top of page

Pluhur ...


Pluhur ...

(“Pulvis et umbra sumus” - Ne jemi veçse pluhur dhe hije). Horaci


Nga Fatmir Terziu


  1. E kam një grimë pluhur nga trupi yt. Koha më diktoi që ta ngjesh mes thasëve të ajrit, në çdo udhë e hapësirë ku iki pafund, mundohem ta mbaj fort pas meje, s’e shkund, e di është pluhur, por Ty të kërkoj ndjesë, është nga shpirti yt dhe me të dua të vdesë, në çdo kohë më kërkohet të pastrohet pluhuri, në çdo të tashme më qepin inspirim të detyruar, nga çdo e shkuar më afrojnë së nguturi, sadopak pluhur nga pluhuri i tyre i helmuar.

  2. Unë e njoh pluhurin tënd dhe e dua, furçën e shmang dhe s’e heq prej meje, s’është pendim, të mbaj erën tënde, nga harresa ajo vetë kthehet në pluhur, edhe pse më thonë se është vrer, bëj përzgjedhjen time të duhur, se e di mirë, pluhuri yt asnjëherë, mua grimëzën tënde nuk më vret.

  3. Dhe tani qërroj ashklat nga gjumi im, si pas betejave kur i pastrojnë këmbën kalit, pak pluhur nga ashti yt më bën trim, më jep natyrshëm forcën e djalit, këndellur, por jo pas gjurmëve të tij, gjarpëri nga pluhuri u ngrit në Xhenet, kush shkund pluhurin tënd duhet ta dijë se dashuria e zemrës edhe atje e vret.

  4. Terri lemeritës i vapës mendore, shpesh kthehet padashje në pluhur, bart drejt njeriut emocionet foshnjore, kur egoja i ndot kostumin e (jo)duhur, me ciklat e rehatisë shpirtërore, pluhuri i Atdheut s’duhet shkundur, është shpirti i tretur i masës njerëzore, kur merr mes lotëve,valixhen për dore...

  5. Nuk mund të të lë të jetosh në pluhur, edhe pse borxh po e marë me vete patjetër, do të ngjiresha duke u lutur, pluhuri yt të mbetej vetëm në këtë letër, se i yti pluhur atje duhet shkundur, ta ka lënë ndotje një kohë tjetër, vëllezër, bëni gjithçka të mundur, pluhuri mbi Atdheun, vret edhe mbretër!

45 views1 comment

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page