top of page

Poezia e ngulitjes


Poezia e ngulitjes

F. Terziu


Botë paralele. E gjitha duket e tillë, pa mëdyshjen e një pike takimi që realisht nuk ekziston, përveçse kur përthyhet në anën figurative që të bëj kumtin me të cilin poeti kërkon mesazhin e tij filozofik në vargun e kursyer (kursyes) të tij.

Në këtë perceptim duket sikur Kozma Gjergji na thotë, unë jam duke ecur në këtë linjë, që ndan dy botë. Ndonjëherë linja është kaq e hollë. Nuk i dalloj dot. Nganjëherë e uroj linjën e parë të zhduket dhe e gjitha linja tjetër të jetë brenda. Pra të shfaqen të dy botët në të njëjtën kohë. Të bëhen një linjë. A do të quhej ky pikëtakim? Por në realitet nuk është kështu, kështu që poeti synon të mbaj mesazhin e tij të qartë, kuptimplotë, filozofik, duke ecur në këtë linjë, derisa diçka tërhiqet dhe kuptimi fiksohet në një anë. Në atë anë, që e shtjellon bukur filozofia e poetit, teksa na sjell poezinë „Fqinji ynë“: „Ngaqë s'na e grabiti dot dhe detin/(Siç dihet nuk ka)/Krijoi detin e vetë përplotë/Dallgë urrejtje, shpifjesh/Dhe stuhi mizorish…/Ç'det toksik!/Vështirë të lundrojë atje/Anija jonë e miqësisë!“

Në këtë botë paralele mbetet dhe ajo që shfaqet në një linjë, dhe që përsëritet si e tillë, në kohë, hapësirë dhe vend, me një ikje të normëzuar nga dana pikëtakuese, sikurse ndodh tek „24 Mars 1999“, ku ai shfaqet vit për vit si i tillë në siparin festiv, pa llogaritur linjën të cilën e përshkon me siparin e vetë kohës që ecën në një vit kalendarik. Dhe kjo ndodh vit për vit, që nga koha kur u fiksua si e tillë, si ditë, pra në vitin me tre nënta dhe me datën 24. Kozma Gjergji me forcën e vetë poetike, di të bëjë diskursin e kësaj forme linjëzuese, ku vetë vargjet janë një shprehi force në vetë mesazhin që përcjellin: Është datë e Festës të/Zemrës së çburgosur,/Është datë e Haresë së/Lirisë të çkryqëzuar“. Dy pikat që lidhin paralelisht dy linjat janë „çburgosur“ dhe „çkryqëzuar“, që jashtë sintaksës dhe morfologjisë kanë dhe arsyen „pse?“ të jenë të tilla, dhe që si të tilla sqarohen me vazhdimin: „E Fatit të Kosovës/Që shkruan armët e/NATO-s dhe UÇK-së…“. Pra, është ky „24 Mars 1999/Datë e shenjtë/Në kujtesën e kombit“, që puqet në një linjë ku peshon vetë diskursi dhe vetë mesazhi kuptimplotë.

Në një linjëzim me nota të tilla paralele, jo gjithnjë pikëtakimi, që përkon me mesazhin është domosdoshmërisht sikurse duket, në poezinë fine të Kozma Gjergjit, ai jo vetëm që shënon antagonizmin e tij të duhur, por dhe përcjell mesazhin e domosdoshëm poetik. Tek „S'mundem“ duket mjaft qartë: „S'mundem kurrsesi t'i dëgjoj/Këngët e asaj lavdie/Të mbushur me krime!“ Kjo quhet enxhabment (ngulitje). Në poezi të tilla, natyrisht që duan finesë dhe mos-ngatërim me haikun, apo me forma të ngjashme, ngulitja është sintaksë e paplotë në fund të rreshtit dhe kuptimi 'përshkon' ose 'kalon' nga një varg poetik në tjetrin. Sikurse ndodh tek poezia „Ndjesa“: „Ndjesa si peceta,/Fshin vendin e pistë.“; apo dhe sikurse është poezia „Një pyetje“: „Një pyetje Perëndisë:/Përse rruga e Shenjtorit/Çon në shkretëtirë?!“.

Kozma Gjergji në vargjet e tij e fuqizon ndjeshëm vazhdimin e një fjalie pa pushim përtej fundit të një rreshti, vargu a strofe, duke na dhënë mesazhin që ndalet diksursivisht tek kuptimi që 'përshkon' ose 'kalon nga një varg poetik në tjetrin. Rrjeshtat pa gërshetim janë të ndërprera, por në një anë tjetër janë simbolikisht të ndërlidhura, sikurse kuptohet qartë tek poezia „Partia“: „Qenka vërtet si lopa:/Dikujt i kthen brirët,/Dikujt i jep gjinjtë.“ Në lexim, ngarkesa e tillë e thellë e kuptimit krijon një tension që lirohet kur ndeshet fjala ose fraza që plotëson sintaksën dhe tensioni lind nga "mesazhi i përzier" i prodhuar nga pauza e rreshtit.

Tek poezi të tilla si „Kopeja jonë dhe „Në çmendinë“ sugjerimi për të vazhduar jepet nga kuptimi jo i plotë, përkundër mungesës së dukshme të mbështetjes për stilimet e tjerë, të cilët nuk do të jenë ende në kontradiktën midis rimës, e cila e rrit mbylljen, dhe i jep ngulitjes, që e vonon atë, mjeshtërinë poetike ku teknika është e përputhshme me vargun fin.

Mesazhi dhe vargjet e ngulitura tek „Kopeja jonë“: „Kopeja jonë blegëritëse/Tmerrësisht e tmerruar/Jo më nga ujqërit/Por prej vetë barinjve.“ na tregojnë mjeshtërinë me të cilin poeti kërkon të zbërthejë diksursin e tij, në një formë poetike që si ngulitje ka një histori të gjatë në poezi. Homeri përdori teknikën dhe është normë për vargjet aliterative ku rima është e panjohur. Në Psalmin e 32-të të Biblës Hebraike, ngulitja është jashtëzakonisht e dukshme. Ngulitja u përdor gjerësisht në Angli nga poetët elizabetianë për vargje dramatike dhe narrative, përpara se t'i lihej vendi formave diskursive të mbyllura. Shembulli i John Milton në poezitë e tij të „Parajsa e humbur“ hodhi themelet për përdorimin e tij të mëvonshëm nga poetët romantikë anglezë, ku në parathënien e tij ai e identifikoi atë si një nga veçoritë kryesore të vargut të tij: „kuptim i tërhequr në mënyrë të ndryshme nga një varg në tjetrin, po me mesazhin përmbyllës, si një kapak filozofik“.

Ngjashëm realizon dhe poeti Kozma Gjergji tek „Në çmendinë“; „U ktheva“; apo dhe „Kavaku“; „Fundvjeshtë“ apo dhe tek „Dashuria“, ku natyrisht vetvetiu hyn në kalibrin e asaj që quhet prej kohësh si poezi e ngulitjes.

105 views4 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page