top of page

Nuk jemi i vetmi popull që futemi në radhë


Nuk jemi i vetmi popull që futemi në radhë

Fatmir Terziu


Jam në radhë. Jam me të tjerë të gjallë. Të Tjerë si unë, si të gjithë. Jemi në radhë. Është ora tetë e mëngjesit dhe ne jemi në radhë. Jemi në radhë. Dhe unë e ndiej. Dhe ata e ndiejnë. Çdo qelizë është një qenie e gjallë. Jemi në radhë. Jemi në radhë në shtëpinë më të madhe të Librit. Jemi në shtëpinë më të famshme të librit nga e gjithë Bota. Kjo shtëpi është Biblioteka Britanike! Në këtë Bibliotekë, janë vitet, janë librat, janë ritet, janë shtetet, janë memorjet, janë koleksionet më të mëdha në botë të librave, dorëshkrimeve dhe periodikëve, bashkëkohorë dhe antikë, britanikë dhe të huaj. Dhe që nga koha kur u themelua në vitin 1753 si 'një depo e përgjithshme' për të mbajtur koleksionet e Sir Hans Sloane, Sir Robert Cotton dhe Robert dhe Edward Harley para kësaj godine gjithkush e ndjen ndjesinë e tij qelizore. Ndjen radhë, forma të ndryshme si grumbullime të pakufishme të autonomisë. Aty ndjen se pa këtë godinë edhe qeliza është helm. Kupton se ka lindur për të thumbuar. Asnjë formë evolucioni nuk do të mund që ta shtrembërojë një qelizë që i largohet kësaj Godine në diçka të mirë. Dhe unë kam vite që jam pjesë e saj. Jam pjesë e saj në lexime, kërkime, studime, zbulime, shkrime e botime. Dhe më duket se ajo tashmë më mban peng. I lutem ndonjëherë në heshtjen time: Më nxirr dhe më liro. Unë nuk dua të zbuloj gjithçka, as nëse universi mund të zhvendosej dhe të kthehej. As dhe nëse do do të përhumbem duke lexuar! Leximi dhe zhvendosja e Universit më nxjerrin disi nga forma më e re e stresit. Stresi i ri edhe në vendin tim të quajtur mjaft bukur nga të gjithë Albani, e me gjithë atë krenari nga unë, nga ti, nga Ju, Shqipëri. Atje mësova se ka radha të tjera ende. Nuk ka radha për librin! Nuk ka radha për leximin! Ah sikur… Ah, sikur… sikur…. Sikur…. Ndoshta atëherë do të gjeja shtëpinë time. Ndërsa jam ende në radhë. Jam në radhë me këta që kanë 250 vite në këtë model radhe. Jam në radhë edhe sot në një nga bibliotekat më të mëdha në botë. Jam në radhë dhe mësoj… Koleksionet fizike po rriten gjatë gjithë kohës dhe po ashtu janë edhe koleksionet dixhitale, të cilat përfshijnë Dorëshkrime të Dixhitalizuara, Arkivin e Uebit të Mbretërisë së Bashkuar dhe mbi 1 milion imazhe pa të drejta të disponueshme në Flickr. Jam në radhë ndërsa lexoj. Lexoj… në radhë. Lexoj përditë… Me një program të gjallë, aty hyjnë e dalin 1.6 milionë vizitorë në çdo vit. Duke parë përpara në vitin 2023, vitin e 50-vjetorit të kësaj shtëpie të madhe të Librit, ndjej se gjithnjë e më shumë po bëhet edhe sot institucioni më i hapur, kreativ dhe inovativ i këtij lloji në botë. Jam në radhë, por e lashë në fund për ta ndjerë disi ndryshe këtë modesti, se aty janë edhe librat e mi!

118 views6 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page