top of page

Novosej dhe Shishtaveci


Shishtavec

Bajame Hoxha - Çeliku

Isha nisur dy ditë më parë dhe dita e tretë më zuri në qytetin e ri të Kukësit. Dhe prej andej do të udhëtoja për në fshatin Shishtavec, për klimë të mirë, pasi vajzës sime tetë muajsh nuk po i ecte shëndeti në kampin e Savrës, ku ne si familje vuanim dënimin.

Tashmë, banorët e qytetit të vjetër të Kukësit ishin transferuar plotësisht në qytetin e ri. Pallatet e ndërtuara në fushën e zhveshur nuk të jepnin dot atë kënaqësi që të afronte dikur qyteti i vjetër. Në sytë e mi, kishte qenë gjithmonë madhështorë për vet pozicionin gjeografik. Ah, me ato shtëpi të gjitha private me avlli të bukura plot pemë e lule! Me sokakët përjashta që shkëlqenin nga pastërtia të mbushnin me frymëzim, e të jepnin një kënaqësi shpirtërore të veçantë. Ku ndiheshe jeta e qytetëruar, e një qyteti të vogël por me lëvizje e vlera të mëdha! Tani, pallatet e ndërtuara nga të dy anët e rrugës kryesore me të njëjtin model e strukturë, më dukeshin se vështronin njëri tjetrin ftohtë dhe si të varfër jashtë mase. Fillova ta ndjeja thellë shpirtit si një humbje të madhe të atij qytetërimi dinjitar.

Ishin përpjekur t’i afronin pamjen e një qyteti të ri, të kohës, me të gjitha dimensionet. Anës dy trotuareve kishin mbjellë pemë dhe lule, por gjithsesi, më paraqitej si një shkreti kur i shikoja ato lule të pakta që mbanin kryet varur nga thatësia.

Asgjë s’po më linte një shije të mirë, por përkundrazi, të gjitha më jepnin përshtypjen se po ankoheshin nën zë . Edhe njerëzit po ashtu sikur thoshin: Ishim mirë, pse na luajtët, ne ishim qytetarë të denjë të kuksit, qytetit të historisë, ç’duam ne këtu? Ishim mirë atje ku gdhendësit e gurit e të drurit ngritën qytetin me mjeshtëri herë ndër shekuj herë në vite e vite më parë, por që rrënjët qyteti i vjetër i kishte shekullorë. E ç’kërkojmë ne në këtë fushë të egër, ku era dimërore do na thajë në këtë lartësi të zhveshur anës së liqenit, dhe dielli i verës do na pjekë pothuajse në rrëzë të Gjallicës?

Ishte ngritur tashmë qyteti i ri që nuk ngjante fare me qytetin e vjetër ndërtuar mes dy Drinave i cili falë higjienës që kishte, rregullit qe mbahej, me një shërbim tregtar tejet te kulturuar kish fituar epitetin “Stambolli i Vogël". Natyra qe treguar bujare dhe dy lumenjtë Drini i zi dhe Drini i bardhë që zbrisnin mrekullisht nga lartësitë e maleve të larta dhe që bashkoheshin me një harmoni fantastike pikërisht në Kukësin e vjetër, i jepnin atij pamjen nga lart të një gadishulli të vogël. E unë, e braktisura e viseve të mia ndjeja mall. Një mall që zemra ngacmohej nga emocione shumë të fuqishme deri në lot. Kudo që të qëndronte makina e kooperativës së Shishtavecit, në të cilën kishim hipur shumë pasagjerë, si në fshatin Novosej, ashtu dhe në Shishtavec, për mua ishte njëlloj. Nuk ndryshonte asgjë, sepse mamanë e kisha nga Novosej, dhe aty jetonin dajallarët e mi dhe i gjithë fisi i mamasë. Kurse Shishtaveci, ishte fshati ku kishte lindur im atë, dhe më ishte shumë i shtrenjtë. Edhe pse gjatë gjithë jetës sime kisha jetuar vetëm një vit e gjysmë aty, përsëri e kisha shumë për zemër e ngado që shkoja çuditërisht e kisha me vete. Aty kisha një pjesë të fisit të babait që nga xhaxhai, që ishte një titullar shumë i respektuar, dhe që për ne, në çdo kohë të vitit, e në çdo orë e çast e mbante portën hapur, e deri te dajallarët e tij,(fisi Haxhiu) një fis ky me emër të mirë në gjithë krahinën e më gjerë.

Në të tëra kohërat fshati Shishtavec ka qenë një nga fshatrat më të civilizuar të rrethit të Kukësit, po dhe në të gjithë veriun. Fejesat ndër shekuj në Shishtavec nuk bëheshin me mblesëri, nuk bëheshin që në djep, nuk shiteshin vajzat. Martesat bëheshin me dinjitet, me besën e dashurisë, ku i dashuri i vajzës çdo mbrëmje ngjitej te dritarja e saj në katin e dytë, me shkallë dhe bisedonin me orë të tëra, aq sa dëshironin. Në Shishtavec vajzat gëzonin si trashëgimi të drejtat e tyre, të drejtën për të zgjedhur secila vetë shokun e jetës, atë që do t’i rrihte e bardha zemër. Ato ishin të lira nga familjet, dhe brenda vetës njerëzit ishin të ngrohtë dhe mikpritës. Ky fshat lokalitet kaq i zhvilluar dhe i madh, në atë kohë ishte katër orë larg nga qyteti dhe kishte kufirin me ish Jugosllavinë, Kosovën sot, pesëqind metra larg.

Hapësirat dhe bjeshkët përballë tij janë mahnitëse. Në pranverë bleron gjithçka, e secila stinë vjen më e gjallë, më e bukur se tjetra. Nga vija kufitare që ishte aq pranë fshatit pati dhe një privilegj të madh nga sistemi komunist. Duke qenë zonë kufitare, frika se një ditë do të arratiseshin të gjithë njëherësh, e hapej rruga dhe për të tjerë fshatra përreth të cilët i kishte kundërshtarë politik, Enver Hoxha, ai katil, diti t’i marrë me të mirë. Regjimi u krijoi kushte të mira jetese, duke i nisur nëpër shkolla të larta e të mesme profesionale shume nga djemtë dhe vajzat e fshatit. Në fillim te viteve '70 ne Shishtavec u hap shkolla e mesme bujqësore, më vonë dhe gjimnazi ku shumë prej nxënëseve qe mbaronin aty vazhduan arsimin e lartë në specialitete te ndryshme. Kur erdhi e mbara demokraci gjeti pesëdhjetë e dy djem oficerë që i shërbenin shtetit me guxim e devotshmëri të paparë, e shumë të tjerë në profesione të ndryshme, dhe do ta quaja pa ndrojtje: fshati intelektual. Pikërisht, aty do të kishte dhe një vend për mua, për të braktisurën e viseve të mia, për të internuarën pa bërë asnjë faj, për shtytjen edhe pas erës së demokracisë, që do të më jepte kukësi, si të mohuarën e trojeve të veta. Kurse Novosej ishte e kundërta: 90 % e banorëve, ishin armiq të betuar të komunizmit, sepse Shefqet Peçi, kishte pushkatuar me dorën e tij katër djem të rinj në këtë fshat, dhe kishte lënë shumë fëmijë jetim.

Në Novosej lufta e klasave ka qenë shumë e ashpër për gjatë gjithë kohës të sundimit komunist. Dy fshatra vëllazërorë nga marrëdhëniet, por të ndarë në dy klasa të kundërta ku pikëpamjet e tyre ishin dhe janë dhe në ditët e sotme krejt të ndryshme, të kundërta, por kjo nuk përbënte ndonjë pengesë në mbarëvajtjen e miqësisë dhe të shoqërisë. Dy fshatrat shkonin jashtëzakonisht mirë ngaqë Shishtaveci ka mbartur një kulturë perëndimore që në kërthizë.

Ishim nisur nga qyteti veri-lindor, rreth orës tre pasdite duke iu larguar temperaturës së lartë, të ftohtë nga pamja e jashtme, të largët, por me njerëz bujarë e të çiltër.

Makina me shpejtësi la pas fshatin Nange, pastaj Bicaj, dhe u ngjitë në të përpjetën ku dukej fshati i Spahijve, Kolesjani. Spahijtë, fis dijetarësh e luftëtarësh të paepur për mbrojtjen e kufijve, ishin të shquar në luftën kundër pushtuesve osmanë dhe në luftën kundër pushtuesve serbo-sllavë, deri në nëntor të 1912. Si një ndër figurat më të përmendura në krahinën e Lumës, Kosovës, Dibrës e Tetovës, ishte Islam Spahiu, emri dhe kontributi i të cilit është i lidhur ngushtë edhe me hapjen e shkollës shqipe në Kolesjan. Tashmë këtë fis, e kishin syrgjynosur burgjeve e kampeve të internimeve ku bëja pjesë edhe unë. Fis që djep pas djepi, e brez pas brezi ishte thesari i kulturës, dhe djepi i atdhedashurisë. Riza Spahiu “ Mësues i Merituar” hapi shkollën e parë në zonën e Lumës. Më 14 Tetor 1911, u hap shkolla në Kolesjan. Pra, në vitet 1911-1921, hodhën hapat e parë të arsimit në Bicaj. Dhe brenda këtyre viteve u bënë përpjekje të mëdha për hapjen e shkollave shqipe si në Gorë dhe Malzi, dhe në të gjithë trevën e Lumës .

Ja dhe Qafa e Kolesjanit, sa shumë kisha dëgjuar për të! Ecja dhe meditoja, flisja me vete, doja të kapja kohën, doja të gjeja atë fill të hollë që na ndau nga shoqëria, që na ndau nga fisi, nga shkollat, cili ishte pjesë e fajit aq të rëndë, që unë, asnjëherë s’e gjeta dot?! Eh, më doli përpara figura e kolonelMuharrem Bajraktarit një prej nacionalisteve më të shquar. Duke u ngjitur fshatit Kolesjan nga sipër në të djathtë dukeshin themelet e shtëpisë dhe avllisë së gurtë të Kolonelit në Domje të Ujmishtit ? Nuk e njihja as fshatin, as kolonelin e famshëm, trimin që thonë se kishte lindur me këmishë dhe se kapte as plumbi.

Unë njihja familjen e tij, vajzën Lirinë që emrin e kishte Liri por lirinë s’e kishte njohur, dhe s’kishte qenë kurrë e lirë që nga lindja e saj. Të birin Gencin, e njoha pasi kishte dalë nga burgu dhe mua si fëmijë më dukej se djali më i bukur në botë ishte ai, ai djali i Muharrem Bajraktarit, që, pasi kreu burgun nuk e liruan por e sollën të internuar në Savër.

Meritat e Muharremit, të këtij strategu të mohuara nga sistemi i njihja, por s’guxoja të pyesja, sepse gjuhës kisha mundur t’i vija një dry të sigurt, heshtjen. Më kalonin parasysh me shpejtësinë e makinës trimëritë, besa e tij e fortë, dhe kurthin që i ngritën pas shpine, dhe që donin me çdo kusht ta asgjësonin fizikisht. Në një kohë, kur ky, ishte një nga udhëheqësit më të shquar e më të besuar te populli, dhe gëzonte një popullaritet të jashtëzakonshëm e të paparë ndonjëherë. Ai ishte dhe udhëheqësi i forcave të Lumës, dhe më i përgatituri ushtarakisht. Luftëtar i çmuar, besnik të ideve përparimtare që luftoi dhëmb për dhëmbë me armikun. Dhe këtë luftë nuk donte ta ndalte deri në bashkimin e plotë të trojeve shqiptare, donte vëllazërimin si komb e të bashkuar me Kosovën, dhe jo kurrë vëllazërim me Jugosllavët. Muharrem Bajraktari dhe njerëzit e tij ishin luftëtarë të ndershëm që kishin luftuar fashizmin dhe nazizmin, dhe jo kurrë shqiptarin që mbante yllin e kuq në kapele. Tregimin mbi këtë histori ma kishte treguar fije për pe ndër vite e bija, Liria. Makina po ece ngadalë dhe nisi të bënte një zhurmë të madhe aq sa po më largonte prej përfytyrimit të betejave, të luftërave të mëdha që ishin zhvilluar pikërisht në ato vise të bukura.

Muharrem Bajraktari, lumjani, vigani i nacionalizmit shqiptar që e deshi i madh e i vogël, u detyrua të largohej nga atdheu ndërmjet Greqisë.

Strategu me dhimbje lë pas familjen në duart e terrorit komunist, ku për 45 vjet do t’i mbante burgjeve, internimeve, torturave pa më të voglin faj, dhe ai, nuk do t’i shihte kurrë më për së gjalli.

Eh, Luma, Luma e trimave! Duke humbur mes përfytyrimit të ngjarjeve të atyre viteve të tmerrshme, më tërhoqi vëmendjen vajza ime e cila deri atëherë po flinte në krahët e mi. I buzëqesha, i fola, e ngrita duke e puthur dhe me padurim doja të arrija, të vështroja vendin, njerëzit e dashur, dhe gjithë kuriozitet vështroja për rreth, dhe thosha: vallë mbërritëm?!

Kur arritëm në bjeshkë mësova se ndodhej një krua që quhej: Kroi i “Hasan Begjit” pastaj ndeshëm në një lapidar, aty makina qëndroi dhe unë, mendova se duhej të bënim ndoshta homazhe por s’ishte siç mendova.

Makina që udhëtonim qe prishur. Udhën e gjatë duhej ta vazhdonim në këmbë, që përveç bagazhit, që dikush prej turmës e mori dhe u nis përpara si për të më udhëhequr, unë kisha dhe vajzën në krah që pesha e saj s’më kishte lodhur, e ajo vogëlushe dukej se gëzohej që do të njihte vendin e gjyshërve.

Poshtë lapidarit hasëm një krua që quhej: ”Kroi i Bardhë”, ishte aq i kthjellët kur derdhej sa aty mund të shikoje qartë fytyrën në ujin me guralecë të bardhë që dukeshin si pasqyra me reflekse. Më pas “Fushë Kalore” apo kthesat e fushës Kalore, siç quheshin. Mbi lapidar dukej kodrina që quhet “Kepi i Gjelit” në lartësinë 2020 m. mbi nivel te detit. Para se të zbresësh ne Fushe Kalore të del përpara: toponimia, një "Rrasa e Ngulmë" ku legjenda thotë se një trim kishte kërcyer me kalin e tij tre herë dhe në kërcimin e tretë kishin plasur të dy ndaj janë tre rrasa të mëdha te ngulura ne një distancë mbi 30 m nga njëra tjetra. Pastaj kalin dhe luftëtarin i kishin shti në një varr të madh të përbashkët aty anash. O Zot, po prezantohesha me mrekullitë, me toponimet e vendit tim, që, që të gjitha mbartnin nga një histori të heshtur!

Po mësoja ato që librat nuk mi kishim mësuar, ato pamje fantastike e tablo abstrakte që vetëm dora e një piktori mund t’i ujdiste aq bukur. Por ja, natyra i kishte përsosur sa nuk ngopesha duke i shijuar.

Duke ecur me turmën, për mua ashtu kuturu, papritur dëgjova një bari që po i binte fyellit, ktheva vrik vështrimin tim të papërqendruar dhe e dallova djaloshin e bukur e zeshkan, që më bëri të ndalem, dhe për disa minuta mbeta e ngrirë duke dëgjuar bariun në këngë.

Në çast më hipi frymëzimi dhe me një dorë ashtu shkel e shko nisa një poezi të cilën e gjeni në fund të përshkimit. Kjo thashë me vete, ishte një mrekulli tjetër, një këngë barinjsh ndoshta kishte mbërritur te djaloshi ndërmjet shekujve... Pastaj vinte fshati Turaj, lumi i ”Zajes” gjarpërosh e me ujin kristal ku rritet trofta e egër. Përballë fushës Kalore me kthesat karakteristike përballë dy vëllezër: Kallabaku i “Vogël dhe i Madh”. Më tutje pamë “Gurin e Kullës” që shfrytëzohej për kuarc të një cilësie të lartë. Në të djathtë të Kallabakut ndodhej një hauz i mrekullueshëm që toponimi i tij quhet “Kazan” ngjitas me të shtrihej bjeshka e “Vakëfit”. Aty rritet “Lule Këmbora” e “Lule Fjolla” me bardhësinë e saj, boronica e dëllinja e zezë e shumë e shumë lule bjeshke të panumërta sa mu duk se pikërisht aty, ishte vendbanimi i kreshnikëve, Mujo e Halili apo Ajkuna duke kërkuar te birin nën hënën e praruar, herë duke u zbehur e herë duke ndriçuar...

Ishte pasdite vonë. Zonën e nxehtë e kishim lënë pas tashmë dhe kishim hyrë në bjeshkët e freskëta. Tisi mbrëmjes donte kohë të binte mbi bjeshkët e bukura me aromë trëndelinë, e në çdo hap që hidhja, dikush para meje më dukej se derdhte parfumin më të përsosur. Nga të gjithë pasagjerët që mbetëm në rrugë dhe mbi të gjitha në ato bjeshkë të bukura, nuk njihja asnjë. Ecja krahas tyre pa fjalë, sepse nga dialekti i kuptoja nga ishin e në cilin fshat do të shkonin. Në atë rast, në vend që të mërzitesha se e vetme në mes të katër rrugëve, çuditërisht u ndjeva e lirë, e lumtur, se atë ditë të vetme njoha mrekullitë e bjeshkëve të mia, të rrënjëve të babait tim, të fisit tim, së fundi të patriotëve të mi, që s’i kisha njohur e ndjerë kurrë kaq pranë. Njoha lulet, blerimin, fyellin në këngë, bujarinë, patriotizmin etj. Pastaj, malin e Novosejt, Hurdhen, Ahun me drurin gjethor të pyjeve malore, me trung të trashë, karakteristike si në malin e Kolesjanit dhe mështeknën e bardhë që bardhësi ndër zemra shpërndante me fletëzat jeshile e të arta që në stinën e vjeshtës shpërndan ende pastërti shpirtërore. Te rezervuari i Novosejt ndeshesh me një mrekulli nga dora e njeriut ndërsa djathtas shtrihet mali i Shishtavecit ku mbizotëron ahu, mështekna e lajthia. Pasi ecëm mjaftë, papritur rruga e gjerë ku ne po ecnim u nda në dysh dhe njëra mbante majtas që të çonte në Novosej, te fshati i mamasë sime, dhe tjetra djathtas, të çonte te fshati i atit tim, Shishtavec. Edhe pse s’kishim jetuar kurrë në ato vise, çuditërisht i doja pakufi. Fëmijëria jonë kaloi e bukur në qytetin e Gjirokastrës, me të gjitha të mirat e Toskërisë, por më pas, na mori ferra uratën... Isha në këto mendime kur ngrita sytë dhe pashë para nesh po shumë larg akoma, shtriheshin dy fshatra të bukur në dy kodrina si dy motra binjake, dhe këto dy fshatra i lidhte një rrugë e gjerë. Aty vura re, se udha që ndiqnim ndahej në dysh dhe u ndala instinktivisht. Bashkë me mua u ndalën të gjithë njëherësh sikur duhej të merrnin një vendim apo një përgjegjësi të përbashkët. - Bajame, këtej majtas me ne! - u dëgjua një zë burri. Unë e dëgjova dhe një vështrim i shpejt kaloi mbi dy fshatrat dhe pa dashje psherëtiva sikur mora frymë thellë. Ishim akoma shumë larg! - Këtej i ke dajallarët...e ke fshatin e mamasë...- nguli këmbë një tjetër.

Sigurisht të gjithë sa ishin më kishin njohur se kush isha, dhe e kujt isha, dhe që vija nga kampi i internimin edhe këtë e dinin. Unë mbeta në dilemë!

Shpirti më dhembte, nuk dija nga t’ia mbaja, të shkoja nga fshati mamasë? E dija se dajallarët e mi meritonin shumë e më dhimbseshin sepse na ndiqnin kudo nëpër internimet tona të pafund. Nga ana tjetër, zëri i babait tim të humbur më vinte si një jehonë që zbriste me dhimbje andej nga po zbrisja unë nga bjeshkët e larta dhe me një forcë të jashtëzakonshme më shtynte djathtas. Në mes të kësaj dhimbje shpirtërore që po provoja, ndjeva se dikush ma rrëmbeu nga krahu vajzën dhe pa lejen time u nis djathtas duke thënë: -Je nga Shishtaveci! Pa fjalë, i ndoqa pas me krenari si bija e denjë e tyre. Kështu u përgatita shpirtërisht për të shkuar të xhaxhai, i cili tërë jetën kishte qenë një titullar i ndershëm me gjithë djemtë e tij. Që neve kurrë nuk na i kishin mbyllur derën, si në Tiranë ashtu dhe në Shishtavec.

Garipi, djali i xhaxhait tim, që ishte dhe sekretar partie në Shishtavec, kishte mbetur në kujtesën time një hero, kur them një hero, e them për familjen Çeliku në përgjithësi. Ky trim me shtat të lartë e sportiv që kishte fituar disa herë garën kombëtare në sportin e skive nuk e njihte frikën. Dhe në sytë e mi prej fëmije mbetej ai trimi i dikurshëm që mbi dashurinë familjare nuk e vuri kurrë dashurinë e partisë. Dhe ditën që u internuam na rrethuan ushtarë të cilët ishin të armatosur e nuk linin njeri të na afrohej apo të na takonte. Garipi, i shtyu me forcën e një djaloshari dhe kur ata e penguan me armë, ai bërtit sa kishte në kokë:

-Është familja imeee! Është familja imeee! Dhe u fut brenda gardhit të ushtarëve dhe na shoqëroi duke mbajtur në krah vëllain tim 2 vjeç gjersa ne, (mamanë me pesë fëmijë të vegjël) na larguan në të errur. Po ashtu sypatrembur, shumë vite më vonë duke qenë dhe sekretar partie vinte në Savër, në kampin famëkeq dhe si trembej syri.

Një rast fisnik brenda kampit në atë shtëpi, (dhomë të vetme) përdhese gjithë lagështirë trokiti Garipi. Ishte dimër. Shiu që kishte rënë me shtamba, ashtu siç bie në Myzeqe kishte krijuar llucë të madhe. Pellgje uji që ngjanin me liqene të vegjël, ndërsa balta ngjitej pas çizmeve duke të fundosur herë njëra këmbë herë tjetra deri në gjunjë, aq sa nuk ia dilje dot. Ndoshta kjo vështirësi dhe të tjera e kishin habitur pak, por gjithsesi ai erdhi!

Ai mbante veshur një xhakavento të trash dhe sa hyri brenda, gjënë e parë që bëri hoqi xhakaventon dhe prej asaj nxori pistoletën e ma dorëzoi mua në dorë, e unë, unë e ngrita, e kyça në shtatë çelësa dhe kur iku pas dy ditësh ia dorëzova. Dhe tani, unë do t’i trokisja te porta.

Muzgu kishte filluar të binte mbi fshatra dhe temperaturat ranë ndjeshëm. Kishim ftohtë. Vajza ime rrinte ngrohtë në gjoksin e një personi të panjohur dhe s’ndihej. Papritur u gjendëm para portës së madhe të shtëpisë, dhe i ramë ziles ku derën e hapi e shoqja e xhaxhait që sa na pa, e habitur, i mori me shpejtësi vajzën nga krahu të panjohurit duke thënë: Tugo, tugo, nanino! Ajo grua fisnike e fortë, e mrekullueshme, nuk arriti kurrë që të mësonte dot gjuhën shqipe, e megjithatë, gjithmonë kuptoheshim dhe njeriu i mirë në çdo gjuhë që të flasë i njihet shpirtbardhësia.

Ndjehesha si një bijë e përkëdhelur, e lehtësuar si në shtëpinë e babait e rrethuar nga dashuria. Kaluam një darkë e një mbrëmje te këndshme dhe u çmallëm me njeri tjetrin duke biseduar. Ata me gjithë dëshirën e mirë që të rrinim sa më gjatë, kishin merakun tim se isha lodhur nga udhëtimi dhe me shtruan te flija.

Ndërsa trupi pushonte mendja në qetësin e natës kish filluar të bridhte

brigjeve te lumit te Reçicës me zambakun e bardhe në livadhet e Novosejt, Moravën e Gurin e Mëngjesit, Gurin e Shishtavecit, fushën e Shishtavecit e Novosejt, pistën e hipizmit natyrorë që nga “Mulliri i Dautit” në Shishtavec.

Një ëndërr shumë e bukur që plotësonte rrugëtimin e djeshëm: Kisha mbledhur buqeta me lule Karafili aromë shumë, lule delesh, manushaqesh, lakra për petë në lugjata, isha flladitur në lumin Llaugja në Novosej, te mullinjtë e gjyshërve të mi Xhafer e Nebi Limani. Dhe së fundi kisha pushuar te guri shekullor i sokakut që qëndronte në të majtë të portës së madhe të gjyshërve të mi. Që me siguri, me shekuj qindra njerëz duhet të ishin ulur pikërisht aty. Te ai gur shekullor i lëmuar që zëvendësonte gjithnjë një karrige.

U ngrita e lehtësuar! Dielli kishte lindur dhe gjithçka shkëlqente. Përpara me priste një dite plote takime me te dashurit e mi. Aromë origjine !

NOVOSEJ DHE SHISHTAVECI

Lart bjeshkëve u ndala

vështrova përqark,

dy fshatra të bukur

u dukën nga larg.

Ofshava aq thellë

sa zemra m’gufoi,

E desha atë fshat,

ku im atë ndaloi!

Në të bukurat bregore

përballë bjeshkëve,

ngritur janë dy fshatra,

madhështi e kohëve.

M’u desh të mendoja

Ku qe pjes’ e fajit?

Majtas fshati mamasë,

djathtas i babait.

Shumë zëra më thanë:

Eja këtej, me ne!

Prej nga ke mamanë,

gëzim dhe hare.

Në dhimbje e dilemë,

nga t’ia mbaja, s’dija!

Isha e braktisura,

e viseve të mia.

Isha një nënë e re,

me vajzën në krah!

Mbeta n’ udhëkryqe,

nga të shkoja, nga?

Peizazhet më dehën,

blerimi anekënd.

Kur fyellin dëgjova,

bariun në këngë.

Lart qielli përflakur,

lartësi e dëlirë!

Mbeta krahëhapur,

Shqiponjë e lirë.

Zemra mbajti djathtas!

Dhe hapi s’më ngeci.

I brendshmi zë më foli:

Je nga Shishtaveci!

FSHATIT SHISHTAVEC

(çdo fjalë në poezi është e vërtetë)

Mbi Shishtavec ndahet toka nga qielli

Asgjë s’është më e bukur se kaq!

Aty ku përflaket dielli

Aty çelin lule, zambakë!

Aty mbi bjeshkët e larta

Ku bora e mbulon çdo vit,

Aty, te gjurmët e bardha

Tretet aty, malli çdo ditë!

Mahnitëse pranvera kur vjen

E gjen rininë të shpërndarë,

A thua do kthehet një ditë

Dashurinë të ndjekë me shkallë?!

Psherëtijnë vajzat çdo çast

Dhe sytë i çojnë nga perëndimi,

A thua ai ju ka faj,

Që jetojnë kohë dënimi?!

Diku braktisur shkallët kanë mbetur

Mungon dorë e djalërisë,

Dritaret duket kanë vdekur

Pa puthjet e ëmbla të rinisë!

Ah, ato çaste zjarrmie ku janë

Si mund të harrohen vallë?

Dhe vjen përditë në sytë e tyre

Djali mbi të bardhin kalë!

Dashuria, kultura ndër shekuj

Cicëron mes gjuhës si zog,

Ndër shekuj vashëz' e ngratë

S’e kish dashurinë monolog!

Tani sy njomur shikon shkallët

Që kanë harruar të ngjiten,

Tek muri atje tek dritarja e saj

Që myku ka nisur të duket!

Mërgim, është fjala që i tmerron!

Ju shkul dashurinë nga zemra,

Ta dini o djem nga besa që bleron

Zgjohen me shpresa, me ëndrra!

Bajame Hoxha(Çeliku)

92 views2 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page