top of page

Nusja me “kopil” nga prapa


Nexhip Bashllari

Ka çudira në këtë botë, bëhen pa tregohen. Ishte pragu i Vitit të Ri dhe, si çdo prind, së bashku me time shoqe dolëm të blejmë ndonjë dhuratë për mbesën tonë. Brenda shtëpisë qe fëmija e parë që trokiti dhe u shfaq si një mysafire e re, e cila i dha dritë dhe shkëlqim asaj dhe ne na mbushi me një gëzim të papërshkrueshëm. I ramë kryq e tërthor pazarit, nëpër dyqane të mbushura plot me lodra dhe dhurata të ndryshme për fëmijët. Tregtarët nuk pushonin së bërtituri, duke i bërë reklamë mallit të tyre. Mbas shumë mëdyshjeve na tërhoqi vëmendjen një zë fëmije që thërriste: “Mama! Baba!”. U afruam dhe pamë një kukull të bukur me një fustan lejla, që belbëzonte: “Mama! Baba”! Tregtari na u afrua dhe nuk pushonte së foluri për bukurinë lodrës, për çmimin e saj të arsyeshëm, aq sa nuk m’u durua dhe pa takt, siç na ndodh shpesh herë të ndodhemi bosh, i thashë: “Mos u lodh, se e shohim dhe një fshat që duket nuk do kallauz!” Gruaja me marifet më preku me bërryl, për të më thënë se e kisha tepruar. Edhe tregtarit e pashë që nuk i erdhi mirë nga ndërhyrja ime, por tashmë ç’u bë nuk zhbëhej më. Fundja, ai atë punë kishte: të reklamonte mallin dhe të shiste sa më shumë se, mbas Vitit të Ri ato mbeteshin mall stok. Si e vrojtuam me kujdes, e vendosëm ta blejmë, se fundja vajzë ishte dhe me kukulla duhej të luante. Duke bërë gati të paguaja, më hipi një e qeshur, që për karakterin tim ishte e pazakontë, sa tërhoqa vëmendjen përreth… - Ç’ke që qesh, - më pyeti gruaja, - mbaje veten, nuk e sheh që ne po na vështrojnë të gjithë? - M’u kujtua një histori, - i them asaj, - po nejse, nuk është vendi për ta treguar, e lëmë kur të mbërrijmë në shtëpi. Ishin vitet kur teknologjia, sidomos elektronika, kishte filluar të ecte me hapa të shpejta dhe po përvetësohej çdo ditë e më mirë, sidomos nga rinia dhe shtresa intelektuale, por jo të gjithë e njihnin atë. Si gjithnjë në fshat futej më vonë. Bëhej dasmë e madhe në shtëpinë e Demirit, - nisa t’ia tregoja asaj.- Dasmë që nuk ishte parë në ato anë, luante qeni i kallajxhiut. Se si është kjo puna e qenit të kallajxhiut nuk di ta sqaroj, se e kam me të dëgjuar, por që do të thotë aheng i madh, shpenzime të mëdha. Nuk ishte shaka, martonte djalin e vetëm dhe merrte nuse për djalin nga një familje me soj të mirë dhe një vajzë për ta pirë në kupë, jo vetëm të bukur dhe të zgjuar, por edhe e pajuar më së miri. Erdhi më në fund nusja në shtëpinë e burrit dhe graria, siç e kanë zakon, e rrethuan, kush e kush ta prekte me dorë, kush e kush të këndonte më shumë dhe t’i thurte lavde bukurisë së saj. Më në fund dasma mbaroi, çiftin e mbyllën në konakun e tyre dhe të nesërmen, më shpejt se ditët e tjera, nëna e djalit priste prapa derës së çiftit që të shoqëronte nusen. Dhëndërri doli më parë nga dhoma, ndërsa nusja, mbasi kishte rregulluar shtratin sipas dëshirës së saj, priste që të vinin ta merrnin për të vazhduar ritualet e ditës së dytë. Nëna e djalit, sa hyri brenda dhe hodhi vështrimin mbi shtrat, doli me vrap duke ulëritur e duke ndukur flokët e veta. “Qyqja, qyqja! Korba, korba unë, do bëhemi gazi i botës! Djali i vetëm i nënës, ç’nuse na ke prurë në shtëpi, nuse me kopil nga prapa, hapu dhè të futem”! - dhe u përplas në korridor në gjendje të fikëtit. Dolën njerëzit e shtëpisë si edhe miqtë që nuk ishin larguar ende nga dasma dhe u turrën nga dhoma e nuses, ku ç’të shihnin! Një kukull me bateri, e vendosur mbi krevat, e cila të jepte ndjesinë e të qarit të një foshnjeje: “Uaaa- uaaa, uaaa – uaaa!”

42 views0 comments

תגובות


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page