top of page

Poezia e Skënder Rusit këndon


Skënder Rusi

Poezia e Skënder Rusit këndon


Dr Fatmir Terziu


Hyrje

Shumë njohuri për botën që na rrethon vijnë nga poezia. Poezia ka qenë dhe mbetet një dritare që sjell me ‘kursim’ fjalësh këtë njohuri, por që e bën atë të vlejë mjaft në mendjen dhe ndërgjegjen tonë. Stan Godlovitch, një studiues i mirënjohur i ditëve tona na vjen në ndihmë për këtë me “Harresën e njohurive të padëshirueshme”, kur thekson se ai e ndjen detyrim vargor të shprehë se poezia ka ndikim historik, moral, social dhe psikologjik (Godlovitch, 1997:3). E tillë është edhe poezia e poetit nga Korça, Skënder Rusi. Ajo vjen si një grumbullim njohurish që kanë deri në fjalën e fundit tërë këtë pikasje teorike të studiuesit në fjalë. Është pikërisht kjo pikasje që vjen në poezi të tilla si “Perëndeshat”, ku vargu i fundit mbetet një plotës psikologjik i dy vargjeve të para, mandej strofa e fundit dikton njohurinë për tërë fabulën poetike që gatuan poeti.

Ai shprehet tek strofa e fundit: “Ka vajza prej puthje ky qytet./ Jo si kudo./ Prandaj i ka të artë edhe muzgjet!/ Botën, ne e dimë që Zoti e krijoi,/ Po Korça ka lindur nga puthjet!” Mjafton vetëm kjo strofë e kësaj poezie që të hidhet dritë mbi këtë pasuri të pakrahasueshme njohurish që vijnë nga poezia e Rusit, që plotëson kuadratin psikologjik dhe nëpërmjet kësaj psikologjije pasqyron shprehjen e ushqyer ndër vite nga bota shqiptare, që në njëfarë mënyre tingëllon lirshëm: “O korçare, o hiç fare…”.

Nuk është në fakt vetëm kjo poezi e tillë, që të mbetet shembull i veçuar. Poezia “Dimërore” me vargjet përmbyllëse të saj “Sa shpejt që ngryset!/ Sa vonë që agon!/ E na gjen të dyve/ brenda të njëjtit dimër”, ka pikërisht këtë magazinim psikologjik njohurish që vijnë e rrjeshtojnë në mendjen tonë dhe të lexuesit ngjashmëri, përsiatje dhe klimatizojnë ndjesinë tonë trupore me elementin historik të konceptit për dashurinë mes dy të përkushtuarve.

Është në fakt ky përkushtim që vjen si një udhëtim imagjinar në hapësirë, kohë dhe vend dhe integrohen në varg. Ky integrim poetik e dikton tërë këtë ndjesi si një ‘prodhim dramatik’ të cilin hershëm studiuesi shqiptar, Kolë Ashta, e pati deklaruar për poezinë e të Madhit Fishta. (Ashta, 1941:77-83). Ky prodhim dramatik dhe i ndjeshëm prodhon poezinë psikologjike, poezinë që e ndjejmë tek krijimtaria e poetit Skënder Rusi.

Poezia psikologjike

Poezia psikologjike është jo gjithmonë e përcaktuar (topike) dhe jo gjithmonë faktike. Në rastet e lartpërmendura, që i referohen poezisë së Rusit, ajo është mes të dyjave. Është një lloj poezie që gjendet në veçorinë e krijimtarisë së tij e cila vjen e stolisur në forma të ndryshme. Forma të tilla që vijnë nën dritën e psikologjisë dhe arsyes. Forma që poeti, Rusi i gjen tek poezia e tij. “Ne s’bëjmë asgjë”, është një poezi që vjen në veshin e lexuesit, duke infiltruar aspektin e tij psikologjik me nuanca faktike që vijnë nga retorika poetike dhe nga përgjigjja realiste. Ai përgjigjet: “ne duhemi!”. Dhe për logjikën e hapësirës dhe kohës sipas poezisë dhe vargut të tij, kjo ditë “nuk po perëndon ende!”.

Është kësisoj një lejtmotiv didakt që e afron atë me ritmikën e këngës. Ndoshta kjo është arsyeja që poeti Agolli pse shprehet: “Poezia e tij këndon” (Agolli, 2007:5). Sipas Agollit këtë poezi psikologjike e “ndërtojnë dy rryma: të ekzistencializmit dhe të impresionizmit” (Agolli, po aty). Pra, më qartë sipas poetit Agolli tek poezia e Rusit bashkohen të dyja në një të vetme, duke e bërë atë që jo të kërkojë sendin, por të hyjë brenda këtij sendi. Kësisoj duke rrëmuar në poezinë e tij në vite, duke parë edhe thëniet e të tjerëve, të Visar Zhitit që shprehet “gjithnjë një lirik ku shkëlqen harmonia e fjalëve, muzika e vargut, ku bota tashmë është bërë tashmë me mrekullitë e saj dhe dhimbjet…, me zhgënjimet...” (Zhiti, 2007:8), apo edhe të Agollit që e quan poezinë e tij ‘të bëjë muzikë’ dhe Morava që e cilëson ‘këngëtar të rrallë’ (Agolli & Morava 2007: 5-9), gjejmë atë pikëreferencë që të shpie tek superficialiteti i cekur nga Dr Kolë Prela (“Tomorri”, Tiranë, 1942, 26 Prill, f.3). një superficialitet që nënkupton karakterin e sipërfaqshëm, pra që sjell sipërfaqshmëri sipas Vedat Kokonës, (V. Kokona, Fjalor…, f. 1043). Dhe kur Prela foli për sipërfaqshmëri ai kishte në plan studimor Mjedën. Ai shtronte pyetjen “A asht Mjeda liriku ma i madh i shqipnis?” (Prela, 1942:3).

Sot, mbas kaq vitesh një poet tjetër, pra Rusi shtrihet mrekullisht në këtë shtrat retorik, edhe pse thëniet e të tjerëve për poezinë e tij e qëmtojnë disi fatin e tij. Në mënyrë të dukshme këto thënie qëmtojnë sipërfaqen e poezisë së Rusit, pra superficialitetin e saj. E vërtetë është se Rusi është një poet lirik më së shumti, por nuk përjashtohet edhe jashtë rimës si një poet modern dhe i vargut të lirë. E quajtura ‘lirik’ apo edhe më tej e bën thjesht poezinë e tij psikologjike një nyjë prekëse në tërësinë e saj, pasi ashtu siç Prela e ka theksuar qysh herët ne nuk mund të mbajmë thikë të prerë në cilësimet poet lirik apo me një emërtim tjetër. Duke e cilësuar një poet ‘lirik’ apo ‘epik’, thotë Prela, ne “nuk bajmë një veprim kritik, por vetëm një veprim praktik” (Prela, ibid). Më saktë ky shqetësim i hershëm i Prelës, na dikton rishtaz të ‘mos biem në superficialitet e me ba dallimet e poesisë prej së jashtmi, por me hy mbrenda poezisë” (po aty).

Bota poetike e Rusit

Në një plan më të detajuar të vëzhgimit në brendësinë e poezisë së Rusit, shohim botën poetike të tij të lëvruar edhe dje, në kohën e të ashtuquajturit ‘realizëm socialist’, por edhe në ditën me liri të fjalës, pra në demokraci. Kjo çështje që lidhet me botën poetike të tij, natyrshëm na depërton ndër ditët që poezia e tij trajtohet apriori. Është parë apriori lirika e tij, siç e thamë më lart, dhe është shtresuar bota e ndjeshme e njeriut nën riskimin e fjalës poetike. Poezi të tilla si “s’dua të të humb”; “mos më duaj më”; “për inatin tim”; “Otelloja i bardhë”; “Nuditet”; “Përfundimisht”; “Sidomos”; “Trëndafilat e Venecias”; “Me vete kam gjithnjë një Evë”; dhe “Kur shmang një faj”, që përfaqësojnë rubrikën “Ne s’bëjmë asgjë të keqe” tek vëllimi poetik me lirika “duhet të duhemi” botim i “Toena” na shpjegojnë botën e ndjeshme të njeriut me jetëlinjë poetike, na shpien në botën e përditshme e të privuar njerëzore, na udhëtojnë në ndjenja shpirti e dashurie, na përfytyrojnë andralla dhe ndodhi që lidhen me botëjetën tonë. Kjo botë poetike herë-herë depërton në mite e përjetëson lidhje historike nëpërmjet psikologjisë poetike.

Tek poezia “Në Venecia” vetëjetësohen fjalë me kuptime të rëndësishme historike si “Gondola”, një lloj varke veneciane, apo “San Marco’, sheshi ku mbizotërojnë pëllumbat, por edhe vijnë lidhje jetëbotësh poetike si Bajroni, ku bota poetike e Rusit di të gllabërojë me insinuatë lidhjen dyshe: “Unë i pashë duart që hapën derën,/ Një prej poeti e tjetra prej Lordi”. Kjo lidhje dyshe në aspektin e botës poetike krijon principin psikologjik të leximit dhe kuptimit të poezisë së Rusit. Ky princip psikologjik vrojtohet në tri faza të dallueshme.

E para i përket poezisë që nis, zhvillohet dhe thyhet në detaje të lehta për të plotësuar mesazhin, kuptimin, ngjarjen, situatën, arsyen, tendencën poetike, lidhjen historike, gjuhën dhe vendrendin në morinë e gjërave që ndodhin për hir të saj.

E dyta mbetet një huazim i lehtë i traditës së poezisë lirike, si një funksion normative poetik dhe një arsye logjike për të ricikluar mesazhin e ardhur nga njohuria dhe bagazhi i njohurive, apo edhe nga situata të ndryshme, qofshin aksidentale, por që kanë një rëndësi të veçantë për të plotësuar anën psikologjike të vargut.

E treta është faza që e dallon këtë poet nga moria e grup-poetëve lirik që gjejnë arsyen si një forcë dhe domosdoshmëri mesazhiere.

Konkluzion

Në poezi të tilla si “Unë dhe bota”; “Kali pa kalorës”; “Si të tjerët”; “Nëse do më pyesni”; “Thyerje”; “Çuditërisht”; “Roma natën”, “Dalëngadalë”, etj këto faza duken qartë dhe i japin një arsye më shumë veçorisë së botës poetike të Skënder Rusit. Pra jo më kot poezia e Skënder Rusit këndon.


#Skënder #Rusi

26 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page