top of page

PESHA E VARGUT TE FUNDIT



Në vend të një homazhi për poetin Faslli Haliti

Me Faslli Halitin, letërsia shqipe është pasuruar me një krijues të veçantë. Nëse do ta modelonim atë në formën e një peme, vështrimi ynë do të kapërcente shumë degë e gjethe të kurorës së saj për t’u ngulitur me admirim në njërën prej tyre,; dega Faslli Haliti. Kjo ndodh për poetët ndryshe, për ata që dallohen midis mijra të tjerëve nëpërmjet individualitetit të tyre krijues. Të kesh individualitet të tillë do të thotë të kesh stil dhe dihet se stili është vetë autori.

Stili i Halitit është një diagramë poetike që shtrihet në një bosht koordinativ, ku kryqëzohet arti me jetën. Është i njëjti kryqëzim boshtesh si ai i abshisave dhe koordinatave gjeometrike, të cilat orientojnë ndërtimin e diagramës në bazë të vlerave të dhëna. Forma e diagramës poetike te Haliti është një vertikale në ngritje. Vlerat e artit përputhen këtu në mënyrë të harmonizuar me raportet reale të jetës ç’ka do të thotë se kemi të bëjmë me një pjekuri paralele artistike dhe jetësore të këtij autori. Në thelb kjo diagram, ka një përmbajtje esenciale metaforizmi që ndikon në ngritjen e guhës së saj poetike. Ky element përbën një anë të rëndësishme në stilin e tij, e cila duhet konsideruar si një gjurmë e shndritshme, sepse nëpërmjet saj amplifikohet i gjithë teksti, duke u mbushur me një energji të brendshme, të kamufluar.

Populli ngrihet vetë/ Turmën e ngren/ E ndërsejnë të lehë./ Të kafshoj si qen...

Të gjitha poezitë e këtij autori kanë një këndvështrim të caktuar problemor. Që nga poezia e parë e tij e deri më sot, për gati 60 vjet krijimtari, Faslli Haliti ka pasur thuajse të njëjtin angazhim social. Ato jan poezi “satelit” që “hidhen” në “qiejt” e përditshmërisë së njeriut me misione të caktuara eksplorimi. Nëpërmjet këtij eksplorimi konfirmohet e sotmja, aktualja. Kjo është një nga veçoritë më karakteristike të kësaj poezie. “Futu në turmë/ Bërtit me të madhe,/ Bëj/ Zhurmë!/ Ç’pret më?/ Sot kërkohet zhurmë,/ S’ka nevojë për zë!” ose:”Kohë/ Kallamash./ Lisat jashtë kohe...!”

Një tjetër veçori e rëndësishme e kësaj poezie është ndërtimi i saj mbi bazën e të kundërtave. Të kundërtat përplasen me njëra-tjetrën në tekstet e tyre dhe japin jehona të veçanta. “Tone/ Të larta/ Njerëz të ulët, të dobët, /Tone të ulëta/ Njerëz të lartë, të fortë...” ose;“Na mbyte moj injorancë e ditur!”,

Pikërisht nga kjo përqasje shfaqet edhe paradoksi në këtë poezi, përzier me një lloj humori të dhimbshëm ironik.

Ironia është ndjesia e këndshme që konvertohet në thirrje dhe e bën mjaft modern këtë poezi. Është e zeza e pikëllimit që loton mbas çastit të përjetimit, e cila të vesh mendimin me një “ah” të thellë e të dhimbshëm. “Qen/ Të lutem./ Mos leh si qen...” Ose; “Njerëz:/ Ruani pemët dhe lulet!/ Njerëz:/ Ruani njerëzit nga njerëzit!”

Karakteristikë tjetër e kësaj poezie është lakonizmi, i cili shfaqet si një koncentrat i mendimit të pjekur, identik me mençurinë popullore. “Lakonizmi është vëllai i talentit,” – thoshte Çehov. Jo më kot poezia e Faslli Halitit është quajtur nga kritika jonë si krijim me ngarkesa idiomatike. Kjo e bën atë të ketë një këndvështrim të caktuar ndaj fenomenit, shoqëruar me një refleks kritik ndaj tij. “U/ Plakët/ Kundërshtarët e mi/ U mbuluat me flokë bore/ Por poshtërsinë e ruani po aqr inore...”

Një tjetër karakteristikë dalluese e kësaj poezie është edhe kufizimi i tekstit. Është një kufizim konkret i cili vihet në funksion të kufijve abstraktë. Teknikisht poezia më e mirë e Halitit ndahet në dy pjesë: E para është “trupi” i saj dhe i dyti vargu i fundit.

Pjesa e parë shtrihet fare rastësisht dhe pa qibër vëzhgimi, “ku ta zëri çasti,”mbi një ide, një njollë drite, një përshtypje sipërfaqësore, përsiatje, një kujtim, apo dhe një meditim. Kjo pjesë përmban një tekst që komunikohet me gjuhë të thjeshtë e të zhdërvjellët dhe kalon si pa u vënë re, si diçka e rëndomtë, por, s’është ashtu. Ajo të zhgënjen. Duket e tillë ngaqë lidhet me të përditshmen, me të njohurën.

Pjesa e dytë e saj është vargu i fundit. Ky është “kreu” i poezisë dhe vjen i “ngjeshur” me ngarkesë të madhe kuptimore. Ai duhet konsideruar varg galerë sepse mbart brenda vetes pyetje, mendime, hipoteza dhe reflekse të shumta, të cilat poeti i përdor me mjeshtëri duke ju dhënë rëndësinë e një sentence. Në këtë funksion, ky varg bëhet “kanistra e vjeshtës” mbushur me fruta të shijshme filozofike. Pikërisht këtu, gjendet edhe shija e veçantë e kësaj poezie: “Ti je Nëna, je njeriu më njeri që ka njerëzimi...””Unë jam shpikja që shpik, shpikja më vigane.” “Kur është nesër?” “E ardhmja kandidate për viktimë.” “Mua më sundojnë bukuritë...”, “Si su lodhe së përtuari”, “Ne, viktima të bukura”.

Njëkohësisht ky varg shënon edhe kufirin e fundit të materies së prekshme poetike tekstuale. Përtej saj fillon abstraktja, virtualja, bota e mendimit, mbushur me energjinë e saj rrëmbyese. Nëse do të analizojmë këtë botë hipotetike të poezisë së Halitit, duhet patjetër të funksionojë kodi i saj. Ky kod gjendet pikërisht te ky varg. Ky varg plotëson gjithashtu edhe imazhin. Ai vjen në mënyrë shperthyese, i menjëhershëm, befasues, aq sa vetë poezia të lë përshtypjen se është një funksion i dy gjysmave, që plotësojnë njëra-tjetrën në mënyrë organike. “Nesër/ Më ke/ Patjetër aty/ Po a do jem nesër unë?”

Intensiteti i këtij vargu shfaqet në një vijë digresive të theksuar. Ajo është shpesh në funksion të temave dhe përjetimeve dhe ngjan me ulje - ngritjen kreshtore të një ehograme. Relievi i thyer i kësaj poezie është aq i theksuar sa midis kreshtave të tij, duket sikur fle “Eoli” mitik me kokë të mbështetur mbi kacekun e erërave. Ai nuk pranon as lulka, as zbukurime, as kozmetikë. Aty shpërthejnë vetëm furtuna. Mbase i përshtatet më mirë se kudo gjetkë thënia e dikurshme e Majakovzkit, që e përcaktonte vargun “bombë e flamur.”

Ky varg kthehet edhe në një gisht të vërtetë akuzues. Nëpërmjet së cilit konfirmohet ajo lloji pjesëmarrjeje e poetit në interpretimin e kohës së vet si një intelektual i vërtetë. Ai realizon ndëshkimin dhe ndëshkimi është një formë e mesazhit të tij poetik. Në këtë mënyrë, poezia e Faslli Halitit arrin të na i kthejë të rëndomtën në vlerë, konstatimin në alarm dhe vesin në ironi. Ky transformim real nëpërmjet vargut të fundit është mjeshtëria e këtij autori dhe rëndësia e kësaj poezie. Vargu i fundit në këto tekste poetike ka peshën e “fjalës së fundit” të një dialogu të ashpër. Aty shpërthen rrufeja. Ai është plot me superioritet moral, një ngrehinë ku banon mëkati dhe shlyerja, sëmundja dhe sherimi. Kontributi i tij është sa poetik aq edhe funksional. Ai trasmeton qëndrueshmëri jo nëpërmjet imazhit më shumë sesa nëpërmjet kontekstit. Intensitetit që ka ky varg krijon lojën e madhe të konceptimit dhe interpretimit.

Por do ishim të njëanshëm nëse do ta kufizoni rëndësinë e tij vetëm në pikëpamjen e mendimit dhe trasmetimit të vlerave morale e filozofike. Ana tjetër është energjia emotive që e shoqëron atë. Kjo energji ka të bëjë veçanërisht me moralin social.

Morali është tema kryesore dhe më e preferuara e këtij poeti. Nëpërmjet tij kapet njeriu në thelbin e vet, në formë, psikologji dhe karakter. Morali i individit nuk paraqitet këtu si një moral i thjeshtë, por një përzierje me fibra të holla kombëtare. Kjo poezi shpreh strukturën e një morali social kompakt, një kapitull të humanizmit të përditshëm. Nëpërmjet tij Haliti lidh vetveten me të sotmen. Kush ikën nga e sotmja? Në fakt ne të gjithë mundohemi të ikim nga e sotmja duke qenë më të lirë për të shkuarën dhe mashtrues për të ardhmen. “Vdekja./ Më gjeti/ Të vdekur./ Kërciti dhëmbët dhe iku e nxehur...”

Të shkruash për të sotmen është e vështirë, por kur kjo e sotme do të bëhet e djeshme, poezia e Haitit bëhet më e nevojshme dhe më e vlerësuar nga lexuesi.

Vargu i fundit kthehet shpesh edhe në një ekuilibër të brendshëm midis dy pjesëve duke e bërë tekstin poetik një tërësi të unifikuar e kompakte. Në gjithë atë mori tekstesh të tilla, Faslli Haliti bije në sy si poet fjalëpak.

“Një njeri nuk mund të quhet artist, deri sat ë arrij të shprehë aftësitë si autor i përmbajtur dhe fjalëpak.”-thoshte me pak humor Ezra Pound për Uitmanin.

Faslli Halitika ka edhe një gamë të madhe temash të përfshira në krijimtarinë e tij. Kjo do të thotë se organikisht ky njeri ka energji të madhe vëzhguese, kurioziteti dhe krijimi. Është një dhunti e natyrshme të dëshmohesh me të tillë energji. Madje çdo ide te kjo poezi lind nëpërmjet një intelektualizmi energjik dhe të guximshëm. “...Përsosu njeri,/ Përsosu dhe ti Zot/ Ndryshe,/ S’ka përsosje,/ Në qiell dhe mbi tokë...”

Në këtë mënyrë, “sateliti” poetik i Faslli Halitit përthith pamje jetësore nga më të larmishmet. Ai fokuson mbi realitetin jo duke operuar, por duke konstatuar. Operimi është pjesë e abstraktes që realizohet nga lexuesi. Edhe kjo është një karakteristikë dalluese e kësaj poezie:“Vëri mikroskopin pikës së ujit./ Edhe në pikën më të kulluar/ Sheh diçka/ Diçka/ Që lëviz.../ Kam tmerrësisht etje, tmerrësisht...”

Faslli Haliti trajton rrallë edhe temën erotike. Por kjo ndjenjë nuk është “linçuese” për të. Ajo nuk e ka atë lloj “libido”(epshi frojdjan) që disa nga poetët e lirikave erotike e shfryjnë mbi vargje për t’u çliruar nga çasti i epërm erotik. Haliti as nuk e njeh dhe as nuk verbohet nga ky çast. Ai është edhe fisnik, por edhe i drejtpërdrejtë në kontaktet e veta dashurore. Nuk i njeh “gjasmet” ëndërruese që të velin si sarhoshët e vrerosur në pikëllime fatale. Haliti edhe në këtë pikë mban një qendrim burrëror, praktik dhe të drejtpërdrejtë. Dashuria e tij është një e “sotme” e prekshme, tokësore dhe ka vlera të tilla po tokësore: “S’më dhe zjarrin e zemrës./ Më jep së paku/ Hirin/ Të ushqej lulet e shpirtit.” Ose, “Kam qenë dhe jam portreti yt/ Në bebzën e syrit/ Tënd./ Në zemrën tënde/ Se di në kam qenë, s’e di në jam…”

Një tjetër karakteristikë dalluese e kësaj poezie është edhe sinqeriteti. Autori ka një sinqeritet biografik të spikatur. Është biografia e një njeriu të vuajtur, të mirë,të dashur dhe që përputhet me realitetin e vet artistik. “Nuk ka gjë më të përkryer sesa kur e vërteta artistike është në pajtim me të vërtetën jetësore të krijuesit”, - thoshte Edgar Poe. E vërteta jetësore e këtij krijuesi është e njëjtë me “vargun e tij të fundit”, një “bombë e flamur”, një rrugë e gjatë dhe e pakompromis mes s ë mirës dhe së keqes. “Si je shoku Faslli?/ S’jam shoku!/ Si je zoti Faslli?/ S’jam zoti!/ Si je i nderuar Faslli?/ S’jam i nderuar!/ Ç’je atëherë?/ Një i vdekshëm që pret të vdes me nder!”

E tillë është kjo poezi, e ndershme dhe e vërtetë. I tillë ishte edhe poeti Faslli Haliti, i cili iku në amëshim, duke lënë mbrapa tij një emër të shquar, plot nder e dinjitet.

Nuri PLAKU

13 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page