top of page

Nëna diskursive e poetit Ahmet Prençi


Nëna diskursive e poetit Ahmet Prençi

Fatmir Terziu



Hera-herës kemi ndjekur tek revista „Fjala e Lirë“ paraqitjet e disa prej poezive të poetit Ahmet Prençi, që përbëjnë vëllimin e tij poetik „Udhë në Pasqyrë“. „Udhë në Pasqyrë“ është një vëllim poetik që mund të konsiderohet edhe si një udhë përfaqësuese e dashurisë amëtare: Kjo poezi është një shprehje e dashurisë për Nënën. Poeti shpreh mirënjohjen dhe ndjenjat e tij të forta për nënën dhe udhën e tij reale e aktuale të udhëhequr nga prindërit e tij, por më së shumti nga ajo që ndoqi dhe udhëhoqi në jetën e tij nga nëna, duart e saj, mendja dhe këshillat e saj. Ai në mënyrë mjaft diskursive përshkruan kuptimin universal të ‘nënës’ dhe beson se kjo fjalë është nxjerrë nga bota engjëllore e kësaj udhe të pashmangshme e mjaft të domosdoshme jetike. Ai imagjinon se engjëjt mund të kenë shpikur këtë term kaq ngjizës. Ai gjithashtu shton një nderim prekës për nënën e tij, për ta bërë të ditur se ajo zë vendin më të lartë në zemrën dhe mendjen e tij. Ajo e mbështeti atë pas një udhe të gjatë deri sa autori eci me këmbët e tij në jetë e më tej. Për më tepër, ai shpreh dashurinë e tij të zjarrtë për familjen e tij, babain, gruan e tij duke shtuar se dashuria e tij për familjen dhe tërësinë e lidhur me të nuk do të zbehet kurrë. Ajo që, megjithatë, mbetet në mendjet e lexuesve është dashuria dhe lidhja e tij e pakufizuar me një jetë të ardhur mjaft diksursive.

Kjo nga ana diskursive transmeton qartë se dashuria amtare (si ngjizje e termit), dhe dashuria e pafund për nënën janë temat kryesore të kësaj poezie. Folësi flet për marrëdhënie të çmuara të jetës së tij: nëna e tij e dashur dhe e paharruar që shkoi në duart e Zotit, para disa muajsh, nëna diskursive, që është nënë e të gjithëve, e cila u kujdes për të që nga lindja, sikurse ndodh me të gjitha nënat e mira, dhe më tej edhe me tërë familjen e tij. Poeti tregon dashuri emocionale për një aspektualitet të gjerë e të domosdoshëm jetik. Për këtë arsye, fjala nënë nuk është një term i zakonshëm për të. Përkundrazi, është një emër i shenjtë i krijuar nga kënde të shumta dimensionesh të vetë diskursit të jetës, ku ai lindi, u përkëdhel dhe u rrit.

Thuajse në më të shumtën e këtyre poezive, zë një vend të rëndësishëm nëna, jo thjesht si një dedikim, as dhe si një figurë, por si një lidhje, një udhë, një udhë e tillë në pasqyrë, që pasqyrohet në këtë pasqyrë të realitetit poetik. Nëna është një angazhim i vetë arsyes, i vetë logjikës poetike, është një karakteristikë e thënë ndryshe me një mori lidhjesh e ndërlidhjesh kulturore dhe mjaft logjike, narrative, tipologjike të autorit. „Nëna“ është poezi më vete. Si e tillë ajo, pra nëna e autorit, është „Hirushja në zhgjëndërr“; „Qelibare, e urtë, ëmbëlsi në ëndërr“, është ajo sikurse shprehet vetë autori „Që më bekoi ende pa u ngjizur“; është ajo nënë tek e cila poeti sheh vërtetë atë tek e cila shesh mjaft arsye, por që i drejtohet me përkuljen e birit ndaj nënës: „Që mbushe fletën time të bardhë/Me dashurinë e sakrificën bashkë“; aty ku „S’ka më të bukur se ti,/Me sy të mëdhenj - një pash qiell/E prehrin me nektar perëndish“ aty ku s'ka më fisnike se nëna „Me zemrën e dhemshur për një zog të trembur/E me kurmin - Zanë bjeshke“.


Pra e tillë është nëna e dashur dhe e paharruar tashmë e poetit, ashtu sikurse ajo tashmë është bërë nëna e të gjithëve, e të gjithë atyre që e kanë lexuar dhe e lexojnë këtë vëllim poetik, e atyre që duhet ta lexojnë me sinqeritetin e dashurinë e vërtetë për një vëllim poetik të realizuar mjaft mirë. E tillë është ajo nënë edhe tek poezia „Dëshirë fikse“, ku dëshira e autorit në ditët me shi, e dëborë të shkrirë i ngjajnë „si kripa kur nëna u hedh groshëve“, apo „siç qullet brumi që ngjesh nëna“. Tek poezia „Përsëri në ëndërr“ nëna „hyn si Hirushe“, tek poezia „Atëherë“ për ta qetësuar kuçedrën nëna e poetit „pjek gështenja“, tek „Kthim në fëmijëri“ ajo, pra nëna përhumbet „krejt pa mendje në punët e mëngjesit“, tek poema „Vargje në udhë“ është përkujdesja ndaj veshjes së të birit që simbolizohet „me një jakë që ma kthen nëna“.

Dhe „Nëna lan rrobat poshtë në përrua“ tek poezia „Shkencë“, e tillë është thjeshtësia e nënës tek „Llamba e vajgurit“, ku ajo e fshin gjithnjë me kujdes atë, edhe kur jeta lëviz në qytet se „…Llambat e vajgurit s’janë për qytetet!/Por nëna e mori, e ruajti të shtrenjtë/Aty pranë dritares, aq pranë me shkrepësen.“ Nëna është e përkujdesshme për të gjithë arsyen e saj familjare, përkushtimin e saj ndaj të shoqit, fëmijëve tek poezia „Pylli me pisha“. „Epitaf me akull“ e vendos nënë në një retorikë perspektive të dhimbjes, ku e zeza e rrobeve është një dilemë dhe një arsye e kësaj retorike. Natyra, ambienti dhe e tëra tek „Rima prej bore“ e bëjnë poetin të shfaqë atë që mbetet disi rima më vete e vetë jetës së përqasur në ato kushte ku „Nesër nëna ime s’do të veshë nallane/Por triko të leshtë, çizme e sargi“. Groshët dalin si një arsye e vetë jetës, e asaj ekonomie që përkujdes dora e nënës tek „Lule Lisne“, ashtu sikurse tek „Mbrëmja në fshat“, ku „nëna për vaktin e darkës kripos groshët“.

Ka disa momente kur nëna është pasqyra ku përkujdesja e nënës e tregon vetë të birin, është disi „Për vete“ dhe aty pikërisht „Hakërrehej nëna me gratë e mëhallës:/ Ky Meti i vogël, s’i la dy gurë bashkë!“ E kështu nëna, vërtet kjo Nënë është dhe mbetet udhë në pasqyrën e poezive, vetë frymëzimit të tyre, vetë jetës që buron dhe udhëhiqet nga glimcet e përditësisë, trazimit jetik, dikusrsit ndërlidhës, ndërkulturor dhe metafizik të familjes.

Duke përfunduar duhet shtuar se figurat poetike dhe letrare janë mjaft komplete, nuk janë të njëjta, por të seleksionuara mjaft mirë e të afta për tu përdorur në këtë vëllim me poezi. Në tërësi është një figuracion i pastër, po aq sa dhe konfiguracioni që e mbush plot frymë këtë vëllim. Në mjaft raste ka dy rreshta konstruktivë të vargjeve në një çift, zakonisht në të njëjtin metër dhe të bashkuara me rimë. Ky lloj emetimi poetik zakonisht zbulon idenë qendrore të poezisë. Skema e rimave në disa raste ndjek skemën e rimës ABAB dhe çiftëzimi në fund shkon me skemën e rimës AA, përjashtuar ato raste kur poezitë janë të vargut të lirë, të bardha. Në disa raste dominohet nga Rima e Fundit, ku Rima e Fundit përdoret për të bërë një strofë melodioze. Kjo dhe mjaft të tjera e bëjnë vëllimin poetik „Udhë në Pasqyrë“ të poetit Ahmet Prençi një vlerë të shtuar në morinë e librave të botuara profesionalisht e të domosdoshme për lexuesin serioz.


86 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page