top of page

"PAPAGAJTË E NEMBROTIT" – PROFILI KRIJUES I MOIKOM ZEQOS


Vladimir Muça

"PAPAGAJTË E NEMBROTIT" – PROFILI KRIJUES

I MOIKOM ZEQOS

Ese

(Mbi librin “Papagajt e Nembrotit” të Moikom Zeqos)

Pata kënaqësinë të lexoj librin me proza të shkurtra postmoderne “Papagajtë e Nembrotit” të Moikom Zeqos (TOENA 2012).

Sapo lexon prozat e para nuk mundesh të mos futesh në një fiksion tregimtar të një letërsie të re, ku parabolat historike e supermetaforat pleksur në një alkimi të re, të fusin në një botë letrare globalizuese, gjithëpërfshirëse, unikale në psiko-analitikën e subkoshiencës e rizgjimit të kujtesave historike.

Veçanërisht këto proza mozaike si vazhdimësi e një bleni, tashmë të mirënjohura, do t’i vlerësoja për karakterin e pasur erudit, në kapërcimet kohore të ngjarjeve e fenomeneve, në katapultimet historike, shoqërore, si veskë të zhvillimit njerëzor.

Ata vinë si subjekte të ndryshme në dukje, pa lidhje, por në fakt në psiko-analizën shoqërore plotësojnë njëri tjetrin, një arketip pasardhës që të plotësojë paraardhësin.

Libri “Papagajtë e Nembrotit vjen jo vetëm si një ksombël i vazhdimësisë të “Vetullave Hyjnore” por dhe i konsolidimit të estetikës së re. Vjen me një dendësi gjykimi filozofik më të thellë në problemet e një stilistike të re me më shumë detaje. Shumëdimensionalizmi dhe polifonia estetike është në formatura të plota, si një veçori e artit moikomian në pos modernitetin e të shkruarit.

Intervenimin në substraktet muzeale, Moikomi e mbështet fortas në hulumtimin në mënyrë alkimiste të substancës së tekstit, si të atij burimor e zhvillimor, duke e përzgjedhur si një vazhdimësi metafizike në bazimin filozofiko-dialektik “asgjë s'humbet, asgjë s'krijohet por çdo gjë transformohet”; duke i kthyer ato në faktor komunikues, duke e kthyer abstrakten në konkrete.

Krijimi i argumentit themelor të shkrimit është e gjithë dukuria e kësaj proze të re.

Ndërlidhjet kulturologjike të drejtë për drejta në tekste referenciale dhe argumenti shkencor i jep rëndësi të shumëfishtë funksionit të tekstit, duke ushqyer atë me universialitetin përfaqësues.

Në raste të veçanta fantazia dhe imazhinizmi i shumëpërdorur me aq shumë efikasitet ka shërbyer për të kapërcyer kapërcyllet e kësaj estetike të re, vetveten në dualismin psiko-analitik, për të arritur tek qëllimi final për të cilën Moikom Zeqo aspiron: leximin universal.

Ky mendoj unë është dhe qëllimi e “sakrifica”, këmbëngulja e Moikom Zeqos në këtë projekt, në kultivimin e asaj lloji letërsie e cila mëton të aftësojë në krijimin e një lexuesi të tipit inteligjent.

Në këto proza të shkurtra artikulohen parabola dhe stimulohen e u jepet jetë kulturave, shtresuar në xeheroret e shekujve, duke krijuar identitete e bashkësi estetikash stilesh, në një risi, të një moikomianeje postmoderne, duke arritur të bëjë në artin e të shkruarit rimëshirimin ftillesor të miteve, legjendave, në kontekste të reja kohore.

Personazhet e këtyre prozave udhëtojnë nga një botë e përhumbur e vijnë si bashkudhëtarët e “monedhës së artë” të Jan Kukuzelit, apo "lulja e Coleridges" si metafizika që vinë nga një botë e pavdekësisë librare në gjendjen e një pluhuri të artë kozmik.

Arti fonderik i Moikom Zeqos konsiston në dhënien e formës ftilluese këtij pluhuri hyjnor, do ta quaja në qenësi të reja të pavdekshmërisë ekumenike.

Në to, si në fosforeshencë, ndjehet thekshëm dhe sharmi eseistik i cili i vesh prozat me filozofinë drejt një komunikimi universal nëpërmjet një “Gjuhe blu” siç perifrazohet tek “Zoti Iks”.

Një dendësi të tillë detajore, mendimore e qëllimore është arritur në sajë të një fragmentarizimi perfekt të fjalisë dhe të periudhës që shumë pak ndeshet. Gjithçka ia ka lënë vendin ngjeshjes stilistikore, qëllimit, idesë.

Rrëfimet e shkurtra sjellin nënshtresat mendimore si dhe rrisin fuqinë izotopike të të pathënës e cila merr vlera në sajë të parabolave tregimtare në tërësinë e prozës. Kjo e mban lexuesin në fiksion ideor. Universi letrar i këtij libri pllenon në analet e enciklopedisë njerëzore.

Duke ecur në parabolat e Franc Kafkës, prozat në tërësi përbëjnë një padukshmëri letrare të muzeuar, por në vetvete nxjerrin në sipërfaqe ujore vetëm ato pjesë të ajsbergut të qenësisë fragnentare. Shumësia noton nën këtë masë libraro-ujore me rëndesën e madhësinë e masës.

Tek lexoja prozën “Papagajtë e Nembrotit” dhe tregimin “Vdekja e Nembrotit” m'u transplantua në mendje, me cilësinë e një lakmuesi thagma aktualizuese e këtyre tregimeve. Një aktualizim perfekt i miteve me realitetet që po jetojmë, ku kryepartiakët apo kryeqeveritarët mbledhin rreth vetes “papagajtë spiunë” vetëm e vetëm në ngritjen në kult të predispozitës autoritariste.

Një përqasje në thellësira kohore e trashëgimi kulturore të letërsisë e artit shqiptar në kuadër mbarëbotëror.

16 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page