top of page

NJË TAKIM MBRESËLËNËS


Me 17 shtator të 2022-shit, isha me mikun tim, djalin e Hysenit nga Spatari i Çamërisë. Kemi njohje të hershme me Selman Shemen, një intelektual i plotësuar, jo vetëm në profilin e tij të histori-gjeografisë, por i paisur me kulturë të shumëllojshme në shkallën më të arrirë. Me një veprimtari të gjërë pedagogjike dhe shkencore. Është autor dhe bashkëautor i 26 monografive dhe tekseve mësimore për shkollat e larta, të mesme dhe 9 vjeçare. Ka botuar me dhjetra artikuj shkencorë në revista brenda dhe jashtë vendit. Deri këtu nuk kemi lajm, ose të veçanta, sepse të gjithë kemi miq, të njohur dhe plot takime. Mbasi u përshëndoshëm filluam bisedat pa para tema, ishte një takim mbas një kohe të gjatë. Le të bëjmë një krahasim, lidhur me bisedat mes njerëzve të një krahine dhe temës së përqëndrimit. Marrim shembullin pozitiv: "Me takimin e dy ose më shumë lebërve, fillon polifonia". Në takimin tonë, bisedat filluan me "dhimbjen, moshkallin e komunitetit çam". Z.Selman, një akademik i mirëfilltë, i lindur në Shqipëri nga prindër të ardhur nga Çamëria, por një njohës i shkëlqyer i rajonit të Çamërisë, pa e tepruar në të gjitha drejtimet historike, gjeografike, antropologjike, gjuhësore, traditat, zakonet. Kontribut të vyer ka dhënë sidomos në "Trashëgiminë etno-kulturore të rregjionit të Çamërisë", ku ka trajtuar me kopetencë: "rolin etno-kulturor në identitetin dhe koshiencën regjionale; tiparet dhe veçoritë e mjedisit të banimeve; veshjet dhe shtrojet; kulinaria çame dhe identiteti regional; e drejta zakonore te shqiptarët e Çamërisë; Çamërishtja- dialekti arkaik i shqipes; arti populor, me theksim- këngët dhe vallet çame. Dhe njohuritë e tij, nuk i ka mbajtur për vehte, por i ka trajtuar në mjaft botime për t'u njohur dhe mësuar pasardhësit e banorëve të atij rajoni; të gjithë shqiptarët etnikë dhe shtetet e Europës, Amerikës dhe jo vetëm. Po. Për ta njohur atë rajon, historinë dhe gjithçka që i përket banorëve të lashtësisë, të mesjetës dhe të kohës "moderne", me synim mbajtjen të gjallë, të pastër, të saktë të virtyteve të larta, të veçanta të atyre banorëve, për të cilët kanë shkruar aq shumë baballarët e historisë, gjeografisë, etj. që nga lashtësia e deri sot. Ndërsa unë, më i madh në moshë, i lindur në Çamëri. Njohës i atij rajoni dhe bashkëvuajtës me banorët, shqiptarët e Çamërisë. Kam kontribuar në bërjen të njohur të historisë, gjeografisë, traditave, zakoneve, gjuhës (të folurit e çamërishtes), kalimin e rajonit në administrimin e shtetit grek, persekutimet e egra të atyre banorëve, nga ana e kishës dhe dhe shtetit ortodoks grek, kam dialoguar nëpërmjet shkrimeve me disa nga personalitet e larta të shtetit grek. Kam dërguar materiale të mirëfillta për komisionet e ngritura nga qeveria shqiptare dhe ajo greke, me rastin e negociatave për marrëveshhet dy palëshe, lidhur me marrëdhëniet e shtetit Grek ndaj nënshtetasve të tij nga viti 1913-1945 e në vazhdim. Materiali i hartuar në dy gjuhë, në shqip dhe anglisht. Të gjitha këto të shtjelluara nëpër 12 librat e botuara dhe artikuj të shumtë në shtypin shqiptar dhe jashtë vebdit nga viti 1999 e deri sot. Në këtë takim vllazëror dhe me mall mes nesh, natyrshëm bisedat u përqëndruan në "trajtimin e kohës së shkuar", kryesisht në vitet 1913, 1923, 1936, 1939, 1944-1945 dhe në vitet 1953, 1961 e në vazhdim. Mbasi kaluan 2 orë e gjysëm bisedime tejet të mirëkuptuara mes nesh, para ndarjes këmbyem botimet tona të fundit. Z. Selman më dhuroi librat: "Çamëria (Vështrim gjeopopullativ dhe etnokulturor), botim i vitit 2016; dhe: "Leksikon. Vendbanimet në hapësirën historike shqiptare të ÇAMËRISË", botim i vitit 2022. Ndërsa unë i dhurova librat: "Dhembja dhe moshkalli i Çamërisë", botim i vitit 2017, dhe "Enigma e Çamërisë", botim i vitit 2019. Sot, një ditë mbas takimit, nisa të lexoj nga librat e profesor Selmanit. Që në fillim të leximit, se si erdhi një moment dhe mbasi pushova së lexuari, ndjeva një si biçim "arome" që më çoi në kujtimet rreth ngjarjeve të fëmijërisë. Me mendje u gjinda në oborrin, në kopshtin rreth shtëpisë, në prezencën e prindërve, motrave, vllait më të madh. Humba në të shkuarën, në atë të shkuar që shprehet në mbi 78 vite. Një jetë e tërë, plot kujtime, sigurisht të mira, por në të vërtetë më shumë halle, vuajtje, trysni. E mblodha veten: "Vërtet kisha dhe shteti ortodoks grek, ushtruan mbi atë rajon dhe popullsi egërsi ç'njerëzore dhe deri sot ja kanë arritur qëlimit". Por nuk kuptoj anën tjetër, atë të fryteve që ata i quajnë fitore, kur hapësira e atij rajoni, po thuaj është bosh, pa banorët autoktonë të saj (kryesisht në fshatrat). Atje ka mbi 78 vite që nuk dëgjohen zhurmërat e jetës së njerëzve të saj, as blegërimat, vetëm heshtje, por një heshtje e meruar (mbretëron një mer- një trishtim!), ashtu si ato ditët dhe netët e paralargimit të dhunshëm. Kështu e gjeta jetesën kur e vizitova rajonin, mbas plot 60 viteve larguar. Oborret e shtëpive mbuluar me gurët e avllive, me ferra e gjëmba, ullin të pa vjelur, toka të pa punuara, shtëpi të rrënuara, disa gjysëm të djegura. As valle, as këngë. Asgjë! Ja, kështu e gjeta, prandaj them: "Përse u deshën ato masakra, ato gjëma, ato çmendurira"?. Ku ka vend për të justifikuar predikimin ortodoks? Apo për të kuptuar demokracinë e shtetit Grek dhe të Bashkimit Europian"?. Zërat tanë kërkojnë pa rreshtur Zgjidhje me bazë: Ligjet dhe të Drejtat Ndërkombëtare të Njeriut (as më pak dhe as më shumë). Këtë kërkojmë ta peshojë kandari i Gjykatës Ndërkombëtare të Hagës. Pse nuk arrihet, ose pse vonohet?? Në këtë situatë shpirtërore, e ndërpreva leximin për sot. Kuptohet do e vazhdoj nesër, pasnesër… Fahri Dahri, më 18/shtator/2022.

15 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page