top of page

“Pengu” i një shoqërie të ngujuar


GRIGOR JOVANI

“Pengu” i një shoqërie të ngujuar


GRIGOR JOVANI


Lajmi.


Ditët e fundit, aty - këtu në shtypin vendas, në atë të përditshmin dhe në atë më të specializuar, u shfaqën njoftime të shkurtëra me një lajm artistik, që ndonëse kishte një rëndesë jo të zakonshme për standartet kulturore greke, prapëseprapë kaloi pa jehonën që natyrshëm i takonte. Që të mos zgjatem, filmi artistik “Pengu” i regjisorit Konstantinos Janiaris u caktua zyrtarisht nga Qendra Kinematografike Greke të përfaqësojë Greqisë në Çmimet e përvitshme Ndërkombëtare Kinematografike “Felix” , për kategorinë “Filmi më i mirë evropian i 2005-sës”.

Njoftimet dhe komentet e angjencive të lajmeve nga Berlini, ku ka qendrën Akademia Evropiane e Kinematografisë, e cila organizon çdo fillim dhjetori dhënien e përvitshme të këtij Çmimi, i barazvlershëm me “Booker”-in letrar të Londrës, e caktojnë “Pengun” si kandidatin kryesor për “Felix”-in e këtij viti. Është njëlloj sikur Kombëtarja greke të arrinte sërisht në finalen e Kampionatit Evropian të Futbollit, sikur grekosuedezja Elena Paparizu të ishte përsëri një hap nga fitimi i vendit të parë në Eurovizion ose sikur letërsia greke të kandidatohej për herë të tretë për fitimin e Nobelit letrar të Stokholmit.

Merrni me mend zhurmën që do të shkaktohej në një rast të tillë...

Mirëpo, ja surpriza: Tani për “Pengun” e Janarit asgjë nuk dëgjohet. Përveç disa alegorive në fund të njoftimeve të shkurtra, të tipit të “Elefterotipisë” së kësaj jave: “Vjet “Felix”-in kinematografik e fituan turqit, me “Head on” të Fatih Akinit. Makar sivjet “sihariqi” të jetë për ne. Mbase atëhere do të mësohemi ta shikojmë ndryshe këtë film (!!!)”. Ose si shfrimi i dëshpëruar i një kritiku tek e përditshmja “Miso - Miso” (Gjysnë për gjysmë): “Vlerat që në Greqi konsiderohen të dyshueshme ose të papranueshme, i pranon dhe i nderon Evropa”. (Siç duket, ngaqë i vinte turp prej konkluzionit të mësipërm, autori nënshkruan me inicialet F.B.).

Përse tingëllojnë trishtueshëm këmbanat e medias greke?

Ç’ndodh?! Përse kolegët grekë ndrydhin vetveten në këtë rast, duke u detyruar të flasin me gjysmë zëri dhe me aludime, kur dihet që për “sihariqe” më të vogla kthejnë botën përmbys?! Qysh u harrua kaq shpejt dufi patriotik i Patulidhus, atletes së madhe greke, që u bë proverbial: “Për Elladhën, “re gamoto”! Triumfi i “Pengut” nuk do t’i shërbente, vallë, këtij qëllimi?! Domethënë, Greqisë?

Që t’u përgjigjem pyetjeve të mësipërme, do të më duhet të kthehem një vit më pas, për të bërë kronikën e këtij filmi.

Shpresa të mëdha.

Në fund të 2004-ës, në zemër të kryeqytetit britanik, qendra e famshme kulturore londreze “Tate Modern” organizoi premierën e filmit artistik “Pengu” të regjisorit grek Konstantinos Janiaris. Nuk ishte një veprimtari rutinë, pasi ishte hera e parë që në mjediset e “Tate Galeri” shfaqej premiera e një filmi. Shkak për këtë u bë ekspozeja “Time Zones”, me temë qëndrore ndjeshmërinë ndaj problemeve të emigrimit dhe të fytyrës multikulturore, që po merrte Evropa Qendrolindore. Filmi i sapolindur i Janiarit “Pengu” ishte “lektori” më i mirë në këtë veprimtari. Medja elektronike dhe e shkruar greke e atyre ditëve dha beteja homerike për t’i rrëmbyer regjisorit të ri të talentuar një intervistë të rastit. Nderi që i bëhej kinematografisë greke prej snobëve britanikë nuk mund të lihej pa u evidentuar... Nga ana e tij, 44 vjeçari Janiaris, ishte ylli i ri në qiellin helenik të artit të shtatë. Me një gojë, kritikët grekë e konsideronin vazhduesin e natyrshëm të të famshëve të përbotshëm grekë Teo Angjelopulos dhe Kosta Gavras. Paçka se kishte diçka që nuk honepsej tek filmat e tij. Diçka që nuk përtypej nga kritikët athinjotë të artit. Diçka që ishte kundër rrymës. Kritiku i njohur kinematografik I.Zubulakis bën këtë portret për regjisorin e ri: “K.Janiaris, regjisori i revoltuar i brezit të krijuesve të 90-tës, shpreh në mënyrë skandaloze shqetësimet e tij dhe ndjen gjer në palcë psherëtimat shpirtdhënëse të një shoqërie në kalbëzim. Filmat e tij janë të dëshpëruara, mbase të bezdisshme, por mikrografira të sinqerta dhe reale të një shoqërie të mbarsur me racizëm dhe urrejtje”.

Stop këtu! Vini re:

Janiaris, denoncues i racizmit, i kësaj gangrene të shoqërisë së sotme greke? O, po këtu është lajmi. Mbase, në një masë të madhe, edhe shpjegimi, ndaj këtij qëndrimi përkundrejt regjisorit të talentuar. Gazetarja e “Kathimerini”-së E. Bernardu, konkludon tek fakti i pamohueshëm, se “Janiari ka aq simpatizantë, sa edhe kundërshtarë të vendosur. Kjo, sepse regjisori në fjalë nuk ka frikë të thotë atë që ndjen dhe mendon, sado e bezdisshme dhe e papranueshme qoftë ajo për të tjerët”.

Po kush ta fal këtë?! Të paktën, jo grekët e sotëm...

Fjalë profetike për Janiarin, të thëna ditëve, kur ylli i tij shkëlqente në “Tate”-n londreze, pa ditur se në qiellin helenik po grumbulloheshin ndërkohë re homerike, të denja për profecitë ogurzeze të Kasandrës.

Filmi.

U pranua zyrtarisht nga Qendra Kinematografike Greke: “Pengu” ishte filmi më i kushtueshëm dhe më i propaganduari grek i dhjetëvjeçarëve të fundit.

Pretendimet ishin të mëdha. Po ashtu dhe garancitë për suksesin.

Së pari, tematika. Skenari u ndërtua mbi një ngjarje të vërtetë, të ndodhur vetëm disa vite më parë, që kishte tronditur si rallë herë opinionin publik grek dhe kishte monopoluar asaj kohe interesimin e vazhdueshëm të medias vendase. Emigranti fatkeq shqiptar Flamur Pisli kishte kryer një akt piratie, duke rrëmbyer në Selanik një autobuz, plot me pengje njerëzorë, grekë të së përditshmes, për ta udhëhequr me kërcënimin e armës në Shqipëri. Është i njohur fundi tragjik i kësaj historie. Veçse krijuesit e veprës së ardhshme kinematografike ishin të interesuar për “visaret” filmike që u ofronte kjo odise bashkëkohore: tension, drama njerëzore, sfond i ngarkuar shoqëror, karaktere në shpërrthim. Me një fjalë: gjalpë mbi bukën e artit të Janiarit, që ishte mjeshtër i sprovuar për tema të tilla.

Nëse doni të dini mbi raportet mes së vërtetës së ndodhur dhe asaj që u paraqit në ekran, dëgjoni vetë regjisorin, në një intervistë në prag të premierës së shumëreklamuar të filmit: “E vërteta e saktë në ekran? Aspak. Vetëm thelbi i ngjarjes. Megjithatë, mbaj mend se, kur ndiqja i emocionuar lajmet rreth ngjarjes, nga ato që thoshte shqiptari kuptova se nuk ishte as idiot dhe as kriminel, por një i ri tej mase naiv, mbase dhe budalla, por me një koncept të qëndrueshëm rreth së drejtës. E kuptova menjëherë, se diçka shumë të keqe i kishin bërë. Kur vendosa të bëja film ngjarjen e tij, shumë miq dhe bashkëpunëtorë të ngushtë këmbëngulën që të mos e bëja”.

Ja Kasandra, të cilën e përmenda pak më sipër, në kohën e “shpresave të mëdha”.

Ç’i shqetësonte miqtë dhe bashkëpunëtorët e Janiarit? E shpjegon vetë: “Të gjithë kishin frikë, se filmi nuk do ta shikonte Greqinë me sy të mirë. Sipas tyre, Greqia duhej të pasqyrohej gjithmonë si viktimë, jo si keqbërëse... Qysh atëhere kuptova se jetoja në një planet tjetër. Qëllimi im nuk ishte të bëja një film antigrek ose antishqiptar. Më interesonte të tregoja tragjedinë e një njeriu, që përjeton ndryshime të përmasave botërore: shëmbjen e kufinjve, të kulturave, të miteve. Nuk është një film për një shqiptar, por për Greqinë”.

Mirëpo Greqia ishte bërë, për të shumtët, dhe nuk do të lejohej një djalosh, qoftë edhe artist i talentuar, ta ndryshonte...

Elioni, heroi kryesor i filmit, interpretuar me vërtetësi nga rusogreku i Pondit, Stathi Papadhopulos (regjisori dëshmon se aktorët e rinj shqiptarë, që u provuan, ia ...mbathën, pasi trembeshin të interpretonin këtë rol, ngaqë kishin frikë mos keqkuptoheshin (!) nga publiku vendas), përfaqëson, në fund të fundit, “alter ego”-n e atij brezi të ri në gjirin e emigrantëve shqiptarë, që e ndjen veten në udhëkryqin ku pamëshirshëm e ka hedhur fati historik.

Të bën përshtypje dhe të emocionon përcaktimi i Janiarit: “Filmi është për një djalë, që dëshiron të jetojë ndershmërisht, si një burrë dhe të vdesë si një burrë. Vëndi i tij i ri e përzë dhunshëm, kurse vëndi i tij i vjetër nuk i jep strehim. Fillimisht, spektatori do ta urrejë, sepse do të nxjerrë në pah të gjitha komplekset dhe frikën e grekërve ndaj shqiptarëve. Shpresoj se gjer në fund të ketë kuptuar shkaqet që e shtynë gjer këtu. Dhe ta simpatizojë”.

Utopi, konstatimi i mësipërm? Vështirë të ndodh kjo në një shoqëri, të cilës i pëlqen (ose nuk e trazon) motivi i “çogllanëve” (rrugaçëve) të bulevardeve athinjote: “Nuk do të bëhesh grek kurrë, or shqiptar!”

Thua se Flamur Pisli, bëri atë që bëri, vetëm dhe vetëm që të ndërronte kombësinë. Ky është mendimi im, e mbaj për vete. Për ju, kam fatin e mëtejshëm të Pislit të kinematografizuar...

Kasandra e vërtetuar.

Muaji i parë i shfaqjes së “Pengut” nëpër kinematë greke (kjo periudhë kohore përbën standartin matës të ecurisë së një filmi) ishte surpriza më e madhe kinematografike e kohëve të fundit: vetëm 12 mijë shikues.

Me një fjalë, dështim i plotë. “Vaterlo” ekonomike.

Depresion i jashtëzakonshëm në qarqet e QKG-së. Specialisti Th. Kucojanopulos jep përmasat reale: “12 mijë biletat e “Pengut” konsiderohen shkatërrimtare, për një film kaq të shtrenjtë dhe në finale, kaq të mirë. As shpenzimet e reklamës nuk u mbuluan...”

Ishte koha kur zv./ministri grek i kulturës, me parullën “Film your mith in Greece” – “Filmoni mitin tuaj në Greqi”, fton investimet e huaja filmike në vendin e tij, duke sqaruar njëkohësisht “9 arsyet për të zgjedhur dikush Greqinë, për të xhiruar filmat e tij”. Veçse zhvillimet në tregun filmik vendas e përgënjeshtrojnë.

“Pengu” - reklama më negative për këtë ftesë.

Aq sa detyrohet shtypi i specializuar t’i bjerë këmbanës së alarmit: “Vjen shi, afrohet ngricë dhe kallkan. Relievi nxihet dhe errësohet gjithnjë e më tepër. “Pengu” i Janiarit zbuloi për herë të parë krizën e këtyre dimensioneve në kinematografinë greke”. Veçse arsyet nuk ishin thjesht ekonomike. As të show bizz-it. Ishin më të thella.

Për sa i përket “Pengut”, nuk kishin të bënin me 30% të taksave shtetërore nga buxheti i filmave, siç u pretendua nga një pjesë e shtypit të specializuar. Arsyet ishin krejt të tjera....

Maria Kucunaqi, artikullshkruesja e periodikut “Arte dhe shkronja”, pati guximin të vinte penën mbi plagë: “U vërtetua se ishin të paktë, shumë të paktë (vetëm 12 mijë gjatë një muaji) spektatorët që mundën të durojnë një shpjegim tjetër të ngjarjeve, që përjashton steriotipin zyrtar të “kriminelit shqiptar”.

Në një koment tjetër, tek gazeta “To Vima”, shkohet më tej: “Filmi luan me zjarrin, ngaqë marton mitin me realitetin, sikur të çapitet mes një fushe të minuar. Nuk e ndalon asgjë, nuk bëlbëzon fjalët e saj, mundohet të mos skajësojë asnjë, me siguri nuk dashuron asnjë, dënon shumë dhe është qepur për të bërë zhurmë. Kush shkon në një kinema për t’u skanadalizuar, për të dënuar vetveten. Të paktën, jo grekët...”

Thua u vertetuam, për konkludimin tonë të njejtë të mësipërm?

Ç’thotë për të gjitha këto, regjisori Janiaris, që ra pa parashutë, nga qielli londrinez i “Tate Modern Galeri”, në sokaqet ballkanike të Pllakës athinjote? Deklaroi tek “Kathimerini”-ja (29/5): “Po ta kisha xhiruar filmin për një rumun a turk, do të kishte fat tjetër. Gjëmbi është shqiptari. Shpjegimi i ngjarjes që unë sjell në ekran ishte bërë më parë dhe njerëzit nuk pranuan një shpjegim tjetër. Përvoja ishte e dhimbshme. Jo se prisja të nxirrja para, por se u vunë në funksionim ndjeshmëritë ksenofobike të bashkëpatriotëve të mi’’.

Është vërtetë ashtu?

Po ju lë ta vërtetoni vetë: vizitoni, ju lutem, adresën elektronike të “Pengut” (www.hostage.gr), në një bisedë të hapur me publikun grek dhe do të kuptoni atë, që i nderuari zoti Kucojanopulos, e quan “histori bashkëkohore të vendit të tij”. Nëse nuk keni mundësi ta bëni këtë, po ju citoj unë disa gjykime, që bëjnë fole atje: “Mundet filmi të jetë i mirë nga ana artistike, këtë le ta shijojnë kulturiarët. Por unë nuk dua asnjë të më flasë për shqiptarët. Nëse nuk u pëlqejmë, le të shkojnë andej nga kanë ardhur...” Togfjalëshi i fundit “... të shkojnë andej nga kanë ardhur” është i pranishëm gati në të gjitha mendimet e publikut.

Zonja Kucunaqi psherëtin: “Filmi “Pengu” ishte një rast ideal të restauronim mentalitetet tona për emigrantët shqiptarë. Jo vetëm me shkrim dhe me gojë, por konkretisht”.

Por rasti u humb. Siç ndodh tani e ca shekuj në gadishullin tonë të barrutit.

Fitore... si e Pirros.

Duke përfunduar, do të desha të thoja, se fitorja e mundshme e “Felix”-it të sivjetshëm kinematografik do të jetë një fitore... si e Pirros. Do të jetë si të ripërtypet “gëlbaza” e indiferencës së publikut, e hedhur në ekranet e kinemave të vendit për një vit me radhë, ku “Pengun”, siç thamë, duhet ta kenë ndjekur vetëm shqiptarët emigrantë, në një kohë kur supën surealiste të Ollga Maleas “Petullat me mjaltë”, për shkak të humorit banal dhe seksit, e ndoqën mbi 120.000 shikues!

Atëhere, nuk do të ishte më mirë, që grekët t’i embësonin evropianët me “petulla” të tilla, se sa me historitë e dhimbshme të shqiptarëve në këtë vend?

Suksesi mund të jetë më i garantuar!

“Athens voice” e kësaj jave boton një fotografi të regjisorit K. Janiaris me uniformën sportive të boksierit, me dorashkat e fryra në duar, në pozicion pritjeje.

Rastësi?! Një regjisor boksier?!

Të kujtohet komenti i para pak ditëve tek gazeta “Proto thema” (Tema e parë): “Ku ta merrte me mend Janiari që sivjet, për shkak të “Pengut” të tij të mrekullueshëm, përveç indiferencës së publikut, do t’i përvishej në fytyrë si një grusht i egër... ksenofobia. Dhe kjo, ngaqë filmi që krijoi, fshihte në gjirin e vet...një shqiptar”.

Ah, kështu?

Nuk kam ç’them, ju nxjerr kapelen për ndershmërinë dhe kurajon profesionale, të nderuar kolegë!

15 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page