top of page

Një valle në rreth





Një valle në rreth

Tregim nga Fatmir Terziu


E pashë për herë të parë në një festë, ku ishin derdhur të gjitha ngjyrat e botës dhe ajo kërcente pupthi, si një konushkë e vogël, eh si të them më saktë, luante me shpirt, veshur me atë fustan të shkurtër e të bardhë me lule të vogla të kuqe e rozë në sfondin e tij. Isha vetëm dhjetë vjeç dhe sa herë që diçka tërhiqte vëmendjen time, paleta e ngjyrave rreth meje shpërthente në imagjinatën time si një shatërvan, që më bënte pastaj të nxirrja shkumësat e bardhë nga xhepi dhe të gjeja ndonjë derë, ose rrasë e të filloja shgarravinat e mia, të cilat i thoja me mburrje se ishin piktura.

Mbaj mend që një gardh i ulët prej druri më kishte prerë në bark, bishti i një gjeli sheqeri të pangrënë më kishte ngecur në flokë dhe unë, duke shkulur copa karameli nga balluket e mia, shikoja një palë ciganësh të rinj, që po argëtoheshin në një vorbull. Pikërisht, aty ku dhe dy kazanë të mëdhenj vlonin plotë e përplotë me rroba mbi një zjarr me shkarpa që digjeshin furishëm. Hidhnin valle. Valle brezash, mund ta them. Se ishte jo një… Jo një valle, por një shakullinë. Trupat e tyre fluturonin kundër njëri-tjetrit dhe linin fantazma në ajër. Ata takoheshin si në një përleshje, shkëmbenin spërkatje drite dhe pastaj në mes të ulërimës së zurnit, ndërthureshin si me kamxhik dhe i mbanin njerëzit në një rreth të zjarrtë ekstaze. Nuk mund të largohesha, ama dhe as të qëndroja. Sepse as largimi, dhe as qëndrimi, nuk do të më sillnin lumturi. Lumturia lulëzoi vetëm atje, në qendrën e çmendur të turmës, duke u rrotulluar egërsisht me ata të gjithë.

Diçka brenda meje më thoshte të shkoja. Duhet të ketë qenë ndërgjegjja ime. Kisha premtuar se nuk do të rrija nëpër mjedisin e hapërndarë të kësaj feste dhe do të isha në shtëpi në kohë, por përsëri, kur do të vinte bota përsëri në këmbët e mia me gjithë lavdinë e saj? Aty pranë kishte ardhur për herë të parë në atë ditë festive një cirk me kafshë të rraskapitura që shkulnin barin, një rrotë ferri me altoparlant nëpër të cilin një zë burrëror ulërinte „Festa, festa po fillonnnnnn...“, tre-katër tavolina nga ato të shkollës  me vepra të Udhëheqësit, tabela të ROGL-së me piketa të përcaktuara qitjeje, patrulla kufitare që lidhnin "AGGV" (Anëtar i Gatshëm i Grupit Vigjilent) dhe mbi të gjitha promovime për ... lirinë! Nuk mund të shkoja më tej me sytë e mi dhjetëvjeçarë në atë zonë kufitare.

Por më në fund e pashë. Ajo vërtitej para meje e mishëruar, dhe teksa më në fund po ndihesha i lumtur, pashë.... Dmth, një vajzë pak më e vogël se unë, e veshur me një kostum popullor, por aq e zonja, e pakapshme dhe e bukur sa më humbi çdo ndjenjë qetësie. Ndihesha si një harxhues i kotë i kohës sime, një djalosh i papërgjegjshëm, që thithi karamelin e mbetur tek balluket e paprekura, mirë, vetëm një keqkuptim, i zhytur në fëmijërinë e tij të thjeshtë, të ndarë mes qytetit dhe fshatit!

“Të është tharë shamia në faqe”, tha vajza e vogël dhe menjëherë u shqetësova se krijesa e cila u shfaq si një engjëllushkë, dhe më bëri vërejtjen tashmë kishte shkuar në ferr nga turpi.

- Ti, ti, pikërisht ti, po - tha fëmija dhe më shikoi me sytë e ngulur tek unë.

Kishte sy të zinj e të lehtë. Vite më vonë, e lexova këtë krahasim në librin e parë që po lexoja „Djemtë e Rrugës Pal“, por tashmë e kisha parë drejtpërdrejt se për çfarë bëhej fjalë. Epo, ajo kishte sy të ndritshëm e të zinj, aq serioz dhe të përqendruar sa u ndjeva menjëherë fajtor dhe i shëmtuar me atë ngërçin e mbërthyer, mos e merrte parasysh që ajo ishte personalisht e imja dhe deri vonë nuk kishte ndërhyrë fare në lumturinë time. Por atë kohë kishte veshur fustanin e saj të shkurtër, që ia mbulonte ato kofshët e mbushura çokollatë, si mund të largoheshin nga sytë e mi. Isha vetëm dhjetë vjeç!

- Fshije - më bëri të qesh perija - nuk ke shami?

U bëra blu nga kryeneçësia. Nuk do të doja të ma thoshte as këtë! Por doja ta shikoja, si dhe të mos humbisja nga sytë se çfarë po ndodhte me ciganët, tezgat dhe të gjitha modelet e derdhura nga lart nëpër universin e paanë të bukur, duke përhapur flokët e saj të shpurpurta, onde mbi kokat tona.

- Pas pak do të luajmë valle popullore për ... popullin - njoftoi vajza e vogël me epërsi pompoze, shumë e lëvizshme, fine.

- Oh, shumë bukur, - u përpëlita, sikur kuptoja, dhe as që dija të kërceja, por u skuqa edhe më shumë. Nuk e di si e thashë që luaj.

M'u morën mendtë. Ciganët luanin për të gjithë, e ajo, të tjerët, do të luanin vetëm për popullin!

- Ej ju atje, - thirri një drejtues i bëshëm i trupës, duke udhëhequr një tufë vajzash në atmosferën piktoreske, të veshura me fustane shumëngjyrëshe në turmë, - ejani tani, ne po dalim në skenë!

Uau, ato dukeshin si trëndafila të gjallë! Dhe i thoshin njëra-tjetrës radhën e recitimeve, lojës, apo dhe valleve. Dhe kur kërcenin, nuk e di për njerëzit, por ne të gjithë, fjalë për fjalë të gjithë, të barabartë me ciganët, u bashkuam të gjithë në një kërcim të pafund me një dridhje që më rrethonte shpirtin si një brez i kuq. Edhe për ta mbajtur ngrohtë, edhe për ta mbrojtur dhe për të mos e lënë të fluturojë larg këtij festiviteti, se nëse një shpirt endet në terr, nuk ka kthim!

Ajo luajti në ballë të rrethit. Ajo po ecte mbi avull, e vrullshme, e hollë dhe e shkathët. Ajo ishte me ta, duke shkelur tokën, duke kërcyer mbi çdo grimë, duke kursyer çdo fije bari, ndërsa unë pyesja veten se kush nga ku po më shikonte. E gjithë hapësira më dukej si një pasqyrë e pafund, ku shihja vetëm kërcimin e saj në atë valle.

Ajo valle më tërhoqi zvarrë për një kohë të gjatë. Më pas nga vera në verë, nga festa në festë, nga fëmijëria, nëpër nëntë malet e atij vendi ku punova më pas si mësues, në të dhjetën e udhës sime rinore, dhe vazhdoi të më kthente përsëri në vendlindjen time. Tashmë isha në dietë me gjela sheqeri, isha armatosur me një sheqerllëk tjetër në shpirt, kisha gjithçka, sy të bukur dhe flokë të mbushur, onde dhe e dija kur t'i shihja. Bulevardin nuk e kisha tashmë larg. Sapo fillonin xhirrot e pasditeve...

Bulevardi kryesor u bë risia e asaj dite festive. Nuk e di se si nuk e kam gdhendur këtë indikim kryesor, që lindi rastësisht nga një boshllëk i moshës sime të largët dhjetëvjeçare! Në të majtë ishin gjimnazistët e kohës sime dhe djathtas të ardhurit për pushime, nga qytete të ndryshme të tjera, më të mëdha, ku kishin ardhur, dhe që trazira e xhirros dukej një fryrje më e madhe dukej nga hiçi. Nuk ishte një kohë e fryrë me buzëkuq dhe me ndonjë erë të keqe të kolonjës së importuar. Ishte një shishe e vogël me një nënshkrim të thjeshtë „Shampo“. Kur e lava kokën për herë të parë një shoku im i dhomës së konviktit më tha:

- Përshëndete edhe nga unë. Këto gjërra nuk bëhen vetëm me shikim dhe me shampo…., duan pak fjalë ...

I paske rënë pikës! Unë kam një kokë të trashë dhe vetëm zëri im i brendshëm rezonon në të, kur flas nëpër gjumë. Këto gjëra i kisha shprehur disa herë dhe shoku im më dukej se rrinte dhe ai pagjumë. U shpotitëm. Por unë isha më i madh dhe ai heshti. Bulevardi dukej i zhurmshëm. Ajo më dukej se ecte gjithmonë drejt meje dhe më rrezatonte me ata sytë e zinj e të ndritshëm që më preknin dhe më kalonin në arsye më të forta, serioze dhe e përqendruar në thellësinë e tyre, por ishte në një shkollë tjetër. Dhe unë e kisha të vështirë ta takoja. Sidoqofta e gjeta unë mënyrën.

- Më prezanto me të - i thashë një shoqes së saj të klasës, që ecte çdo ditë në rrugën kryesore me të njëtat hapa, por me një këmbëngulje kokëfortë, bezdisëse.

- Nga e di emrin e saj - qeshi ajo - nuk ka problem, është pubertet, por një mrekulli të tillë nuk kam parë kurrë!

Por më ka mërzitur. Të nesërmen e ndaloi dhe foli me të. Isha i varur në kyçin e dorës si një çantë pazari, shampoja në kokën time po e kryente misionin e saj, por vazhdoja të shpresoja se edhe unë mund të bie në sy, sepse këto gjëra bëheshin me shikim dhe fjalë. Ajo u prezantua. Me sa duket, ajo e kuptoi performancën tonë të zbrazët dhe vendosi t'i japë fund cingërrimave. Më dha dorën dhe më tha qartë:

- Je mirë… - duke vendosur theksin në rrokjen e parë.

Më pas, ajo në mënyrë të paqartë ngeci shikimin diku përgjatë rrugicës. Ajo u largua, por pas disa hapash u kthye dhe më shikoi. Nga koka te këmbët. Dhe ky vështrim ishte përqafimi im i parë nga një vajzë. Përvëlues. Si lamtumirë.

- Oh, ajo është shumë e pashme dhe shumë e zgjuar - me një mall provincial, pëshpëriti pas saj Ai - një letrar gjenial! Nuk ka të barabartë në të gjitha shkollat e mesme. Ajo u pranua në një nga shkollat e vendit dhe shërbimet sekrete po shikojnë me detaje biografinë. Të shohim nëse do ta lënë të shkojë. Dhe tani shkon të puthet në kopsht me …. Dhe ajo shkëlqen në të. Por ama mezi u pranua në atë shkollë.... Me lidhje…E kush i mbështet cigankat? Kush pjerdh për talentin e tyre?

Unë vrapova në rrugë, blirët shushurinin para meje. Gushti po ikte pandalshëm. Më duhej të largohesha shpejt nga ....

U hodha në dhomën e gjumit dhe shkrova poezinë time të parë naive. E quajta „Refreni“:

“Ata shushurijnë bulëzat e tyre nën yjet e vjeshtës.

Një mendim i shqetësuar më ngre ballin.

a dua, a dashuroj? Më thuaj, cilën -kë ?

Dhe ndjej se jam dehur nga vallëzimi i përjetshëm… me të”

… dhe më tërhoqi zvarrë. Asokohe nuk e kisha idenë se sa e gjatë dhe e lodhshme mund të ishte kjo valle e përjetshme, nëpër sa kilometra dhe fate do të më përdridhte, në sa gjuhë do të më këndonte dhe si do të më kthente një verë, përmes vrimave të diellta që dilnin nga blirët që zgjasnin hijet si humnera në asfalt, përgjatë shtigjeve të gabuara, rruga për në ... rruga që kalonte nga Spitali i Çmendinës, mes jonxhave e pastaj duke kapërcyer rrugë, rrugica e shina…

Kishim humbur drejtimin. Pranë gardhit disa njerëz u shisnin lule vajtuesve.

- Më falni, ju lutem! - bashkëshortja ime hapi dritaren e makinës - mund të më tregoni daljen për në varrezat e këtij qyteti? Kjo rrugë është aq rrëmujë saqë humbëm dhe ja ku jemi.

- Herët a vonë, të gjithë arrijmë këtu - u përgjigj me një buzëqeshje një burrë i ashpër, i bërë dush nga vapa.

- Mos i dëgjo të vrarët nga vapa, por ec ngadalë pas meje - tha një shitëse e ëmbël lulesh në një tezgë, do të të çoj në një rrugë të drejtpërdrejtë. Por kalon pranë një fushe luledielli, terreni është shumë i ashpër.

- Dhe lulet - e pyeta - kush do të kujdeset për tezgën tuaj?

- Askush nu bën keq për mua - u përgjigj ajo dhe më shikoi me vëmendje me sytë e saj të zinj e të ndritshëm - të gjithë këtu më njohin. Më njohin si të gjallë e të vdekur. Unë nuk do të prek të tyren, as ata të miat. Merre me qetësi! Unë jam në shtëpi këtu. Ejani pas meje, më lejoni t'ju shërbej ...

Ajo u kthye dhe eci përpara. U rrokullis, pak e përkulur, ende e zhveshur sipër gjunjëve dhe me bel të hollë, duke kërcyer mbi gropëza dhe duke kursyer çdo fije bari. Pas disa hapash ajo u kthye dhe më shikoi. Ajo nuk më njohu. Zemra ime rrihte si një zile e çmendur, e veshur me cipë të florrinjtë në lindje të diellit, u rrokullis nëpër rrugën me pluhur të praruar nga vallëzimi i lulediellit. Kaq u desh të përziheshin sytë e ndjesia, bukuria dhe shkëlqimi i cigankës, së djeshme e të sotme, që kishte mbetur po aq e imët, e vogël, në atë fushë me luledielli që të shpinte në varreza. Aty e gjitha ishte një valle në rreth…

19 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page