top of page

Plaka dhe televizori








Më jep dorën, / yjëzoi sytë /

puthmë!


Porta e shpirtit tim, / pa trokitje, / virgjërinë ruan.




1.

Nënën e tre fëmijëve gjyshër, pasi dëgjoi lajmet, e kaploi dremitja përballë televizorit. E përmendën rënkimet e një femre. Hapi sytë e shqetësuar. Aty ishte vetëm ajo dhe televizori. Andej dilnin rënkimet e dy njerëzve që përpëliteshin të zhveshur siç i kishte prurë nëna në jetë. “Korba, i nxorën të tëra në mes të sheshit! U prish dynjaja!... U prish fare.” I tha kështu askushit dhe e nguli vështrimin mbi xhamin e asaj pasqyre, që sillte prenë vatrës gjithë botën. Ishte kureshtare të merrte vesh më saktë se deri ku kishte arritur prishja e botës.

U ngjit në atë qiell ku lëviznin njerëz të panjohur për plakën, njerëz që merrnin e jepnin me jetën krejt ndryshe. Pastaj s’mori vesh pse iu shkrua gjurmë pas gjurme tërë jeta e saj. I erdhën përrua kujtimet dhe nisi t’i rrëfente televizorit:

Atë natë kur u linda unë, lumi kishte dalë degë më degë. Nga rrëpirat e brigjet shkulte kërcunj e pemë dhe duke i mbartur mbi shpinë turrej me uturimë e kërcënim poshtë, duke i kruspullosur pranë vatrës të dy krahët e fshatit. Më kanë thënë një mijë herë se babai dinte për dhimbjet e lebetitjet e nënës por nuk erdhi dot. Ai punonte në kasaba, në Vlorë. Atëherë, dhe më vonë, thoshin se Vlora ishte kasaba e madhe, qytet de. Atje, ngado që të rrotulloje kokën, shikoje njerëz. Kishte plot dyqane. Ne, as kur u rrita unë, s’kishim ndonjë dyqan në anët tona. Në fshatin tonë duhet të lëshoje klithmën e të vendosje duart si hinkë para gojës për të të dëgjuar njeriu më i afërt.

... Ose nga shiu i madh që çmendi përrenjtë dhe lumenjtë, ose nga punët e shumta që kishte kasabaja, ose...

Nejse, babai nuk erdhi.

Më rrëfente dhe më rrëfente foshnjërinë time xhixhia. Mirë bënte veç unë nuk e shkoqita kurrë në më qante hallin, donte të ndjehesha borxhlije, apo thjeshtë kujtonte plagë të shkuara. Ama, kisha lindur në prehrin e saj. E varfra ajo ishte nuse e porsa ardhur në shtëpi dhe as kishte parë ndonjëherë si lind një fëmijë, por kishte bërë durim, kishte bërtitur, kishte bërë prapë durim, derisa më në fund më priti në prehër.

Kur njeriu jeton pas pyllit të lartë e të dendur në rrëzë të një mali, kur qielli mbledh gjithë ujërat e dheut dhe i derdh rrotull banesës së tij, kur mamia Bejeko, plaka më e afërt që çoç dinte për pjelljet e njerëzve, e kishte shtëpinë përtej lumit, doemos që fëmijët ishin të detyruar të dilnin vetë nga ena e së ëmës. Edhe unë kaq kisha bërë.

Shkaktova vuajtje por dola e saktë.


Plaka dhe televizori

Pastaj xhixhia më shpjegonte me dhimbje dhe pak me mburrje se si kapërceu micklat e veqilit të shtëpisë: “Ai, yt ungj, mbërriti dy-tri orë më vonë, bashkë me maminë Bejeko, dhe më përveshi një pëllëmbë. “Pse nuk duruat një sahat?” dhe “fap!” pëllëmbën e dytë. “Pse nuk e pritët Bejekon?”, ngriti zërin ai duke përzënë kështu të shumtën e inatit. Unë sus. “Bëji një sherbet Bejekos!”, urdhëroi pastaj, pa pritur shpjegime. Le që atij as i punonte mendja asaj ane. Kurrë nuk i kishte shkuar mendja se duhej të jepte edhe shpjegime për ato që gjykonte dhe bënte.

“Pjellja ia shkon lumit, o Nadir, s’ka burrë ta ndalojë”, tha nëpër furtunë fjalën e saj të mençur plaka Bejeko, duke i shuar valën zemërimit të burrit të shtëpisë. Pastaj u afrua ngadalë tek lehona dhe tek ti. Sapo mamia rrufiti gllënjkën e parë të kafesë ai, yt ungj e im shoq, hodhi gunën supeve dhe mori shtegun prapa shtëpisë. Duket shkoi nga kasollja e bagëtive.”

Këto i mbaj mend fjalë për fjalë.


Nënën nuk e mbaj mend aspak. Babai më vjen ndërmend si hije. Ai ngjitej në fshat herë pas here dhe më sillte rroba të reja. Nuk e di pse më la tek i vëllai. Nuk e di në se do më linte aty gjithë kohën, apo dëshironte të më merrte në Vlorë. Di që së fundi u vonua shumë dhe mua po më zvogëloheshin e po më griseshin gjithë rrobat e trupit. Një pasdite xhaxhai më pruri një fustan të gjatë që më mbulonte deri në fund të këmbëve, më mori për dore, më ngjiti në një kokojkë prapa shtëpisë dhe, duke më përkëdhelur kokën, më tha:

“Këtu është babai yt.”


Nuk di ç’kam thënë e ç’tjetër kam bërë, veçse kur më ngritën duart e xhaxhait unë e kisha gojën plot me dhe. Kisha hapur krahët dhe me gishtat e ngulur në dy anët e togut të dheut përpiqesha të ngrija në këmbë varrin. Doja të kisha në këmbë babain tim. Nuk e ngrita dot. “Lëri të rrinë bashkë!”, më tha për së dyti xhaxhai. Unë ngrita sytë dhe mora vesh se përbri ishte varri i nënës. Isha katër-pesë vjeçe. Më mirë që më tha.

Nga ajo ditë edhe unë kisha baba e nënë. Ata ishin shtrirë në kurrizin e kodrës së vogël, ishin mbuluar me baltë dhe mbase gëzoheshin që u dija shtëpinë.


Kur filluan të më dërgonin me dhi, kaloja pranë tyre mëngjes e darkë. Çmallesha, i ngushëlloja duke u thënë se xhaxhai më donte shumë dhe ishte njeri i mirë, fërkoja dheun dhe qëroja barërat e mbira mbi shtëpinë e tyre të sheshuar nga shirat.


Erdhi një ditë që qava para togjeve të dheut. Qava për vete dhe jo për ata që ishin tretur nën baltën e verdhë. Më ra dhia e bardhë në greminë dhe xhaxhai më fshikulloi me kapistrën e mushkës. Ai kishte halle shumë, se po i shtoheshin fëmijët, por mua më dhëmbi trupi e shpirti. Rrëshqisja dorën mbi plagët e trupit e pastaj lëmoja dheun. Pasi mbaroja kuvendin me ta, merrja tragën e dhive. Këndoja tërë ditën vaje dhe lëshoja sokëllima për të harruar gjithë botën, por më shumë veten.


E keqja e madhe ndodhi në mars, atë mars kur unë mbusha trembëdhjetë vjeçe. U derdh qielli. Uji i qiellit shkriu borën e maleve dhe, i tre-katërfishuar, fryu lumin sa e nxori nga shtrati, më shumë e më keq nga ç’më kishin molloisur për natën e lindjes sime. Tërë ky tërbim i ujërave të qiellit e të dheut ndodhi kur mua më kishin mbërthyer ca ethe të forta dhe po tretesha nga avra e djersët. Përpjekjet e grave me fërkime e ilaçe vendi nuk më sollën asnjë përmirësim, prandaj xhaxhai kishte shkuar të merrte ilaçe në qytet. Për të mos humbur kohë e mori në sy dhe kaloi përmes lumit të rrëmbyer. E nxori pela deri në bregun tjetër, ama aty ndodhi mynxyra. Në çastin e fundit, një hap para bregut, vjen një trung dhe e godit kafshën prapa veshit. E gjora u shemb në ujë menjëherë. Për fat xhaxhai mundi të kapte degën e pemës më të afërt. Shpëtoi. Erdhi në shtëpi i përbaltur e i rraskapitur. Bërtiste, shante dhe ulërinte. Vërviti një qeskë të mbledhur si topth. “Jepini ilaçet çupës!”, lëshoi britmën e frikshme, si pas çdo therje në kockë dhe u vodh prapa mureve të dhomës tjetër, ashtu, pa shpjeguar ç’i kishte ndodhur.

Vetëm pas dy ditëve e mora vesh që pela dhe ftujaku nuk ishin më. Ftujakun e hëngrën ilaçet. Pelën e përpiu lumi. Tani isha e madhe, isha grua dhe mendova se edhe pelën edhe ftujakun i hëngri sëmundja ime, i hëngra unë. Ndjehesha fajtore. Pela e mbante atë shtëpi. Jo unë jetimja.

Asnjeri nga frymorët e kësaj shtëpie nuk kishin vlerën e pelës.


U bëra më mirë bashkë me mbarimin e shirave dhe qetësimin e ujërave të lumit. Im ungj mori udhën gjatë bregut të kërkonte nishanin e kafshës së dashur. Çdo shenjë që do të gjente, do ta ruante për melhem. E gjeti. Tri orë larg ai pa kufomën e saj të mbështetur tek rrënjët e një rrapi të vjetër. Samari dhe ngarkesa i kishin humbur të gjitha vlerat. U përpoq dhe me mjaft mundim, i ndihmuar nga bariu Selim, mundi të nxirrte frerin dhe rripat e meshinta.

U lehtësua që dinte ku e varrosi uratën e shtëpisë.


Dy burrat ndezën nga një duhan.

“Nuk të njoh. Nga të kemi?”, nisi llafin Selimi. “Nga Guri, Nadir Pema, më thonë”, i dha të njohur ky. “Unë quhem Selim Selimdashi. Nga Selimdashajt e Gribës jam.” “Qofsh shëndoshë! Faleminderit dhe paç mbarësi!” “Dëm i madh të paska rënë në pjesë. Humbe këtë pelë të bukur dhe të fortë.” “Ishte barsë.” “Mos more!” “Më ushqente familjen.” “Je familje e madhe?” “Jo, jo, gjashtë veta jemi. Kam tre të mitë dhe një mbesë.” “Qysh mbesë?” “Çupën e tim vëllai. Ka nëntë vjet e mbetur pa nënë e pa baba.” “Ja tek të paska ty. Shyqyr, thuaj.” “E kam të madhen e fëmijëve. E dua shumë, por kjo lubi jetë na shtrëngon t’i numërojmë gojët e shtëpisë.” “Është e madhe mbesa?” “Eh, e madhe është. I mbylli të trembëdhjetat.” “Qenka në moshën e fatit. Ia ke gjetur fatin?” “Shpejt është akoma.” “Nuk është shpejt, jo. Vajza, në këtë moshë, e ka nderin në shtëpi tjetër.” “Mos ta themi akoma këtë fjalë për time mbesë. Më duket shumë e vogël.” “The se është trembëdhjetë vjeçe dhe të duket e vogël. Nuk është e vogël, jo. Këtë moshë pati edhe ime shoqe kur e prunë tek unë.”


“Ç’fëmijë ke?”, u kujtua të pyeste xhaxhai. “Plot kam, shyqyr; pesë djem dhe tri vajza.” “Të rrojnë e të kenë shëndet!” “Shtatë i kam martuar. Të mitë kam një djalë dhe një vajzë.” “Qoftë dita e bardhë edhe për ata!” “T’u lumtë goja! U shtofsh dhe i gëzofsh fëmijët e tu!” “Faleminderit! Tani unë po ngrihem se po zbret muzgu dhe kam rrugë për të bërë.” “Rri sonte nga unë dhe nesër nisu me natë.” “Qofsh i nderuar! Më presin dhe nuk dua të bëhen merak.” “Ta thashë me gjithë zemër. Do njohësh dhe djalin tim. Mbase do të të pëlqej dhe pleksemi, bëhemi miq.” “Është shpejt akoma. Është shpejt për këtë pleksje.” “Fjalën thashë. Atë mushkën që sheh atje e kam taksur për fatin e djalit.” Xhaxhai pa nga mushka. I pëlqeu. Pikërisht për një mushkë si ajo kishte nevojë këtë ditë. E përmbajti veten.” “Paç faqen e bardhë! Faleminderit për të gjitha! Unë po marrë rrugën tani.” “Faqen e bardhë paç edhe ti. Nuk bëra asgjë tepër.” Dy burrat u përqafuan si miq të hershëm. Pasi xhaxhai kishte bërë nja dhjetë hapa, i erdhi zëri nga pas: “Nadir, dëgjo, unë do të të vij në derë. Të dua për mik.” “Derën e ke hapur. Të tjerat nuk dihen”, ktheu përgjigje duke ecur ungji im dhe nxitoi këmbët.


Mendja nuk i hiqej nga mushka që pa. Vinte e verdhë dhe e bëshme. Për një mushkë si kjo e kishte mbarsur pelën me gomar. Po të kishte vajzën e tij do jepte fjalën pa një pa dy. “Ai që mban mushkë kaq të mirë patjetër që djalin e ka të zotin dhe nikoqir”, i hodhi një fjalë vetes. Do kthehej një ditë ta blinte atë mushkë.

“Të kesh një kafshë si ajo i thua fukarallëkut “Prapsu!””

Pas sëmundjes, bashkë me prillin dhe majin, trupi im mori përpjetë. Më shtrëngonin rrobat në vithe dhe në gjoks. Djemtë, sido që fshehurazi, ndalonin pak hapin dhe më hidhnin sytë. Unë i shikoja se femrat kanë sy edhe prapa kokës. Kadriu, të cilin e takoja çdo ditë tek hapeshin dhitë në korije, nuk duroi dot: “Do t’i them babës të vijë të të kërkojë”, më tha dhe më shikonte sikur do më përpinte. Unë nuk e hapa gojën. “Ditën e parë që do të zbres nga stani, im atë tek shtëpia e xha Nadirit do ta pijë kafenë”, shtoi ai dhe më ngacmoi lehtë gërshetin. U hoqa mënjanë me zemërim. Kadriu iku prapë në qytet, se andej kishte bërë jatak i huaji dhe pati filluar lufta nëpër rrugë e rrugica. Nuk durohej i huaji në prag, kur ai vinte pa ftuar dhe ulej këmbëkryq si zot shtëpie. Thoshin se Kadriu i urrente shumë të tillë të huaj dhe, bashkë me ca shokë të tjerë, nuk i linin të rehatoheshin në vatanin tonë.


Megjithëse, siç thashë, tek më lëmoi gërshetin, u hoqa mënjanë me zemërim, Kadriu më vinte në ëndërr. Nuk mbaj mend sa shumë ëndrra kam jetuar me atë djalë që nuk e pashë më. Ai u bë krenaria e fshatit por unë më tepër ndieja dhimbje se sa krenari. Si nuk erdhi kurrëmë tek korija? Gërsheti im zgjatej, pritej dhe zgjatej prapë dhe gjithnjë e digjte dora e Kadriut që rrëshqiti mbi të.


Selim Selimdashi erdhi. Ishte pasdite e ngrohtë qershori. Ai, pa zbritur nga mushka, sokëlliu: “O i zoti i shtëpisë!” Doli xhixhia ime: “Urdhëro! Kush është?” “Mik i mirë jam. Është aty i zoti i shtëpisë?” “Këtu është. Urdhëro!” Miku zbriti nga mushka, ndërsa xhixhia i foli, me zë të lartë, të shoqit: “Një mik na bujti tek lesa e oborrit”. “Të urdhërojë brenda”, qe përgjigja e të zotit të shtëpisë, pa pyetur se cili ishte ky mik. Nuk pyeti, ama, sa doli tek qoshja e shtëpisë, i vrau sytë lëkura e ndritshme e mushkës. U drithërua së brendshmi dhe menjëherë sulmoi:

“E paske djersitur mushkën, o Selim. Shumë je nxituar.” “Nxitonte vetë e uruara. Duket e ndiente se po shkelte në portë të mirë.” “Eh, aq e mirë nuk duket porta, veçse rri hapur dhe s’i ka frikën asnjë këmbe që hyn në të.” “Paqe paçi brez pas brezi! Paqe dhe miqësi!” “Mirëseerdhe!” Burrat shtrënguan duart sepse gjithë këto fjalë i kishin shkëmbyer pa u takuar akoma.

“Tek i thonë njeriut “mirëseerdhe” vetëm shpresa të mira i ngjallen.” “Këto le të thuhen kur të përshëndoshemi në dalje të portës. Tani për tani, ju lumshin këmbët! Hajde, ulu!” Ndërsa hidhnin e prisnin fjalët e njëri-tjetrit kishin arritur përpara oxhakut. U ulën në të dy anët e vatrës dhe xhaxhai u ngrit prapë: “Mirëseerdhe!” “Mirë se të gjeta! Ja që të gjeta. Këmbët i kam të forta, por këtu më pruri mushka dhe mushkës i hoqi rrugën freri, frerin e drejtoi dora dhe dorës i jepte komandë mendja”, shtriu muhabetin e mëparshëm Selimi. “Shumë gjëra na fluturojnë nëpër mendje...” “Ashtu është, e the tamam, shumë gjëra na fluturojnë nëpër mendje, si farat e luleve, veçse ca e ca na mbijnë atje, hedhin rrënjë thellë dhe s’i shkulim dot kurrë më.”

“Ç’bëhet andej nga ju? Ndihen pushkë?” ndërroi rrjedhën e bisedës xhaxhai. “Mbi rrugë të makinave të ushtrisë jemi prandaj edhe dëgjojmë. Djemtë tanë janë ngritur kundër breshkamadhit dhe bëjnë prita e ca goditje një për një, që i quajnë “antetate.”” “Përkëtej lumit e në buronjë, ku jemi ne, vetëm fjalët sosen. Na thonë, por gjë s’kemi parë.” “Mos pafshi e mos dëgjofshi asnjëherë luftë!” “S’duam, jo, ama na pllakosi. Kemi frikë se do ngjitet lart dhe do ta kalojë edhe lumin. Deri sot vetëm tymin i kemi ndier, veç, shumë djem nga fshati kanë marrë pjesë në pritat e ngritura andej poshtë.”

Biseda zgjati disa orë, pyetën për hallet e familjeve, për hallet e fshatrave, të krahinës, të Shqipërisë dhe në fund ngecën te gozhda. Selim Selimdashi donte mbesën e xhaxhait tim, domethënë mua, për djalin e vogël. U kuptua menjëherë që xhaxhai kishte pyetur mirë e mirë për djalin, megjithatë ai i bëri bisht përgjigjes për disa minuta. Selimi ftilloi disa rrethana që e detyronin të kërkonte nuse për djalin pikërisht në këtë shtëpi.

“Jap mushkën”, i rëndoi fjalës ai.

Kjo qe njësoj si të më hipte menjëherë në kalin e nusërisë. Ata u afruan në një mendje. Unë do të bëhesha nuse e djalit të Selimit me konditë që mushka të bëhej pronë e xhaxhait tim.

“E kam rritur me mundime të mëdha dhe tani që m’u bë krah...” “E di, e di ... prandaj të thashë që mushka është e jotja. Kjo mushkë nuk lë njeri fukara”, guxoi të mbyllte bisedën Selimi, sepse pa që ungji im akoma përtypej dhe mezi përgjigjej. “Mirë, o Selim, mirë. E bërë qoftë!”, gulçoi ky dhe, sipas zakonit, lëshoi zë: “Eja, o grua ...”


2.

Në barkun e televizorit dy trupat lakuriq flinin puthitur pa dhënë shenja jete. Fshiu sytë, “Ptu! I rraskapiti babëzia”, shfryu plaka.


U bëra nuse në derën e Selimdashajve. Im shoq, Fetiu, ndenji në fshat dy muajt e parë të martesës. Dy muaj rresht vinte në krevat më përpara se unë. Nuk flinte. Priste sa shkoja, ngjishej tek trupi im, bënte ca lëvizje e përpëlitje që mua vetëm sa më ngrohnin pak lëkurën dhe, i drobitur, kthehej në krahun tjetër për të dukur sikur e zinte gjumi. Asgjë nuk kuptoja. Halla e madhe më kishte porositur që të tregohesha e ndrojtur dhe e matur në shtrat. Unë e ndrojtur isha edhe pa më thënë ajo.

Një mëngjes Fetiu doli partizan. “Do shihemi shpejt. Ti je vajzë e vockël dhe kur të kthehem unë do jesh më e madhe”, lozi burrin e pjekur ai. Diçka kuptova, por s’dija të nxirrja një fjalë të saktë. U ndamë si vëlla e motër dhe u pamë vetëm dy herë të tjera. Pastaj ai u largua me batalionin në krahina të largëta. U krijuan vështirësi nga operacionet e armikut dhe ngriu meraku në gjak. Lajmet për të i dëgjoja nga goja e të tjerëve. Tregoi maturi e trimëri në luftë prandaj i ngarkuan ca detyra delikate. Të tjerët edhe venin e vinin por ai nuk largohej nga radhët asnjë ditë dhe as një orë.

E prisja. S’kisha durim.


Më kishte lënë në shtëpi me motrën e tij të vogël, Inajeten. Kjo ishte më e madhe se unë në moshë dhe më sillej si Hanko Halla. Veç që i kisha mbi kurriz gjithë punët, brenda e jashtë shtëpisë, ja dhe Inajetja që më rëndonte si tevlik mbi qafë. Më bërtiste e shante pa asnjë arsye. Vjehrri ishte plak i mirë dhe i dashur, por me të takohesha vetëm kur shkoja në stan për të marrë bulmetin; qumësht, gjizë, djathë. Tek nisesha për në shtëpi më porosiste i merakosur si të më kishte vajzën e vet. “Barrë e madhe të ra edhe në shtëpinë tonë”, më thoshte dhe gëlltitej duke kthyer kokën mënjanë. Vjehrra lëngonte në shtrat. I shërbente edhe e bija, por, kur kthehesha në shtëpi ajo i donte të gjitha nga unë. Përpiqesha t’i shërbeja sa më mirë, megjithatë, ajo gjithmonë thërriste Inajeten dhe i kërkonte të njëjtën gjë. Inajetja s’kishte ç’t’i bënte më, ama sillej gjoja i bënte dhe turrej me të shara e ulërima. Unë kërkoja ku të futesha e me ç’punë të merresha për t’i shpëtuar sulmit të fjalëve, por ajo më ndiqte nga pas. Aq e egër ishte me mua sa, një ditë, më kapi për flokësh dhe më shkundi fort.Bërtiti: “Eej, do mësosh ndonjëherë ti apo jo?”. “Pse ç’të keqe bëra? Unë i shërbej si nënës sime”, thashë dhe u shkriva në të qarë. “Ku ke parë nënë ti, moj?”, u turr kunata dhe më shtyti tutje. Unë s’e doja më veten. U vërsula drejt haurit dhe qaja duke kafshuar rrobat e trupit, kockat e gishtave, parvazin e derës dhe godisja kokën me grushte si e çmendur. Nuk më kaloi kurrë zemërimi dhe as urrejtja që më lindi pas atyre fjalëve.

Ditët rrodhën keq e më keq. U mbush viti dhe unë mbeta e huaj dhe e padëshiruar në atë shtëpi. Në situatën e vështirë të luftës, kur djemtë po dilnin grupe-grupe partizanë, gjendja e mjerë e fshatit u bë më zi. Në shtëpinë e Selimdashajve fajtore bëhesha unë. “Na solle me vete fukarallëkun ... dhe horrllëkun”, mërmëriste e bërtiste nëpër shtëpi kunata. Askush nuk i tha asaj një fjalë ndryshe. Unë pikëllohesha.

Fetiu erdhi me dy shokë të tij. Kishin thuajse të njëjtën moshë. “Ky është një shok nga qyteti”, tha ai, duke na prezantuar një djalë flokë e vetull zi, me fytyrë të hequr që ngushtohej deri sa mjekra bëhej e mprehtë. Të gjithë e shikonin me simpati atë djalë që i thoshin “komisar”. Ai dinte të shpërndante ngrohtësi me vështrimet e tij dhe, duke i dhënë gotën e dhallës unë i buzëqesha. Gjithë të tjerat s’kanë asnjë vlerë. Ata ikën të nesërmen, por Inajetja nuk iku. Ajo më numëroi mua njëqind e një të paqena. “Ti je putanë”, shfryu më në fund. “Unë?!”, më rëndoi shumë kjo fjalë e sjell në anët tonë nga italianët. U turra ta shtyja e ta godisja, por ndala një hap përballë saj. “Ptu!” e pështyva. Ajo u hodh mbi mua dhe më godiste pa ndaluar. Vjehrra ishte e drobitur dhe s’mund të ndërhynte as me fjalë. Sytë ia pashë; i shkëlqenin nga kënaqësia. Kisha fuqi ta bëja copa-copa atë kunatë të tharë në diell. Nuk i mbajta as dorën. Ajo u lodh dhe u hoq mënjanë.

“Ti erdhe grua tek ne”, sokëlliu ajo. “Më merr të keqen e më bëhesh kurban, se edhe sot jam vajzë”, u bëra ujkonjë unë dhe e mbërtheva për flokësh, e rrëmbeva zvarrë deri sa i futa kokën tek prehri i së ëmës. S’ngopesha ta haja të gjallë.

Heshti si bushtër e rrahur.


“Hajde ta marrësh”, i vajti haberi xhaxhait. Ky haber kishte hije shumë të rëndë. Rëndesa bëhej plumb se duhej kthyer mushka. Erdhi pas një jave. Nuk bëri fare fjalë. Me kokën ulur më hoqi rrugën dhe më çoi drejt një fshati tjetër. Mua nuk më zbërthehej goja. Kujtoja se po shkonim tek halla por, edhe sikur ta dija se do të më zhdukte, nuk do të pëshpëritja asnjë fjalë. Mendoja se isha shkaktare e vuajtjeve dhe varfërisë së tij. Tek halla vajtëm. Ata e dinë ç’patën biseduar dhe ç’biseduan atë natë gushti.

“Nesër do shkosh tek burri”, më përkëdheli halla. Nuk pohova, as kundërshtova, por e pashë hallën drejt e në sy për t’i treguar se unë nuk shkelja më në atë shtëpi që braktisa. “Të ka gjetur halla një derë të mirë. Nuk do kesh më motër të burrit në shtëpi.”

Oh! Sa kisha për të thënë dhe kurrë nuk i thashë.

Më çuan në shtëpinë tjetër si grua të dalë në rrugë.

Xhaxhai e zëvendësoi mushkën.


3.

Midis muhabatçinjëve të plakës, në barkun e televizorit, plasi grindja. Filluan britmat. “Pse na prure në këtë shtëpi?”, e pyeti femra. “Kjo është shtëpia ime”, shtriu dorën përpara mashkulli. “Ti, më the që je i pasur”. “Kushëriri im është i pasur. Ne kemi të njëjtin mbiemër”. “Mashtrues! “Pse, nuk qe e këndshme?!” Femra e çmenduar u vesh rrëmbimthi pa ndaluar britmat dhe sharjet. Më kot ai përpiqej ta qetësonte.

“Ptu, ptu! Jazëk! Thashë unë që u prish, u prish dynjaja.”

Bëri këtë muhabet plaka dhe iku përsëri larg...

Kot u mërzita në çastin e parë. Më mirë se në këtë shtëpi nuk kisha ku shkoja. Atje gjeta vjehrrin me dy djem. Shtëpia, do tregoj më pas se ç’quanim shtëpi, kishte pesë vjet pa grua. Pasi pati vdekur e zonja e shtëpisë, plaku mori nuse për djalin e madh, por ky, fatziu, vdiq, as tre muaj i martuar, nga zorra e verbër. Nusja iku në derë tjetër, ku lindi edhe fëmijën e burrit të parë. Një derë e përgjëruar pesë vjet për dorë gruaje patjetër që do të gëzohej e do të ndriçohej ditën kur ndjeu erën time, erë femre.

Dasmë nuk u bë. Tri-katër orë nusërova, (nusërim i thënçin!) dhe pastaj njerëzia e pakët u larguan. Brenda katër mureve mbeta unë dhe ai që do të quhej burri im. Dhoma kishte me të vërtetë vetëm katër mure. Mbi ne nxinin materët e veshur me blozë dhe në materin e mesit, tek një çengel i zi, kapej kremastari, i cili varej poshtë deri tre-katër pëllëmbë afër asaj që quhej vatër. Aty ishte vatra, në mes të shtëpisë. Pashë të shtruar disa shilte dhe një çarçaf të bardhë në qoshe.

Mbi atë çarçaf u ul mashkulli që i dija vetëm emrin.

Qe dyfishi i moshës sime. Më shumë dukej por aq ishte. Ai fiku kandilin prandaj nuk mund të prisja më në këmbë. Kaq gjë e dija. U ula dhe unë. Hodhëm përsipër rrobën që zëvendësonte jorganin e nusërisë dhe asnjë fjalë. Ishim botë për njeri-tjetrin. Këtë humbëtirë e prishi ai. U ngrit në këmbë, zbërtheu e hoqi disa nga petkat që kish veshur, pastaj kërceu mbi mua. Në fillim m’u duk sikur u rrëzua njëri nga materët, por, ndërsa duart e tij mënjanonin të linjtat e mia, në shtresat tona hyri të nxehtët. Nuk vonoi dhe ndjeva të çahem dhe një dhimbje e fortë më shkuli rënkimin më të papritur dhe më të mirëpritur në jetë. Pastaj nuk ishte aq keq. Mashkulli bëri lëvizjet që i kërkonte shpirti, shfryu mbi trupin tim epshet e shumë viteve për një minutë të vetme dhe u hoq mënjanë. Tani u binda që ky ishte burri im.

“I tillë duhet të jetë burri”, shpjegova veten.

Varfëria e madhe e atij trualli rriti vlerën e pranisë sime. Më kishin nevojën. Më donin e më respektonin sa nuk e pata menduar kurrë. Vëllai i burrit u regjistrua në brigadë. Kërkonin djalë në çdo shtëpi dhe ai ishte beqar. Ra në luftë.

E kam parë emrin e tij në varrezat e dëshmorëve, megjithatë mendoja se do të qe më mirë të mos ishte vrarë.

Kështu na duket gjithmonë, sikur më e mirë është ajo që nuk ndodh.


Kohët ishin mjaft të turbullta por familja jonë u shtua. Solla në jetë djalë. Në fakt nuk u shtua ngaqë një e mori lufta, veçse ai nuk quhej i ikur. Jep andej e jep këtej, me leshin e bagëtisë, fillova të bëjë prokofë, qilima, guna dhe në dhomën tonë tani kishte ku të ulej miku. Vetë bëja dru, vetë shkoja për ujë, vetë rrihja rrobat në dërstilë, vetë kullandrisja shtëpinë. Burrat kishin blegtorinë dhe halle të tjera.


Një ditë bëhej fjalë për luftë të madhe ku do merrte pjesë gjithë krahina. E shkruan edhe tim shoq në çetën territoriale. Mbetën dhjetë ditë atyre anëve. Në fshat kishin mbetur gratë dhe Sulua. Ky ishte i këshillit.

Nuk ishte vetëm i këshillit, sepse dukej edhe ca si kodosh.

Vinte rrotull, lëshonte fjalë grave dhe qeshte me dhelpëri. I ecte apo si ecte, ai vazhdonte në të tijën. Gratë e fshatit i dilnin zot vetes dhe nuk ngatërronin gjakun e burrave në fëlliqësira të tilla. Edhe Sulua e dinte këtë gojëkyçje të grave.


U hap lajmi se pas dy-tri ditësh mbaronte lufta dhe territorialët do ktheheshin në shtëpi. Më erdhi mirë që do kthehej im shoq. Me fëmijën në gjoks dhe në kurriz të leshtat; qilim, velenxa, guna, shkova në dërstilë. Dërstila ishte fare afër, në një përrua të thellë me faqe të larta shkëmbore. Nga sipër vareshin degët e pemëve dhe krijonin një tunel të freskët. Ujët gjëmonte e shkumonte.

Në të mbaruar të rrahjes së të leshtave ndiej nga prapa hapa të rëndë e të nxituar. Sa ktheva kokën isha e karfosur nga duar të fuqishme burri dhe e rrëzuar përmbys mbi zall. Ulërita. Kot ulërita mes asaj uturime që shkaktonte uji i dërstilës. Përdora duar e thonj nga mbrapa shpinës sime, por mashkulli, shpejt e shpejt, e bëri ç’deshi. Derdhi epshet duke gulçuar dhe u hoq mënjanë. U ndjeva si lopë, por i fola vetes dhe e gjeta ç’duhej bërë. Ai po mbërthehej, ndërsa unë rrëmbeva kopanin me të cilin kisha rrahur rrobat dhe me një fluturim, ku merrte pjesë gjithë egërsia e shpirtit të një gruaje, ia ngjesha në rrëzë të veshit të majtë. Ra si trung. Nuk i doli gjak. Pashë nga i vogli. Flinte. E zvarrita kufomën e atij burri mustaqelli anës së ujit, e çova pranë një trage këmbësore që zbriste mbi një pllakë guri dhe e lashë atje të vdekur.


U kujtova që nuk i mbërtheva poturet, prandaj u ktheva me nxitim. Plaçka që më kishte hyrë brenda trupit dhe kish pështyrë në thellësi të barkut tim dukej e fishkur dhe e ndotë. U pështirosa. Ngarkova rrobat në kurriz, vara të voglin në qafë, e shtrëngova fort në gji dhe ika sikur të mos kisha qenë kurrë në atë histori me poshtërsi dhe vrasje njerëzish. Vetëm se e humba gëzimin që pata për kthimin e tim shoqi. Më dukej sikur kundërmoja qelbësirë. U shtira dy ditë si e sëmurë dhe ky u ngjit në mal pa e bërë dot zakonin e darkave kur hidhej mbi mua.

Sulua nuk vdiq. Mbeti budalla. Bridhte e jargavitej rrugëve e shesheve. Mori pension lufte dhe e strehonte i vëllai. Fëmijëria e fshatit talleshin me të.

Kjo ishte më keq se vdekja por nuk u pendova kurrë.

4.

Çifti i filmit u nda tek pragu i derës. “I poshtër”, shfryu ajo dhe e fshikulloi në faqe. “Kurvë, kërko se do gjesh edhe të pasur”, e shtyri ai dhe përplasi derën.


Lufta me dushmanin mbaroi, por jeta nuk kishte ndonjë ndryshim të madh. Ajo na ishte dhënë e zezë dhe na jepej farmak, na çirrte si kafshë e egër. Fshatarët, sidomos ata që ishin të zotët e punës, i këndonin luftës dhe jetës siç u erdhi, ama mendonin për të gjetur ndonjë shteg të afroheshin tek vëllezërit, motrat a të afërmit e tyre që i çoi paslufta në qytet. Nga reforma agrare nuk fituam dhe as humbëm se në mes të këtyre maleve të gjithë mbaheshin me nga një tepsi tokë dhe disa kokë bagëti. Ishin fusharakët që fituan dhe u cënuan nga reforma agrare. Bënim fëmijë. Edhe fëmijët na iknin. Lindnin dy, i bënte ballë jetës një, por ne pillnim shumë.

Im shoq, sa herë që flinte në shtëpi, sillej në të njëjtën mënyrë; shtrihej pranë mua, mendohej pak, zbulonte se kishte lënë një punë pa mbaruar dhe ngrihej. Zgjidhte oçkurin dhe zbërthehej sa ishte në këmbë, vërvitej si këndesi mbi pulën. “Fërc-fërc, oh!”, pastaj ndizte cigaren. Prandaj, për gjashtë vjet, polla gjashtë e u bëra me tre fëmijë.

Një ditë burri tha: “Më bën komunist.” M’u duk sikur pas kësaj ai do ishte dikush tjetër. Kot e mendova këtë.

Nuk vonuam shumë dhe u shpërngulëm drejt një qyteti të vogël ku kishte zënë vend dajua i burrit. Ky dajo nuk kishte qenë në një mendje me ata që bën luftën, domethënë me shumicën e fshatit, prandaj pati ikur i pari. Atje kishte punë. Punonte burri me turne, punoja dhe unë pasditeve në pastiçeri. Na dhanë si fillim një dhomë të vogël e pastaj dy më të vogla. Shtëpia ishte e ulët por më e mirë nga ajo që lamë në fshat. Kështu ishin të gjitha; vargje të gjata shtëpish të ulëta, të ndërtuara përballë njëra-tjetrës. Ndanim pamjen nga gjitonët me telat e rrobave dhe me lule varëse.

Jetonim.

Edhe qeshnim.

Edhe gëzonim.


Në 1 Majin e vitit.... rreth e rrotull s’kishte xhan-xhin, i madh e i vogël kishin dalë në festë, kurse unë po merresha me një vazo lulesh në oborr. Me njërin gju mbështetur në tokë, tek isha e harruar pas lules, vë re që mësuesi i fizkulturës, fqinji përballë nesh, kishte kapur një dru të gardhit me dorë dhe vështronte nga unë pa folur. Ishte i veshur me tutat e sportit për të vajtur në drejtim tjetër por mbiu te gardhi. U ngrita si e shastisur. “Uu, korba!”, i lëshova një kërcëllimë vetes dhe nxitimthi hyra brenda. Më ra pika në tru. Mashkulli me tuta sportive po shikonte këmbët e mia të zbuluara deri sipër. Që kur hoqa çitjanet dhe shkurtova fustanin deri afër gjurit, se ashtu vinin kohërat dhe ashtu e donte vendi i punës, nuk kujtohesha të bëja kujdes e të mbulohesha para se të ulesha. Atë ditë dukja e këmbëve të mia ndaloi te gardhi një mashkull. Vija vërdallë nëpër shtëpi duke sharë veten, kur trokiti dikush në derë dhe e hapi pa i thënë të hyjë. Ishte ai. Shikonte drejt fytyrës sime dhe nuk përshëndeti. Vështrimi i tij përkëdhelte dhe kërkonte. E kuptova. “Dil jashtë!”, thashë. Ai futej më brenda, shtriu duart dhe i mbështeti në supet e mi. Edhe unë shtriva duart dhe e shtyra në kraharor. Rëndoi mbi duart e mia, pastaj më kapi të dy pëllëmbët dhe m’i ngriti lart për t’i mbështetur në mur. Shikimi si në fillim; i ngulur mbi sytë e mi, pa asnjë shenjë egërsie, i butë. Përkëdhelte dhe përpinte me sy. Mendova një çast se mund të bërtisja veçse, për disa arsye, u binda se nuk kisha përse të bërtisja. Ai nuk po sillej egër, nuk ishte aq i rrezikshëm, e bërtitura do më bënte turpin e botës dhe unë ndjehesha pakëz fajtore që e kisha ndjellë, duke i zbuluar këmbët e mia. Sidoqoftë, sulmova, doja të shtyja dhe nga që duart ishin mbërthyer në mur e qëllova me shkelm nga kërcinjtë. Atëherë ai përtheu njërin gju dhe ma mbështeti, ja këtu, midis kofshëve. “Mos u bëj budallaqe!”


E gozhduar nga fjalët apo nga ankthi heshta, ndërsa gjuri më përcolli gjithë mashkullin dhe mishrat e këmbëve të mia sikur u ndjenë mirë. U përkul e më puthi. Lëviza kokën majtas-djathtas por ai e gjente gojën dhe më puthte. Jo fort, as me nxitim. U puthit pas meje dhe kuptova se gjithçka mashkullore tek ai ishte gati për të bërë më shumë. Sa kuptoi këtë vetja ime, u çarmatos. Gjunjët po përthyheshin dhe rashë praptas e lakuar mirë nga krahët e mësuesit.

Ç’u bë u bë. Tani po ngutesha. Doja të mbaronte shpejt kjo mynxyrë e turpshme dhe ai të ikte në punën e vet. S’ishte e thënë. Ngutesha unë por jo ai. Ky burrë donte diçka më shumë dhe me ngadalësinë e tij të parrezikshme mori aq sa deshi.

Këtë ndodhi, që më brente zemrën, e kyça në shpirtin tim dhe lëshoja mallkime ndaj pakujdesisë dhe mendjelehtësisë sime. Asnjëherë nuk i ngarkova gjithë fajin atij. Prisja të rrëzohej tavani, të nxiheshin muret, të thyheshin xhamat, të çahej zemra ime. Asnjëra nuk u bë. Pak qetësi më mbështillte shpirtin nga mendimi se lagjja atë çast s’kishte këmbë njeriu. Kjo kishte shumë rëndësi, se s’mund të përsëritej kollaj, për herë të dytë, hyrja e një mashkulli në shtëpinë e një gruaje. Unë nuk do ta lejoja kurrë më.

Kështu qetësohesha, por në një mesditë vere ai u drejtua për tek unë. E pashë nga prapa xhamave dhe vrapova te dera. E mbylla derën me çelës dhe lloz. Trokiti. Unë hiç. Trokiti prapë. Unë prapë nuk u bëra e gjallë. Më foli në emër. Hiç. “Një minutë”, lutej nga jashtë. “Një minutë, të lutem”, u përgjërua. Unë nuk kisha ndërmend të hapja rrugë. “Do më shikojnë te dera”, sulmoi ai. Isha me dorë në çelës. Sa dëgjova fjalët sulmuese u përvëlova nga turpi. “Vërtet, po ta shikojnë që rri në prag të derës, çfarë do thonë?”.

Rrotullova çelësin, mënjanova llozin dhe isha e gatshme ta përzija. Ai nuk priti. Ngjiti buzët mbi buzët e mia. Një herë, dy herë dhe këto dy buzë të shtrënguara u ngrohën, u hapën. Dëshironin të putheshin. “O zot, si kështu!?

Buzë gruaje të martuar kaq vjet dhe të zhuritura për një puthje burri!?”

Liroi njërën dorë, më zbërtheu jakën dhe vuri në pëllëmbë të dorës gjoksin tim. Gjaku i gjirit tim u ngarkua me dridhma dhe i shpërndau, njëherësh, në gjithë qoshet e trupit. Tërë shpirti a ç’ka tjetër jashtë e brenda trupit të njeriut u shpërthyen, më thërrisnin të sulmoja, por unë isha grua dhe po të pajtohesha me ato thirrje do kridhesha në turpin më të madh që ka në dorë të bëjë gruaja përpara zotit. Sulmi im i dëshiruar u shfaq si dorëzim i plotë. Ai, pa u trembur se mund të hapej dera, kërkonte e zbulonte me ngadalësi. Nuk dëshironte vetëm atë pëllëmbë vend nga zotërimi im.

Më donte të tërën; nga thoi i këmbës deri tek qimja e flokut dhe unë, për të parën herë, tani që isha tridhjetë vjeçe grua, kaq vjet e martuar, pashë se trupi im kishte shumë vlerë. Këtij burri i kishte ënda minierën time, i dëshironte dora e goja dy gurët e çmuar të kraharorit tim, i çapiste shpirti në tërë monopatet, në çdo livadh e kodër që krijonte kurmi prej gruaje.

“Trupi i gruas duhet të ketë çmim shumë të lartë”, i thashë vetes, duke sjellë ndërmend që im shoq kërkonte thesarin vetëm në një fole.

Kur më shkeli trutë ky mendim, pësova një krisje që më theri tej e tej shpirtin. Me këto pak fjalë, të pathëna dhe të pashkuara nëpër mend kurrë më parë, gjithë kohërat e jetuara deri atë çast m’u bën thërrime, u pluhurosën.


Shpirti im u ngatërrua, u kokoleps pa gjetur fillim a fund.


Duart e burrit të botës përpiqeshin të më qëronin gjithë rrobat nga trupi. Përpëlitesha. Kur isha në pamjen e ditës që linda u përmbyta nga mornicat. Ishte e para herë që trupin tim lakuriq e kundronte një njeri që nuk ishte nëna e as xhaxhesha ime. Ky njeri lakmonte lëkurën e nënlëkurën. S’kisha ftohtë, por dridhesha.

Orëzeza unë!

Ai e kuptoi, mbase dhe e dinte, si mund të shpëtohesha dhe u bë gjithë duar e buzë; më puthi nga nëngjunjët deri tek rrëza e veshit, ndërsa me duar ledhatonte e fërkonte lëkurën time në tërë gjatësinë e trupit. Fillova të tradhtoja veten. Ngjishesha pas tij dhe kjo ishte shenjë sulmi. “Ndihmomë!”, më pëshpëriti në rrëzë të veshit. Unë hiç. “Ndihmomë!” u lut prapë ai dhe më komandoi dorën tek rripi i pantallonave. Buzët i rrëshqiti, si kishte bërë edhe më parë, nga rrëza e veshit e teposhtë. Ndaloi diku dhe filloi të përtypte sisën e majtë. “Ndihmomë!” S’donte të harroheshin duart e tij pas pullave dhe leckave.

E ndihmova derisa s’kishte ç’të zhvishte më.

E sheh ti? Djalli duhet të ketë fuqi të madhe, të papërballueshme, ndryshe unë kurrë nuk do të guxoja të nxirrja në dritë dhe të puthja trupin e një burri të hedhur mbi mua. Kurrë nuk më kishin kërkuar të bëja kështu. Kurrë nuk e kisha bërë. Kurse tani e bëra me trupin e burrit të botës.

E putha.

Futa kokën në kraharorin e tij dhe e putha me nxitim, me afsh, me egërsi. E zgjatëm shumë. E tepruam. U mësova aty për aty me trupin e tij të zhveshur dhe po e përdorja si fëmijë. Nuk duhet të ndodhte kjo orgji. Ndodhi. Për herë të parë shpirti im u harbua dhe humbi virgjërinë.

“Turp dhe faqja e zezë! Janë rritur e gjykojnë fëmijët. Ndal!”

“Ndal!” Një fjalë goje.

Po ndeja rrobat në tel. Mësuesi më vështronte nga ana tjetër. Mua më ngacmonte vështrimi i tij por nuk po e jepja veten. Një grimë të vetme ktheva kokën. “Hajde!”, bëri me dorë ai. Nuk e përfilla. Gjoja nuk e përfilla. Në të mbaruar të rrobave s’durova dot pa kthyer edhe pakëz sytë nga pragu i derës fqinje. “Një minutë”, foli. Prapë ajo fjala “një minutë”. Ngela si dru në mes të oborrit. As brenda shtëpisë sime, as për tek ai. “Unë dua të vish”, foli dhe njëherë.

“Ai do?! Unë nuk dua.”

Ai donte. Trupi im ziente e vlonte sepse zjarri ishte shumë afër, ishte ndezur për mua, ama unë nuk doja. “Jo!” dhe nxitova të fshihesha.

Nga qoshja e rrugës befi e shoqja. Hëngri mua me sy ujkonje dhe u turr tek i shoqi. Trake-truku i takave në ato njëzet hapa lëkundte tokën. Rrëmbeu të shoqin nga krahu dhe u fshehën brenda derës. Unë shpejtova më tepër se ajo, hyra në banjë dhe u hodha disa grushte ujë të ftohtë syve. Doja të binte shtëpia dhe të më bënte kulaç.

Pas disa minutash shtyu kanatën e derës dhe hyri drejt e në dhomën time ajo, gruaja e mësuesit.

“Ti nuk ke lindur të lozësh putanën”, më pështirosi. Pastaj, megjithëse unë nuk po flisja vulosi: “Vuri çelës gropës!” “Më marrsh të keqen e këmbës!”, shfryva dhe ajo iku, por unë nuk e dija ç’kuptim kishte përgjigja ime.

Dafina, e shoqja e mësuesit të fizkulturës, i dinte mirë këto monopate. Veç kësaj ajo kishte edhe një baba që merrej me fatin e të tjerëve. Prandaj fati im mori rrugën për në skuadrën e fshesareve të komunales, kurse fati i të shoqit të saj mësoi rrugë të largëta.


Jetova disa vite të tjera, tridhjetë vjet më duket, me Faikun tim por vetëm dy-tri herë e honepsa të më kërcente si këndesi pulës. “S’kemi mundësi të bëjmë e të rritim fëmijë të tjerë”, ishte sebepi im dhe e mbyllëm atë kapitull. Ai fliste pak. Nuk lëpihej e nuk lutej. Nuk përkëdhelte e nuk përkëdhelej kurrë. As mësova ndonjëherë në donte apo në dëshironte ta donin. Iu përvesh alkoolit dhe duhanit.

Sa kthehej në shtëpi, hynte drejt e në nevojtore. Dilte andej turivarur dhe shtrihej duke hequr vetëm këpucët dhe xhaketën.

Ashtu bënte ai, por unë jetoja me çmendurinë. Grindeshim e çirreshim për paratë e prishura kafeneve dhe për fatin e fëmijëve. S’donte t’ia dinte fare. Përgjegjëse për fëmijët mbeta unë. Lodhesha, ndihesha fajtore, ndihesha e fyer, tradhtare, e braktisur, e zonja, e ligë. Gjithë këto së bashku më nervozonin, më bënin histerike.

“Do të të vras. Do të të shuaj pishën”, i ulërita një mëngjes brigadierit dhe ai iku me bisht në shalë. E dinte që një grua ta shuante pishën në çdo orë të ditës. Kështu ishte koha. Me këtë egërsi mbi kurriz e prura jetën në fundin e saj. Po nuk ardhka lehtë fundi, është fshirë emri im nga defteri dhe s’më gjen dot as i përjetshmi.


...Femra e filmit ecte me hapa të shpejta dhe i ritmonin takat në trotuaret e qytetit. Plaka u përpoq ta mësojë edhe këtë; ku do të shkonte ajo femër e nervozuar pas shitjes që i bëri trupit të vet? Ditën tjetër, domethënë, pas pesë minutash, nga që ne e dimë se filmi rrëfen me shpejtësi të madhe, ajo u duk se ku vajti. Ishte njësoj e zhveshur para një mashkulli tjetër. “E pacipë! Bushtër!”, shau plaka dhe fshiu sytë për t’i ardhur më mirë drita e shkreptimave të betejës së re, se të gjitha betejat ndryshojnë pakëz njëra nga tjetra.


Kështu e kaploi përsëri dremitja dhe u gjend në kokojkën mbi korijen e vegjëlisë. U takua me nënën e babain, pastaj iu shfaq partizani Kadri. Lozën me Kadriun, mblodhën luledele, lulëkuqe dhe lule të tjera, pastaj ai i preku gërshetin. Gërsheti nuk ekzistonte prej tetëdhjetë vitesh, megjithatë, vazhdonte të digjej mes dorës së djalit ...

O zot –vrundulloi kraharori i saj –lëkura vyshket, shpirti jo.


231 views2 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page