top of page

“Nëna lutet për ne” me gojën e një intelektuali



Sa herë që vjen fjala për Shtëpinë Botuese “Buzuku”, një nga më të famshmet në hapësirën mbarëshqiptare, mendja më shkon ta krahasoj me “Casa Ricordi”. Kjo e fundit hidhte dritë dhe i nxirrte në dritë muzikantët më të talentuar, ndërsa “Buzuku” bën të njëjtën gjë me talentet në letërsi. Por ka edhe një ndryshim thelbësor: “Casa Ricordi” ishte njëkombëshe, sepse kishte në qendër të vëmendjes vetëm italianët, ndërsa “Buzuku” është shumëkombësh ngaqë promovon vlerat e mirëfillta jo vetëm të krijuesve shqiptarë, por edhe të viseve të tjera anekënd rruzullit tokësor, duke ia dhënë lexuesit në një shqipe të pastër, të pasur e të zgjedhur. Kjo është një punë nga më të vështirat e më të përgjegjshmet dhe parakupton përgatitje të gjithanshme intelektuale e sidomos njohje të thellë të vlerave kulturore e qytetëruese të veprave që do të shohin dritën e botimit. Këto kërkesa i përmbush më së miri sinonimi i “Buzukut”, prozatori, poeti, eseisti, kritiku dhe publicisti i mirënjohur, intelektuali guximtar Abdullah Zeneli, të cilin tashmë po e shohim të shpalosë edhe një anë tjetër të krijimtarisë - “prodhimet” për skenën. “Nëna lutet për ne”, dramë në tri kohë, kushtuar “Gonxhe Bojaxhiut - Nënë Terezë - bijës shqiptare, humanistes së njerëzimit”, me dhjetë personazhe kryesore dhe më pak personazhe episodikë, zhvillohet në dy kontinente: në Evropë (Shkup, 1918, në Oslo, 1979) dhe në Azi (Kalkutë, 1959). Me një gjuhë të rrjedhshme dhe stil elegant e lakonik, autori ia ka dalë mbanë ta pikturojë portretin shpirtëror e fizik të Shenjtores në mënyrë sa të besueshme, gjithaq edhe ngazëllyese. Që nga skena e parë deri në të nëntën, - natyrisht duke e përfshirë edhe këtë, - ngjarjet e njohura tashmë jepen në mënyrë të atillë saqë të duken sikur janë premierë. Leximi është tërheqës dhe në fund ndjen keqardhje që nuk vazhdon më tej, si refren i një kënge të parapëlqyer, të cilën nuk ngopesh duke e dëgjuar pa pushim.

Nuk e shoh të udhës të hyj në hollësi që lidhen me subjektin e as të bëj analizë stilistike, ngaqë ndruaj se do t’ua zbehja sadopak kurreshtjen atyre që do ta marrin në dorë e nuk do ta lëshojnë prej saj këtë vepër lakonike, së cilës i shkon për shtat thënia popullore: “Dy fjalë çajnë dhenë”.

12 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page