
Poezi nga Klejda Plangarica
Plaskom*
Tej e tej vërtitem këtij plaskomi*
Pash më pash e gërryej këtë zbrazëti
Pa e ditur… Pa e zbuluar kurrë
Në dua të të mbjell, a të të shkul…
Gërryej tej e tej këtë plaskom
Siç ti më gërryen,
Siç unë të gërryej…
Siç e përthithim njëri-tjetrin, tej e përfund.
A thua në gërmim do të shkoklavitim:
Si t’i fundosim dy dekada njëherë e mirë?!
*Plaskom – Hon, greminë, humnerë
Që ti të vish…
Unë nuk e di
Kur do të vish…
Si do të vish?
Si do të jesh,
Nëse do të vish?!
Di vetëm që
Më ka ngecur një copëz hënë
Në grykë
E më mbyt!
Një copëz re në sy,
Një copëz diell
Ndizet e fiket në gjoks,
Si sinjal.
Një copëz qiell, në duar,
Më rrëshqet si ujë.
Një copëz mjegull
Bën ecejake nëpër frymë.
Copëza të tjera rrugësh
Hapen në trup,
Që ti të vish…
Comentários