top of page

PER ELENA SHEHUN GRUAN E THJESHTË QË DHA NJË SHEMBULL TË MADH


SHPENDI TOPOLLAJ

Ju nuk keni pasur rastin ta njihni Elena Shehun. Nuk do të keni dëgjuar për të, pasi ajo ishte një grua e thjeshtë, e urtë dhe pa shumë fjalë. Interesi i saj ishte familja, puna dhe shoqëria. Atyre që kanë lexuar romanin tim të parë “Lotët e Zambakut”, roman i cili është botuar edhe në Rusi, mund t`u kujtoj se Lena është njëra nga personazhet e mia. Kur burri i saj, shoku im i shtrenjtë Lutfi Shehu, nga mesi i viteve pesëdhjetë, ishte student në Akademinë Ushtarake të Mbrojtjes Bregdetare në Riga të Letonisë, u dashurua dhe u martua me Lilën bukuroshe (Zambakun) me të cilën patën dhe një djalë që e quajtën Eduard. Kur Edi mbushi tre vjeç, megallomanit Enver Hoxha iu mbush mendja të prishej me Bashkimin Sovjetik, se gjoja N. Hrushovi paskej tradhtuar marksizëm - leninizmin dhe ai do e ndreqte. Por nga kjo aventurë e pa dëgjuar, erdhën disa pasoja që na kushtuan shumë, ku më e rënda qe ajo e shkatërrimit të të gjitha familjeve që ishin ndërtuar mbi bazën e dashurisë së pastër të djemve tanë dhe vajzave ruse. Kështu ngjau dhe me Lilën e pafajshme dhe djalin e saj të vogël, të cilët u larguan nga Shqipëria për të ardhur sërish pas më shumë se tridhjetë vjetësh. Ndërkohë, oficeri Lutfi që në roman mban emrin Luftar, qe martuar me Elenën, e cila nuk deshi t`ja dijë se ai ishte i një besimi tjetër, pra musliman. Kaluan një jetë plot harmoni, së bashku me tre djemtë që patën. Kur diktatura komuniste theu qafën edhe në vendin tonë, ishte gruaja e tij Elena, ajo që e bindi të shoqin të hynte në lidhje me gruan e parë dhe të shkonte për të takuar djalin e tij, tani burrë. Gjesti i kësaj gruaje nuk ishte diçka e vogël, po të kemi parasysh mentalitetin dhe paragjykimet e gruas shqiptare. Ajo u tregua jo vetëm një fisnike e admirueshme, por dhe i priu një emancipimi të madh shoqëror. Dhe gëzohej më shumë ajo që i shoqi po vente të takonte djalin e tij të dashur, për të cilin nuk dinte asgjë. Dhe ashtu sikurse u bë shkak që Lutfiu të shkonte atje, po ashtu edhe i priti ata, pra Edin dhe nënën e tij Lilën, këtu në Durrës. Djali tani ishte bërë inxhinier ndërtimi, qe martuar dhe kishte një vajzë, kurse Lila me vlerat e saj njerëzore dhe intelektuale kishte arritur të bëhej zëvendësministre e Ekonomisë Komunale të asaj Republike. Kur ata erdhën për herë të parë, nuk kishte gjë më të bukur sesa dashuria prej motre që ato i rezervuan njëra - tjetrës. Atë që kishte shkatërruar politika, po e ndreqnin zemrat e pastra të dy grave të mençura. Edhe Lena shkoi në Letoninë e bukur, ku e pritën me gjithë të mirat. I la shumë mbresa të pashlyeshme ai vend dhe njerëzit e tij mikpritës. Më pas, ec e jaket filluan edhe nga djemtë e tyre që ishin vëllezër. Ishte një diçka e gëzueshme dhe një shmebull i lartë humanizmi, që më frymëzoi edhe mua të shkruaja romanin e parë, për të cilin Xhevat Mustafa shkroi skenarin, dhe i mirënjohuri regjisor Ylli Pepo, bëri çmos për ta ekranizuar, gjë që ende nuk është realizuar, pasi ka kosto të madhe. Është shkruar shumë për këtë roman nga personalitete të kulturës tonë si fjala vjen Gjegj Zheji, Kostaq Xoxa, Jani Lufi, Ismet Bellova, Gjergj Titani, Perikli Jorgoni, Flora Dervishi, Medi Ramohito, Fatmir Minguli, Muharrem Sinani, Gladiola Busulla, Teuta Dhima e plot të tjerë, por unë desha të theksoj rëndësinë që merr vlera njerëzore e një gruaje të zakonshme, e cila sot me datën 12 Korrik, ndërroi jetë, ç`ka më detyroi edhe mua që t`i shkruaj këto dy fjalë, jo vetëm si homazh, por edhe në vend të mirënjohjes për të. Mirënjohje për një grua zemërgjerë, gojëmjaltë e buzagas që rrezatonte mirësi në çdo fjalë e në çdo gjest të saj dhe për të cilën në ato që thashë në ceremoninë e përcjelljes së saj për në banesën e fundit u shpreha: “…nuk kemi se ç`t`i shtojmë tjetër asaj thënies së F. Shilerit se “Kjo pikë vese e mjerë që e quajmë jetë, përpihet nga një ëndërr”. Dhe jeta e Lenës tonë qe me të vërtetë si një pikë e pastër vese, dhe ëndrra që e përpiu le të mbetet për ne veçse një iluzion, i cili gjithsesi, nuk do të mund ta marrë të gjithën atë”. Se fundja, ajo do të mbetet e gjallë edhe në romanin tim.

22 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page