni ngjan shumë me të dhe unë s’e kam parë kurrë Ivonin.

Trupi i dridhej. Qe zverdhur. Spirua dhe Ivoni dukeshin si të shastisur. Megjithëse Vasili s’kishte orë mësimi të hënën – ndërhyri Shpresa, - kur i thashë drejtorit se kishte një punim në dorë, ndaj nuk erdhi, ai u xhindos:

-Ç’më duhen mua punimet edhe gjeniale qofshin. Unë e dua Vasilin të jetë këtu në shkollë.

-Megjithatë unë nuk shkova në shkollë as ditën tjetër – tha Vasili. Isha akoma në ethet e krijimit. Qëndrova të bisedoja e çmallesha me portretin, me nënën time. A ka qenë kështu nëna ime? Ndoshta po, gjersa shumë e shumë e njohën. Por edhe nëse jo, kjo s’kish fare rëndësi, gjersa ajo m’u shfaq kështu. Gjersa kështu e përfytyroja e kështu qe ngulitur në kujtesën time imazhi i saj.

-Të pijmë për portretin, për kujtimin e nënës tënde dhe tezes sime – thashë unë dhe ngrita gotën. Dhe të më falësh, njëqind herë të më falësh.

-Shëndetin e dytë për Ivonin – për shembëllimin e nënës sime, - tha piktor Vasili, megjithëse Ivoni edhe për pak desh na futi në sherr, - vazhdoi duke qeshur.

-Sa i matur duhet të jetë njeriu – thashë duke iu drejtuar Spiros

-Me siguri matematike menduat keq për mua – tha Ivoni dhe pa, jo pa qortim, nga unë dhe nga Spirua.

-Jooo, jo – gënjeva unë dhe më erdhi turp që gënjeva.

Pastaj, vazhduam të pijmë shumë e shumë shëndete. Gjatë kësaj kohe, s’di pse më dukej se kisha lexuar a kisha dëgjuar diçka të ngjajshme për një piktor të madh. Edhe ai kështu e kishte bërë portretin e nënës së tij. Mbase qe Leonardo davinçi, mbase Rafaeli, mbase Goja a Rembrandi… Mbase ashtu më dukej mua dhe sot e dëgjoja për herë të parë. Fundja ç’rëndësi kishte kjo, gjersa unë e kisha aty përballë meje talentin gjenial dhe perlën e tij, që vezullonte në mur…


3 comentarios


mich.maska
03 feb 2021

Te nderuar miq: z. Athanasiu dhe z. Gjergji! Falnderimet e mia te perzemerta, te sinqerta,

per angazhimin, dhe analizen esenciale per tregimin tim "PORTRETI" ne komentet tuaja,

qe me duket se me perkedhelni pak si shume. Shkrimtaret, poetet, artistet ne pergjithsi, me duket se kane nevoje edhe per karamele...se cfare tjeter!?... Konsideratat e mia, suksese ne krijimet tuaja dinjitoze. Juaji Myslimi.

Me gusta

Kozma Gjergji
Kozma Gjergji
03 feb 2021

Një portret femëror i kompozuar e rikompozuar nga duart e reales e ireales dhe me

misteret e artit e të jetës. Si gjithmonë "eskavatori"artistik i Myslimit gërmon thellë e më thellë

në "malin" e subkoshiencës për të nxjerrë "minerale" të çmuara njerëzore. Dhe ia arrin mrekullisht

Urime dhe përqafime i dashur mik! Kozmai.

Me gusta

sotir.mimi
sotir.mimi
03 feb 2021

S.Athanasi

Tregimi qëllimin kryesor e ka në titull. Autorit i duhet t'a japi me detaje momente nga ky portret i cili shkon nga një lloj idealizmi si rezultat i bukuris së portretit. Por dobësitë e karakterit i zbehin ato deri në zhvlerësimin total të saj. Si gjithmon M.Maska në metaforat e tij, zotron rrëfimin poetik ku zbut edhe ndonjë keqkuptim të pashmangshëm.

Urime dhe krijimtari të bollshme!

S.Athanasi

Me gusta

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page