top of page

“PLAGË QERAMIKE” TË POETIT VASIL KLIRONOMI...


E POSTOI VASIL KLIRONOMI


VËSHTRIME RRETH IMAZHEVE DHE VEÇORIVE POETIKE QË E KARAKTERIZOJNË VËLLIMIN POETIK “PLAGË QERAMIKE” TË POETIT VASIL KLIRONOMI. Nga Arqile Vasil Gjata Për poezinë, ka një preceptim, një vështrim, apo dhe ide se: -Rruga e poezisë është jo vetëm e çuditshme, por dhe sepse: “Plagët e saj piqen më së mirë në qeramikë.” Kjo e “çuditshmja” është një realitet dhe këtu në mjediset letrare të Athinës. Jeta poetike në Athinë është një vatër ku poezia ka kohë që është në krye të vatrës. Në këtë vatër të ndezur poetike bënë pjesë dhe poeti dy gjuhësh (greqisht-shqip) Vasil Klironomi. Vasil Klironomi ka aftësi që, me anë të personifikimit i qaset vazhdimisht gjthësisë për ta njohur dhe për ta trajtuar nga një këndvështrim i ri, me prirje për të përballuar me shumë sukses ndërlikimin e botës së letrave me dëshirën e fisme për ta parë thellë në aspektin estetik, i cili ndryshon shumë në raport me sa e sa të tjerë poezishkruesë! Poeti Vasil Klironomi, tashmë është i dallueshëm në fizionomi dhe në vlera poetike. Ai, si një “hije e kripur” dhe rrënjëve të poezisë u jep frymëmarrje. Me mjeshtëri di t’i kurdisë që të këndojnë Kukullat e bukura (ashtu vërtetë të gjalla me zë artisti) dhe autori i ngjyros nëpër vargje, si një magjistar deti, vargjet i nxjerrë nga thellësia e kujtesës dhe Erosi qeraste vajzat me ëmbëlsira të lugës”. Nga një lexim dhe studim i vëmëndshëm veçoj mendimin se: -Një sintaksë poetike e përkryer e mbulon poezinë e Klironomit, “Lakuriqësi e vërtetë” e vargut në poezinë e autorit Klironomi, me Sfilida-n(zanë) ka dalë të vesh Diellin me ngjyrat mesdhetare. Lakuriqësi e Vërtetë Kundërmonin jod orët e para të ditës dhe një vajzë që dielli për herë të parë e shihte lakuriq, hyri në det e bardhë dhe e bukur si Suedia. Lash hijen time të kripur mbi rërë dhe e kalova disa metra, mos vinin dallgët. Ndërsa ajo derdhej në det si qumësht. “Agoi, pemët kthyen fytyrën drejt lindjes së Diellit dhe në folenë e ndriçuar, ra veza e parë e një mëllënje.” (nga poezia “Në pyllin e forcuar”) “Në detin e hapur, anijet, i dorëzoheshin palëvizmshmërisë. Në udhët e tyre kërkoja shenja, Ishuj artificialë ndërtoja me dallgët Dhe humbisja në pallatet e thellësisë.” (nga poezia “Autorefuzim”) -Poeti dhe shkrimtari Michel Houellebecq, në essenë e tij “Të mbetesh gjallë” shkruan: “Impulsi i parë poetik i përket fillimit të fillimeve, vuajtjes”, domethënë se vetëm dhimbja (çdo lloj dhimbje shpirtërore) mund të jetë materie e poezisë së vërtetë. (marr nga një publikim në rrjetet sociale nga Profesor Vangjush Ziko!) Këtë sentencë të poetit Houellebecq e gjejmë në vazhdimësi në poezitë e autorit. “Ishte një kohë (shkruan poeti), që dhe orët i ndiqnim me hijet e busteve”, “lamë nëpër degë puthjet tona”e “thëllëzat arhonde/shoqërojnë të dashuruarit e ndrojtur.”…të gjitha këto ”e shikonin kalimtarët/dhe dielli kalonte sipër tyre duke lexuar kujtimet.” Dukshëm dhe me shumë art poetik e gjejmë të tretur këtë mendim poetik tek poezia “KUJTIME”: “Ishte atëhere kur binin gjethet dhe,/ç’kishte mbetur nëpër pemë/i hidhte në tokë një dorë e padukshme…..Pasditeve. ç’priste syri në rrugë,/e vinin në stivë me dimrin….dashuria rrëmihte tokën/…Mbi supe u binin petale dhe mullinjtë viheshin në lëvizje.” Një tjetër estet, Roman Jakobson nënvizon se përmbatja e kuptimit “poezi” është e lëkundshme dhe e kushtëzuar nga faktori kohë; ndërsa “poetiken” e përcakton kështu: “Poetikja është e pranishme, kur fjala ndihet si fjalë, dhe jo vetëm si paraqitje e objektit të emëruar prej saj ose si hedhje emocionesh, kur fjala me kompozimet, me semantikën e saj, me formën e brendshme dhe të jashtme përfton gjithçka edhe vlerën në vetvete –në vend që t’i qëndrojë në më mënyrë indiferente realitetit”. Po sjell në vëmëndje të lexuesit disa vargje nga poezit e poetit Klironomi: EVGJITI Qëndron më këmbë me duart kryq. -Ç’të mërzitesh!-Thotë. I fut në xhepat gjithë vrima Dhe kruan të poshtmet. -Ç’të mërzitesh! -pas pak, vë llozin pas derës, bie në shtrat dhe ndërsa përqafon evgjitkën, një filozofi e shpuar e sjell vërdallë një ëndrre me vrimë. *** “Pemë do mbjell në faqen e parë të librit, rrënjët të kenë vargje nga poezitë e mia. Të ngjitem, të të përshëndes. Degët e atdheut të tregoj që shkonin aq shumë me ngjyrat e tua. Fole me zogj të rinj, që shkojnë me ngjyrat e njerëzve.” (nga poezia”Dy poezi për Spiro Llajon”) Në thelbin e marrëdhënieve mes gjuhës dhe mendimit dhe të dinamikës së fjalës, shtrohet për shqyrtim koncepti “vlerë”, që veç konceptit filozofik, nga ku qëmtojmë vlerat e vërteta estetike në një poezi. Ky fokusim na jep mundësi të njohim dhe dukurit kuptimore-sintaksore në poezinë e çdo krijuesi, në këtë rast të poetit V.Klironomi. Po e filloj këtë shpjegim, nga vet titulli i vëllimit poetik “Plagë Qeramike” që, nënkuptojmë; – plagë të pjekura në qeramikë!…Një metaforë e shkëlqyer, ku vlera estetike ka rëndesë të veçantë! Në qeramikë piqen ato gjëra, nga më të mira e u serviren mbretërve, princërve, njerzëve me pushtet, apo zonjave të mëdha! Për anologji, Poezi të tilla(Plagë) piqen në qeramikë! Dhe vërtetë, në këtë vëllim poetik ka poezi shumë të arrira poetikisht që të mrekullojnë dhe preken realisht dukuritë kuptimore-sintaksore si vlera në poezinë e V.Klironomi, si: Pupël e Bardhë mbi Sup Nga një pëllumb ose nga një re. Ajo më ndodhi, ndërsa po ecja, fshati vinte më afër dhe bëhej gjithnjë e më i madh përpara syve. Viti i shtatëmbëdhjetë dhe çezma ku pija i vogël më dha thellësi në grushte, si atëhere kur i jepja ujë gjyshit, se nuk mund të gjunjëzohej. NISMË Mot i mugët! Vjen herë-herë zhurma nga ana e detit, dhe përplaset në përfytyrimin tim. Dikur. Anije që kaluan këtej, heshtja i theu në mes. Si veçori dallues i autorit është se ai, nuk huazon kopje uniforme të të shkruarit, por përzgjedh apo seleksionon ato që do të thotë e i kalon përmes një filtri të ashtu quajtur –Imazhi bashkëkohor poetik me pikësynim të vërë në lëvizje shpirtin e tij në tër poezit e librit. Duke qënë se autori e ka formësuar këtë vëllim poetik nga përkëthimi i poezive të tia nga greqishtja në shqip, rrjedh mendimi, ideja se imazhet shfaqen si surealiste dhe ndihet mjaft mirë një shpërthim i tij, ku shumëkush e quan një arritje estetike në poezinë Klironomit. Po sjell si provë, disa vargje nga poezia “I Rrethuar PREJ Lavdish”, të cilat flasin me gjuhën e tyre bashkë-kohore, moderne! “Po çfarë bëra? Një nismë. Sa u duk çdo gjë nëndiellore, i kopsita bluzën të dashurës sime. I solla përpara gërshetat që i arrinin gjer te thithat e gjinjëve. I ngrita gëzimin në sipërfaqen e syve. E dukshme e vërteta e një nisme. Pastaj mora pëllëmbën, futa gishtat e saj midis gishtave të mi (dhe kish aq muzikë në rrëmba!) Me një demostrim tingujsh në buzë, hodha hapin e parë. Atë bëra.” Shpreh mendimin se veçori përbënë dhe ideja që unë kam qëmtuar në poezinë e autorit se: 1- Klironomi ka sjell një mendim e konceptim të ri, duke e emancipuar poezinë e kohës nga rutina poetike dhe notat retorike të vargëzimit, në një strukturë poetike moderne, ndryshe, individuale dhe me vlera estetike që i japin lexuesit ngarkesa emocionale dhe ngadhnjim artistik. 2-Poeti ka kultivuar, na ka dhuruar vargje dhe poezi që të befasojnë me arqitekturën dhe ngjyrimet mjeshtërore që, padyshim e tejkalojnë të bukurën. Poeti është mbështetur tek fryma e poezisë popullore, jo thjesht si dukuri, por ka krijuar një botë fantastike me poezi me ngjyra, me melodi e sintaks poetike që shpesh janë krijesa të papërsëritshme në poezi, duke iu larguar stilit narrativ, pa marr parasysh rregullat e vargëzimit klasik. Mund të përmënd vargje si ato tek poezia : “Lakuriqësi e vërtetë(poezi me frymë lirike e fantazi poetike që të entusiazmon, kur “Dielli për herë të parë e shihte lakuriq atë vajzë.”, apo tek poezia “Reportazh në Vargje” si dhe poezia me tingëllim të veçantë-“Evgjiti”! Si dhe poezia tjetër “Përsëri” e qëndisur me shumë figura letrare dhe me fjalor të pasur. Nga shumë miq të autorit që e njohin mësëmirë gjuhën letrare Greke, ata shprehim mendimin se, poezia e V.Klironomit, po ta lexosh në greqisht, kan vlera shumë më të mëdha se të përkthyera prej tij në shqip. Kjo sepse, gjatë përkthimit ndodh fenomeni i rrjedhjes estetike. Në mirëkuptim dhe me autorin, të cilit shumë miqësisht ia thashë dhe në diskutimin letrarë që iu bë vëllimit poetik “PLAGË QERAMIKE” nga miq të tij, dua të shpreh një shqetësim, i cilin ndihet në disa poezi të këtij vëllimi -“PLAGË QERAMIKE”. Kam bindjen, se një fenomen i till vjen nga dy shkaqe: Së pari, autori i ka sjell këto poezi të përkthyera nga greqishtja, ku vetë autori i ka shkruar në greqisht. Dhe e dyta, sipas mendimit tim, ka mungesë në gjetjen e nuancave të fjalëve në gjuhën shqipe, të cilat në pak raste e shpërfillin vlerën vargut poetik. Tituj të till si; “Autorefuzim”, “Çast i volitshëm”, “Kam për të thënë dhe le të mos më besojnë”,”Në pyllin që u forcua”.”Kontralta e Korfuzit” lënë një shije jo të pranueshme për lexuesin. 25 janar 2016-Athinë

54 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page