top of page

POETI QE SHKRUANTE HAIKU


Konstandin Dhamo

Isai,poeti i mbiquajtur Matsuo Basho’ shqiptar, përveçse shkruante haiku prej vitesh,ishte siç pranohej gjërësisht,i pari që e lëvroi në Shqipëri këtë delikatesë japoneze,puhiza e së cilës,ndonëse frymoi që nga mijëra e mijëra kilometra larg,farat që mbarti mbi flatra,mbinë mrekullisht mes antologjisë së lirikave shqiptare …

E pra,Isai erdhi në mëngjes në Lidhjen e Shkrimtarëve dhe Artistëve,që në orën tetë dhe,të vetmin njeri që gjeti aty,ishte i përhershmi administratori i saj,i cili,megjithëse rrogën e fundit,e kishte marrë së paku para dy vitesh,vazhdonte ta hapte portën e madhe prej hekuri të Lidhjes çdo ditë në orën shtatë,ashtu siç e kishte hapur prej më shumë se tri dekada rresht…

Tungjatjeta Fatmir Mborja,si je ?

Mirë, le të themi.Ti,banon në Tiranë tashmë?

Jo,n’Elbasan si gjithmonë;s’e lë Elbasanin unë;deshe të më thuash:ç’paske dalë kaq herët; ta njoh gjuhën …

Po pra;përse je ngritur t’udhëtosh që pa gdhirë ?

Ka njeri brenda? Desha të takoj Shemen,kryeredaktorin e gazetës Drita pra,sepse…

O Isa djali,po ç’thua,o i uruar,se më sëmbove në tru ! S’ka më rregull e disiplinë,s’ka më kërkesë llogarie si dikur, s’e ditke ende ti këtë ? Para orës njëmbëdhjetë nuk duket njeri këtu. E marrin më nge,mbarojnë punët e tyre një herë,lart e poshtë, e më pas shohin e bëjnë,posi.Tekefundit, pesë punonjës gjithsej ka Lidhja tani,nga gjashtëdhjetë e pesë që kishte qëmoti,por edhe ata bëjnë sikur punojnë.

Po shoku Mborja,por ja që mendova të vija sa më shpejt e të mbaroja punë po shpejt.

Sa më dhimbsesh,o poet ! Ik e tako miqtë e tu në Bibliotekën Kombëtare,a ku i ke dhe,pas nja tri katër orësh,duku përsëri këtëj,dëgjomë ç’të këshilloj…

Kur u kthye në Lidhje,Isai u hodhi së pari një vështrim rrëshqitës të dyja kafeneve, të hapura në skajet e oborrit të saj dhe,meqë nuk ia zuri syri Shemen t’ulur në ndonjë tryezë,u ngjit lart në redaksinë e gazetës,ku gjeti daktilografisten,që tashmë punonte në një kompjuter arkeologjik.

Si je Vjollca,ç’kemi ?

Ç’të kemi; ja vura këto lulet e freskëta te ky kavanozi me ujë dhe u ula të marr në telefon kushërinjtë dhe shoqet e mia,t’i pyes ç’bëjnë e si janë me shëndet.Ta shfrytëzojmë këtë telefon tani që e kemi.Ti kërkon Shemen ? Shko te kafeneja prapa Lidhjes, aty rri ai tani,këtu tek oborri s’e lënë rehat,i hipin mbi kokë…

Hë more Basho i vendit,pa ulu,ulu – e priti Shemja,poeti intimist dhe përkthyesi nga anglishtja dhe rusishtja – O tiranas autokton! – i thirri sakaq kamerierit – Silli rakinë dhe kafen këtij zotërisë; është më i marrë se unë ky.

Sheme,do të të qeras unë.Të gjithë ne vijnë për hallin tonë këtu,s’na e del dot.

Për aq kohë sa do të marr një rrogë në Lidhje s’lë njeri të më qerasë, sidomos ata përdredhësit,që synojnë të më kompromentojnë;aman ore aman,po ç’ke sjellë për botim ?

Haiku pra,tani i kam shkruar.Sheme,dëshiroj një faqe të tërë gazete këtë herë.Vdiqa të botoj një faqe më vete,fund e krye veçse me emrin tim e veçse nga krijimtaria ime.Këtu në Tiranë gjithsesi…

O i shkreti unë me ju !

Ja,i kam të printuar,por edhe të hedhur në disketë.Qëllon që s’hapen këto dreq disketash e të marrin në qafë,prandaj t’i solla haikut edhe të printuar.Po të thosha se,këtu në Tiranë,gjithsesi s’bën kushedi ç’përshtypje përfaqësimi i një autori në një faqe të plotë,por andej nga ne…

E mo’ njëlloj është ngado…

Janë 101 haiku,brilantë,për Zotin,pse të shtirem modest;pra 303 vargje gjithsej;nëse s’futen lajle lule aty – këtu si ilustrime të panevojshëm,përfshihen lehtësisht n’hapësirën e një faqeje.

Dale Isa,është puna ime sesi i paraqes materialet në gazetë.Pa të lexojmë një haiku,se të tjerët,sigurisht që do t’i shoh me qetësi në redaksi;këtu po pijmë raki. Ja, haiku i shtatë :

Kopsht rozë qershish,

Re ngjyrosur nga dielli;

Ah,jam i dashuruar…

Epo mirë,o i dashuruar; unë e shijoj haikun,por ai, si psherëtimë që është më së shumti,kërkon të lexohet në vetmi.

Ashtu ashtu.Kam edhe disa variacione me hënën andej nga mesi.

Oh,ende poetizohet hëna,ende romantizohet ajo,ndonëse,së shpejti atje do të ndërtohen nënstacione ndërplanetarë,teksa trualli i saj do të shfrytëzohet për nxjerrjen e mineraleve.Po ne? Ne vazhdojmë ta krahasojmë herë me një gjethe vjeshte që këputet,herë me një drapër,e herë me një vath floriri të së dashurës,ç’bëhet…

Shkëlqyeshëm,ne paskëshim kohë që aludojmë se,në hënë ka ar !

Posi posi.Ti Isa je besëtyd,mos e moho;më ke sjellë 101 haiku për botim,jo,fjala vjen,njëqind rrumbullak,një numër ky që është i plotëpjestueshëm dhe,i përmbyllur,si të thuash.Ndërsa njëqindenjëshi nxit e sugjeron vazhdimësi ardhmërie dhe rritje progresive,kështu?

Nuk arsyetova aspak kështu,sepse besëtydnia,dihet që s’i nënshtohet arsyetimit të njëmendtë,por i bëra 101,nga një shtysë e pavetëdijshme,që më thoshte se,njëshi mbi njëqindën sillte një plus të përhershëm. Si ? Mirë mirë,kështu u shprehe edhe ti, ja gëzuar !

Tani,po të them se,dëshiroj të më botohen haikut që këtë të diel që vjen!

Përse jo.Askujt nuk i kam dhënë fjalën për këtë javë,ja ,ti je i pari.Ah,ta dish ti,sa material kam unë lart në zyrë ! Ç’është sot,e hënë ? Sa do të më shqyejnë mua gjer të dielën! Por bashkë u morëm vesh,gëzuar dhe urime! Dhe pi,sepse unë s’merrem dot vesh me ata që janë esëll…

Të hënën,përsëri aty rreth orës tetë të mëngjesit,Isai ia behu në Lidhje fort i pikëlluar.

Prapë ti,o mjeran,s’vure e s’vure mend ? - iu lëshua Mborja,i cili atë çast po hiqte ca rrangulla nga mesi i oborrit - Të këshillova që të mos vish para orës njëmbëdhjetë.

Ç’të bëj,ashtu e kam hallin sot,e s’më mban vendi.S’ka njeri lart në redaksi,hë ?

Më njëmbëdhjetë Isa,më njëmbëdhjetë…

U hodh në trotuarin e mesit,te Rruga e Kavajës dhe,kumbullat e kuqe,në të dyja anët e tij,përplot lule rozë erëlehta,e prekën dhe i sollën ndër mend haikun e qershive!

Kishte dy net radhazi pa gjumë: të shtunën, duke u gdhirë e diel,s’i mbylli e s’i mbylli sytë,ngaqë mezi priste sa të vinte mëngjesi,që të hidhej gjer te kioska më e afërt e të blinte Dritën,faqja me haiku e së cilës,i vezullonte n’errësirë përhumbshëm.

Të dielën,pa zbardhur ende mirë,brofi nga shtrati rrëmbimthi,aqsa zgjoi dhe të shoqen,e mësuar prej vitesh me dallditë e tij dhe,nxitoi t’i blinte të gjitha kopjet e gazetës.Por mbi banakun e kioskës s’kishte Drita !

U përpoq të këqyrte për së dyti më i përqëndruar,por ndërkohë,gazetashitësi,miku i tij,i tha se,Drita nuk kishte ardhur këtë herë bashkë me shtypin tjerër. Përse? Nuk na e dhanë, e kishin sqaruar shpërndarësit gazetashitësin,s’duhet ta kenë radhitur n’afatin e duhur…

Por Isai, nuk u mjaftua me ç’i tha miku i tij.Rendi kioskë më kioskë të qytetit,ashtu me xhakaventon krahëve dhe,prej të gjithë gazetashitësve, mori të njëjtën përgjigje:ata të furgonit na thanë se Drita nuk doli,sepse s’e kishin shtypur dot n’orarin e duhur, por se ç’kishte pasur edhe një ngatërresë tjetër…

Një ngatërresë tjetër ?

Hajt ta merrje vesh ç’kishte ndodhur…

Ah,sa e diel e shëmtuar,ndonëse me një qiell të kaltër dhe erë ledhatuese! Kur u mblodhën te kafeneja letrare,ashtu siç bënin gati çdo ditë,fjalët e para të poetëve ishin : kush na e prishi festën? Sepse, pa dyhim,do të festonim sot me rastin e publikimit te ciklit të Isait, kryetarit të Klub Haikut Shqiptar,që tashmë mban lidhje me Klub Haikun botëror,me qendër në Tokio .

Por,ç’cikël,po themi ! Me 101 haiku,të plotësuar me ilustrime të brishtë si filigrani, mund të nxjerrësh një libër më vete;haiku është pigment,është…

Eh,kishte ndërhyrë Isai,askush s’është në gjëndje të na shpjegojë sot për sot, sesi është e vërteta e mosshpërndarjes së Dritës.Kë të pyesësh ? Shemja vetë,ndonëse kryeredaktor,nuk ka telefon në shtëpi,miqtë e mi s’kanë e s’kanë.Ç’të bësh,ja që telefonat në Shqipëri janë ende të rrallë. Të presim sa t’i shumojë Demokracia.Si ? po po,një herë për një herë të durojmë gjer të hënën,gjer nesër pra,kur të hidhem vetë në Tiranë…

Dhe,nata e së dielës ,drejt të hënës ishte gjithashtu torturuese…

Krejt papritur,aty në trotuarin e mesit,të hijeshuar,u ndesh me Shemen ! Me Shemen që pinte cigare dhe ecte ngadalë,si përherë,tek kishte zgjedhur edhe ai trotuarin e mesit.Por,çfarë e kishte shkulur nga shtëpia në këtë orë të pazakontë për të ? Ta kishin njoftuar për mosbotimin e Dritës ? Dale …

Isa, pa hë, nga Lidhja po vjen?

Nga Lidhja,po përse nuk u botua gazeta,Sheme ? – iu drejtua dhe u ngërdhesh,tek u përpoq të buzëqeshë, për ta zbutur paksa ashpërsinë e pyetjes.

Si ? Ç’thua Isa,s’është botuar gazeta ? Unë i faqosa për mrekulli me dorën time tërë trivargëshit e tu.Si s’u kujdes kush të gjente mundësinë të më lajmëronte ?!

Eh,s’ka gazetë !

Prit prit,se do t’i zgjidhim të gjitha.Por,tani për tani asqë e marr dot me mend se çfarë do të ketë ndodhur.Eh, ajo e shkretë Lidhje ka mbaruar me kohë,po ku të mbytemi ne,thuaj.Të paktën,hë për hë,e marrim një copë rrogë. Hajde me mua Isa,hajde;jam i sigurt që gazeta është shtypur,në tirazh të plotë madje,por pale ç’ka ndodhur më tej me ata palaçot e shpërndarjes ?

S’na del asnjë kokërr leku nga ajo farë gazete,shfryjnë për Dritën dhe,e hedhin tirazhin e saj në furgon gjithë nërva,ndërkohë që s’u kërkon llogari e s’i dënon kush për asnjë paudhësi.Po nga ne kërkojnë para ? Hajde;dola herët sot për të paguar faturat e prapambetura të dritave,por gjeta shumë njerëz në radhë, te zyrat e KESh –it,dhe ika.Që kur më vdiq e shkreta ime shoqe,më janë shtuar hallet! Dreqi ta hajë,të hënave s’punojnë as shtypshkronjat !

Këta të Shtypshkronjës Demokracia më ke thënë se ju bëjnë favore herë pas here.

Na bëjnë,por në çdo vend del një marifetçi;hajde…

Lart në redaksinë e Dritës,me të hyrë brenda Shemja mori në telefon shtypshkronjën:

Alo ? Ah, s’e ngre kush telefonin,aloo…

Si t’ia bëjmë Sheme ?

Ulu,o martir i haikut,ulu,mos e mundo veten kaq shumë,aloo ! Hë more tartakut,ti paske tepruar sot aty ? Shemja jam,që mos qofsha; tani më thuaj,a e di përse nuk është shpërndarë gazeta e Lidhjes,apo s\është shtypur fare ? Ç’roje je ti që s’di gjë.Mirë,mirë,mbylle telefonin dhe të marr unë pas pesë minutash.Isa,sa të pijmë një cigare,flasim prapë ;na edhe ti një.

Isai,ndonëse s’kishte pirë ndonjëherë duhan,s’ia prishi,por nisi të kollitej mbyturazi sa herë e thithte cigaren e keqe që i zgjati Shemja…

Ra zilja e telefonit dhe Shemja ngriti dorezën:

Alo,hë more,sa do të të merrja,ngrije zërin të dëgjojë edhe ky miku im këtu,hë !

Gazeta është aty mbi stolat,pas derës së kapanonit; i di ti stolat.Ai i gazetës që ua merrte përsipër shpërndarjen s’ka pranuar t’ua marrë ketë herë; të hedhin paratë,sikur ka thënë..,.

Dëgjo o pijanec i djallit,na prit aty.Atë ndyrësirën që s’e ka tërhequr tirazhin e sjell unë në vete,erdhëm…

Si shkohet gjer në shtypshkronjë,|Sheme,s’e kam idenë?

Marrim një taksi Isa,autobusi na lë larg shtypshkronjës e ne kemi edhe dy dengje për të mbajtur.

Taksi taksi,s’kemi zgjidhje tjetër…

Me të mbërritur në shtypshkronjë,Isai u lëshua të shihte gazetën,teksa Shemja takoi rojen.Ia rrokën sytë të dy dengjet e vegjël,të lidhur kryq me spango,mbi njerin stol prapa derës,siç ua tregoi edhe roja në telefon dhe shkëputi një kopje me një gjest nervoz.O Zot,ja,më në fund gazeta !

Po ku ishte faqja e tij,ajo faqe rrëzëllitëse,që iu faneps dy net rresht,duke e lënë pa gjumë? Oh, duart që i fërgëllinin,i kapnin nga dy faqe njëherësh dhe,ai nuk i gjeti haikut e tij,as kur e kontrolloi gazetën deri në fund. Atëherë e vendosi gazetën mbi syprinën e pistë të një tryeze dhe,pasi njomi gishtin tregues me pështymë,filloi ta shfletojë për së dyti,tek murmuriste:ja faqja 1,ja faqja 2…

Ah,ah,ja edhe faqja e tj ! Sa bukur,sa bukur ! Por,a ishin të gjithë haikut ? Dale,i pari: Qerpikët e pishave…po në rregull. I fundit: Shtëllungë bore/ Mjellma mbi ujëra/Shih,kur të tretet…

Isa,mirë,hë ? Po na e sill edhe neve gazetën t’i hedhim një sy.Mbete i kënaqur ?

Të falënderoj me gjithë zemër Sheme; ti e bëre ashtu siç më premtove…

Me të mbërritur në Lidhje,Isai që gjatë udhëtimit kishte heshtur aty në ndenjësen e pasme të taksisë,e pyeti Shemen :

Ç’do të bëhet me gazetat,domethënë,kush do ta marrë përsipër t’i shpërndajë?

Iku ky numër Isa,të shohim ç’do të katranosim tash e mbrapa.Ç’pret,kur salla e madhe e mbledhjeve dhe takimeve me shkrimtarët dhe artistët e Lidhjes,prenotohet për dasma,apo ahengje synetesh !

Atëherë,t’i marr unë gazetat ? Sa thua të marr?

Ç’do t’i bësh,o gjysmëjaponez, të gjitha do t’i koleksionosh ?

Ç’thua ? Do t’i shpërndaj vetë,u pa puna;unë mezi e prita këtë ditë.Kam ëndërruar gjithmonë të botoj një faqe të tërë vetëm me autorësinë time.Boll më me çerek faqe e me gjysmë faqe;hë zoti kryeredaktor,sa të marr?

Merri të gjitha !

Hahaha…

Dale ore se na hutove! Lër këtu nja dyzet a pesëdhjetë copë,që t’ua japim atyre leshkove që do të hynë e do të dalin në Lidhje; domosdo t’ia lëmë në zyrë edhe kryetarit tonë kopjen e tij,që ta lëçisë kur të kthehet q’andej nga ka shkuar. Apo është kthyer sakaq ? Nga ta dish…

Do të çoj te salla e leximit e Bibliotekës Kombëtare nja pesë copë,do t’i lë nja njëqind kopje kunatit tim,këtu në Tiranë,që t’i shpërndajë me makinën e tij kioskë më kioskë,të tjerat do t’i marr me vete për miqtë e mi të shumtë n’Elbasan;gjithashtu do t’u shpërndaj edhe gazetashitësve nga aq kopje sa ç’mbajnë ata rregullisht.Pastaj,o pastaj me njerin nga anëtarët e rinj të Klub Haikut,që bie përmbys për mua,një djalosh me baba biznesmen,i cili,sapo i ka blerë të birit një off road fringo të re,do të vemi t’I shpërndajmë gazetat në Librazhd,më pas në Pogradec,e së fundi në Korçën e dashur,në këtë qytet,ku të përshëndesin mështeknat,sapo futesh.

Oh,haiku im

Si ndrin si drithërin e psherëtin…

2004

55 views1 comment

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page