top of page

Një roman që i hedh dritë Pejës


Av. Minush Hoxha, publicist


Hyrje


Dikund nga ora 3 e mëngjesit, nisa të medituarit për romanin “Blirët e Pejës” të shkrimtarit zëmadh e të mirrënjohur shqiptar, Fatmir Terziu. Nga të filloj? Si? Në të vërtetë, a të filloj? Vërtetë që kam dhënë pa numër here perceptimet e mia, por…kjo është një rast serioz. Mund të jetë fatal. Ndjejë se mund ta jap por… Do filloj /të lidhur me atë që kam dhënë më parë/:

“ I vetmi cak imi tek lexoj/rilexoj/ romanin “Blirët…” është kërshëria për të kuptuar peshën letrare-filozofike dhe shtrirjen në kohë dhe në hapësirë-domëthënien, po se po të romanit-dhe, me gjuhën time ndofta paksa të parendomtë të jap një mendim sa më përkatës për narrativin.

Dhe, që në fill të nisjes bëra pyetje-për vete: do ia dalë kësaj? Do ia dal që një bote të dhënë aty, ta analizoj dhe tek interpretoj dialogjet dhe të tjerat bashkë me to, të mbërrijtem tek një mendim të qëndrueshem si vlerë.


Përtej shkrimtarit


Romancieri që nuk është vetëm romancier, një Elbasanas që jeton në në Londër në kryeqendrën e Mbretërisë së Bashkuar, për të cilin do ishte fare logjike frekuentimi në linjen Atdhe-Vendmërgatë, se si për befasinë e të gjithëve /sado që nga një shkrimtar i lartësisë së këtillë pritet një gjë e tillë/, hiq më pak se “ngujon vetën” në një vit të para gadi një shekulli dhe atë në 1936-in vit të një qyteti të cilit nuk ia ka parë dhe nuk do duhej t’ia njeh konkretisht as relievin, as pllajat e gjëra as shpirtin, as historinë dhe tipare të tjera. “Blirët…”jo se jo! E, përkundra kësaj-shkruan një roman të tërë për këtë. Mund të ndodhë kjo? E lexova unë dhe le ta lexojnë dhe tjerët dhe u binda sikur do bindeni dhe Ju.


Z. Fatmir Terziu, ky apologjet i kulturës shqiptare në Britani dhe jo vetëm atje, duket se nga ai instikti hulumtues me të cilin është lindur, ajo kërshëria e vërtetëdashësit të pasionuar, nga shtytës të furishëm të intelektit të tij, tek gjezdis hapësirës pa limit, se ç’ndaloj në Pejën e vitit 1936. Përse në Pejën? Do pyesin edhe kurreshtarët edhe ziliqarët. Nuk kishte ndonjë qytet tjetër të Kosovës të denjë për një roman të këtillë? Cilido. Më në fund, në këtë historinë tonë, secili ka hisen e vetë dhe secilit i takon lavdia për të.

Ndofta se, falë veçorive prej gjithëfaresh: historike, pozitës gjeografike, reflekseve të diplomacisë ndërkombëtare, konfiguracionit mahnitës, florës së vacantë, vendosja e një tragjedie të një familjeje bëhet më e mprehtë, me një tension dramatik të thekshëm tek lexuesi, përtej kësaj, e dhimbshme dhe moralizuese tek e vendos në një qytet, që frekuenton me Shkodrën, por dhe me Beogradin. Frekuenton dhe me Tiranën, apo me qytete ballkanike e europiane rrotull, por edhe me ato tepër të largëta.

Në një qytet që për një kohë gjallërojnë tre tempuj të tre religjioneve. Tre tempuj që ligjërojnë religjionin individualisht, po dhe që japin vetëm një domëthënie. Ndofta që kontrasti i relievit: bjeshkët epike të Rugovës e pllajat jeshille që nuk t’i kapërthen syri japin një pamje që rezaton një bukuri përrallore. Bukuri të denjë për adhurimin dhe për një roman çfarë na e dha z. Terziu.


Romani dhe bukuria e tij narrative


Shkrimtari nis romanin me një Prolog dhe në disa pika jep identitetin e personazheve që tek ecin kaptinave njëra pas tjetres, futin herë në monolog herë në dialog, personazhe të tjera që bëjnë “korrin” romanesk” nëpërmjet të të cilëve edhe përfitohet në shkallën e dhimbjes nga drama e tyre.

Z. Terziu, e projekton fare mire rrjedhën, atë procedeun e romanit duke dhënë së pari Prologun. Një krijues sikur ai, është nonsense të mos ketë ditur se ka mundur t’i dal tek fundi romanit me Epilogun por e vlerësoj me saktësi, se Prologu respektivisht është fati tragjik i personazheve dhënë në Prolog që mbajnë të zgjuar kërshërinë e lexuesit. Prologu i cili, duke dhënë pamjen e një tragjedie, po ngre shumë e më shumë shqetësimin sa për të mësuar se përse një Abdullah Brahimoviç, pas pelegrinazhit në Australi të largët kthehet në Pejë me të holla të fituara, përse një Said Suleviç, një që kishte një ardhmëri pëson një rënie morale, aq poshtë sa për të rënduar ndërgjegjen e vetë me krimin edhe të asaj që aq e deshti, dhe përse ajo Zadja 15-16 vjeçare e bukur, vriten…! Nga kush? Kush është dorasi e kush gërgasi. Po, për këte më poshtë…

Z. Terziu në një vit pikërisht atë 1936-tin, në vitin 1936-të të Pejës së tij që del i veçuar për arsye të vështruara në një plan më të gjerë, në afërisht një faqe romani mbërthen tragjedinë e dy familjeve: Brahimoviç dhe Suleviç.

Të pafajshmit Abdullah Brahimoviç dhe e motra Zadja e bukur dhe i fajshmi Said Suleviç. Dhe bëhet pyetja: përse lejohet një padrejtësi e këtillë. Na thotë mendja se njëra për të rritur peshën e krimit, tjetra të dinjitetit e nderit. Po, cilat janë justifikimet morale, filozofike po deshëm- që i pati parasysh z. Terziu, kur në një rrëmujë armësh, përmes atyre katër vrasësve të paguar me florinj nga Said Suleviç, që nuk dihet sëe cilën gjuhë flitnin dhe atë tek do fillonte zefki për kthimin nga Australia të Abdullahut tek Brahimoviçët. Z.Terziu, la që të gjithë të vriten në një vend dhe nuk do ta gjykoj çështjen sipas drejtësisë e as moralit. Këtë do ja përcjellë Gjykates së shtetit të atëhershëm. |Dhe përsëri, përmes një provokimi të këtillë të gjykatës respektive të pushtetit të kohës, ta nxjerrë në suprinë qelbësirën e mizorinë po të atij pushteti. Në të vërtetë, Abdullah e Zada Brahimoviç, janë ata që të viktimizuar, njëherë shpërfaqin tërë mizerin morale të Saidit, po dhe vetë Saidin sërish në atë shpërfaqje të mizerisë, por edhe të ndëshkuar njësoj sikur të pafajshmit Abdullah e Zade.


Vrastarët me nofkën shtet


Autori sikur e nënkupton, po edhe në kontekstin e thotë se, Shteti, pushteti, gjykata dhe instancat tjera të jurisprudencës, nuk janë aty të ndajnë drejtësi të paanshme, të diferencojnë nderin dhe të pafajshmit, po të dënojnë e shfarosin pa kushte. Si vëlla e motër, si të fejuarin…

Dhe, derisa viktimat vëlla e motër paraqesin moralizim kulmor /njëri si punëtor që treti për fitime në Australinë e largët/ e tjetra me respektin ndaj nderit, zakonit e traditës/ dhe dhimbje tronditëse tek lexuesi, Saidi trajtohet si antivlerë morale i cili është aty sa për të demonstruar figurën që përdhosë nderin, egoizmin, që mohon premisat zakonore e morale dhe aleancën poshtëruese të një batakçiu me krimin –me vrasësit dhe gërgasësit, për të mbetur edhe vetë i vdekur në vendbetejë..


Duke përfunduar


Dua të nënvizoj se pas vrasjes, sipas zakonit të kohës ata “vrasësit” ‘kishin bërë detyrën në kapjen e vajzës’, që të mos ‘kishte fat martese tjetër veç vdekjes’... Të vdekur! Ky ishte një zbatim fanatik i zakonit, i cili shtrihej edhe përtej vdekjes. Vajza e vdekur tërhiqet zvarë deri tek oborri i të fejuarit të saj Said.. Dhe ata, të katër vrasësit të paguar nga Said Suleviç me florinjë/, nuk dihet se cilën gjuhë flitnin. Vetëm një fakt dihet se “Pisha Flamur e Qafës së Pejës… ishte dëshmitari i heshtur…, ishte ajo që foli në gjuhën e tij kur tentuan t’ja prisnin trungun.

Edhe fragmenti i thyerjes tektonike Pejë Karmë drejt Shkodrës, nga Shkodra në Pejë gjatë mbajti erën dhe gjurmët e gjakut... Por gjurmët të shpinin diku më larg... shkrimtari nuk jep informacion për gjuhën, që flisnin vetëm e thotë: ‘kishin bërë detyrën në kapjen e vajzës’, që të mos ‘kishte fat martese tjetër veç vdekjes’...

Romani është një libër i shenjtë për lexuesit shqiptarë, dhe më gjerë edhe për ata që kanë fate të tilla dorëvrasjeje në trungun shqiptar, por dhe një Bibël letrare për pejanët, të cilët kanë rastin të shohin me një sy pas në kohë, hapësirë e vend për rrjedha të dëgjuara e të padëgjuara, të strukura e të kamufluara.

Peja duhet ta nderojë këtë mision prozatori, duhet ta vendosë në këndin e vet të duhur. I mungojnë libra të tillë shqiptarisë, i mungojnë Pejës, i duhen më së shumti gjithë Kosovës.

133 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page