top of page

NJË POETE E RE BEFASUESE


NJË POETE E RE BEFASUESE, NGA BLUZAT E BARDHA

Ndonëse poetesha e re Elona Rexhaj, librin “Kur shpirti flet” e ka botimin e parë, fuqia shprehëse e vargjeve lirike të saj, fjalori artistik dhe mjetet stilistike origjinale, që përdor për ndërtimin e poezive, bën të mendosh, se talenti krijues, arrin të kapërceje mungesën e përvojës letrare, krahasuar me poetë të tjerë që shkruajnë e botojnë prej vitesh.

Megjithëse punon në sferën e shërbimit shëndetësor, ku për vet natyrën e kësaj pune, kontaktet me letërsinë poetike, janë disi të rralla, kuptohet se dëshira dhe pasioni për lexim, i ka mundësuar rritjen e shijeve për këtë gjini të arit letrar.

Bie në sy, se synimi i autores, ka qenë që t’iu drejtohet kryesisht të rinjve me këtë libër të parë, ku pjesën më dominonte të titujve poetikë, e ka ngjeshur me lirika dashurie, të lakmuara nga kjo shtresë e shoqërisë.

Talenti i zonjës Elona Rexhaj, spikat që në zgjedhje e titullit dhe shpjegimin artistik të funksionit të tij në këtë libër:

“Kur shpirti nis e flet,/ Ç’do pengesë, nis e sheshon,/Nis të shkruaj, si Poet,/ Trupin, në Penë e shndërron.../ Se kur shpirti nis të flasë,/ Shkrin akujt, e gurët i tret,/ Më fol gjithmonë, me shpirt! /Se kështu, të flas edhe vetë!...”

Antitezat, në sensin kuptimor - logjik të vargjeve, janë një risi karakteristike, në stilin e kësaj poeteshe, si në vargjet:

“Ti je streha ime e vetme, çdo muzg imi dhe agim...”---“ E njëjta dashuri e re, e vjetër”---- “Këtu nuk je, por je tek unë! “ --- “Kur krejt t’u përkushtova, çuditërisht, ike ti!”--- “ Vetëm, por me ty”--- “Më mungon, por s’të kërkoj”--- “edhe pa ty, me ty jam gjithmonë” etj.

Elona e lartëson ndjenjën e dashurisë, si gjendjen shpirtërore sublime, ku të dashuruarit e ndjejnë veten, si mbretër të vërtetë dhe unikë mes masës së njerëzve të tjerë:

“Kur dashurohesh, ti me mua,/Gjithë bota ndalet dhe na vështron, /Ne jemi mbretër, s'ka të tjerë, /Se dashuria, na lartëson... /Dhe zënkat s’bëjnë asgjë më shumë,/Veçse forcojnë ndjenjën tonë,/Si ne nuk ka, jemi unikë. /E kështu do jemi gjithmonë!...”

Duke iu drejtuar partnerit të dashurisë së vet, heroina lirike, shprehet, se dashurinë e vërtetë për të, e ka brenda gjakut, për shkak se ai i ka falur parajsën e ndjenjave:

“Për ty, Egon do ta shkel, /Dhe s’do më vinte keq aspak,/Se dashurinë, që kam për ty, /E kam të futur thellë në gjak.../ Se ti ndjenjën e plotëson,/E çon në përsosmëri, / I fal parajsën zemrës sime, /Më bën të ndjehem mrekulli.”

Është një dukuri e kënaqshme që, në ndërtimet e veta lirike, kjo autore portretizon heroin lirik me disa metafora mjaft interesante:

“Ajo, Shkrin akullnaja, me një shikim, /Thërrmon male e shkëmbinj. /Buzëqesh si Zanë deti, /Dhe po fle, në gjoksin tim. /Ajo, Çmenduri në perfeksion, /Çdo piktor e lë në habi, /Mahnit perëndeshat, kudo shkon”

Mençuria e poeteshës Elona, për të bërë arsyetime të holla në raportet e marrëdhëniet mes të dashuruarve, shpesh të befason:

“Më mungon, por s’të kërkoj,/ Dhe pse malli, më ka pushtuar./ Zemra memece, na u bë, /Për t’u sharë, apo pajtuar. /Më mungon, por s’të kërkoj, / S’jam më unë dhe skam ndryshuar,/Por folenë tende, s’e prish dot, /Folenë time, për të ndërtuar!... “

Duke pasur parasysh, se ndodh që dashuria përflitet nga njerëzit fanatikë ose egoist, heroina lirike e inkurajon partnerin e vet kësisoj:

“Lëre botën pak mënjanë, /Le të flasë, të gumëzhijnë, /Dashuromë, bëj hatanë, /Çmendu si unë, për dashurinë./Se pa ty, mbizotëron, veç gri, /Më merr frymën, më shkatërron, /Dashuromë, o shpirt dhe ti, /Ashtu si unë, dashuromë!... “

Një rast tjetër për t’u shënuar, është dështimi i martesës në çastet e fundit të kurorëzimit të saj, kur pritet vetëm dhëndri, për të shkëmbyer unazat, por shkaku nuk dihet:

“Duhej të prisja gjatë, o shpirt, /E veshur me të bardha për ty,/ Me unazat në duar, /Për t’i shkëmbyer të dy... /Një tufe lulesh, papritur, / M’u gjendën në duar... /Ranë unazat, nga një letër, /Me dy fjalë: “Jam larguar!”...

Gratë përgjithësisht janë tepër të kujdesshme për lukun e tyre. Ato zakonisht e bëjnë zbukurimin e pamjes, si rutinë të përditshmërisë. Po gratë që duan të bëhen sa më tërheqëse për bashkëshortin, e bëjnë edhe qe ai të mos tërhiqet nga femrat e tjera:

“Krihem, vishem, parfum kam,/ Më shiko, si vezulloj!... /Më pëlqen të llastohem, / porsi zanë, karshi të shkoj.../ Më shiko, jam si drita, / Veç për ty rrezatoj, /Mos hidh sytë tjetërkund,/ Ke në mua, gjithçka kërkon!”

Autorja trajton realisht edhe rastin, kur një personazh femëror, e përkushtuar në shoqërinë e vet, këshillon shoqen, për fatin e keq, me burrin pijanec e dhunues:

“E ndjen erën? Kundërmon, / Pi sa plas, më pas shkelmon. /Sa here mallkove veten ti, / Që akoma dhimbjen e duron. / Lere veten, mallko të tjerë, /Fajin e gjen, në duart e tij. /Prania tij, t’u bë ndëshkim, /Ti s'ke faj, ai njëmijë... / Hap dritaren, në errësirë, /Hap krahët, për fluturim! /S'jeton zogu në kafaz, /Jeton veç për shtegtim...”

Ndodh gruaja e ka burrin të punësuar larg, takohet me mall me të dhe kur e përcjell përsëri, shpreh me emocion ndjesitë e saj:

“Kam harruar krejt, o shpirt,/Sesi është, si ndjesi! /Të të dua, si e çmendur, /E të mungosh në krahët e mi. / S’ta ndal dot hapin, i ëmbli im,/Të të them, rri dhe pak, o jetë! /T’i lidh duart, në përqafim, /Se vetmia, si plumb vret...”

Xhelozia, si fenomen i rëndomtë në marrëdhëniet bashkëshortore,

shpaloset artistikisht mjaft këndshëm, në këtë bisedë mes çiftit:

Rebelohesh, digjesh zjarr, / Turbullon e inat mban.../Xhelozo sa fort të mundesh,/Për buzët mishtore që t’u panë!/Se kështu, më bën të di, /Se ke ndjenjë si dikur,/Aq rebele, ndërkohë e qetë,/Si dikur jam, a pak më shumë. /Por dhe unë, të bëj të ditur, /Nën qiellin tim, je veç ti,

S’të ndërroj, për një palë buzë!/S’të ndërroj, as për njëmijë!...”

Grindjet mes bashkëshortëve, nuk ka lënë t’i shpëtojnë Elona, sepse ajo i sheh ato si fenomene të zakonshme që herë forcojnë dashurinë e herë të tjera shkojnë deri në prishjen përfundimtare të familjes. Kjo duket edhe ne këtë krijim të shkruar mjeshtërisht:

Ti kokëfortë, unë me krenari, / Askush nga ne, s’po lë hapësirë./

Mbyllëm çdo shteg mirëkuptimi, /S’ka më përpjekje, s’ka më dëshirë. /

Thuamë, edhe për sa vite akoma, /Veten dhe mua, më shkatërron!/

Ngushtoma litarin edhe pak, /Ndoshta kështu, dhe ti shpëton!...”

Poezia që të krijon mbresa të thella, është porosia, që autorja i jep nënës së saj, kur i shpjegon kujdesin që duhet të tregojë, për vajzën dhe djalin, të dërguar në shtëpinë prindërore.

“Çdo mëngjes, vajzën ma krih! /Bëji gërsheta, ma zbukuro! / Ledhatoi faqe e flokë,/Fort në gjoks, ma përqafo! /Amanet, o Nënë ti,/Trimin tim ruaje shumë,/Është çapkën, e dot s'rri, /Nga përrua, e bën lumë. /Amanet, o Nënë ti,/ Mos m’i lër, të ndjejnë vetmi, /Duaji fort, pa kushtëzim, /Kanë nevojë për dashuri. /Se jam larg, e s’i shoh dot, Përpëlitem /si në varr, /Kur nga ta, më ndan kjo botë.”

E shqetësuar seriozisht nga skenat e shëmtuara që vëren përqark, në përditshmërinë e saj, për fatin e rinisë së sotme, poeteshë Elona ngre zërin e vet protestues:

“Se skandali sot, përbën lajm,/E po shitet lakuriqësia. / Se me nja pesë dashnore me lekë, /E kupton ç’është dashuria. /Ku arriti kjo botë kështu, o njerëz, /Më shumë trishtohem, për brezin e ri. / Le të filloj diku ndryshimi, /Le të fillojë, nga unë dhe ti!... “

Ashtu si dhe emigrantë të tjerë, kjo poeteshë emigrante, shpreh pakënaqësinë e saj, për jetën e vështirë në emigrim, ku ajo, si dhe shqiptarët e tjerë, për të siguruar një jetesë, me të ardhura më të mira, robtohen në punë të rënda, që ndikojnë në plakjen para kohe:

“Nënë moj, po të tregoj ty, /Për këtë timin emigrim: /Për dy parë më shumë,/Lash shtëpinë e gjakun tim. /Nënë moj, Ç’të tregoj akoma, /

Më vodhën buzëqeshjen pak nga pak, /Më ftohen shpirtin, o nena ime, /

Kaq e re, e ndihem plakë... “

Pa u marrë kohë më tepër lexuesve të këtij libri, si redaktor i tij, dëshmoj me kompetencë letrare, se poetesha e re Elona Rexhaj, është një fenomen poetik, i shfaqur së fundi në lirikën shqiptare. Kam besimin e patundur, se me premisat e para të shpalosure në këtë botim, do të ngjitë lartësi të admirueshme, nëse vijon me këtë nivel e pasion, të shkruaj e botojë më tej libra të tjerë. Këtë opinion timin besoj, do ta mbështesin e edhe lexuesit, që do të kenë rastin, të kenë dorë këtë libër dinjitoz.

84 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page