top of page

NJË NËNË VDIQ SOT NË AZIL


Mina T. Qirici

MINA T. QIRICI T r e g i m I ripunuar

NJË NËNË VDIQ SOT NË AZIL

- Mbështetur në ngjarje të vërteta-

Mesnatën e një janarit 2020, mbylli sytë një nënë. E heshtur. E cfilitur. E zhgënjyer. Skajmërisht me dhimbje në zemër. Infermieria e turnit të mëngjesit, shtangu nga habia. Mbi komodinë, dy fotografi të fëmijëve pesë vjeçarë. Njëra bardhezi, tjetra me ngjyra. Ngjasonin çuditërisht me njera-tjetrën. E para, shkrepur para dyzet vjetesh. E dyta, pesë vjet të shkuara. Qëndronin pranë e pranë. Djali dhe nipi i Nënëmadhes. Babë e bir. Mbi gjoksin e të moshuarës, pulsonte ende celulari, fiksuar me numrin: 068 20 32 8… Pesëqind thirrje. Asnjë përgjigje. Infermieria shtypi butonin. Dhomën e vogël e pushtoi zëri paqësor i Nënëmadhes.. “Birim im! Gëzuar vitin e ri 2020! Mbarësi dhe lumturi! Të prita pasditen e 31 dhjetorit. Të prita edhe mëngjesin e Vitit të Ri. Të më uroje. Të të puthte nëna sytë dhe ballin. Kam pesë vjet që të kërkoj. Qysh nga dita që më solle në azil. Kurrë nuk kam marrë përgjigje nga ty, o bir! Më ka zhuritur malli! Për ty dhe nipin. Tani është bërë dhjetë vjeç. Fotografitë tuaja i mbaj mbi komodinën e dhomës time. Të dy pesëvjeçarë. Kështu dëshiron të të kujtojë nëna. Kaq punë ke, or bir, sa nuk vjen të takosh nënën? Nënën që të dha jetën?Të dha dashuri dhe mirësi pafund? Desha të shkruaja një letër lamtumire, por nuk mundem. Ischemia cerebrale m’i ka mpirë duart dhe këmbët, por jo dashurinë për ty. Po të çoj këtë mesazh.Të parin dhe të fundit. E ndjej…Vdekjen e kam fare pranë. Iu luta mortjes mos të më marë në prag të Vitit të Ri. Mos ta prish nëna lumturinë dhe gëzimin. Vdekja ma plotësoi dëshirën. Edhe vdekja ka mëshirë për një nënë të mjerë! Por ti, o bir, ke mëshirë për nënën tënde? Nuk të prek dhe të ngjall emocione dashuria ime? Duaje gruan, duaje femijën tend!Është edhe gjaku i gjakut tim. Po, duaje edhe nënën! Nuk e di pse u largove prej meje? Vras mendjen dhe pyes veten: ku kam gabuar? Ku qendron faji im? Pse të linda? Të rrita mes mijra mundimeve? Të shkollova? Të bëra burrë? Të dhashë jetë nga jeta ime? Nëse të kam lënduar sadopak, kërkoj ndjesë, o bir. Me zemër! Një fjalë e urtë indiane thotë: “Nëna nuk gjykohet. Nëna respektohet!” Gjithsesi, nëse të kam prekur ndonjëherë, kërkoj ndjesë, o bir! Me zemër. Këtu në azil ndihem mirë. Më japin tre vahte në ditë. Më japin edhe kafe. Më sjellin edhe ilaçet e zemrës. Kam kujdesin e gjithë stafit. Kam dashurinë e shoqeve… Por, eh! Më mungon dashuria jote, o bir! Nëna kërkon të të dëgjojë zërin.Nëna ka dëshirë të më puthësh duart. Si atëherë, kur ishe i vogël. Edhe kur u rrite dhe shkove në fakultet. Me puthje duart dhe më këndoje këngën e Sherif Merdanit “Duart e nënës”. Sa e lumtur ndihesha! Fluturoja nga gëzimi. Të kujtohet viti që të blemë shtëpinë? I mblodhëm ato para, si plaga qelbin. Të ftuam ta festonim Vitin e Ri së bashku. Nuk ishim mësuar ndryshe. Po, ti na the, “dua ta festoj me gruan time.” Ne, heshëm. Me dhimbje. Na mungoje ti, o bir! E pritëm Vitin e Ri vetëm. Pas orës 24.00, nuk m’u durua. Erdha me nxitim në shtëpinë tënde. Dëshiroja të të puthja sytë dhe të të uroja. Shtanga në derë dhe nuk hyra brenda. Në krye të tavolinës, qëndrone vjehrra jote! Gajasej së qeshuri. Ika me sytë, mbushur me lotë të nxehtë. Qaja dhe ulërija: “Pse o bir? Kaq shpejt i harrove prindërit?” “Pse o bir? Dashuria e nënës është dashuri mbi të gjitha dashuritë! Zoti, mund të të japë një grua, apo dy, një fëmijë, apo disa, motra e vëllezër me shumicë… Nënë e babë, vetëm një! Nga ajo ditë, yt atë nuk e ngriti më kokën. Vdiq një vit më pas. Mbeta vetëm. Kërcure. Ti u bëre me djalë dhe unë u lumturova. Do ta përkedhelja nipin. Do t’i tregoja përrllat e gjyshit, që yt atë i shkroi enkas për të. Do ta mbaja në prehër. Do ta rrisja, me dashurinë që të rrita ty. Por ti, ia besove djalin vjehrrës. I vura zemërës një gur të rëndë dhe rënkoja me dhimbje. Me dhimbjen e nënës në shpirt. Dhimbja e nënës është shumë e rëndë, o bir! Tani, je vetë prind.E kupton çfarë do të thotë dhimbje prindërore? Më solle në azil, sa dola në pension. E kuptoj! Nuk deshe shqetësime. Por, edhe unë, o bir, nuk dëshiroja të të lodhja me sëmundjen time. Erdha në shtëpinë e të moshuarëve. Jo me dëshirë, por nga dashuria për ty. Më dhe fjalën. Do vije të më takoje. Unë të besova. Besa dhe fjala e dhënë është amanet, o bir! Kostandini u ngrit nga varri. Ia solli nënës në shtëpi të motrën. I kishte dhënë besën. Po ti, a ke besë, o bir?! Tani, vdekjen e kam fare pranë. E ndjej…Këmbët më janë mpirë. Por, duroj! Të jesh ti ai që të m’i mbyllësh sytë për herë të fundit! Të jesh ti, ai që të hedhësh një grush dhe mbi varrin tim. Asgjë tejtër nuk kërkoj nga ty…Ama, një dëshirë e kam: të nxjerr frymën e fundit, mbështetur në gjoksin tënd. Tani syri im nuk nxjerr më lotë. Janë shteruar. Tani, më qan shpirti. Loti i shpirtit është më i rëndë se loti i syrit, o bir! Nuk ka zjarr që t’i thajë. Kam një amanet të fundit, o bir! Të lutem, ma digj trupin në zjarr. Hirin, shpërndaje në bregun e detit. Aty, ku të kemi blerë shtëpin e plazhit. Dhurata jonë për tridhjetë e pesë vjetorin ditëlindjes tënde. Të bëhem vesë mëngjesi e të spërkas fletët e trëndafilave. I mbolli me duart e tij, në lulishten tënde, yt atë. Ndjesë paste! I donte shumë lulet. Këput një gonxhe trëndafili dhe merri erë. Do të gjesh erën time dhe do të thuash:” Aromë nëne!”. Si atëherë, kur ishe i vogël, fusje kokën në gjoksin tim dhe psherëtije:“Aromë nënë”. Dhe, unë, zhysja kokën në gjoksin tënd të vogël, të merrja erë dhe ulëria e ngazëllyer:”Aromë biri!” Hiri im të bëhet erë, në zhegun e verës. Të të flladit trupin, ballin dhe sytë, kur të lahesh në detin e shkumëzuar. Hiri i kurmit tim, të ulet butësisht mbi degët e ullirit. Të njomë lulet e shegës, limonit dhe portokalles.T’u japë frutave aromën e trupit tim. Dhe ti, të thërrasësh me zë të lartë: “Nëna ime!” Dhe unë, të të përgjigjem: “Jam këtu, biri im!” Hiri im të bëhet yll në qiell, të të ndriçojë rrugën e jetës. Të bëhet mirësi dhe dashuri për ty! Por, e di. Nuk do ta bësh një gjë të tillë. Trupin tim do ta kalbë balta. Ti, më ke harruar. Harrohet dashuria e nënës, o bir?! Jeta është rotacizëm. Ja, si stinët e vitit. Ikën pranvera, vera, vjeshta dhe vjen dimri. Unë e pranoj azilin, o bir, po jo braktisjen.Vjen një ditë dhe do të bëhesh edhe ti plak me mjekër të bardhë. Ndoshta, yt bir, kur të martohet, do të të sjellë në azilin, ku ndodhem unë sot. Zemra e nënës, nuk ta uron një gjë të tillë. Nëna të do përtej dashurisë! * * * Nënëmadhja u varros mesditën e 3 janarit. Arkmortin e shoqëronin stafi dhe të moshuarit e azilit. Me sy të përlotur. Me dhimbje në shpirt. Mbremjen e vonë të asaj dite të përmortshme, varrmihësit dëgjuan të shtangur, një pëshpërimë: -Lamtumirë, bir! Të jap uratën, me zemër! Ishin zgjuar legjendat e lashta?! Zëri vinte nga varri i Nënëmadhes…

PS: Miq e dashamirës kanë kërkuar ta ribotoj këtë tregim për gjith publikun. Në respkt të tyre e redaktova përsëri dhe po ua plotësoj dëshirën. Për dy orë, tasjera e kompjuterit tim është sperkatur me pika loti. Brezi i sotëm, po i braktis vërtet prindërit? Tiranë, 06.2020.


129 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page