top of page

Nuk të pranon as varri


Pajtim Xhelo

S'ke dashuruar askënd? Pa më thuaj, Ç'dreq shpirti ish që nuk u ndez asnjëherë? Frikë kam se paska qenë i huaj, Fis i ardhur nga planetë të tjerë.


I ftohtë gjaku, mos ishe reptil, Zemra njëlloj të rrahu nat'e ditë? As kur vasha të dha një trëndafil, Në sytë nuk ndriçoi tjetër dritë?


Në jetën tënde askush s'ka trokitur, Dhe nuk kuptove kur shpirti u plak? Degëz e brishtë, mga dimri venitur, Që vdekja e rrëmbeu pakngapak.


Kur shpirtrat tanë përmbi flakë malli, Nën yje hidhnin vallen marrëzi, Larg ishe ti nga brenga dhe nga halli, Nuk e njohe mëkatin dashuri.


Edhe kur plagë morëm ne të tjerët, Gjakut dhe zemrës dhëmbën ato plagë, Dhe helmin e provuam fare herët, Veç rrugës së jetës nuk mbetën vrragë.


Kur në stinë të reja udhëtonim, ( Mund të pinim edhe helm në marrëzi), Pas hijeve të vjetra dashuronim, As hije të vjetra nuk kishe ti.


Kur Zoti i madh stinët i ndërroi,, Si të mos ishim të ndryshëm dhe ne, Nderim kush dashurinë dashuroi... Dikur, tretur do jemi te ky dhe.


Si qyqar kush në jetë s'mëkatoi, ( Nëse zjarr' i shpirtit është mëkat), Ishull i largët kush nuk dashuroi , Vetmi e verbër në natën që zgjat.


Një jetë që s'e ngrohu kurrë zjarri, Një shpirt që nuk njohu kurrë pranverë, Dimër do mbetet, s'e pranon as varri... Mos e shpërfillni jetën or të mjerë!


Pajtim Xhelo, 13 korrik 2020

57 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page