top of page

Një ndër më të ndriturit e artit kinematrofik shqiptar


NDRIÇIM XHEPA,

një ndër më të ndriturit e artit shqiptar


nga Vangjush Saro


Herë pas here u kthehem shënimeve kritike, edhe pse e kam pranuar që ato nuk janë gjëja më e mirë që mund të bëj. Por qasem, gjithnjë me modesti, sepse shoh në këtë zhanër mungesa të frikshme, madje ndjej njëlloj shkretie… kurse përkushtimi i njerëzve që kanë dhënë e japin kontributet e tyre në këto fusha, është i pamatë e vlerësimet (në çdo kuptim të fjalës) duhej të ishin në lartësinë e figurave të tyre.

Në këtë shënim, do të jem me aktorin Ndriçim Xhepa, që në vështrimin tim është një ndër yjet e artit shqiptar; një emër tejet i rëndësishëm i skenës dhe ekranit. Lindur dhe rritur në një familje aktorësh, ai erdhi në këtë art si një premtim i madh që do të mbahej; në dekada. Tash prej një jete të tërë, ai sjell më të mirën në skenë dhe në ekran; padyshim është një nga artistët tanë më të njohur dhe më punëtorë të disa dhjetëvjeçarëve. Nga “Hije që mbeten pas”, “Unë e dua Evën”, “Treni niset në 7 pa pesë”, “Duaje emrin tënd”, “Telefoni i një mëngjesi” te “Përdhunuesit”, “Sekretet”, “Lindje Perëndim Lindje”, “I dashur armik”, etj., ai performon me shumë vërtetësi, me gjetje por edhe intensitet të ndryshëm në çdo përfaqësim, duke krijuar (pothuaj) përherë një personazh krejt tjetër nga i mëparshmi. Po, një aktor me shumë ‘emra’, që ia del të sjellë gjithnjë një figurë të re, veças në ekran.

Këtu e vlen të ndalemi. Në këtë profesion, ka aktorë që mund të jenë shumë të mirë, por që luajnë përgjithësisht një tip, një karakter, me pak ndryshime. Aktorët që mund të performojnë bindshëm figura tërësisht të ndryshme nga njëra-tjetra, janë të rrallë. Xhepa është pikërisht një ndër ta. Atë e gjen të luajë naivin, viktimën, të ulëtin, të virtytshmin, të zakonshmin… Te filmi “Duaje emrin tënd” (Nasi Lera/ Ibrahim Muçaj e Kristaq Mitro) Xhepa është një student egoist, që nuk se i shtyn tej gjendjet dhe episodet lirike, por ani, duket i dashuruar më shumë me veten sesa me partneren. Te “Unë e dua Erën” (Besa Muço/ Albert Minga) ai sjell një vuajtje ekstreme, një dilemë të madhe, por njëherësh një dashuri të paanë, që më në fund sfidon çdolloj paragjykimi. Te “Lindje Perëndim Lindje” (Dhimitër Xhuvani, Jani Duri/ Gjergj Xhuvani) ai është një ish-kampion, tash meremetues biçikletash, por një njeri kaq natyral, i zakonshëm dhe njëherësh i veçantë, burrë me një botë të madhe, personazh që i kishte munguar kinemasë shqiptare dhe të cilin ai çon te spektatori përmes një loje sa të sinqertë, aq edhe komplekse, në një interpretim solid, që ‘vjedh’ më të mirën nga të gjitha të fshehtat e profesionit. Në filmin “I dashur armik!” Xhepa vjen me një portret krejt tjetër, një tregtar që në dukje sheh punët e veta, fitimet e veta, por që nuk e ka zemrën një thes mielli, një tufë shkarpash apo një dorë kartmonedhash; ai jeton me kohën, ai mendon, toleron, imazhi i fitimeve dhe parasë nuk e ka mposhtur dot. Ndërkohë ai shfaqet aq i veçantë në të përditshmen e vet, njëfarësoj një talent në zanatin e tij, dinamik e kërkues, herë-herë gojëprishur, me raste edhe hokatar, gjithnjë një djalë kokëkrisur në sytë e së ëmës… Ishte i duhuri për këto role.



Po, Ndriçim Xhepa është bërë për skenën dhe për ekranin. Ai i rri kameras plot siguri - një aftësi e aktorëve shumë të mirë - gjithnjë i bindur në atë që mbart, i vetëdijshëm se marrëdhënia me spektatorin nuk është e lehtë, se përplasja me individin që pa le si e kupton artin apo me ekranin a sallën plot spektatorë, është një sfidë; ai duhet ta fitojë dhe e fiton atë. Në karrierën e tij ka pasur gjithnjë seriozitet dhe vijueshmëri edhe sa i takon vlerësimit të dramaturgjisë. Ai nuk ‘jepet’ për çdolloj subjekti; merr përsipër atë tekst që vërtet ka për të treguar një histori. Në shumicën e skenarëve që i janë besuar (pothuaj është përzgjedhur gjithnjë për të qenë protagonist) ai ka sjellë veten, grintën e tij, vetëpërmbajtjen kur është dashur, padurimin, ankthin, forcën, kurajon; luan me shumë shpirt. Është bindës dhe të bën për vete. Më mirë se kaq nuk mund të shkonte një karrierë në këtë art.

Që të ndalem edhe njëherë, shpesh përpiqemi të kuptojmë pse në disa filma - të djeshëm e të sotëm, shpesh edhe asi të huaj - nuk na tërheq pothuajse asgjë, rrimë të ftohtë ndaj tyre, autorët ndjekin manira gjithfarësh veç të tilla që të bëjnë për vete spektatorin nuk gjenden e, kushedi, mbase duan të na imponojnë njëlloj meditimi por që s’thotë asgjë dhe… shumë zgjati kjo frazë, siç mund të shtonte S. Beckett, por kjo shurdhëri nuk ndodh kur ke përpara artistë që jetojnë me rolin, që e kanë menduar mirë se ç’do të sjellin me çdo sekuencë, që janë sy e veshë te partneri, gjendja dhe sfondi, që jetojnë thellësisht me aktin, me krejt dramaturgjinë e filmit. Një aktor këso është edhe Ndriçim Xhepa, që pavarësisht se ku rreh fokusi, s’i shpëton minuta pa lojë; që kur duhet të dalë në plan të parë, e ‘mbush’ ekranin dhe imponohet me klasin e vet aktorial. Grimasat, gjestet, vështrimet, zëri, mërmërima, heshtja, meditimi, grindja në vete, shpërthimi, ai i njeh të gjitha ‘sekretet’ e aktrimit dhe në çdo rast ua ‘trazon’ gjumin kamerave dhe spektatorëve. Buzëqeshja e tij është gjithashtu art më vete; here herë aq e sinqertë e në raste të tjera idhnake, deri cinike… Është një artist i pashoq. Skena dhe filmi shqiptar qëlluan me fat, për atë dhe disa kolegë të tij.

Ndriçim Xhepa është një aktor karakteresh; me karrierë të shkëlqyer, me emër të madh dhe me sjellje modeste. Rrethanat e kinemasë, teatrit dhe përgjithësisht artit shqiptar, kanë qenë dhe janë të tilla, që e kanë penguar ngritjen e këtyre personaliteteve në një stad jetese e njohjeje të tillë që të jetë pak a shumë si ajo e kolegëve të tyre në Perëndim apo, së paku, si ajo e artistëve në vende me popullsi (pra, edhe shikueshmëri) më të madhe. Në qoftë se nuk u shpreha fare qartë, fajin sigurisht e kam unë, siç thotë një personazh i Dikensit. Por vërtet, përtej një portreti të aktorit të spikatur, mund të shtoja që shpesh lartësia e merituar nuk është lartësuar edhe më për shkak të menaxhimit të kufizuar, me ngathtësi, me probleme…

Shikoja këto ditë një film shqiptar me titra në italisht. Nuk po flas për përkthimin, as për drejtshkrimin, por në pjesën prezantuese të filmit (ku shikuesi njihet me autorët, me ekipin realizues) titrat ishin (ende) shqip (!) Këto inkoseguenca në paraqitjen e një krijimi artistik, shprehin më së miri edhe atë që ka munguar më parë: ende nuk e kemi në axhendë siç duhet zgjerimin e kufijve për artin, në mënyrë që ai të shpërfaqë vlerat e kulturës shqiptare, por të sjellë edhe për protagonistët e vet më shumë famë, në rajon dhe më gjerë, edhe të ardhura gjithaq, nëntema në të cilat shkuan zhur kaq e kaq aktorë të mirë: Sandër Prosi, Stavri Shkurti, Bujar Lako, Vangjush Furxhi, Xhevdet Ferri, Agim Qirjaqi, Jani Riza, Agim Shuke, etj. Axhenda artistike dhe vetjake e tyre mund të kishte qenë më e plotë dhe më e lumtur; pritshmëritë si artistë, por dhe si qytetarë me aspirata për një jetë më të mirë, mund të kishin qenë më bindëse.

Në këtë peng, po, peng, institucionet do të duhej të kishin ‘rolin’ e tyre të rëndësishëm, por që e luajnë me dobësi të theksuara, për të mos thënë edhe me… hile. Ato janë shumë prapa asaj çfarë lyp koha. Përfshirja në problemet korente të kulturës, në kërkesat aktuale të filmit në veçanti, investimi në shkolla dhe në vepra artistike të cilësuara, ngritja në një shkallë më të lartë e figurës së menaxherit, përqendrimi te marrëdhënia komplekse e kohës mes vendeve, kompanive e shoqërive, këto janë ‘filmi’ ku ne gjithnjë jemi të vonuar e duke pritur gjatë pas dere.

Duke i mbyllur këto radhë, do të uroja që për artistët në punë e në dinamikë, përfshi protagonistin e këtij shënimi, axhenda dhe jeta të jenë sa më pranë asaj që formulova edhe më lart; të kenë më shumë fat edhe më tej, t’u jepen shanse për të kapërcyer kufijtë - disa tash e kanë realizuar këtë - të bëhet më shumë për karrierën e tyre, seriozisht më shumë, të ketë më në fund vëmendje, qasje e projekte të tilla, që ata të marrin kënaqësitë, fitimet dhe nderimin e duhur nga jeta dhe karriera e gjatë, e lodhshme, jo gjithnjë e vlerësuar.


…………………………………………………………….


Shkrime të tjera të autorit në këtë temë:


Fjalë për kinoregjisorin Albert Xholi.

Dashuria - pengu i Kinemasë Shqiptare.

Çfarë po sjellin në kinema regjisorët e rinj.

101 views13 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page