top of page

Panajot     Zoto: “Andej  nga këndon Thëllëza”


ree

Nga  Panajot     Zoto


Është libri  im i fundit në radhën e botimeve përgjat këtyre viteve. Një libër  për  fshatin tim, Muzinë dhe  për muzinjotët,që ka këtë

        E p i l o g

Jamë ulur këtu te ballkoni i shtëpisë së prindërve të mi dhe  meditoj i zhytur në dhimbjen e ëndërrave të mia që kam lënë këtu dhe nuk i gjej.

Gjashtë dekada më parë i ngjitesha  malit dhe kërkoja foletë e thëllëzave,për të dëgjuar këngën e  tyre dhe nxirrja nga gjoksi, i mbushur me dashurinë për fshatin, thirrjen: “E heeej... jam andej nga këndon thëllëza!” Sot janë vetëm kujtimet dhe një ndjesi dashurie për këtë truall që më sjellin këtu. Jam një Klaudio Kabeti i “Kopshtarit të ëndërrave”, që vadiste një fletë libri derisa e rriti(!)... Ai kërkonte ta shpëtonte librin nga humbja (mosleximi) ,ndërsa unë, me kopshtin tim, të cilit nuk i ndahem për ta mbajtur të gjelbër, kërkoj të mbaj gjallë një kujtim, një amanet...

Janë malli dhe ëndërrat që më sjellin në këtë shtëpi tashmë të rrënuar, në këtë ballkon ku  ka mbetur fëmijëria ime. Për të ardhur gjer këtu më  duhet  të çapitem në një rruginë mbuluar nga bari dhe të kaloj përmes lagjes së heshtur nga mungesa e njerëzve, ku dëgjohet ndonjë e lehur qeni dhe rrallë një zhurmë motokorrëse bari,por nuk gjej njeri të përshëndetem dhe t’i urojmë njeri-tjetrit shëndet dhe një ditë të mbarë.

E kaluara, kur jeta në këtë fshat gjallonte nga zëra e biseda njerëzish, që dilnin nga shtëpitë  pa lerë  dielli dhe niseshin për punë, kur dëgjoheshin britmat gazmore të fëmijëve çapkënë që lodronin në oborin e shkollës... ka mbetur  larg në vite. Ajo  i mungon  së sotmes . E shikoj atë përmes syve të lëngëzuar prej lotëve të fshehur dhe përmes fytyrave të trishtuara të njerëzve të këtushëm, të pikur nga malli për të ikurit.

Po e nesërmja?. Nuk  di ta them, edhe se besoj në një ditë shprese, që më thotë se e nesërmja nuk do të jetë kështu.

Ata që vinë pas nesh, le t’i mjarrin ëndërrat e mia, le t’i mbledhin kujtimet tona dhe me to të ndërtojnë këtu një të arthme më të mirë dhe  mos ta lënë fshatin të “vdesë” nga vetmia. Le t’i thonë  njeri-tjetrit me krenari: “Jemi  andej nga këndon Thëllëza!”

 

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page