top of page

Një poezi universale



Hiqmet Meçaj, me një poezi universale

Fatmir Terziu


Arti i vërtetë është një rikthim në njohuritë thelbësore. Një kujtim i qëndrueshëm dhe ndonjëherë i përjetshëm i kohës, i njerëzve, i karaktereve, i kulturës, mënyrës së jetesës, shpirtit, dashurisë së tyre. Fuqia e tij është në ngritjen e vetes përtej kufijve të së njohurës dhe të tejrëndësishmes, në fitoren me kalimin dhe kridhën e kohës, moshës dhe largësisë, ligjësisë së jetës. Hiqmet Meçaj nuk mund të ekzistojë jashtë idealit që zhvendos sferat e tjera të jetës. Pa respektuar përmasat e zakonshme, te “Je larg dhe…” ndërton lirisht mendimin e tij, transformon parimin objektiv, duke arritur forma që janë kuintesenca e shpirtërores, e dashurisë për nënën në mall, këngë dhe brengë.

Shndërrimi i mesazhit (“Kur nëna të vjen nëpër ëndërr,/i thua brengë apo këngë,/i thua këngë apo dert,/atëherë çfarë është vërtet?- “Je larg dhe…”) në një aspiratë të qëllimshme, në vetëkapërcim dhe njohje më të thellë të vetes dhe botës, zgjeron kufijtë universalë, përgjysmon botën e mallit dhe të brengës për ta kthyer vetë dëshirën në realitet, në një ferr ndjenjash të pazbutuar, që ziejnë dhe flluskojnë. Ashtu si në poezitë e tij të mëparshme, „karremi në tërësinë e mallit thërret egërsisht“, por jo për shpengime të vetëshpallura trupore, por për „lutje njerëzore“ diskurse në pragun e vargut, ritmit, psikologjisë, theksit, tematikës vetë filozofisë së mesazhit. Kombinimi i këndeve të ndryshme të shikimit, arkitektura e përsosur, ritmi i mallit të individit, rrafshet plastikisht të pastra të fjalës, kundërvënia ekstreme midis statikës së jashtme dhe dinamikës së brendshme, midis peshës së ndjenjës dhe lehtësisë së përvëluar të shpirtit, të gjitha këto janë aspekte formale të stilit të tij. Poezitë e tij tentojnë të ndërtojnë rrëfimin ndjesor të paanë me të padukshmen në diskursin e vetë mesazhit. “ Në mallit i thua je këngë,/në këngës i thua je brengë,/në brengës i thua je dert,/atëherë çfarë është vërtet?”, i fiksuar pas „shkallës së shtatë të përmallimit dhe dashurisë”, nxjerr në dritë shtresat më të thukëta të nënvetëdijes dhe i kthen në besimin e tij të tretur në mall. Prej këtyre vargjeve, jo vetëm ai, por dhe lexuesi, merr forcë për nxitjen e tij në „universet e ndjenjave“ të përmallim- djegshme, pa të cilat ai thjesht nuk mund të ekzistonte. Poeti ekziston brenda tyre, prandaj krijon një poezi të pavdekshme.

Poezi të tilla janë në gjendje ta bëjnë thelbin e ekzistencës, ndërthurjen jetike, rrjedhën e saj, vetë jetën të lidhur me kohën të besojë në lirinë e njeriut (Maurice Reynal), sepse është një e vërtetë e zakonshme, njerëzit janë përpjekur gjithmonë për një mrekulli, sepse ata vetë janë fëmijë të një mrekullie, që shkel mbi tragjizmin e largësisë, ku i biri nuk ndjen aromën e duarve të nënës, të dashurës „Je larg dhe dot nuk të puth,/kjo s’është këngë, po brengë,/as brengë nuk është, as dert,/atëherë çfarë është vërtet?“. Në një kohë vargje të tilla rreken në filozofi të thellë të mendimit për të kërkuar që të provojnë dhe promovojnë të vërtetën e besimit të tyre, që lidhet me tërësinë e fjalës, gjuhës së bukur, lidhjes magjike e transparente të kohës me largësinë dhe mallit me dashurinë. Sot, ato ende bëjnë një shtysë të fortë për të hedhur poshtë besimin, ose mosbesimin e atyre krizantemave të sëmura që mbartin shoqërinë në distancat e tjera, të reja për nha moda e të vrazhda për nga koha. Sepse çfarë tjetër është malli, nëse jo largësia, apo tejzgjatja e ardhshme e ekzistencës, „Kur vjen nëpër ëndërr e ikën,/as këngë nuk ndjen e as brengë,/po mbytesh në ankth e në dert,/atëherë çfarë është vërtet?“, duke prekur jo vetëm kuptimin, dhe muzikalitetin e timbrinn, atmosferën, gjithë shpirtin e Universit që digjet nga e njëjat fjalë brenda gjokseve njerëzore që janë dhe shfaqen përditë e më larg. Tashmë kjo largësi nuk është vetëm instikt, nuk është mall që djeg e përvëlon këdo përditë, por tej e tej një mit, sa i vjetër dhe i ri, e themi krejt pa frikë, se Bota po bëhet një vend më i vogël dhe më shumë njerëz se kurrë më parë po jetojnë dhe punojnë larg njerëzve të dashur. Shumë të tjerë po takohen gjithashtu me partnerët e tyre në internet. Rezultati përfundimtar? Në ditët e sotme, marrëdhëniet në distancë janë më të përhapura se kurrë më parë.

Hiqmet Meçaj kërkon kështu brenda vetë mitit. poeti nuk e rizbulon urtësinë dhe shkëlqimin universal të miteve të vjetra, por përkundrazi arrin të nxjerrë një kuptim të ri prej tyre. Dhe për më tepër, ai përpiqet të krahasojë përvojën e tij artistike me atë që i ka rezistuar provës së pamëshirshme të viteve në largësinë e Njeriut dhe vetë ekzistencës dhe dashurisë. E ky tashmë është tërmeti jonë, i shoqërisë sonë, i vetë ekzistencës snë në këtë largësi. Në epiqendrën e tërmetit tonë, imazhi i mallit të njeriut, vetë njeriut, në kundërshtim me forcën e verbër, metafizike të fatit, ngrihet sërish, duke ndërtuar hapësira të mëdha tempujsh që të lënë pa frymë, ku, pa mëshirë, errësira ul perdet e saj të palosura duke u metuar në retorikën e poetit Hiqmet Meçaj „Sonte e mbolla një këngë,/po s’ishte këngë, po brengë,/as brengë nuk ishte, as dert,/atëherë çfarë është vërtet?“

Pa e sharë fatin e tij dhe “fatin e djegnës prej mallit”, te “Je larg dhe…”, ai është një “dëshmitar i përjetshëm” mes mallit dhe dashurisë, duke mbartur vetëm lirinë e papenguar të shpirtit. Në poezinë e Hiqmet Meçaj, kuintesenca e subjektit me origjinën e saj të natyrshme mistike shënohet vetëm nga një kërkim që nuk ka të bëjë fare me matematikën, pa rregulla dhe pa citime, spiritualiteti nuk është një nga privilegjet e qëndrueshme, por një bazë e një gjuhe të fortë artsjellëse. Nuk ka rëndësi ndonjëherë të rrëmosh mjaft thellë, se kjo ka ndodhur, ndodh dhe ka për të ndodhur gjithnjë, është e provuar dhe nuk është fatale, pasi dhe vetë poeti ynë si mjaft poetë të tjerë të botës së madhe, pra poeti Hiqmet Meçaj, vjen mes nesh me një poezi universale.


85 views1 comment

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page