top of page

NUK SHKULEN ZAMBAKËT E LIQENEVE TË DUMRESË…


NUK SHKULEN ZAMBAKËT E LIQENEVE TË DUMRESË…

Nga Fatmir Terziu


Dhe Hëna, mbulon me gjethe lakuriqësinë e bukur,

Ti strukesh aq sa mund të struket pas gjetheve një flutur,

gudulis vala bardhësinë e lëmuar si me krem,

e çelur e bardhë mbi ujësinë e dehur,

ah sikur të isha dhe unë, flas jerm.


Dyzetë e një sy të ndjekin sikurse ndiqet një mis,

buzët e mavijosura të preken me fjalën më të ndjeshme ,

trupi i shtrirë me hajmalinë e natës tis,

qetësi dhe fllad pas vapës,

dhe përhumbem kur të pyes:

bulëzat m'i pluskon Ti, apo ëndrra e radhës?


Miliona vjet grinden në fjalorin e mendjes,

kush të lindi, ku linde, si mbretërove,

bukuri gllabëruese e të gjithë gjendjes,

unë si një dashnor i harlisur të marr për dore

të të ndjej. Të të shijoj deri në prag të vdekjes.


Qielli nis e zhvishet i lodhur për gjumë,

kërkon të na lërë në momentet intime,

ti mblidhesh butë,

kërkon t'u a largosh syve,

rishfaqjen e Evës si turp.


Unë si një Adam i zhveshur pa gjethe,

dridhem në përhumbje dhe flas me vete,

diku në majat e ngrehura të Dumresë,

mërmërimat e zgjuara të zogjve bëjnë festë,

në brendësi të shtratit tënd pa bujë

peshqit zgjojnë njëri-tjetrin në ujë.


Në këtë pikë nuk jemi më një korr,

japin e marrin frymërat tona si në një pasqyrë,

janë vjedhur perdet e mëndafshta në këtë dhomë,

ndjej ftohtë. Jam i ngrirë

vetëm ndjej se si më bekon

pas kësaj beteje të ndjehem më mirë.


Zogjtë kanë boshatisur ajrin kanë zbritur në tokë,

mbledhin aromën që ke lënë përreth,

dremitja qenka më aromatike se parfumi,

ngase do të duhet më pas të mbledh,

aromat që i fshin si me një gomë dita pas gjumi,

e prapë aty mbi Liqen t'i hedh.


Në ujësinë tënde tashmë pushton e bardha,

shekujt mblidhen për vendimin e radhës,

prapë duhet t'ia nisin nga e para?

Për hir të bukurisë së Fjalës,

miliona sy shfletojnë Librin e Shenjtë,

nuk është më vendi i përrallës,

dashuria në Dumre është bekuar me verë e shend.


Dhe gota në tryezën e shtruar tringëllon në sy,

gjej brenda saj një melodi,

trupi më shtrydh i tëri nga brënda,

një lot të bardhë të malluar që bredh pakufi,

i gatuar kështu qëkur nëna,

më solli në jetë plotë dashuri.


Aty nis udha e syve që të kopjuan ujësinë

shtratin tënd që shtrohet aq butë,

kërkojnë të të ndrisin sikurse Dielli Gjithësinë,

në këtë kohë që fluturon me ngut,

duke mbajtur ëndrrat e tilla mbi shpinë,

e kësaj radhe t'i biem më shkurt,

dashurinë e kësaj perle nuk mund ta fshijnë.


E fundja le ta themi hapur për besë:

Zoti na i bekoi të mos shkulen Zambakët e Dumresë!

35 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page