top of page

Pllaka e vasalit


Lis Bukuroca



Pllaka e vasalit


Nuk mund asnjë kombi t' i dhurohet me forcë mëvetësia. Politikanët e vendeve të shtypura i dorëzojnë atë ndonjë tutori, sapo ta fitojnë lirinë për t'u bërë përsëri skllav. Nëse nuk e gjejnë në Perëndim, e kërkojnë në Lindje. Nëse nuk e gjejnë afër, e gjejnë larg: në Rusi, Kinë, apo Turqi. Një popull nuk çlirohet kur shembet diktatura, apo kur dëbohet pushtuesi. Çlirimi i jashtëm, pa atë të brendshmin, është vetëm një çerek lirie. Shpesh politikanët e popujve të dalë nga robëria, ndjejnë nevojë obsesive për të ngritur një despot të ri mbi vete. Kjo mund të ndodhë sepse sedra e tyre është anuluar, është shkatërruar dhe rikrijimi i saj, kërkon më shumë përkushtim, se sa vazhdimi i jetës së rehatshme prej robi, që pret vetëm urdhra.

E njëjta gjë ndodh me ata që kanë kaluar në burg shumë vite. Shteti u cakton një kujdestar për resocializim, sepse ata dinë të sillen në burg, por jo në liri. Për të qetësuar popullin, ata emërojnë patriarkun, që kanë zgjedhur dhe që ndihmon mbijetesën e tyre në politikë: mik strategjik.

Shtresa politike, por edhe një pjesë e popullit, pa një patriark mbi vete, pa një njeri që i mashtron, manipulon, cenon sedrën dhe dinjitetin kolektiv, nuk mund të jetojë. Autoriteti i huaj me ato tipare poshtëruese, zëvendëson boshësinë që është krijuar nga largimi i diktatorit apo pushtuesit.

Politikanët e vendeve të sapo dala nga robëria apo diktatura, kanë ndjenjë vogëlsie të theksuar, sepse autonominë vetjake dorëzojnë dhe ndjehen të qetë, kur përkëdhelen në prehër të dikujt si këlysh të urtë dhe ëmbëlak. Arsyeja mund të jetë abuzimi me ta në fëmijëri; janë keqtrajtuar, janë dhunuar, janë mënjanuar, janë refuzuar dhe dashurinë e munguar të prindërit në shtëpi, e kërkojnë te një baba fiktiv, i cili u premton dashuri të përjetshme, kujdestari të përhershme, por nëse zvarriten mirë, nëse bëhen të dëgjueshëm dhe nëse harrojnë personalitetin e vet dhe integrojnë të huajin brenda vetes.

Liri është aftësi për të marrë vendime për vete ose për shoqërinë duke pasur parasysh interesat nacionale. Nuk është liri vendosja e pllakave memoriale në mënyrë gjysmë ilegale, gati klandestine, kontrabandiste, e as deklarimi se ka zemër të madhe, sepse fakti tregon, se ai nuk ka marrë vendim, por ka zbatuar vetëm një urdhër.

Zbatimi i urdhrit nuk dëshmon posedim të zemërgjerësisë, por të bythëgjerësisë, të frikës, të nënshtrimit. Zemra e madhe nuk prodhon histori duke e mbajtur një projekt të fshehur prej popullit. Zemra e madhe nuk vepron në ilegalitet, por hapur!

Sulltani merr vendime për të burgosur njerëz në Kosovë. Sulltani merr vendime për të vendosur pllaka përkujtimore në Shqipëri dhe askush nuk dinë se kush zbatoi urdhrin!

Sidoqoftë, gjersa në Perandori gjuha shqipe ishte e ndaluar, tani sulltani ishte treguar me zemër të madhe dhe kishte pranuar ekzistencën e saj duke e vendosur në vendin e tretë. Natyrisht në të parin gjendet gjuha hallall turqishtja, pason anglishtja dhe e treta është gjuha shqipe. Shqipja si gjuhë e një pakice në Shqipëri.

Arsyeja pse gjejmë tutorët gjithmonë në Lindje, është se Perëndimi refuzon dhe nuk ka respekt për njerëzit që zhbëjnë vetveten për karrierë dhe i konsideron të pa dinjitet!

Liria kërkon tru, dije, guxim dhe përgjegjësi. Nënshtrim vetëm kurriz!

25 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif

Revista Nëntor 2024

bottom of page