Petrit Malushi: Pranverë dashurie
- Aug 22, 2025
- 1 min read

“Çasti bujar” !…
Ia rrëmbyem vrullin erës majë mali,
Diellit të meskorrikut ngrohtësinë,
Kaltërsinë të pastër qielli na e fali,
Deti nuk na e kurseu thellësinë.
Me romantizëm hëna na dehu…
Dhe s’mund të kërkonim më tepër fat !
Marrëzia keqas na mbërtheu…
Ta humbnim “çastin bujar” ?! Mëkat !
Pranverë dashurie
Dy “të dua” lëshuar nga dy gojë,
Katër sy vështrime shpuzë,
Katër duar mpleksur për lojë…
Në betejë hedhin dy palë buzë.
Një ëndërr, dy thurës i mban zgjuar
Diellin e hënën ulin të rrinë.
Dy zemra tek rrahin ritëmnxituar,
Pranverë dashurie sjellin në çdo stinë.
Vegime
Mbi tavolinë, e kristalta gotë
Një karafil në të mbretëron.
Ngjyrë e aromë trazojnë dy botë,
E shkuara të tashmes vegime i dërgon.
Ngjyra, buzët e puthjes së parë,
Aroma, gushën e butë guguftu.
Mbi varg` të gjatë vitesh pa u parë
Ty, karafili të solli këtu.
Përmbi asgjë
Përmbi asgjë thurëm një dramë,
Përmbi asgjë ngritëm furtunë.
Rrebesh lëshuam e ç’nuk thamë,
Dashurinë shkelëm, hodhëm në lumë.
Të rënda fjalë, breshëri
Ngjyer në zift, nxirë katran
Lëshova unë, lëshove ti.
Qetësinë shqyem, flakëm matanë.
Dhe prej asgjëje goditje, vragë
Në shpirt e zemër shenja na mbetën.
Melhem më pas për ato plagë
Kërkuam, u lodhëm e dot nuk gjetëm.









Comments