top of page

NJË POEZI ME AROMË TRADITE QË PIKON LIRIZËM


Prof. dr. Klara KODRA


Poezia e poetit Mihal Gjergji, siç thotë titulli kuptimplotë i vëllimit të tij të fundit, “Kërkoj një strehë”, një vëllim antologjik që përfshin lirika edhe nga vëllime të tjera – “kërkon një strehë”. Po ku? Në gjirin e popullit të vet, në gjirin e lexuesve? Cilit publik i drejtohet ky poet?

Bashkëmoshatarëve, bashkëkohësve, brezit të ri, lexuesit të së ardhmes? Është një poet i lënë disi mënjanë nga kritika. Megjithatë, poezia e tij, një poezi malli dhe dhimbjeje, një poezi e patosit dramatik, ndjek traditën shumëvjeçare të poezisë shqipe, ndikimin nga poezia popullore, nga e cila merr muzikalitetin e ëmbël dhe të ashpër, karakteristik për gjuhën shqipe. Nuk është një poezi moderrniste, as pasmoderrniste. Është një poezi, jo e errët, por e qartë, që ndjek metrikën tradicionale dhe i nënshtrohet magjisë së rimës. Një poezi që i bën jehonë tragjizmit të kohës, kaosit të realitetit shqiptar, që megjithatë nuk mohon vlerat tradicionale të atdhetarisë dhe familjes. Kjo poezi nuk i lë shumë vend dashurisë, prapëseprapë, herë pas here në të shkrepin kulti i bukurisë dhe i ndjenjës, që shkojnë krah për krah me dashurinë erotike, siç ndodh në poezitë; “Poçari”, “Leksion për poezinë”, “Çamja”, ku vizatohen portrete grash me bukurinë karakteristike shqiptare. Te “Leksion për poezinë”- sytë e vajzës krahasohen me “qiellin gri”, te “Poçari”- vajza “shkund argjend me supe”, kuse te “Çamja” gjejmë një portret të plotë , vizatuar me dorë piktori dhe një lloj sensualizmi të shëndetshëm.


Shënime kritike për vëllimin poetik, “Kërkoj një strehë” të poetit Mihal Gjergji

(“Si pranga e ndrynin dy komça jeleku/

Mbi gjinjtë e harbuar, që donin liri/

Mëndafshi i flokut këmbente te bregu/

Stërkala ylberi, që ndjellin magji”)

Dhe heroi lirik shpërthen në çast me pasionin e vet. Po në këtë vëllim dashuria merr më shpesh përmasa tragjike, konkretisht te poezitë “Oh, ata sy!” apo “Varri i ashikut”. Në poezinë e parë kujtohet pa i përmëndur emrin, Ramize Gjebreja.

(“Të jetë një zanë? Lastar i prerë!/

Qefin i bardhë mbështjellë rreth kokës/

Tek brezi mban një revolver/

Në gji, shkretimin e gjithë botës”

Ramize Gjebreja që e “martuan me vdekjen”, sepse në të njëjtën kapotë “vendosi kryet” me “një nga shokët partizanë”. Tek “Varri i ashikut” i këndohet një dashurie të largët në kohë.

(“Dy plumba njeri-tjetrin vranë/

Dy zemrat rrihnin pranë e pranë/

Dhe shpirtrat ikën, s’di ku vanë/

U kthyen pragjet në hapsanë!”

Një temë rikthehet shpesh në vargjet e Mihal Gjergjit, tema e amësisë. Në vargjet e tij shfaqen portrete nënash shqiptare, të dhembshura, stoike, të cilat me tragjizëm përjetuan sakrifica të panumurta,vdekjen e fëmijëve,por edhe diçka më tragjike, mosmirënjohjen e tyre. (“Meraku i nënës”, “Fjalë që s’thuhen”, “Jehonë e largët”, “Nënat”, “Qoftëlargu”, “Në ëndërr”, “Kam njohur një nënë”).

Poeti Mihal Gjergji i jepnjë ngjyrë të veçantë temës së emigracionit duke vizatuar shqiptarët në ikjen e tyre të dhimbshme, ndërsa “Askush s’i ndal/ askush s’i pret/ brenda shpirtit e mbajnë Atdheun/ perëndi adhurimi/ heshtja jonë e akullt iv ret!”. Përfundimi është i hidhur dhe i befasishëm;

“U futet në shtretër fantazmë e Hamletit/

ndaj ikin shqiptarët/

ecin mbi një tel pikëllimi/

në dorë, mbajnë kafkën e shtetit!”

Poezia e Mihal Gjergjit është një poezi malli, mall për rininë që iku, për fëmijërinë e largët në kohë, për miqtë e vdekur ose të larguar, për heroizmin e traditës. Palitra e poetit ka një ngjyrëv të parapëlqyer, argjendin që të kujton shkëlqimin, por edhe ngjyrën e thinjave. Figuracioni popullor shoqërohet edhe me metafora elitare dygjymtyrëshe që dëshmojnë për fantazinë krijuese të poetit si; “furkë e dimrit” që “tjerr dëborën”, “shira kujtimesh”, “lavjerës i frikës”, “çarçaf i reve”, “litarët e shiut”, “mëndafsh i flokut” etj. Ka edhe krahasime befasuese si “retë si fjango ngjyrë blu” ose krahasimi tjetër “si hënë e ngrënë”, për të dhënë figurën e nënës. Disa ndërtime të pakta dialektikore si “Te gorricat e Golëme” ose “Varret e Gumene” i japin vëllimit një ngjyrë karakteristike. Forca tërheqëse e poezisë së Mihal Gjergjit qendron kryesisht tek idetë dhe në muzikalitetin e saj. Ky muzikalitet nuk arrin kulmet që arritën Poradeci dhe Noli, as në ëmbëlsi, as në ashpërsi, por ka një lloj magjie që vjen nga një kohë e largët, nga koha e baladave popullore. Poeti u ka qëndruar besnik vlerave tradicionale etike që sot po humbasin, por edhe poezisë tradicionale shqipe, që i ka rrënjët në poezinë popullore dhe në pasurinë e gjuhës së popullit. Të gjitha këto janë shkrirë në një lirizëm të butë që fsheh në vetvete edhe dramatizmin.

Tiranë, 10 shkurt 2020.

48 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page